Shqiptarët ikin! Të huajt për punë në Vlorë, mbi 2000 aplikime gjatë këtij viti

Rreth 50 mijë qytetarë i largohen vendit çdo vit, kryesisht në moshë aktive për punë.
Largimi i tyre ka krijuar me mijëra vende vakante në bizneset vendase. Nga viti në vit Vlora po ndryshon strukturën e shërbimit në turizëm, duke kërkuar fuqi punëtore nga shtete të tjera. Këtë fakt e tregon numri në rritje i të huajve që bëjnë aplikime për leje qëndrimi në zyrat e drejtorisë rajonale të Vlorës.

“Mbi 2000 shtetas të huaj kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me leje qëndrimi unike pranë zyrave të AKPA Vlorë, një pjesë e tyre janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit”,- tha në një vëzhgim Euronews Albania.

Në dhjetë muajt e këtij viti, aplikimit janë 3-fishuar për leje qëndrimi. Specialistja e migracionit në Vlorë shpjegon me detaje procedurën që ndjekin të huajt.

“Ne trajtojmë vetëm pjesën e miratimit të punësimit si dokument pune që u duhet këtyre shtetasve për t’u pajisur me leje unike. Kryesisht aplikimet kanë qenë nga vende si Turqia, Egjipti, Myanmari, Uganda”, Gjinovefa Xhori, specialiste e migracionit.

Kërkesat më të shumta kanë qenë gjatë periudhës së verës, çka nënkupton se shumica shfrytëzojnë sezonin turistik për tu punësuar.

“Kulmi i këtyre aplikimeve ka qenë rreth periudhës maj-gusht; periudha korrik-gusht ka qenë fluksi më i madh i aplikimeve, dhe këto aplikime kanë qenë kryesisht në sektorët e turizmit, fasonerisë, ndërtimit dhe peshkimit. Po, një pjesë e tyre që nuk plotësojnë kriteret ligjore dhe dokumentacionin përkatës janë refuzuar si aplikime”,-tha Gjinovefa Xhori, specialiste e migracioni.

Mungesa e forcës punëtore ka detyruar shumë biznese të kërkojnë punëtorë jashtë vendit, kjo ka sjellë rritjen e kërkesave për t’u pajisur me leje qëndrimi unike në Vlorë.

Exit mobile version