Censura në media, pushohen nga puna 2 gazetarë të njohur

Dy gazetarët e njohur, Simon Shkreli dhe bashkëshortja e tij, Eliona Shkreli janë pushuar nga puna pa paralajmërim nga pronari i televizionit “TV1 Channel” në Shkodër, njëkohësisht deputeti i mazhorancës, Agron Çela. Pushimi i tyre nga puna është bërë për motive politike për të ushtruar presion ndaj fjalës së lirë. Shkak për këtë shkarkim është bërë një status i Simonit në profilin e tij në Facebook pas zgjedhjes së Metës si President. Gazetari ishte duke prezantuar edicionin informativ të lajmeve bashkë me bashkëshorten, kur ka marrë lajmin se është pushuar nga puna. Pushimi nga puna është bërë si një hakmarrje ndaj gazetarit Shkreli, vetëm pse ai ishte shprehur kundër zgjedhjes së Metës President.
Simoni u shpreh për mediat se, vendimi për shkarkimin e dyfishtë nga puna erdhi për shkak të një reflektimi mbi situatën politike në Facebook-un e tij personal. Menjëherë pas këtij vendimi nga eprorët e televizionit lokal, Simoni nuk ka ndaluar së shprehuri mendimin e tij dhe shkruan sërish në Facebook: “Si njeri i lirë jam munduar gjithmonë të shpreh mendimin tim. Por ja që edhe liria e ka një çmim. Kam zgjedhë e do zgjedh të ruaj lirinë time. Pavarësisht pasojave! Respekt për kolegët dhe miqtë!”, shkruan Simoni.
Gazetari Shkreli ka treguar arsyen e vërtetë të këtij shkarkimi të dyfishtë, që iu komunikua mbrëmë fill pas përfundimit të prezantimit të edicionit qendror të lajmeve, së bashku me të shoqen, Elionën. “Pas lajmeve të orës 20:00 të “TV1 Channel” në Shkodër, ku prezantuam edicionin qendror së bashku me bashkëshorten, na u komunikua vendimi i menaxhmentit të televizionit”, thotë Shkreli. Ai thotë se, kishte 7 vjet e gjysëm që punonte në këtë televizion, ndërsa bashkëshortja e tij, Eliona kishte 6 vjet.
Simoni shprehet se, vendimi për pushimin nga puna ishte politik. “Vendimi ishte politik, pasi erdhi menjëherë pas postimit tim pas zgjedhjes së Ilir Metës president. Statusi është bërë të premten, ndërsa shkarkimi është komunikuar mbrëmë pas prezantimit të edicionit”, u shpreh ai.
Gazetari shprehet se do të kërkojë një tjetër vend pune, pasi nuk mund të hapë gjyq për shkak se nuk ka një kontratë me këtë televizion, pavarësisht shkarkimit të padrejtë nga puna.
Në një intervistë për dritare.net, gazetari Simoni flet për të vërtetën e pushimit nga puna.
-Simon, keni rreth 7 vite që punoni në këtë media, së bashku me bashkëshorten tuaj. Si e quani këtë vendim?
Vendimi është shumë i padrejtë, përderisa jemi nën monitorim, edhe nëse shfaqim një mendim në publik edhe nëse nuk mendojmë njëjtë. Njerëzit janë të ndryshem dhe prandaj kjo botë është e bukur. Diversiteti është i lakmueshëm nga të gjithë. Imagjinoni një vend ku do kishte vetëm meshkuj ose ku do kishte vetëm femra, si do ishte ai vend? Kufizimi i lirisë së mendimit është gjëja më absurde që mund të ndodhë. Të shprehësh mendimin tënd ashtu si të vjen, i gabuar qoftë, duhet respektuar. Këto janë parimet bazë me të cilat unë udhëhiqem. Prandaj, unë shpreha një mendim timin, me rastin e zgjidhjes së Presidentit të ri të vendit, këtë mendim unë e postova edhe në faqen time private në Facebook. Në asnjë moment gjatë gjithë punës time si gazetar nuk kam dalë jashtë kornizave të politikave redaksionale. Jam munduar edhe do të mundohem të qëndroj korrekt me punën dhe vendin e punës. Por të monitorohet edhe jeta private dhe mendimet e tua personale, kjo është e papranueshme për mua. Liria ime është gjëja më e shenjtë që kam. Këtë do vazhdoj ta ruaj.
-Si gazetar profesionist dhe me një karrierë të gjatë në media, sot më shumë se kurrë si do e cilësoje ‘lirinë e fjalës’?
“Liria e fjalës” është e shtrejtë. Unë e pagova një çmim paçka se është televizion lokal dhe për nga rëndësia nuk ka ndonjë peshë në informimin e opinionit publik kombëtar. Unë si gazetar kam vite që punoj edhe me mediat Kombëtare si Klan edhe ABC News dhe në asnjë moment nuk kam qenë i privuar nga këta dy media për mendimet e mia politike apo angazhimin tim politik. Thjesht bëja punën që më takonte. Krishti thotë: “E vërteta të bënë të lirë”. Unë them që kjo e vërtetë duhet të ruhet, dhe liria e fjalës është gjëja më e shenjtë që duhet të kemi, ta ruajmë dhe ta kultivojmë.
-Shkaku i largimit tuaj ishte politik?
Nuk ka asgjë profesionale ose mos korrektësie të punës. Vetëm statusi im në Facebook. Si mund të jetë tjetër, veçse politike? Kush ua komunikoi largimin? Drejtori i televizionit, vendim i cili i është komunikuar atij nga drejtuesit e televizionit. Pra, një vendim i marrë nga drejtuesit e televizionit thjesht është përcjellë tek unë edhe Eliona.
-Ishte vetëm një komunikim nga ana e telefonit, pati ndonjë sqarim zyrtar?
Kishim  edicionin e lajmeve të orës 20:00 së bashku me Elionen dhe nga transmetimi më njoftojnë që të ulemi në zyrën e drejtorit. Ai me shumë mirësjellje dhe keqardhje na e shpreh vendimin e marrë nga drejtuesit.
-Keni  marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga kolegë gazetarë e emra të njohur të medias shqiptare. Ju bën të ndiheni mirë, kjo?
Po patjetër, kolegët nuk më kanë lënë vetëm në asnjë moment dhe është një kënaqësi e madhe. Kur gazetarët solidarizohen me ty, ndjehesh edhe keq, pasi mendon se cili prej tyre mund të ketë fatin tënd në ndonjë media tjetër. Jetojmë në Shqipëri ku çdo gjë është e kufizuar dhe asgjë s’kemi të garantuar.
-Statusi në Facebook është hedhur në faqen tënde, pse duhej të largohej dhe bashkëshortja?
“All inclusive”, si paketat turistike, apo ato ofertat nëpër dyqane “Bli një e merr dy”. Absurditeti s’ka kufij.
-Ke menduar çfarë do bëni tani? Jeni të dy pa punë.
Për fat të mirë, ka ende ishuj të lirë edhe në Shkodër, por nuk mungojnë as miqtë e shokët. Pasi gazetarët këtu janë një skuadër, e cila punon fort, punon bashkë edhe është kompakte. Kam pasur disa biseda telefonike, por ende s’jemi ulur të bisedojmë. Unë në fakt nuk jam pa punë, punoj edhe për Klan e ABC News, por një punë me një media lokale është e mirë për shkak të afërsisë me komunitetin dhe me lajmin.
-Cili është një mesazh yti pas gjithë kësaj?
Jo çdo e keqe vjen për keq, ka edhe një të mirë më të madhe, pasi, kur zbulon se liria nuk ka çmim.

PD: Censura dhe shtypja e mendimit të lirë është në ditët e fundit

Partia Demokratike ka dënuar shkarkimin nga puna të dy gazetarëve në Shkodër, Simon dhe Eliona Shkreli. Përmes një njoftimi për shtyp, PD deklaron se, bashkëshortët u shkarkuan nga televizioni lokal “Channel 1”, pasi kritikuan në Facebook përzgjedhjen e Ilir Metës si president. PD shton se, shkarkimi nga puna për shkak të një statusi në Facebook është një formë e re censure në media.
“Partia Demokratike dënon shkarkimin nga puna të gazetarëve Simon Shkreli dhe Eliona Shkreli, nga pronari i televionit “Channel 1” në Shkodër, Agron Çela, që është deputeti i Ilir Metës dhe një prej oligarkëve të mazhorancës, për shkak të një statusi në Facebook, të gazetarit ku ai shprehte pakënaqësinë për zgjedhjen e Metës president. Kjo është një formë e re dhe e prapranueshme e censurës, ku pronarët e lidhur me qeverinë kërkojnë të kontrollojnë dhe hapësirat personale të gazetarëve siç është Facebook”, thuhet në deklaratën e PD.
Më tej në deklaratën e PD thuhet se, presioni dhe censura në media është një fenomen në rritje. “Një fenomen në rritje ky, pasi Edi Rama, Ilir Meta dhe republika e vjetër e zhytur në krim e pazare, pasi kanë kapur pjesën më të madhe të medias, nuk durojnë as kritikat në rrjetet sociale.
Një ditë pasi mbajti fjalën në Parlament, ku tha se ai zgjedh demokracinë, Ilir Meta provoi se është binjaku i Edi Ramës si censor dhe shtypës i fjalës së lirë. Gazetari i njohur Simon Shkreli dhe bashkëshortja e tij u pushuan nga puna prej pronarit të televizionit në Shkodër, deputetit, mikut dhe oligarkut të kësaj mazhorance vetëm për një opinion në rrjetin social.
Kjo formë e rëndë censure dhe shtypje e mendimit të lirë është në ditët e fundit dhe shpejt do të bjerë bashkë me republikën e vjetër të krimit, të drogës, të koncesioneve, tenderave e oligarkëve që kanë kapur dhe median në vend”, përfundon deklarata e PD.

Exit mobile version