Korrupsioni vijon të mbetet “thembra e Akilit” për Shqipërinë. Ndonëse u miratua reforma në drejtësi dhe qeveria pretendon se po e lufton këtë fenomen, në fakt për ndërkombëtarët korrupsioni është problem mjaft shqetësues.
Kjo është konstatuar dhe në një raport që ka hartuar prezenca e OSBE në Tiranë. Raporti është prezantuar dje nga ambasadori, Michel Tarran në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE.
Por ajo që ka tërhequr vëmendjen është qendrimi i së dërguarës së SHBA në OSBE, Katherine Brucker. Ajo e ka vlerësuar raportin, teksa gjithashtu konstaton se korrupsioni është mjaft problem në vendin tonë. Sipas saj dy fushat ku gëlon ky fenomen janë tenderët dhe Tatimet. Ajo i ka dërguar mesazh drejtësisë që të luftojë këtë fenomen duke goditur te nivelet më të larta.
“Shqipëria përballet me një sfidë të madhe nga korrupsioni, i cili është një pengesë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe kontribuon në emigracionin e lartë. Ne mirëpresim strategjinë e qeverisë për të luftuar korrupsionin në sektorë me rrezik të lartë si prokurimi publik dhe administrata tatimore. Mbështetja e misionit në terren për reformat e sektorit gjyqësor do të çojë në një bashkëpunim të qendrueshëm ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit, prokurorëve dhe gjyqtarëve për të trajtuar korrupsionin e nivelit të lartë. Trajnimi i ekipit tuaj për Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ndihma për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë po përmirësojnë vendimmarrjen dhe rrisin transparencën”, thuhet në qëndrimin e ambasadores amerikane.
Sipas saj, programimi i misionit në terren me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të forcuar administratën zgjedhore të Shqipërisë është gjithashtu jetik. Por sipas saj, edhe ky mision ka problemet e veta.
“Fatkeqësisht, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri – si të gjitha misionet e tjera në terren – përballet me vështirësi të konsiderueshme operacionale për shkak të kufizimeve të rënda financiare. Paaftësia e shteteve pjesëmarrëse për të miratuar një buxhet të unifikuar ka vënë nën presion të panevojshëm aftësitë e të gjitha misioneve në terren për të kryer me efektivitet mandatet e tyre, duke ndikuar në gjithçka, nga personeli dhe burimet deri te zbatimi i programit”, tha Katherine Brucker.
Qendrimi saj vjen në vazhdën e shumë qendrimeve të ardhura nga SHBA. Për ta korrupsioni është një fenomen që duhet të marrë fund dhe për këtë arsye po investojnë fort te reforma në drejtësi.