Theresa May dënon sulmin terrorist ndaj myslimanëve

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e ka përshkruar sulmin në një xhami në pjesën veriore të Londrës, si përpjekje të “neveritshme” për shkatërrimin e lirisë së religjionit.
Këto komente ajo i bëri dje, pasi një person me makinë i ka sulmuar këmbësorët afër një qendre myslimane sociale në hapësirën Finsbury Park, ku gjendet edhe xhamia, duke e vrarë një person dhe plagosur 10 të tjerë.
Ky incident po hetohet si sulm i mundshëm terrorist. Sulmuesi 48-vjeçar është arrestuar, pas asaj që dëshmitarët thanë se ishte një sulm i qëllimshëm kundër besimtarëve myslimanë. Sulmi ka ndodhur pak kohë pas mesnatës. Autoritetet po zhvillojnë hetime nëse personi, i cili ka vdekur derisa i ishte dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes, ka vdekur nga sulmi ose nga ndonjë shkak tjetër.
Policia tha se të gjitha viktimat ishin myslimanë. “Ky ishte një sulm që edhe një herë në shënjestër i kishte njerëzit e thjeshtë dhe të pafajshëm, gjatë punëve të përditshme të tyre, kësaj radhe të myslimanëve britanikë, derisa ata largoheshin nga xhamia pas faljes”, tha Theresa May, duke iu referuar sulmeve aktuale terroriste në Mançester dhe Londër.
Ajo ka theksuar se sulmi është “përkujtim se terrorizmi, ekstremizmi dhe urrejtja, kanë forma të shumta dhe përkushtimi ynë për t’i ndalur ato, duhet të jetë i njëjtë, pavarësisht se kush është përgjegjës”.
Kryeministrja May tha se shoferi i makinës ka vepruar i vetëm dhe policia do të mundësojë mbrojtje shtesë të nevojshme për xhamitë.
Këshilli Mysliman në Britani (MCB) tha se, sulmi ishte manifestimi më i dhunshëm i islamofobisë në Britani, gjatë disa muajve të fundit dhe ka bërë thirrje për siguri të shtuar në vendet ku tubohen besimtarët.
Ky këshill, në rrjetin Twitter ka shkruar se, incidenti ndodhi afër xhamisë në Finsbury Park dhe se makina “qëllimisht” i ka qëlluar besimtarët që largoheshin nga xhamia.
Ky incident ndodhi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur besimtarët myslimanë falen gjatë natës.
Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Amber Rudd, tha se policia “menjëherë” e ka trajtuar këtë incident afër një xhamie në Londër, si sulm të dyshuar terrorist.
Kryetari i qytetit të Londrës, Sadiq Khan, tha se ekipe të shtuara të policisë janë vendosur për t’i siguruar komunitetet, e veçanërisht ato që e mbajnë Ramazanin. Lideri opozitar britanik, Jeremy Corbyn, tha se është “totalisht i shokuar” nga incidenti.
Gjatë muajve të fundit, Britania është goditur nga një seri e sulmeve, përfshirë edhe atë me furgon dhe thikë në London Bridge, më 3 qershor.
Më 22 maj, një person me një automobil të huazuar i ka qëlluar këmbësorët në Westminster Bridge në Londër dhe ka therur për vdekje një polic, para se të qëllohej për vdekje nga policia. Nga ky sulm ishin vrarë pesë vetë.
Më 22 maj, nga një sulm vetëvrasës janë vrarë 22 persona në koncertin e yllit amerikan të muzikës pop, Ariana Grande, në Mançester, në pjesën veriore të Anglisë.
Kryetari i qytetit të Londrës, Sadiq Khan ka vlerësuar se këto sulme “ishin kundër të gjitha vlerave tona të përbashkëta për tolerancë, liri dhe respekt”.
“Sulmi në Westminster Bridge, sulmi në London Bridge, sulmi në Mançester, sulmi i mbrëmshëm – të gjitha këto janë sulme kundër vlerave tona të përbashkëta për liri, tolerancë dhe respekt. Terrorizmi është terrorizëm pavarësisht nëse dikush është i inspiruar nga tregimi islamik ose format e tjera të themi të inspirimit”, tha Sadiq Khan.
Këto sulme kanë pasur ndikim në fushatën para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 8 qershor.
Kryeministrja Theresa May është kritikuar se derisa ishte sekretare e Brendshme në periudhën 2010–2016, e kishte mbikëqyrur reduktimin e pjesëtarëve të policisë për 20 mijë vetë, në Angli dhe Uells.

Qytetarët ndaluan terroristin e sulmit

Policia londineze tha se një furgon u përplas mbi këmbësorët afër një xhamie duke vrarë një dhe plagosur dhjetë persona.
Policia kundër terrorizmit po drejton hetimet mbi sulmin. Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se autoritetet po e trajtojnë si sulm të mundshëm terrorist dhe e cilësoi atë si një “incident të tmerrshëm”.
Autoritetet thanë se policët arrestuan shoferin 48-vjeçar të furgonit, i cili ishte ndaluar nga qytetarët në vendin e ngjarjes.
Harun Khan, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Myslimanëve britanikë, tha se sipas dëshmitarëve, shoferi ishte “motivuar nga islamofobia”.
Ai tha se pret nga autoritetet që të shtojnë masat e sigurisë përreth xhamive në kohën kur po afrohet fundi i muajit të Ramazanit.
Policia tha se nisur nga natyra e sulmit, janë shpërndarë “burime shtesë të policisë”.
Britania është përballur me një seri incidentesh muajve të fundit, përfshirë sulmin terrorist në Mançester dhe atë në afërsi të London Bridge, që lanë pas vetes dhjetëra të vrarë.

Exit mobile version