Portieri shqiptar i Lacios, Thoma Strakosha, me shumë mundësi do të bëjë debutimin e tij në një derbi të kryeqytetit italian në përballjen e nesërme ndaj Romës. 21-vjeçari i talentuar është aktivizuar në 11 ndeshje gjatë këtij sezoni dhe paraqitjet e tij kanë qenë mjaft bindëse.
Dëmtimi i Marketit, i cili ende nuk është rikuperuar, do të bëjë që trajneri Simone Inzagi t’ia besojë sërish portën Strakoshës në ndeshjen e parë të vlefshme për gjysëmfinalet e Kupës së Italisë.
Historia e shqiptarit në derbin e kryeqytetit italian është mjaft pozitive në nivelin e skuadrave të të rinjve. Ai ka fituar në të 4 ndeshjet që ka luajtur ndaj Romës me të rinjtë dhe për më tepër trajner ka patur po Simone Inzagin. Në këtë mënyrë, Strakosha mund të konsiderohet si një fatsjellës për trajnerin e Lacios në përballjet derbi, ndaj dhe aktivizimi i tij nuk do të bëhet me shumë dyshime.