Zgjedhjet e lojtarëve si në “Big Brother”

Mediat kanë kritikuar Gianni de Biasin për listën përfundimtare. Sipas tyre, pritja për të përzgjedhurit u bë si “show” në një “Big Brother”. Shqipëria e ka për herë të parë pjesëmarrjen në Europian dhe shpeshherë ndodh që të bëhen gabime prej fillestari. E marta ishte një ditë jo fort e këndshme për të gjithë tifozët shqiptarë që kërkonin të informoheshin për listën me lojtarë që do të udhëtonin drejt Francës, por si asnjë vend tjetër në Europë, trajneri i kuqezinjve, Gianni de Biasi e zbardhi i fundit listën përfundimtare.
Pati disa komunikime se lista do të shpallej pas seancës stërvitore të pasdites, por ajo u shty për më vonë. Më pas, pati një tjetër njoftim se lista do të publikohej, pasi skuadra të kishte darkuar, por edhe kjo nuk ndodhi, sepse De Biasi e shtyu publikimin e listës pas një takimi që zhvilloi me gjithë skuadrën në orën 21:30, shkruan “Super Sport”.
Italiani vazhdimisht është mburrur se, zgjedhjet i bën ai dhe vetëm ai, por dje vonesa e tepruar dhe shtyrjet e vazhdueshme, duke “luajtur” disi edhe me durimin dhe nervat e tifozëve të shumtë, nuk lanë një shije të mirë në opinion. Pritja për të përzgjedhurit u bë si “show” në një “Big Brother”.
Vetëm 3 qendërmbrojtës
Surpriza e katërshes që u la jashtë nga tekniku De Biazi ishte padyshim ajo e Berat Gjimshitit. Nëse emrat e Amir Rrahmanit, Herolind Shalës dhe Milot Rashicës ishin të pritshëm, lënia jashtë Europianit e mbrojtësit të Atalantës habiti disi. Praktikisht, në Francë, De Biazi do të ketë në dispozicion vetëm tre qendërmbrojtës, Lorik Canën, Mërgim Mavrajn dhe Arlind Ajetin.
Pesë shkatërrues
Mesfusha është e mbushur me shkatërrues. Nga nëntë lojtarë që janë pjesë e këtij reparti, pesë janë shkatërrues. Ledian Memushaj dhe Migjen Basha janë futbollistë teknikë dhe të bukur për t’u parë. Gjithashtu, lojtarë të krahut që sulmojnë dhe krijojnë janë edhe Odise Roshi e Ermir Lenjani. Duket se trajneri u ka kushtuar më shumë rëndësi shkatërruesve dhe taktikës mbrojtëse.
Pikëpyetja “Veseli”
Frederik Veseli ka qenë emri më i lakuar gjatë ditës së djeshme në të gjitha rrjetet sociale, pasi De Biasi ka bërë publike listën “e zezë” me katër emrat e futbollistëve që janë lënë jashtë Europianit. Mbrojtësi i djathtë nuk ka luajtur gjithsej 90 minuta me Kombëtaren në dy miqësore dhe asnjë minutë në eliminatore. Ka qenë titullar me Luganon në Zvicër, por si pjesë e kuqezinjve, marrja e tij në Europian shihet me skepticizëm.
De Biasi: Ja pse nuk mora Gjimshitin dhe Rashicën
Gianni de Biasi ka ngjallur reagime pas publikimit të listët përfundimtare prej 23 lojtarëve. Herolind Shala, Amir Rrahmani, Berat Gjimshiti dhe Milot Rashica janë lënë jashtë listës për Euro 2016. Kurse, shumë tifozë kanë mbetur të habitur se si strategu italian ka lënë jashtë ekipit Gjimshitin dhe Rashicën.
Ndërsa, De Biasi ka zbuluar arsyet përse nuk do t’i marrë me vete në Francë Gjimshitin dhe Rashicën. “Pse nuk u ftua Gjimshiti? Sepse ka një vit që nuk luan”, ka deklaruar De Biasi në konferencën për media.
“Rashica? Ka luajtur shumë gjatë këtij, por fatkeqësisht nuk ka qenë shumë me ne. Ai ka luajtur 25 minuta ndaj Luksemburgut dhe pjesën e dytë ndaj Katarit. Është një super lojtar që kam besim që do të jetë në të ardhmen”, ka theksuar italiani.

Exit mobile version