Mançester Siti gati të “shqyejë dyert” për Mesin

Shefi ekzekutiv i Mançester Sitit, Ferran Soriano, deklaroi dje se klubi anglez është gati t’i “hapë dyert sa më shumë të jetë e mundur” për Lionel Mesin nëse ky i fundit vendos të largohet nga Barcelona para fundit të karrierës së tij futbollistike. “Pleshti” shkatërroi Mançester Sitin disa netë më parë duke shënuar një tregolësh në suksesin 4-0 të skuadrës së tij në “Kamp Nou” ndaj ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola.
Ky i fundit kishte bërë të qartë se ishte gati të priste krahëhapur argjentinasin dhe konfirmimi erdhi dje nga drejtuesi i Sitit, i cili beson se klubi do të ishte i pari në një radhë të gjatë pretendentësh për Mesin. “Mesi është lojtari më i mirë në botë. Nëse një ditë ai dëshiron të vijë te Mançester Siti, ne do të hapnim dyert sa më shumë që të ishte e mundur për të”, tha Soriano. Gjithsesi, ai konfirmoi se nuk ishte kontaktuar as lojtari dhe as përfaqësuesit e tij për t’i bërë një propozim konkret.
“Ka ndodhur shpesh që menaxherë të ndryshëm kanë telefonuar Barcelonën dhe u kanë thënë se kanë një ofertë nga Siti, e pastaj Barça na merr për të konfirmuar nëse është e vërtetë. Kemi një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi me Barcelonën. Jemi takuar gjatë verës me presidentin Bartomeu dhe kemi folur për lojtarët që na interesojnë, në mënyrë që të mos mashtroheshim nga menaxherë të ndryshëm”, deklaroi Soriano.

Exit mobile version