Masakër në Qipro, shqiptari vret biznesmenin dhe 2 policë

Sulmi vdekjeprurës nga të shtënat në Ayia Napa të Qipros mbrëmjen e së enjtes, rezultoi me vdekjen e katër personave, përfshirë dhe atentatorin, që është identifikuar si një 41-vjeçar shqiptar. Biznesmeni u qëllua me breshëri automatike, teksa po darkonte në një restorant, bashkë me dy punonjës policie. Mes autorit dhe viktimave pati shkëmbim zjarri, ku si pasojë mbetën të vdekur biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, një prej punonjësve të policisë, bashkëshortja e tij, si dhe shqiptari 41-vjeçar. Sipas burimeve, shqiptari ka mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me truprojat
Mediat e Qipros bënë të ditur se shqiptari që humbi jetën gjatë atentatit në Ayia Napa është identifikuar nga policia si Jani Vogli, 41 vjeç. Ndërkohë, një tjetër shqiptar është shpallur në kërkim. Ai është 48-vjeçari Aleks Burreli. Policia ka shpërndarë një foto të tij, pasi dyshon se ai ka qenë atentatori i dytë. Ndaj 48-vjeçarit është lëshuar një urdhër arresti.
Ngjarja
Sulmi ka ndodhur rreth orës 10:30 në rrugën “Katalymaton”, një distancë e shkurtër nga një vend ku katër vjet më parë, në të njëjtën ditë, u qëlluan pesë persona për vdekje. Viktima e synuar në këtë sulm nuk ka qenë kush tjetër përveçse Phanos Kalopsiditis, një nga katër të vdekurit. Babai plak i Kalopsidiotis është vrarë dy vjet më parë në një tjetër atentat të ngjashëm të bandave kriminale.
Duke folur për mediat, zëdhënësi i policisë së distriktit Famagusta, Georgious Economou tha se viktima Kalopsidiotis, një biznesmen lokaleve të natës, kishte qenë i ulur me pesë persona të tjerë në restorante, ndërsa tre truprojat e tij ishin ulur në tryezën ngjitur:
“Ndodhi kur dy ose tri burra me maska hynë në restorant dhe hapën zjarr mbi tryezë me pistoleta dhe armë automatike. Si rezultat, Kalopsidiotis, oficeri i policisë, Elias Hadjiefthymiou dhe bashkëshortja Skwi u vranë”.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një nga rojet arriti të qëllonte për vdekje njërin nga vrasësit, 41-vjeçarin shqiptar, ndërsa personi tjetër, që dyshohet se është Burreli, është arratisur.
Edhe dy persona në tryezë, njëri thuhet të ishte një polic jashtë detyrës nga Nicosia dhe një truprojë u plagosën. Të dy fëmijët e moshës 13 dhe 14 vjeç të çiftit Hadjiefthymiou shpëtuan të padëmtuar pasi hynë poshtë tryezës.
Burimet thanë se, vrasësi kishte përdorur një kallashnikov dhe se dy armë u gjetën në vendin e ngjarjes të premten në mëngjes, pistoleta e shërbimit të oficerit të MMAD dhe arma e përdorur nga vrasësi.
Një makinë është djegur dhe braktisur në një karburant jashtë Ayia Napa, afër varrezave të reja dhe policia është duke hetuar nëse ka lidhje me të shtënat, veçanërisht me kallashnikovin. Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të vëzhgimit në zonë.
Shqiptari që mbeti viktimë në atentat dyshohet të jetë një vrasës me pagesë, ndërsa biznesmeni, një emër i njohur i lokaleve të natës dhe lojërave të fatit.
Trupat e të vdekurve, në orën 6:00 të mëngjesit të së premten u transferuan në morgun e përgjithshëm të Nicosia.
Katër vjet më parë, 5 truprojat e biznesmenit Fanos Kalopsidiotis u vranë në një sulm me armë, që kishte si objektiv biznesmenin, por vetë ai arriti t’i shpëtonte atentatit. Ndërsa më 2014-ën, në po të njëjtën rrugë, mbeti i vrarë në pritë babai i tij. Dyshimet e policisë janë për një vrasje të porositur, që lidhet me aktivitetin e errët të biznesmenit në fushën e bixhozit dhe lokaleve të natës.
Agjencitë turistike në Ayai Napa kanë frikë se të shtënat do të kenë impakt negativ në biznesin e resorteve turistike të zonës, në një kohë kur shifrat po tregojnë rritjen e numrit të vizitorëve për vitin 2016.

Exit mobile version