Europa dhe lavdia e dikushme

Javier Solana

Bashkimi Europian po zhytet në një nostalgji të rrezikshme. Jo vetëm që është duke kërkuar “kohët e lavdishme të së shkuarës” – përpara se BE të “shkelte” sovranitetin e shteteve, duke nxitur kështu ngjitjen e partive politike nacionaliste; udhëheqësit europianë vazhdojnë të përpiqen që të zbatojnë zgjidhjet e të djeshmes, për problemet e të sotmes.
Supozohej që të gjithë duhej të kishin përfituar prej integrimit europian. Kurdoherë që futej një vend i ri në BE, ai merrte ndihmë financiare, ndërkohë që shtetet ekzistuese fitonin qasjen në një treg të ri. Pritej që avantazhet të vinin jo vetëm prej tërësisë së të dhënave, por edhe prej përvojave individuale të vetë qytetarëve.
Por realiteti ka qenë më pak i qartë. Pas krizës financiare globale të vitit 2008, ekonomitë më të dobëta të BE-së u përballën me papunësi të lartë, sidomos mes të rinjve, ndërkohë që ekonomitë më të forta ndjenë trysninë për të “shfaqur solidaritet”, duke shpëtuar vendet në telashe. Kur ekonomitë më të forta i ofruan ato paketa shpëtimi, ato përfshinë brenda tyre edhe kërkesa për masa kursimi, të cilat pengonin rimëkëmbjen ekonomike të marrësve të ndihmës. Pak mbetën të kënaqur, dhe shumë fajësuan integrimin europian.
Në këtë kontekst, partitë dhe lëvizjet politike që kritikojnë apo kundërshtojnë BE-në, kanë fituar forcë tërheqëse të konsiderueshme, sidomos në Europën Perëndimore. Ndërkohë, që këto lëvizje nuk janë aspak të reja, mbështetja për to është rritur në mënyrë alarmuese gjatë trazirës që shkaktoi kriza. Në të vërtetë, pas çdo politike të dështuar për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike, europianët janë ndjerë gjithnjë e më të pakënaqur, duke i fryrë kështu ndjenjave populiste dhe kërkesave për një rikthim tek sovraniteti kombëtar.
Udhëheqësit politikë që kanalizojnë këto kërkesa nuk duan vetëm rivendosjen e kontrollit kombëtar në të gjithë fushat; ata po përhapin gjithashtu një mesazh indiference – madje edhe kundërshtim të drejtpërdrejtë – ndaj të huajve, gjë që u reflektua në reagimin e tyre ndaj fluksit të refugjatëve në Europë. Sipas tyre, secili shtet duhet të mbrojë veten me çdo mjet, edhe nëse ndërkohë vihet në provë sundimi i ligjit.
Por ndërkohë që dhimbja ekonomike që ndjejnë shumë europianë është sigurisht reale, diagnoza nacionaliste e tyre është e rreme. E vërteta është se BE mund të kritikohet për mënyrën se si përballoi krizën; por nuk mund të fajësohet për çekuilibrat ekonomikë globalë, që kanë shkaktuar vështirësitë ekonomike, qysh prej vitit 2008. Këta çekuilibra reflektojnë një fenomen shumë më të gjerë: globalizimin.
Kjo nuk do të thotë se, globalizimi është një e keqe. Hapja e shoqërive dhe ekonomive ndaj botës, natyrisht që mbart shumë pasiguri; por ofron edhe një bollëk mundësish. Jo shumë kohë më parë, Europa ishte udhëheqëse botërore sa i përket hapjes. Në fakt, projekti europian është, në thelbin e tij, një pasqyrë e hapjes, e cila është pasojë e pazgjidhshme e jetës në botën e sotme të globalizuar.
Në vitin 200, kur BE pranoi formalisht tetë shtete ish-komuniste si vende anëtare, hapja e Europës arriti kulmin e vet. Dukej se në Europë po agonte një epokë e re, në të cilën sundimi i ligjit, demokracia, dhe të drejtat e individit ishin të pakundërshtueshme. Megjithatë, pikërisht kur vendet e Europës Perëndimore kanë filluar t’i rezistojnë hapjes, të nëjtën gjë kanë bërë dhe shtetet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore.
Në fakt, në disa vende – sidomos në Poloni dhe në Hungari – janë shfaqur fort nacionalizmi dhe ndjenjat anti BE. Fatkeqësisht, kjo ka shpënë në një gërryerje të sundimit të ligjit.
Polonia është marrësja më e madhe e fondeve europiane dhe i vetmi vend i Bashkimit Europian që e shmangu recesionin gjatë krizës; në fakt, ajo ka përjetuar 23 vite rritje ekonomike të pandërprerë. Veç kësaj, publiku polak ka qenë mbështetës i BE-së, që kur u bë vend anëtar. Edhe Eurobarometri më i fundit tregon se 55% e polakëve e sheh pozitivisht BE-në.
Megjithatë, qeveria e Polonisë, e udhëhequr nga partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi, po synon ta ndryshojë këtë, duke i paraqitur politikat europiane si një rrezik ndaj identitetit kombëtar polak. Në vend të diskutojë se si të përshtasë politika të caktuara me interesat kombëtare të Polonisë, apo të rrisë zërin e vendit në nivel europian, Partia Ligj dhe Drejtësi i quan të gjitha masat dhe vendimet europiane si sfidë ndaj asaj që e bën Poloninë Poloni.
Këto pretendime, deri në një farë mase, u bëjnë jehonë atyre të qeverisë hungareze, udhëhequr prej partisë së djathtë Fidesz. Reformat kushtetuese të zbatuara në vitin 2013, mes të tjerave, zgjeruan autoritetin e ekzekutivit dhe krijuan një këshill të ri shtetëror, të mbushur me anëtarë të Fidesz, për të rregulluar mediat.
Disa thonë se nëse Hungaria do të kërkonte hyrjen në BE sot, me siguri që do i refuzohej. Sa për Poloninë, Komisioni Europian ka nisur një investigim të paprecedentë, në përgjigje të ligjeve më të fundit që, nën pretendimin e “mbrojtjes së sovranitetit kombëtar”, përqendrojnë më shumë pushtet në duart e qeverisë.
Kjo është një kthesë zhgënjyese. Në rolet e mi të mëparshëm profesionalë, kam qenë dëshmitar si pak të tjerë, i hyrjes së Polonisë dhe Hungarisë në institucionet Euratlantike. Kam parë vetë dëshirën dhe shpresat e popujve të tyre në atë kohë të rëndësishme. Prandaj e kam kaq të vështirë ta kuptoj pozicionin e tyre sot.
Sigurisht, nuk është e paarsyeshme që Polonia dhe Hungaria, sovraniteti i të cilave u uzurpua dikur prej Bashkimit Sovjetik, janë veçanërisht të ndjeshme ndaj përpjekjeve nga jashtë për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre, si dhe kanë një ndjesi më të fortë të identitetit kombëtar, se sa vendet e tjerë të BE-së. Por refuzimi i BE nuk do i izolojë prej pasigurisë, që shkakton globalizimi. Përkundrazi, do i lërë shumë më të prekshëm nga risqet e shumtë të fenomenit.
Disa i kanë përdorur përvojat e pakënaqshme me globalizimin, si një justifikim për një rikthim tek proteksionizmi dhe gjoja ditët e bukura të kufijve të fortë kombëtarë. Të tjerë, duke kujtuar me trishtim një shtet-komb që nuk ka ekzistuar kurrë, kapen pas sovranitetit kombëtar, si një arsye për të refuzuar integrimin e mëtejshëm të BE-së. Të dy grupet vënë në pikëpyetje themelet e projektit europian. Por kujtesa u gabon, dhe nostalgjia i shpie në drejtimin jo të duhur.

Exit mobile version