29.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Paralajmërimi i mjekëve psikiatër: Karantina po shkakton një pandemi me sëmundje mendore

Mjekët psikiatër paralajmërojnë një “cunami” të sëmundjes mendore nga problemet e grumbulluara gjatë bllokimit

Ata janë veçanërisht të shqetësuar që fëmijët dhe adoleshentët nuk po marrin mbështetjen e nevojshme për shkak të mbylljes së shkollës, izolimit të vetvetes dhe frikës nga spitalet.

Në një studim, mjekët psikiatër raportuan rritje të rasteve urgjente dhe një rënie në takimet rutinë.

“Tashmë ne po shohim ndikimin shkatërrues të COVID-19 në shëndetin mendor, me më shumë njerëz në krizë,”- tha Prof. Wendy Burn, presidentja e ‘Kolegjit Mbretëror të Psikiatërve’.

“Por ne jemi po aq të shqetësuar për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë tani, të cilët nuk po e marrin atë. Frika jonë është se bllokimi po grumbullon probleme që më pas mund të çojnë në një cunami.”- shtoi ajo.

Një studim i 1.300 mjekëve të shëndetit mendor nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar zbuloi se 43% kishin parë një rritje të rasteve urgjente ndërsa 45% raportuan një zvogëlim të takimeve rutinë.

Një psikiatër tha: “Në psikiatrinë e të moshuarve, pacientët duket se janë ‘avulluar’ dhe mendoj se njerëzit kanë shumë frikë të kërkojnë ndihmë.”

Një tjetër shkruante: “Shumë prej pacientëve tanë kanë zhvilluar çrregullime mendore si rezultat i drejtpërdrejtë i coronavirusit.”

Dr. Bernadka Dubicka, e cila drejton fakultetin e psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve në RCP, tha: “Ne jemi të shqetësuar që fëmijët dhe të rinjtë me sëmundje mendore që mund të jenë në vështirësi, nuk po marrin mbështetjen që u duhet”.

Konfirmohet akuza e SHBA për koronavirusin/ Newsweek zbardh të vërtetën: Kina e pranon, ja urdhri urgjent që lëshoi me 3 janar

Pas akuzave të shumta që Amerika dhe Donald Trump ka bërë ndaj Kinës se virusi është prodhuar në laborator, duket që Kina e ka pranuar vetë se shkatërroi disa kampione të Koronavirusit në fazat e hershme të shpërthimit të tij, por kundërshtoi pretendimet e SHBA-së se kjo ishte kryer si pjesë e një mbulimi.

Liu Dengfeng, një mbikëqyrës në departamentin e shkencës dhe arsimit të Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, tha në një konferencë shtypi të premten në Pekin se qeveria kineze lëshoi ??një urdhër në 3 janar për të shkatërruar mostrat e coronavirusëve, shkruan Newsweek.

Liu megjithatë mohoi që shkatërrimi i tyre të jetë bërë në përpjekje për të mbuluar situatën, duke këmbëngulur se ky hap u hodh në mënyrë që të “parandalohet rreziku i sigurisë biologjike laboratorike dhe të parandalohen fatkeqësi dytësore të shkaktuara nga patogjenë të paidentifikuar”.

Ai tha se laboratorët ishin “të paautorizuar” për të trajtuar kampione të tilla, dhe se ato duhej të shkatërroheshin në përputhje me ligjet kineze të shëndetit publik. Zyrtari nuk sqaroi se sa laboratorë e kishin kryer këtë veprim. Pohimi i tij vjen në mesin e përshkallëzimit të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Kinës për shkak të shpërthimit epidemik, që i pati fillesat në Wuhan ne 2019.

Partia Komuniste kineze ende nuk ka ndarë me botën kampionet e virusit nga brenda Kinës”, u shpreh ai, e kjo e bën të pamundur gjurmimin e evolucionit të sëmundjes. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ka argumentuar që prej muajit të kaluar se urdhri i 3 janarit ishte një përpjekje për të mbuluar shtrirjen e shpërthimit. Ai ka akuzuar Kinën për censurimin e kërkimeve në lidhje me koronavirusin.

“Partia Komuniste Kineze u përpoq të shtypë informacionin rreth këtij virusi, për vendin ku filloi, për mënyrën si filloi, për mënyrën se si po transmetohej nga njeriu te njeriu”, tha Pompeo të hënën.

Mungesa e vitaminës D, e ndërlidhur me nivelet e larta të depresionit

Në studimin e ri, i cili është prezantuar në International Early Psychosis Assocation, shkencëtarët kishin testuar nivelet e vitaminës D mes 225 pacientëve të cilët ishin duke u trajtuar për çrregullime psikotike dhe 159 njerëz tjerë të shëndetit të mirë

Ata kishin zbuluar një ndërlidhje të dukshme mes niveleve të vogla të vitaminës D dhe niveleve të larta të simptomave negative dhe depresionit mes njerëzve me psikozë.

Studiuesit gjithashtu kishin zbuluar një ndërlidhje me rrjedhshmërinë verbale dhe dëmet kognitive, transmeton Telegrafi.

Në një letër të publikuar në revistën Schizophrenia Research, hulumtuesit, nga Norvegjia, kishin sugjeruar se vitamina D mund të përdoret për t’i trajtuar pacientët.

Sidoqoftë, ende janë duke u kryer studime më të hollësishme rreth efektit të vitaminës D në tru. Megjithatë, mungesa e rrezeve të diellit gjithmonë është ndërlidhur me depresionin në përgjithësi.

Shëndeti i gjyshërve përmirësohet kur kujdesen për nipërit dhe mbesat

Kur bëheni gjyshe, nuk ka gjëra tjera më të mira sesa kalimi i kohës me nipërit dhe mbesat

Sipas hulumtimeve, kujdesi për nipërit dhe mbesat jo vetëm që ju shton kënaqësi në jetë, por edhe ju mbanë të mprehtë si thikë gjatë viteve të arta.

Hulumtimet e publikuara në revistën “Menopause”, tregojnë se gjyshet të cilat kujdesen për nipërit dhe mbesat të paktën një ditë në javë, përmirësohen në aftësitë kognitive.

Ky fakt ka bërë hulumtuesit të arrijnë në konkludimin se shpenzimi i kohës duke u kujdesur për të dashurit tuaj e zvogëlon rrezikun e zhvillimit të çmendurisë dhe sëmundjes Alzheimer.

Por, zbulimet kanë treguar se edhe kujdesi i tepërt është i dëmshëm.

Gjyshet të cilat janë kujdesur për nipërit dhe mbesat pesë ditë apo më shumë gjatë një jave, kanë shënuar më pak pikë në testet kognitive, krahas atyre që janë kujdesur vetëm një ditë në javë për të dashurit e tyre.

Përderisa arsye për këtë ndërlidhje është ende e paqartë, studime tjera tregojnë se kontakti shoqëror i ndihmon të vjetrit të qëndrojnë mendërisht të shëndetshëm.

Qeveria shfrytëzoi pandeminë për ta çuar deri në fund shembjen e Teatrit

Gazetarja Jonila Godole përmes një postimi shkruan se shembja e Teatrit Kombëtar rrëzoi edhe maskën e Qeverisë lidhur me Covid-19.

Godole tha se dy muaj kufizime dhe izolim ekstrem në emër të “dashurisë” dhe “kujdesit” ndaj popullit para “armikut të padukshëm” Corona – u bënë zero duke dërguar mijëra forca policie të ndeshen me një grup aktivistësh në Teatrin Kombëtar dhe duke provokuar pastaj mbledhjen e qindra protestuesve në një hapësirë të ngushtë para Galerisë Kombëtare.

Nga Jonila GODOLE

Përmes të tjerash ra edhe maska e qeverisë në lidhje me Covid-19! Dy muaj kufizime dhe izolim ekstrem në emër të “dashurisë” dhe “kujdesit” ndaj popullit para “armikut të padukshëm” Corona – u bënë zero duke dërguar mijëra forca policie të ndeshen me një grup aktivistësh në Teatrin Kombëtar dhe duke provokuar pastaj mbledhjen e qindra protestuesve në një hapësirë të ngushtë para Galerisë Kombëtare.

Ky shqetësim u nda edhe nga ambasadori gjerman Peter Zingraf në reagimin e tij për shembjen e Teatrit gjatë pandemisë “duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas”.

Me anë të këtij akti, qeveria tregoi se gjithë masat e marra dy muajt e fundit kanë qënë thjesht një alibi.

Ato nuk kanë pasur si synim mbrojtjen e shqiptarëve nga virusi, por shfrytëzimin e pandemisë për të çuar deri në fund planin antidemokratik dhe të jashtëligjshëm të shembjes së Teatrit Kombëtar, mundësisht natën, në mënyrë që ditën të kishin kohë për ta qarë!

E turpshme! Arkiva dhe gjithë trashëgimia e Teatrit Kombëtar hidhet në tokë si mal me mbeturina

Ditën e djeshme u shemb godina e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Rekuizitat e këtyre teatorve, fotografite, sendet me vlerë e arkivat sot kanë përfunduar në një gjendje të mjeruar.

Punonjësit që shembën këto godina nuk janë kujdesur për pasurinë e tyre, por i kanë hedhur në tokë sikur të ishin mbeturina. Oborri i teatrit “Turbina” është kthyer tashmë në landfill, pasi të gjitha sendet me vlerë që duhet të ishin ruajtur, kanë përfunduar në tokë dhe kanë kaluar natën në qiell të hapur.

E gjithë pasuria e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental ndodhet në rrugë dhe kush do mund t’i marrë ato lehtësisht, t’i dëmtojë, por dhe mund t’i djegë.

Nga ana tjetër kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ishte një ndër personat që e donte me shumë shembjen, shprehej se ai ishte për ruajtjen e rekuizitave dhe arkivës, por fotot tregojnë të kundërtën. Askush nuk u kujdes për pasurinë e teatrit, e vetmja gjë që u bë dje ishte vetëm shkatërrimi i godinës dhe historisë që ato mbartnin.

Ndërkohë, artistët dhe aktivistët kanëparalajmëruar në protestë që do të dalin rreth orës 16:30, në mbështetje të të cilëve do të jetë edhe opozita.

Mesazhi i Europa Nostra për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit: Vlerësim për betejën tuaj heroike! Besoj se Ambasadori i BE-së do të…

Një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka marrë një mesazh nga organizata me e rëndësishme e Trashëgimisë në Bashkimin Europian.

Mesazhi mban firmën e sekretares së Përgjithshme të ‘Europa Nostra’, zonja Sneška Quaedvlieg-Mihailovic.

Duke i vleresuar për betejën heroike, ajo thekson se, “besoj se Ambasadori i BE-së do të publikojë një deklaratë të BE-së. Na bëni të ditur kur kjo të ketë ndodhur”.

Mesazhi i plotë

Të dashur Miq,
Dëshiroj të ndaj me ju shprehjen e simpatisë së thellë, solidaritetit të sinqertë dhe mbështetjen time të plotë morale.

Kam përcjellë mesazhin tuaj direkt të Komisionerja Gabriel dhe kam qenë në kontakt me të dhe Kabinetin e saj këtë mëngjes.

Besoj se Ambasadori i BE-së do të publikojë një deklaratë të BE-së. Na bëni të ditur kur kjo të ketë ndodhur.

Me shumë shpresë që gjithë njerëzit që janë arrestuar do të lirohen së shpejti. Nëse e ndieni që duhet të bëjmë diçka për ta, na e bëni të ditur.

Me trishtim të thellë dhe shumë vlerësim për betejën tuaj heroike për Teatrin tuaj.

Edhe studentët do t’i bashkohen protestës së sotme në orën 16:30

Protestës së sotme në orën 16:30 të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do t’i bashkohen dhe studentët.

Lajmin e kanë konfirmuar vetë Unioni i Këshillave Studentorë përmes një deklarate për mediat.

Ata e quajnë tinëzare dhunën e ushtruar nga uniformat blu dhe e quajnë të padrejtë dhe të turpshme shoqërimin dhe arrestimin e studentëve, artistëve dhe të rinjve në komisariatet e kryeqytetit.

Ata kanë bërë thirrje dhe për plotësimin e kërkesave të tyre pasi siç duket premtimet nga bashkia dhe qeveria ishin boshe.

Ata deklarojnë se sot do jenë në protestë për dhunën ndaj studentëve kundër arbitraritetit në vendimarrje, kundër shtypjes!

Deklarata e plotë
Unioni i Këshillave Studentorë po ndjek me vëmendje zhvillimet që po ndodhin në vendin tonë.

Ne shprehim indinjatën tonë mbi dhunën tinëzare të ushtruar nga policia e shtetit ndaj studentëve dhe të rinjve ditën e djeshme. Gjithashtu e quajmë të padrejtë dhe të turpshme shoqërimin dhe arrestimin e studentëve, artistëve dhe të rinjve në komisariatet e kryeqytetit.

Unioni i Këshillave Studentorë shpreh habinë se si kërkesa jonë legjitime për rishikim të tarifës së universiteteve dhe shumë problematika të tjera që na prekin të gjithëve për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë së koronavirusit bien në vesh të shurdhër në qeveri, kurse ngutja për shembjen e teatrit ishte tepër e madhe.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë që sa më parë të plotësojë këkesën tonë sepse çdo ditë që kalon është një ditë më shumë me ankth dhe stres për studentët. Nuk arrijmë të kuptojmë se si merren me shumë tallje nga bashkia e Tiranës akseset që ajo duhet të ofrojë për studentët nëpërmjet kartës së studenteve, kurse për shembjen e teatrit duhej të veprohej natën dhe duke terrorrizuar qytetarët e Tiranës.

Ne studentët e Unionit të Këshillave Studentorë shprehim mbështetjen tonë ndaj Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe sot do bëhemi pjesë në protestën e thirruar nga ata në orën 16:30.

Ne sot do jemi në protestë për dhunën ndaj studentëve kundër arbitraritetit në vendimarrje, kundër shtypjes!

Revoltë e artistët të “Migjeni-t” në Shkodër: Poshtë diktatura!

Teatri Migjeni i Shkodrës është ngritur në këmbë sot për të protestuar ndaj shembjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar.

Artistët e”Migjenit” me pankarta në duart, “Unë jam Teatri” dhe duke respektuar distancën nga njeri tjetrit kanë shprehur revoltën e tyre në mbështetje të kauzës për Teatrin.

Godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë u shemb në orën 4:30 të dielës me mbështetjen e qindra forcave të Policisë, që larguan me forcë prej aty aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Letra e Berluskonit drejtuar borgjezisë italiane dhe kapitali human i Shqipërisë

Nga Ilir NIKOLLA

Ditën e nisa sot me përshtypje të përziera. Në rrjetet sociale vijonte pezmi për shkatërrimin e djeshëm të godinës së Teatrit Kombëtar, por hasa edhe në shënime falenderuese për kontributin e profesor Maksim Cikulit, i cili u nda nga jeta pas dekadash shërbimi në jetën publike. Paralelisht, në gazetën më të madhe italiane, Corriere della Sera, hasa në letrën-përgjigje të Silvio Berluskonit, në përgjigje të një debati të çelur nga gazetari i mirënjohur Ferruccio de Bortoli mbi kapitalin human të Italisë dhe rolin që duhet të luajnë ata pas kësaj pandemie. Aty, Berluksoni i bënte thirrje botës së biznesit që të merrnin përsipër përgjegjësinë shoqërore që u takonte dhe të drejtonin vendin drejt të ardhmes që i takon.

Sigurisht nuk do të ndalem tek hollësitë e debatit, por tek domosdoja e tij, tek përgjegjësitë shoqërore që kanë shtresa të caktuara në zgjidhjen e krizave që kaplojnë vendet. Në nahijen tonë, të gjithë e dinë se pas pandemisë së koronavirusit, do të vijë një krizë e rëndë ekonomike, e cila do t’i bashkangjitet krizës së rëndë të demokracisë në vend. E për zgjidhjen e kësaj krize duhen shembuj shprese, duhen pionierë të reformave, tribunë që janë të gatshëm të marrin edhe rreziqe, e mbi të gjitha, duhet një angazhim shoqëror për të sakrifikuar e për ta mbështetur këtë ndryshim.

Për ta thjeshtuar më shumë, Shqipërisë sot i duhen intelektualë si Maksim Cikuli, aktivistë të pakompromis, e njëkohësisht intelektualë të urtë. Cikuli i përkiste asaj kategorie intelektualësh që u angazhua bash prej barrës së përgjegjësisë shoqërore që kishin intelektualët (mbahet mend angazhimi i paprecedentë i mjekëve në Lëvizjen Antikomuniste të 1990-s) e pikërisht, pse përfaqësonin këtë përgjegjësi shoqërore, edhe patën sukses në reformat e thella që udhëhoqën. Këtyre pioinierëve iu shtua edhe entuziazmi për ndryshim e natyrisht edhe konsensusi i shoqërisë për të ecur përpara.

Duke ju rikthyer letrës së Berluskonit mbi përgjegjësitë e borgjezisë italiane në këto kohë të krizës, pyetja është: Ku janë sot pionierët e biznesit të tezgave, kioskave dhe importit të bananeve? Afërmendsh, nuk po kërkojmë mes tyre liderin e formatit të Berluksonit, por inovatorin, prodhuesin e vendeve të punës dhe konkurruesin në tregjet rajonale. Por në fakt, ky inovacion nuk shfaqet më në ekonominë tonë të rikthyer në nivelin bazë të importeve, nëse s’është përfaqësuese e kompanisë së njerëzve që janë shndërruar në mjelës të buxhetit të shtetit. Vetëm ky takëm njerëzish ka dukshmëri publike sot dhe ky takëm është kudo, por gjithmonë pas kryeministrit, darovitësit kryesor. Këtë takëm e gjejmë edhe si përfituesin e dytë pas aferës së shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, e gjejmë si përfituese dytësore edhe tek planet e investimeve për 10-15 vitet e ardhshme, e për këtë shkak, kjo shtresë është shndërruar në aleaten kryesore për instalimin e “status-quo”-së së regjimit.

Gjatë dekadës së fundit rreth 1 milionë shqiptarë, kryesisht të rinj dhe në moshën kryesore për inovacion e biznes e kanë lënë vendin. Kjo energji mungon sot në Shqipëri dhe nuk mundet të luajë rolin që i përket në debatin që duhet të shoqërojë reformat që kërkohen për daljen e vendit nga kriza. Në vend të këtij debati publik, kemi vetëm kryeministrin që boton projekte në 3D pas çdo sheshi shkatërrimi dhe i shoqëron me shprehjen prej fallxhori “keni për ta parë pas ca vitesh se si do të jetë”.

Ky erozion i madh mundësish e bën kaq të varfër peisazhin e debatit publik në vend dhe kaq të pamundur imitimin, qoftë edhe në një shkallë zvogëluese, të debatit të nevojshëm që po shfaqet në shoqëritë perëndimore post-Covid. Në peisazhin tonë publik mbetet vetëm kujtimi i shembujve angazhues që na vijnë nga Lëvizja Antikomuniste e 1990-s, si dhe shembujt e rezistencës qytetare. Këta shembuj janë të pakoordinuar, por janë shembuj shprese. Është kapitali human që na ka mbetur, pas gabimeve 30 vjeçare të tranzicionit. Nuk do t’i kemi më biznesmenët që i kërkon Berluskoni Italisë, as shembujt e mëdhenj të filantropisë që ka patur bota shqiptare e viteve ’30, por do të kullandrisemi me kujtimet e ndritura dhe me energjinë e mbijetesës, që racës tonë asnjëherë s’i ka munguar.

Duke i besuar historisë tonë të mbijetesës, them se shembujt e rezistencës janë një model i madh shprese dhe pres me kureshtje të shoh edhe heronjtë, që nga bota akademike, inteligjencia, disidenca e majtë dhe kleri shqiptar do t’i bashkohen kësaj rezistence, për të mos e lënë vendin në dorën e klikës që ka shkatërruar biznesin dhe ka rrënuar shpresat e ekonomisë tonë për mbijetesë në tregun rajonal. Ringritja ekonomike prej kësaj aleance të pritshme do të ishte një përfitim dytësor, pasi përfitimi i parë do të mbetet rikthimi i vendit në shinat demokratike, në shinat që u ngritën me idealizëm të shëndoshë pas Lëvizjes Antikomuniste të 1990-s.