Magazinat me drogë të kryetarit të Bashkisë Pukë

Avionë dhe magazina të pafundme droge ku bëhet tharja e hashashit në të gjithë vendin. Është koha kur droga pasi është korrur ka nisur të transportohet. Gjithçka bëhet nën kontrollin dhe garancinë që japin forcat e policisë në të gjithë vendin, të cilat janë pjesë e karteleve të mëdha të drogës. Nga aksionet e 24 orëve të fundit të policisë rezulton se ato janë bërë vetëm për show. Sasia e kapur e drogës është qesharake. Policia thotë se ka kapur 1.3 tonë drogë, ndërkohë që një sasi e ngjashme u kap nga aksioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ vetëm në një fshat të Krujës në zonën e Dervenit.
Ndërkohë që bosët e karteleve të drogës vijojnë të qetë transportin e lëndëve narkotike nën mbrojtje direkte të Ramës dhe Tahirit. Shembulli më i qartë i këtij trafikimi është ai i 1 ton droge të kapur në Greqi, që sipas autoriteteve të këtij vendi ka kaluar nga pikat tona kufitare dhe i përket Eskobarit të Ballkanit, Klement Balili, i cili gjatë gjithë kohës shoqërohet nga shefat e policisë.

Denoncimi i Pukës

Pas magazinave me kanabis të Artur Bushit në Krujë, një tjetër kryebashkiak i majtë, ai i Pukës, Gjon Gjoni denoncohet për zotërimin e tri magazinave të tilla, si dhe pronësinë e arave me kanabis të përqendruara në disa fshatra. Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një qytetareje, si dhe një foto, e cila dëshmonte tri magazinat, si dhe parcelat me kanabis në pronësi të kryebashkiakut të Pukës. Sipas denoncimit, kryebashkiaku i Pukës i ka këto magazina dhe parcela në bashkëpronësi me ish-shefin e Komisariatit të Pukës, Shullani, i cili së fundmi është transferuar pikërisht për shkak të çështjeve me drogën. “Përshëndetje z. Berisha. Jam një qytetare, banore e rrethit Pukë, para disa ditësh është bërë transferimi i shefit të Komisariatit Pukë. Z. Shullani, e vërteta e transferimit është se ky person së bashku me kryetarin e Bashkisë, Gjon Gjonin kishin parcelat e tyre të hashashit në zonat e Lufit, Gomsiqës, Kqirës, ku kishin të punësuar rreth 13 persona që ruanin hashashin. Si pasojë e një debati për pazaret e drogës midis Marash Morinës dhe ish-shefit të Komisariatit, zotit Shullani, bëri që ky i fundit të dërgonte forcat e policisë të kontrollonin zonën, në veçanti magazinat që janë në fshatin Gomsiqë, në pronësi të kryebashkiakut Gjonaj. Këto magazina janë pranë shtëpisë se sekretarit të këshillit Antonit. Forcat e policisë bënë sekuestrimin e sasive të hashahit, sasi e cila nuk u publikua nga policia. Ka qenë prishja e këtij pazari që Saje Qorri bëri transferimin e Shullanit. Me respekt D.L.”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-Kryeministri Berisha.
Mbjellja e arave me kanabis në Pukë është bërë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni, në bashkëpunim me ish-shefin e Komisariatit të Policisë, Hamdi Shullani, i cili është transferuar. E gjithë Puka është e mbuluar me kanabis dhe ky fakt ka ngjallur reagime tek qytetarët vendas, por edhe më gjerë. Për këtë shkak, asaj kohe shefi i Komisariatit të Pukës, Shullani urdhëroi arrestimin e dy policëve të thjeshtë për t’i përdorur si kokë turku se gjoja po goditej kultivimi i kanabisit, por në fakt të gjitha parcelat e mbjella me kanabis kontrolloheshin nga vetë ish-shefi i policisë, Hamdi Shullani.
Burime nga Komisariati i Policisë bëjnë të ditur se, ka patur konflikte edhe brenda komisariatit mes oficerëve të policisë për ndarjen e parcelave të drogës. Sipas të njëjtave burimeve, zona më e madhe e mbjellë me kanabis është në Luf, e cila zotërohet nga vetë ish-shefi i komisariatit dhe ruhet me policë dhe banditë të armatosur. Burimet saktësojnë se shoferi i ish-shefit të Komisariatit të Policisë patrullonte me makinë për çdo ditë në këtë zonë për të kontrolluar rojet, pasi kanabisi është në fazën e pjekjes dhe ka frikë se mos e bëjnë gati për ta trafikuar persona të tjerë.
Bëhet e ditur se ish-shefi i Komisariatit ka lidhje të hershme me kryetarin aktual të Bashkisë së Pukës, pasi ai ka qenë në këtë detyrë edhe para dhjetë vjetësh, kur ka qenë në pushtet e majta, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ish-shefi i Komisariatit ka dhënë një kontribut në fushatën zgjedhore për të bërë kryetar kandidatin e PS, Gjon Gjoni, duke angazhuar bandat për të kërcënuar zgjedhësit dhe për t’u bërë presion atyre që të votojnë kandidatin e PS.
Ai u ka vënë në dispozicion makinat e policisë me flamujt e PS banditëve për të ndarë para familjeve nëpër shtëpi në këmbim të votave për Gjon Gjonin e PS. Lidhja e ngushtë e tyre ka bërë që të ndajnë edhe parcelat e drogës prej nga presin të marrin përfitime kolosale nga trafikimi i kanabisit. Burime nga Bashkia e Pukës bëjnë të ditur se, Gjon Gjoni ka harxhuar rreth 1 milion euro gjatë fushatës elektorale dhe pret që këto para t’i zëvendësojë me kanabisin e mbjellë në të gjithë Pukën.

Arben SHAHINI

Exit mobile version