Shtatë drejtuesit e policisë në shërbim të baronëve të drogës

Nënkryetari i PD, Paloka ka zbardhur dje rolin që shtatë drejtues të policisë kanë në trafikun e drogës, ndërsa sqaron edhe se si droga kalon nga pikat kufitare nën kujdesin e plotë të dy titullarëve të Ministrisë së Brendshme për kufirin. “Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge”, thuhet në deklaratën e PD.
Skema se si ata kalojnë drogën në drejtim të Italisë bëhet përmes Portit të Durrësit, ku garantët janë dy titullarë të tjerë të policisë së Tahirit. “Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes drejtorit të Kufirit, Boge, Budini dhe zëvendësdrejtorit të Kufirit, Moisi Sula”, tha Paloka.
Drejtori i Qarkut të Gjirokastrës është kontrolluesi i të gjitha plantacioneve të drogës për zonën që duhet të luftonte në fakt trafikun e narkotikëve. “Aranit Arapi, drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, veçanërisht në vendlindjen e ministrit të Brendshëm”, thuhet në deklaratë.
Një lëvizje mjaft kompromentuese në polici është ajo e drejtorit të Policisë për Lezhën, ku njeriu i proceduar për trafik narkotikësh është vendosur në krye të rendit për këtë qark. “Dritan Lenja është proceduar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të Policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e Komisariatit të Kurbinit”, tha Paloka.
Nuk mund të mungonte në këto lëvizje edhe kushëriri i Tahirit, i cili nga Lezha dërgohet drejtor i Qarkut në Shkodër. “Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Çela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër.
Ja pra, se si Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës”, tha Paloka.
Të gjitha këto lëvizje në polici, për nënkryetarin e PD, Paloka janë në shërbim të karteleve të drogës në qeveri.
“Lajmet e përditshme për grabitjet, aksidentet me pasojë vdekje, vrasjet dhe kultivimi i drogës në çdo pëllëmbë të territorit, dëshmojnë gjendjen dramatike të rendit dhe shpartallimin e çdo standardi sigurie. Arratisja dje e një shtetasi turk në Rinas në sytë e Policisë Kufitare dhe përpjekja për ta fshehur këtë skandal që doli në dritë falë denoncimit të Partisë Demokratike, është një tjetër konfirmim se Edi Rama ka hequr dorë nga detyrimi kryesor që ka si Kryeministër në detyrë, për të ofruar rend e siguri. Edi Rama po provon çdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës.
Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminimin e drejtuesve të policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit.
Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën.
Por droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Nuk është e ardhmja e tyre. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë punë të ndershme, rend e siguri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, thuhet në deklaratën e PD.

Enton DOÇI

Exit mobile version