Hicfeld: Nuk ishte faji i arbitrit Chakir

Vazhdojnë polemikat për eliminimin e Bajernit nga Champions Liga. Për humbjen 0-1 në Madrid, Bajerni u justifikua duke nxjerrë në pah dy alibi: Nga njëra anë, ekspertët dhe tifozët ishin kundër rrotacionit, duke fajësuar Guardiolën për mosaktivizimin e Mylerit dhe nga ana tjetër, fajësuan ashpërsinë e fushës, e cila bëri që topi të mos shkiste siç duhej për “Tiki-taka”-n. Ndërsa në Mynih, bosi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, është ndier i zhgënjyer nga cilësia e arbitrimit nga turku Xhynejt Shakir. “Sinqerisht, ndihemi disi të mashtruar nga gjykimi.
Goli i pësuar ishte i parregullt, pasi Griezman ndodhej në pozicion jashtë loje dhe faull i penalltisë u shkaktua jashtë zone”, sqaroi Rumenige për “Sport1” pas skualifikimit. Ndërkohë, mendimi i tij është kundërshtuar nga ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld. Gjatë një interviste në “Skype” për gazetën zvicerane “Blick”, Hicfeld analizon gjysmëfinalen në Mynih, qëndrimin e Rumeniges dhe rezultatet e Guardiolës.
“Nuk mund të thuash që gjyqtari mbajti krahun e njërit ekip. Bajerni luajti në mënyrë të shkëlqyer, por nuk shënoi golat vendimtarë”, nënvizoi Hicfeld, duke shtuar më tej, – “Goli i Atletikos nuk ishte i parregullt.
Griezman nuk ishte pozicion jashtë loje, por në një vijë me mbrojtësin. Ndërsa penalltia ishte jashtëzakonisht e vështirë për gjyqtarin. Megjithatë, nuk u shënua dhe nuk ndikoi më shumë në skualifikimin e Bajernit. Zhgënjimi ishte shumë i madh.
Rumenige do që të mbrojë ekipin e vet, prandaj përqendrohet te gjyqtari”, arsyetoi Otmar Hicfeld. Por, protesta e Rumeniges qëndroi edhe te fakti që Xhakir kishte gjykuar një javë më parë edhe gjysmëfinalen Mançester Siti kundër Realit të Madridit (0-0).
Pro Hicfeldit ka qenë edhe ish-gjyqtari Urs Maier. “Deri te penalltia për Atletikon, Xhakir gjykoi në mënyrë të shkëlqyer.
Ka treguar që është gjyqtari më i mirë në botë. Nëse një gjyqtar është në formë të mirë, atëherë është e drejtë të gjykojë më shpesh ndeshje të tilla”, sqaroi ish-arbitri zviceran Maier për gazetën gjermane “Focus”.

Exit mobile version