Hysaj: Europiani? Një eksperiencë fantastike

Çështja e rinovimit të kontratës me Napolin në sfondin e sirenave të merkatos është një ndër më të nxehtat, por vetë Elseid Hysaj ndërkohë përqendrohet te puna. Mbrojtësi shkodran në një intervistë të dhënë që nga vendgrumbullimi parasezonal i të kaltërve në Dimaro flet për momentin e Napolit dhe objektivat për sezonin që vjen.
“Trajneri nuk ka ndryshuar aspak, e nis Hysaj duke folur për Sarrin, ndërsa shton, Sarri punon shumë për skuadrën, të gjithë ne përmirësohemi nën drejtimin e tij dhe sipas meje po bën shumë mirë. Objektivi për sezonin e ardhshëm? Do të jetë edhe Championsi që mezi po pres ta luaj dhe mendoj se këtë vit do të bëjmë mirë që nga fillimi pasi njihemi prej një viti. Objektivi është t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Të gjithë duan të fitojnë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Juventusi shumë i fortë pas blerjeve të fundit? Ne mund të konkurrojmë me të gjithë, për shembull në Europian me Shqipërinë mund të kishim fituar dhe ndeshje të tjera, jo vetëm një. Në futboll nuk vlejnë emrat e përveçëm, por grupi. Ne nuk kemi frikë”, u shpreh Hysaj.
Hysaj pasi ka zgjedhur shembullin e Shqipërisë në Europian si motiv karikimi edhe për Napolin, i kushton një deklaratë edhe aventurës në Francë me Shqipërinë për të cilën shprehet: “Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Na erdhi keq që u eliminuam aq shpejt, kishim shumë dëshirë për të vazhduar, por tifozët duhet të jenë të kënaqur për atë që bëmë, pasi nderuam fanellën e Shqipërisë”.

Exit mobile version