“Nuk kishim rrugë tjetër”, Monchi shpjegon pse Roma e shiti Salah

Monchi foli në mikrofonat e “El Transistor” në “Onda Cero” dhe “Radio MARCA”. Drejtori sportiv i Romës shpjegoi se pse ata duhej ta shisnin Salah dhe thanë se nuk do të dorëzoheshin për finalen e Ligës së Kampionëve, duke shpresuar te përmbysja në kthim me Liverpool.
“Ne duhej ta shisnim Salah para 30 qershorit, për të përmbushur kontrollin financiar të UEFA-s. Nuk kishim zgjidhje tjetër, sepse ai donte të largohej dhe ishim të detyruar ta shisnim për pak më shumë se 42 milionë euro. Një tjetër përmbysje në Romë, si ndaj Barcelonës? Ne ishim të vdekur, por dy golat në fund na lanë gjallë. Përmbysëm një herë, duhet të provojmë përsëri”.
Ylli i Liverpool, Mohamed Salah, është lojtari më i mirë në botë tani, sipas legjendës së klubit anglez, Steven Gerrard. Salah krijoi edhe një tjetër shfaqje të parezistueshme, duke e udhëhequr skuadrën e Jurgen Klopp drejt një fitoreje 5-2 ndaj Romës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të martën.
Egjiptiani ndërkombëtar shënoi vetë dy gola, si dhe asistoi golat e Sadio Mane dhe Roberto Firmino, në “Anfield”. Gerrard beson se Salah, i cili ka shënuar 43 gola në këtë sezon, është aktualisht më i mirë se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
“Ai është në formën e jetës së tij, – tha ish-kapiteni i Reds” për “BT Sport”. – Është e vështirë ta krahasoni atë me Ronaldon dhe Messin, sepse ata kanë bërë më të mirën për një kohë të gjatë dhe kanë qenë të qëndrueshëm nga vit në vit. Por, pa hije dyshimi, Salah është lojtari më i mirë në planet, tani për tani”.

“Ne nuk jemi Barcelona”, Klopp paralajmëron kthimin në Romë
Jurgen Klopp beson se Liverpool nuk është i sigurtë për një vend në finalen e Ligës së Kampionëve, pavarësisht se e ka fituar 5-2 ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Romës. Një performancë sensacionale individuale nga Mohamed Salah, i cili shënoi 2 gola dhe dha 2 asiste në këtë 90-minutësh.
Por, pas zëvendësimit të Salah, Roma shënoi golat e vonshëm, përmes Edin Dzeko dhe Diego Perotti, duke shpresuar të përsëritë fitoren mahnitëse 3-0 ndaj Barcelonës, në kthim, çka do t’i siguronte finalen.
“Sonte kam mësuar se ne mund të fitojmë edhe në Romë. Ata duhet të shënojnë kundër nesh, – tha Klopp për një konferencë shtypi, pas ndeshjes. – Ne nuk jemi Barcelona. Katalanasit kanë një nga dy ose tri ekipet më të mira në botë dhe kanë fituar kaq shumë gjëra. Ne nuk e kemi bërë këtë. Do të luftojmë me gjithçka kemi.
Rezultati është shumë më mirë sesa pritja para ndeshjes, por tashmë jam më i interesuar për ndeshjen ndaj Stoke sesa për gjysmëfinalen e kthimit kundër Romës. Sonte atmosfera ishte absolutisht e jashtëzakonshme dhe të gjithë ata që kanë një biletë presin të njëjtën gjë të shtunën, në shtëpi, kundër Stoke City, sepse kemi nevojë për fitore. Kjo është një lojë masive, ndaj duhet të jemi gati.
Të jem i sinqertë, goditja më e madhe në dhomën e zhveshjes është lëndimi i Oxlade-Chamberlain. Pësimi i dy golave nuk është ajo që duam, por nuk mund ta ndryshojmë, ky është futboll. Djemtë luajtën një lojë të shkëlqyer gjatë një periudhe shumë të gjatë dhe, madje, e bënë këtë edhe në minutat e fundit, kur ne pësuam dy gola. Dejan Lovren zhvilloi një lojë të klasit botëror, por gaboi me një top”.

Exit mobile version