Rrugica qorre e lirisë

Nga Gjergj Hani

Vazhdon tymnaja. Tymnaja e çoroditjes, pavetëdijes, ose më keq akoma, ajo e llogarive personale që ishin ndërtuar në një kontekst politik që tashmë nuk ekziston.

Vërtet nuk arrijnë të lexojnë kontekstin aktual të rrjedhës politike predominuese ( vullneti amerikan ), apo shkojnë me shpresën që po venitet se; po nuk rrodhi do të pikojë !?

Kjo është e vetmja dilemë që sillet në mendjen time, teksa shoh fytyrat e “reja” të politikës së vjetër që me të drejtë refuzon të vdesë.

Askush nuk varet pa u përpëlitur në litar, deri sa të nxjerrë frymën e fundit, edhe pse është e kotë. Kjo pasi instinkti i mbijetesës, qoftë kjo edhe politike, prevalon gjithmonë mbi racionalitetin e natyrës njerëzore.

Të kuptuarit e të pranuarit e fundit të pashmangshëm është virtyt i filozofëve dhe heronjve, e të tillë nuk kanë gjetur vend në moçalin e politikës shqiptare të këtyre 32 viteve të fundit.

Të vesh në diskutim vullnetin amerikan, së pari është e kotë, dhe së dyti është po aq e kotë sa e pamundur, pasi mirë apo keq,( e kjo mund të hajë diskutim ), ne kemi zgjedhur të rreshtohemi nën suazën e kësaj perandorie, që në mos qoftë e tillë de jure, është pa dyshim e tillë de facto.

Të mos pranosh realitetin, apo ta mohosh, nuk do të thotë se po e ndryshon atë.

Të gjithë janë nga pak konservatorë, pasi bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, e ajo që kanë bërë më mirë në këto 32 vite ka qenë përshtatja e nënshtrimi ndaj vullnetit të njëshit suprem që udhëhiqte, komandonte e urdhëronte, ndërkohë që curma bindej e fryhej pas fitores, apo gjente shkakun diku jashtë vetes për të përligjur humbjen e radhës. Qasje kjo, që I ka privuar nga aftësia e mendimit racional e të pavarur, duke mundësuar teatrin e absurdit që shohim çdo ditë.

Parë në këtë këndvështrim, më dalin llogaritë e urrejtjes së verbër ndaj Bashës. “Fajtor” pasi kuptoi pamundësinë reale për të vazhduar rrugën e tetë viteve të fundit që do të sillte fundin e tij të pashmangshëm, bashkë me kokën e Meduzës, tashmë të prerë nga Tezeu amerikan.

Nuk dua ti hyj analizës së kotë të korit të vajtojcave të sistemit, që përsiaten në qerthuj të verbër mbi vërtetësinë apo shtirjen e evolucionit politik të Bashes. Ai të vërtetën e tij e tha. E ajo ishte keqardhja e mirënjohja për fatin e atij që I mundësoi zenitin në karrierën politike. Mirë a keq, o e vërtetë apo jo, këtë do ta tregojë veç koha, ashtu siç ka treguar, që ndesh perandorisë mund ti biesh e të mbijetosh vetëm si individ kritik, por jo si politikan që synon karrigen e kryeministrit.

Përtej politikës së konsumit masiv, të veshur me petkat e moralit, demokracisë, lirisë e ku ta di unë c’tjetër, qëndron real politika e interesave të perandorisë, që nuk fal askënd që u bie ndesh.

E mira do të ish, që gjithkush që pretendon të recitojë në teatrin e politikës, ta ketë të qartë këtë fakt, pasi dashur apo pa dashur dielli për ne lind në perëndim.

Exit mobile version