Policia e Kosovës sekuestroi më shumë se 8 kuintalë drogë të futur nga Shqipëria. Siç shkruan “Klan Kosova”, një sasi prej 825 kilogramë marijuanë u kap në Ferizaj ku kishte ardhur nga Shqipëria, ndërsa Kosova ishte vendi tranzit, kurse destinacioni ishin vendet perëndimore. Bëhet e ditur se gjatë operacionit, Policia e Kosovës ka arrestuar 12 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Një prej të arrestuarve është maqedonas, kurse të tjerët shtetas nga Kosova.
Ky operacion është zhvilluar në tre faza të aksioneve policore. Në operacionin e fundit më 30 prill në fshatin Sojevë, në një shtëpi të pabanuar me 20 tavolina druri është parë të jetë kamufluar 500 kg marijuanë. Dy nga të dyshuarit kanë qenë të njohur për policinë për vepra penale të trafikut të drogës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu edhe gjashtë automjete dhe 26 telefona celularë. Ky operacion ka zgjatur tre muaj. Hetimet ende janë duke vazhduar.
Droga e sekuestruar në Kosovë ishte futur nga Shqipëria dhe më pas do të trafikohej në vendet e Bashkimit Europian. Nuk dihet se kush fshihet pas këtij trafiku droge, por bëhet e ditur se Policia e Kosovës po heton edhe zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë trafik.
Para disa kohësh një maune me 8 tonë drogë u fut nga Maqedonia dhe nëpërmjet Portit të Durrësit në Itali, ku u bllokua nga policia e këtij vendi. Gjatë hetimeve të Prokurorisë rezultoi se kamioni ishte futur bosh nga Maqedonia dhe ishte mbushur me drogë në Elbasan. Sipas hetimeve të Prokurorisë, në këtë trafik droge ishte përfshirë një agjenci doganore në pronësi të bashkëshortes së një funksionari të lartë. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, Agjencia doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit në Shqipëri të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar më 8 ton drogë në Itali, rezulton se është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas dokumentave në QKR, Xhuljana Sejdini, bashkëshortja e kreut të Bashkisë së Elbasanit është ortakja e vetme e agjensisë doganore “Ujori shpk”. Kjo kompani, ka si administrator Rezarta Shehun, por sipas regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit, ajo rezulton si pronë e bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.
Kamioni dyshohet se ka qëndruar në Shqipëri 5 orë më shumë se afati i lejuar. Kjo kohë, sipas prokurorëve, mund t’i ketë shërbyer për t’u furnizuar me drogë. Dyshimet janë se droga është ngarkuar në Elbasan. Skaneri i Qafë-Thanës tregon se kamioni ka qenë bosh, kur ka kaluar në këtë doganë. Në Portin e Durrësit, kamioni nuk i është nënshtuar kontrollit dhe është imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Ankona.
100 kg drogë me makinë nga Shqipëria në Greqi
Një i ri shqiptar e kishte mbushur plot me drogë portobagazhin e mjetit, por kapet nga policia greke. Makina e drejtuar nga 26-vjeçari u ndalua për kontroll në Kallpaki, rreth 20 km nga Kakavija. Në sedilet e pasme dhe në portobagazh u gjetën 13 thasë plastmasi, brenda të cilave kishte 101,5 kg kanabis.
Policia thotë se mjeti u ndalua për kontroll, pasi kishte marrë sinjalizime që dyshohej për trafik droge. Të arrestuarit pritet t’i komunikohet akuza nga Prokuroria e Janinës, ndërkohë që Departamenti Antidrogë po në Janinë, vazhdon hetimet.
R.POLISI