Mos ia përmendni më çokollatën Pep Guardiolës. Kush e di, ndoshta do të ketë qenë efekti i dështimit në Ligën e Kampioneve, por prej disa ditësh në Angli, Pep Guardiola është treguar shumë pak i disponueshëm për të bërë lëshime te futbollistët e tij. Përkundrazi, ai ka nisur që të presë edhe ato pjesë ushqimesh që programi i regjimit të tij dietik i lejonte ende.
Dhe ato nuk u janë ndërprerë vetëm lojtarëve, por të gjithë profesionistëve të stafit të tij te Mançester Siti. Ai ka vendosur heqjen nga magazina të ushqimeve në qendrën stërvitore të të gjitha ushqimeve kalorike si çokollata apo ushqimet e thata.
Grushti i fortë i trajnerit spanjoll kundër, përfshirë edhe çokollatat e mbingopura me sheqer, mund të jetë motivuar nga zgjedhja për të promovuar një dietë të shëndetshme për lojtarët e tij. Sigurisht që lë të dyshosh shumë momenti që kjo masë është marrë, e cila zor se mund të konsiderohet një rastësi që të ndryshosh regjimin ushqimor të skuadrës në fund të muajit mars, atëherë kur hyhet në fazën e fundit të sezonit. E parë nga larg, kjo zgjedhje i ngjason më shumë një ndëshkimi për eliminimin e “qytetarëve” nga 1/8-at e Champions-it.
Fakt është, sipas asaj që tregon “Manchester Evening News”, se Guardiola i ka hequr të gjithë shpërndarësit e ushqimeve të thata dhe çokollatave nga zona e kampusit “Etihad”, qendrës sportive të klubit. Silvia Tremolada, dietologia e trajnerit, ka vendosur një plan ushqimor për të gjithë stafin jo vetëm për lojtarët, ku përfshihet baza e peshkut, makaronat, orizi, pula dhe sallata.
Guardiola nuk është i pari që merr masa të tilla në Premier Ligë: Di Kanio i ndaloi Sandërlendit majonezën dhe çdo ushqim tjetër me përqindje të lartë yndyrore, Venger çokollatat “Mars” Arsenalit, Mojes patatet e skuqura Mançester Junajtid, Konte pijet e gazuara, keçapin dhe salcat Çelsit, Klopi vezët Liverpulit dhe Ranieri hamburgerët Leiçesterit.