PD ka denoncuar emërimin e Gent Brahimt, në krye të KLP-së duke bërë të qartë edhe arsyen se përse Rama ka vendosur aty të bindurin e tij. Arsyeja është kontrolli i plotë i SPAK, institucionit që do të hetojë aferat korruptive të zyrtarëve të lartë. I trembur nga Burgu, Rama mendon se do ta shpëtojë Gent Ibrahimi në krye të KLP-së.
Sipas saj, Edi Rama me Gent Brahimin në krye të KLP, kërkon jo drejtësi për shqiptarët por një drejtësi në shërbim të tij.
“Me kapjen politike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edi Rama synon t’i shpëtojë drejtësisë, duke kontrolluar dhe penguar SPAK-un të bëjë atë që shqiptarët presin me padurim: burg për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar e të lidhur me krimin”, denoncon PD.
Deklarata e plotë e PD
Emërimi i Gent Ibrahimit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është prova e kapjes politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë.
Eksperti i qeverisë për reformën në drejtësi dhe kunati i ish ministres Kodheli nuk duhet ta kishte fare vendin në KLP. Por Genti Ibrahimi është aty si investimi politik i Edi Ramës për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.
PD ka denoncuar kohë më parë projektin e Edi Ramës për të emëruar kryetarët e dy organeve që qeverisin drejtësinë. Emërimi i sotëm provoi se shqetësimi i Partisë Demokratike ishte i drejtë.
Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin bashkëqeverisë.
Me kapjen politike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edi Rama synon t’i shpëtojë drejtësisë, duke kontrolluar dhe penguar SPAK-un të bëjë atë që shqiptarët presin me padurim: burg për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar e të lidhur me krimin.