Montella: Montolivo, humbje e madhe, por s’ka alibi

Luhet Chievo-Milan, një ndeshje delikate për kuqezinjtë që kërkojnë ta rinisin me këmbën e mbarë kampionatin pas pauzës së Kombëtareve, por mendimi i parë i trajnerit të Milanit, Vicenzo Montella shkon për kapitenin e dëmtuar. “Montolivo është një humbje e madhe për ne, duhet të synojmë fitoren edhe për të. Ricciardo është një vlerë e rëndësishme për skuadrën, një mungesë që do të peshojë më shumë nga sa mendohet, por ne nuk duhet të kërkojmë alibi”, tha Montela.
Sfida me Chievon do të zbulojë edhe se cili do të marrë vendin e kapitenit në mesin e fushës. “Locatelli i ka pasur edhe më parë çelësat e mesfushës, duke hyrë nga stoli dhe ka treguar se ka karakteristikat e duhura për të qëndruar në atë rol. Kam dyshimin mes tij dhe Sosa-s. Të dy mund të bëjnë shumë mirë dhe me siguri do të luajnë shumë”, tha ai.
“Të kenë shumë dëshirë për fitore”, kjo është ajo që Montella kërkon nga lojtarët e tij pas rikthimit nga pauza, sidomos përballë një skuadre si Chievo. “Është një skuadër e fortë, shumë e organizuar dhe eksperte. Dinë të sulmojnë, të mbrohen të vlerësojë momentet e ndryshme të ndeshjes. Është e vështirë ta surprizosh, për mua është një mini-Juventus”, u shpreh Montela.
Në fund edhe buletini mjekësor në shtëpinë e Milanit, “Honda është kthyer me kaviljen e enjtur dhe duhet të bëjmë vlerësimet e duhura, ndërsa për Bertolacin dhe Mati Fernandez po ecin sipas parashikimeve, por kanë ende nevojë për kohë”.

Exit mobile version