Teksa teknologjia dhe përdorimi i saj është në themel të kërkesave që kanë punëmarrësit në të gjithë botën, vende të tilla si Shqipëria e kanë të vështirë t’u përshtaten nevojave të reja që paraqet tregu i punës, sipas një raporti të posaçëm “Zhvillimi Botëror 2016”.
“Nga Libani, Peruja dhe Vietnami, punëdhënësit janë në kërkim të stafeve që të punojnë në ekipe, të mund të zgjidhin probleme, të mendojnë në mënyrë kritike. Megjithatë, në shumë vende, sistemet arsimore dështojnë për të siguruar edhe njohuritë bazë, si të lexuarit dhe të numëruarit. Më shumë se gjysma e 15-vjeçarëve janë funksionalisht analfabetë në vendet me të ardhura mesatare të tilla si Shqipëria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Malajzia dhe Peruja”, konstaton Banka Botërore.
Institucioni financiar ndërkombëtar vë në dukje se sistemet e sotme të arsimit dhe trajnimit kanë dështuar.
Përdorimi dixhital i teknologjive kërkon aftësi themelore njohëse, të tilla si leximi dhe numërimi. Por, një punëtor i mirarsimuar në shekullin e 21-të gjithashtu ka nevojë për aftësi që të jenë lehtësisht të transferueshme nëpër vende pune dhe profesione dhe të jenë fleksibël ndaj kërkesave të tregut të punës. Kjo shumëllojshmëri e aftësive gjithmonë ka qenë e rëndësishme, por tani është e domosdoshme, këshillon Banka.
Në Poloni dhe Republikën Sllovake, një e pesta e të rriturve nuk mund të përdornin një kompjuter.
Në Maqedoni, 43% e kompanive thonë se aftësitë e teknologjisë së informacionit (TIK) janë shumë të rëndësishme për punëtorët, por më shumë se 20% thonë se punëtorët nuk i kanë këto aftësi.
Gjithnjë e më shumë punëtorë edhe pse të kualifikuar në disa drejtime, nuk mund të integrohen në tregun e punës, pasi nuk dinë të përdorin kompjuterin dhe internetin.
Por shumë qeveri në vendet në zhvillim janë duke nxitur disa shërbime publike nëpërmjet TIK. Shërbimet e-qeverisje janë portale të ankesave që ftojnë qytetarët të raportojnë probleme të shërbimit, ose (“proaktive”).
Portalet e ankesave dhe qendrat e thirrjes për reagime qytetare janë përhapur me shpejtësi në të gjithë vendet në zhvillim, por gjithsesi ky reagim i shoqërisë është në një numër shumë të kufizuar në Shqipëri dhe Pakistan, thotë raporti i bankës.
Reformat e Ramës, BB: 50% e 15-vjeçarëve janë analfabetë
Pse Fred miliarderi i fshihet Prokurorisë?
Kishte deklaruar se është i hapur ndaj çdo lloj kontrolli, por deputeti socialist Alfred Peza, i vënë nën hetim për pasurinë e tij prej 1 miliard lekë, ka refuzuar të paraqitet dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Lajmin e ka bërë të ditur Televizioni “News24” i cili për këtë çështje i është referuar burimeve nga organi i akuzës. Sipas televizionit në fjalë, Peza nuk ka dhënë asnjë arsye për mungesën e tij në ambjentet e Prokurorisë. “Deputeti socialist Alfred Peza, i cili po hetohet pas dyshimeve për fshehje pasurie dhe pastrim parash, nuk iu përgjigj fletëthirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen. Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, thanë se deputeti Peza, ishte thirrur të paraqitej këtë të martë në orën 12:00, ku do të jepte deklarimet e tij, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Për arsye të panjohura, Peza nuk mbërriti në Prokurori dhe nuk dihet ende nëse ai ka marrë ose jo dijeni për fletë-thirrjen e organit të akuzës. Prokuroria nisi hetimet ndaj Pezës për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentash menjëherë pas zbulimit të një kontrate, sipas së cilës bashkëshortja e deputetit kishte investuar shumën 1 milion dollarë për të blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë. Në Prokurori është paraqitur më herët edhe dhe ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli, e cila ka pranuar që të bashkëpunojë me organin e akuzës për gjithçka di mbi pasurinë e deputetit”, njofton “News 24”
Alfred Peza është deputeti i Elbasanit, mbi të cilin u ngritën dyshime në lidhje me pasurinë e tij, pas blerjes së aksioneve në një prej bankave të nivelit të dytë. Shuma prej 1 milion dollarësh e vënë në një periudhë rekord nuk e justifikon tërë atë pasuri, e cila është shumë e lartë dhe për njerëz në vendet perëndimore. Nga ana e tij, Peza pretendon se pasuria e tij është vënë përgjatë kohës që ka punuar si gazetar, por nga dokumentat e bëra publike në media rezulton, se ai nuk është paguar më shumë se 80 mijë lekë të reja në muaj. Në bazë të përllogaritjeve, Peza duhet të punojë disa shekuj për të arritur atë pasuri që ai pretendon. Që prej mesit të janarit kur doli në pah kjo histori, dhe kur u vërejt transaksioni, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se do të niste hetimet për mënyrën se si Peza e ka vënë pasurinë. Në bazë të ligjit për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë, në rast se Peza nuk ka prova bindëse për mënyrën se si i ka vënë ato para, atëherë ai rrezikon mandatin e deputetit dhe në rast se shkohet më tej, pra, në rast se provohet se paratë janë vënë në mënyrë të paligjshme mund të shkohet dhe në ndjekje penale. Peza, ka qenë ndër më aktivët në mbrojtje të qeverisë së Edi Ramës, që prej kohës kur ai thirri nën armë në vitin 2013, ka shkuar deri aty sa ka deklaruar se “qeveria e Ramës është si dielli për shqiptarët”, por me sa shihet dielli paska shndrritur vetëm për Pezën dhe ata që Rama ka përreth, të cilët ja lejojnë vetes në vendin më të varfër të Evropës të venë pasuri marramendëse.
Berisha: Për të vënë atë pasuri Pezës do i duheshin 300 vjet
Ish-Kryeministri Sali Berisha një prej deputetëve më të vjetër të Kuvendit që prej 26 vjetësh, ka sqaruar në kohën kur plasi skandali, se për të kursyer 1 miliard lekë që zotëron deputeti i PS dhe ish-gazetari Alfred Peza, duhen të paktën 300 vjet. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se Alfred Peza kur punonte tek “Ora News” merrte 800 mijë lekë apo 600 euro, dhe kjo bazohet mbi një vendim të Gjykatës. Ndryshe nga çfarë deklaroi Peza dy ditë më parë, që tha se merrte miliona lekë, një dokument nga televizioni ku ka punuar deputeti socialist tregon të kundërtën. “Si arriti Peza me 600 euro rrogë mujore të bëhet bankier miliarder?! Të dashur miq, Peza bëri be e rrufe se paratë e tij nuk janë para droge dhe trafiqesh, por vijnë nga superpaga e tij si gazetari më i paguar dhe më i adhuruar i vendit. Mirëpo, Peza harroi se për të kursyer 1 milion dollarë me pagë 600 euro në muaj, të duhen së paku 300 vjet! Kjo në rast se nga paga 600 euro kursen 250 euro në muaj apo 3000 euro në vit. Këtij kursimi vjetor prej 3000 euro në vit i duhen 300 vjet për të arritur shumën e deklaruar nga Peza prej 900.000 euro kursime. Shtoj këtu se një fat të lumtur të tillë e ka patur vetëm Edi Rama, që kishte të deklaruar në vitin 2012 gjithsej 3000 euro kursime, ndërsa sot jeton në Sarajet e Surrelit ku vetëm toka e truallit dhe e oborrit kushton 220 mijë euro. Bankier Pezën e nxjerr cullak një vendim i Gjykatës së Tiranës i dt 04.03.2010. Ky vendim provon se “super rroga” që ai pretendon se ka marrë nga “Ora News” bëhet pluhur dhe katandiset kokoshi në thelë. Sipas vendimit të Gjykatës, super rroga e të “adhuruarit” dhe më të paguarit gazetar Peza, na ishte gjithsej 80 mijë lekë, pra 600 euro rrogë mujore. Ndërkohë këtë “super rrogë”, Peza e ka gëzuar vetëm për tre vite që ka punuar tek “Ora News”, sepse para këtyre viteve kolegët e tij deputetë të PS thonë se, Peza nuk merrte super rrogë, por rrogë të zakonshme mujore. Mbi bankier Pezën rëndojnë edhe burimi i parave të blerjes së dy apartamenteve, të supozojmë se njëri është apartament në pajë si puna e pallatit në pajë të Edi Ramës, kurse apartamenti tjetër për bankier Pezën mbetet në hava! Kështu të dashur miq, duke i besuar betimit të bankierit se, paratë e tij nuk vijnë as nga pluhuri as nga malli, më duhet t’i them Alfredit se, sado të bëjë çakallin e Edvinit, varianti më i lehtë për të është kombinimi i disa veprave penale si: Deklarim i rremë, burim i padeklaruar i të ardhurave, vjedhje taksash (evazion fiskal), mosdeklarim page tek sigurimet shoqërore (pra, prapë vjedhje taksash), mashtrim ndaj Gjykatës (përçmim i Gjykatës) edhe ndonjë tjetër. Theksoj përsëri se sado që të bëjë çakallin e Ramës për t’u fshehur prapa Surrelit është i pashpresë!”, do të shprehej Berisha.
Enton DACI
Problemi i “Fake-News”
Evgeny MOZOROV
Demokracia po përmbytet nga një oqean lajmesh false. Ky është konkluzioni sigurues në të cilin kanë arritur të gjithë ata që më 2016 kanë humbur në konsultimet popullore, nga Brexit tek presidencialet amerikane tek referendumi në Itali. Për këta njerëz problem nuk është se Titaniku i kapitalizmit demokratik po lundron në ujëra të rrezikshme, por se ka lajme false të shumta lidhur me praninë e ajsbergut në horizont. Nga këtu lindin të gjitha zgjidhjet e gabuara: ndalimi i memeve në internet, krijimi i komisionëve të ekspertëve për të kontrolluar vërtetësinë e lajmeve, gjobitja e rrjeteve sociale që përhapin falsitete.
Kriza e lajmeve false do të shënojë kolapsin e demokracisë apo është vetëm pasoja e një sëmundjeje shumë më të thellë e më strukturore? Është e qartë se ekziston një krizë, por një demokraci e pjekur duhet të investigojë nëse në qendër të kësaj krize janë vërtet lajmet false apo diçka tjetër shumë më e ndryshme. Fatkeqësisht, elitat tona nuk kanë qëllim që ta bëjnë. Narrativa e tyre lidhur me lajmet false është për vete false. Dhe një shpjegim sipërfaqësor i një problemi strukturor, të cilit refuzojnë t’ia pranojnë ekzistencën. Fakti që establishmenti ka zgjedhur të përqendrohet mbi lajmet false demonstron se deri në çfarë pike është dritëshkurtër vizioni i saj për botën.
Kërcënimi i vërtetë nuk është shfaqja e demokracisë liberale, por vazhdimi i një demokracie të papjekur. Kjo papjekuri manifestohet në dy mohime: mohimi i origjinës ekonomike të problemeve aktuale dhe mohimi i korruptimit të thellë të kompetencave profesionale. Refuzimi i parë shfaqet qartë kur fenomene si Donald Trump fillojnë e lidhen me faktorë kulturorë si racizimi apo injoranca e votuesve të tij. I dyti konsiston në mohimin që pakënaqësia e madhe e njerëzve ndaj institucioneve lind nga vetëdija e plotë e botës në të cilën operojnë dhe jo nga injoranca.
Paniku ndaj lajmeve false i ilustron më së miri këto dy mohime. Refuzimi për të pranuar se kriza e lajmeve false ka një origjinë ekonomike bën që në ndodhinë e influencave të presupozuara të hakerave rusë ndaj zgjedhjeve amerikane koka e turkut të jetë Kremlini dhe jo modeli ekonomik jo i mbështetshëm i kapitalizmit dixhital. Por asnjë ndërhyrje e jashtme nuk do të mund të prodhojë lajme virale në këtë shkallë. Lëvizjet e të çvidhosurve që jetojnë me lajmet false kanë ekzistuar gjithmonë, vetëm se në të kaluarën mungonte një infrastrukturë dixhitale e aftë që t’i bënte virale teoritë më absurde. Problemi nuk janë lajmet false, por shpejtësia me të cilat përhapen ato. Ky problem ekziston sepse kapitalizmi dixhital e bën jashtëzakonisht fitimprurës prodhimin dhe qarkullimin e lajmeve false, por joshëse. Mjafton të mendosh për Google dhe Facebook.
Inkuadrimi i krizës së lajmeve false në këtë mënyrë është mirë, por ama duhen tejkaluar dy mohimet themelore. Por kush do ta pranojë vallë që gjatë 30 viteve të fundit kanë qenë partitë politike e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë ato që kanë mbështetur gjenitë e Silicon Valley, që kanë privatizuar telekomunikacionet dhe anashkaluar ligjet antitrust? Lloji i dytë i mohimit injoron krizën e modelit aktual të dijes të bazuar mbi specializimin. Kur qendrat studimore pranojnë në masë të mirë financime nga qeveritë e huaja, kompanitë energjetike financojnë kërkime që mohojnë ndryshimin klimaterik dhe komisarët europianë e lënë vendin e tyre të punës në Bruksel për të shkuar e punuar në Wall Street, sigurisht që nuk mund të kritikojmë qytetarët se pse nuk u besojnë “ekspertëve”.
Akoma më keq është se kur flasin për lajmet false janë mjetet e informimit, që të shtyra nga kriza janë të parat që i përhapin vetë ato. Mjafton të mendosh për “Washington Post”, një prej gazetave të pakta që sot thekson se është me bilanc pozitiv. Pasi ka akuzuar uebsajte të ndryshme se përhapin propagandë ruse, kohët e fundit “Post” ka dhënë lajmin e një sulmi informatik rus kundër një centrali elektrik amerikan. Mesa duket ky sulm nuk ka ndodhur kurrë dhe gazeta nuk ka kontaktuar as menaxhuesin e centralit për ta verifikuar lajmin e përhapur.
Në ekonominë dixhitale e vërteta është çdo gjë që tërheq vëmendjen. Të dëgjosh gazetarët të ankohen pa pranuar fajet e tyre nuk e forcon besimin e njerëzve tek ekspertët. Nuk e di nëse demokracia po mbytet vërtet në një oqean lajmesh false, por me siguri po mbytet në hipokrizinë e elitave.
Zgjidhja e vetme është të rishikohen bazat e kapitalizmit dixhital. Duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që publiciteti online të jetë më pak qendror në jetët tona, në punën tonë dhe në mënyrën e komunikimit tonë. Njëkohësisht duhet t’u garantojmë më shumë pushtet vendimmarrës qytetarëve tanë në vend që t’u besojmë ekspertëve lehtësisht të korruptueshëm dhe kompanive të interesuara vetëm për fitimet e tyre. Kjo nënkupton të ndërtohet një botë në të cilën Facebook e Google të mos kenë gjithë këtë influencë. Është një mision i denjë për një demokraci të pjekur. Fatkeqësisht, të mbytyra nga mohimi, demokracitë aktuale preferojnë t’ua vënë fajin të gjithëve, përveç vetes.
(Autori është një sociolog ekspert i teknologjisë dhe informacionit)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Rumania dhe reforma në drejtësi
Vincent van Gerven Oei
Protestat e fundit kundër qeverisë rumune dhe ligjit “antikorrupsion” treguan se anëtarësimi në BE, institucionet antikorrupsion apo reforma në drejtësi nuk janë një garanci për të çrrënjosur korrupsionin apo zbatimin e ligjit nga politikanët.
Në vitin 2011, Qendra rumune për Politikat Evropiane publikoi një raport “Qasja e BE-së për Reformën në Drejtësi në Evropën Lindore dhe Juglindore”. Ky raport vlerëson masat antikorrupsion dhe reformat në drejtësi të mbështetura nga BE në vendet si Kroaci, Serbi, Maqedoni, Rumani, Bullgari, Moldavi dhe Ukrainë. Ai analizon kthjelltësisht politikat, të cilat qëndrojnë pas reformës në drejtësi, të miratuar së fundmi në Shqipëri. Si dhe jep disa ide se si kjo reformë do të funksionojë në të ardhmen.
Antikorrupsioni
Pas anëtarësimit në BE të tetë vendeve të Evropës Lindore në vitin 2004, ndër to edhe Bullgaria me Rumaninë, BE kuptoi se nuk kishte një politikë antikorrupsioni gjithpërfshirëse për këto vende. Kjo politikë u formalizua vetëm më 2005 për vendet kandidate. Bullgaria dhe Rumania, pas anëtarësimit në BE, ishin subjekt i Mekanizmit të Bashkëpunimit dhe Verifikimit (MBV). Ky mekanizëm përfshin edhe themelimin e një agjencie për kontrollin e pasurive të zyrtarëve publikë. Në vendin tonë këtë funksion e kryen Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).
Pas shembullit të Rumanisë dhe Bullgarisë, BE vendosi ngritjen e institucioneve antikorrupsion përpara fillimit të procesit të anëtarësimit të një vendi. Ky vendim erdhi, pasi u kuptua se zbatimi i politikave antikorrupsion pas anëtarësimit në BE i jep mundësi politikanëve të vendit të ndikojnë në to.
“Në vend që të mbështetemi vetëm në dëshirën e mirë të politikanëve (specifikisht në ato politikanë të interesuar në reformat antikorrupsion dhe të drejtësisë), mekanizmat e kontrollit duhet të lidhen me procesin e liberalizimit të vizave dhe dhënien e fondeve nga BE.
Ndryshimi i vlerave të shoqërisë kërkon më shumë se sa disa vite (dhe vendet rrallë i kushtojnë vëmendje këtyre ndryshimeve pas anëtarësimit në BE). Ndaj instrumentet, të cilat shoqërojnë këtë kalim duhet të jenë të mirëmenduara”, shkruhet në raport.
Në rastin e Shqipërisë, BE po përdor karotën e hapjes së negociatave si forcë për zbatimin e reformës në drejtësi. Por karota është tërheqëse për aq kohë sa nuk është e prishur; për aq kohë sa politikanët shqiptarë besojnë se negociatat do të hapen në të ardhmen.
Pas anëtarësimit të një vendi, BE-ja ka pak mjete në dorë për të detyruar zbatimin e politikave antikorrupsion të nisuar përpara anëtarësimit. Nisma e fundit e qeverisë rumune dhe vendosja e regjimit totalitar në Hungari dhe Poloni tregojnë se BE është e pafuqishme të ndalojë qeverinë e një vendi anëtar të shkelë zbatimin e ligjit.
Edhe pse raporti vlerëson “Drejtorinë Antikorrupsion të Rumanisë” si një nga më “impresionueset” ndër institucionet simotra të ngritura në rajon, ai shkruan se një ndryshim i ligjit, i cili legalizon korrupsionin me një votë të vetme:
Në fillim të gjithë politikanët kanë prirjen të miratojnë legjislacionin antikorrupsion, në mënyrë që të bindin Komisionin Evropian se ato janë të gatshëm të luftojnë korrupsionin. Sidoqoftë, kur institucionet e krijuara kthehen kundra tyre, ato nuk kanë turp të përdorin boshllëqet ligjore (të krijuara nga vetë ato) për të minuar arritjet antikorrupsion.
Ajo çfarë po ndodh në Rumani, tani, është pikërisht përpjekja për të krijuar një boshllëk ligjor për të përdorur institucionet e ngritura në interesin e tyre.
Reforma në drejtësi
Raporti flet edhe për reformat e ndryshme të drejtësisë të zbatuara pas rënies së komunizmit në vende të ndryshme. Qëllimi i të gjitha këtyre reformave ishte shkëputja e gjyqësorit nga politika dhe vendosja e një gjyqësori të pavarur. Sikurse thekson raporti, gati në të gjitha rastet reforma në drejtësi ka dështuar, pjesërisht ose plotësisht, pavarësisht mënyrave të ndërlikuara për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Shohim të njëjtën strategji të BE në reformën e drejtësisë në Shqipëri. Njësoj si në vendet e tjera, pika e dobët e reformës në drejtësi është zgjedhja e një numri të madh komisionesh ad-hoc ose të përhershme, me votë ose me short, subjekt i vetingut, në duar të vetë gjyqësorit. Raporti shprehet se:
Shpjegimi për këtë pikë të dobët të sistemit lidhet me historinë e rajonit. Gjatë komunizmit politikanët kontrollonin gjyqësorin dhe kjo praktikë vazhdoi edhe pas vendosjes së demokracisë së brishtë. Ato për dekada, kanë mbushur sistemin me staf të bindur, të lidhur pas karrierës, ndërsa personat e pavarur, mendjehapur janë margjinalizuar gjithmonë.
Fatkeqësisht mundësitë janë më të këqija, eksperienca tregon se Serbia ricaktoi të njëjtën gjykatës dhe Ukraina nuk vendosi asnjëherë një gjyqësor të pavarur. Fatkeqësisht, pavarësia e tyre nuk solli besueshmëri dhe efikasitet. Ne nuk e bllokojmë pavarësinë, ne vetëm paralajmërojmë se kjo nuk është një zgjidhje magjike në të cilën të gjithë besuam një herë.
Mungesa e evropianizimit
Në fund, raporti flet për “Mungesën e evropianizimit” të klasës politike të vendeve të Evropës Juglindore. Si shembull paraqitet prirja për të emëruar prokurorët nga Kuvendi, si në rastin e Shqipërisë. Kjo mënyrë ka rezultuar e gabuar. Në raport shkruhet se:
Ne e dimë se lufta ndaj korrupsionin në vende shumë të korruptuara nuk është një ndërmarrje konsensuale. Përkundrazi, është një përpjekje shkatërruese. Përgjegjësia e Parlamentit për të mbikëqyrur disa institucione mund të funksionojë kur ato i kanë përmbushur të gjitha hallkat e dakordësisë. Por antikorrupsioni funksionon në mënyrë tërësisht të kundërt me këtë.
Në fakt deputetët e vendeve kandidate nuk shoqërohen me të ngjashmit e tyre në vendet e BE-së për të zhvilluar një kuptim më të thellë të rolit të deputetit në BE. Kjo mungesë “evropianizimi” ose “shoqërizimi” ndërmjet elitës politike vendase dhe BE është rezultati direkt i mënyrës se si është strukturuar procesi i anëtarësimit. Vendi kandidat ka lidhje direkt me Komisionin Evropian nëpërmjet delegacionit të BE-së. Por nga ana tjetër është shumë pak i ekspozuar me institucionet e tjera si Parlamenti Evropian apo parlamentet kombëtare.
Sërish kjo mund të shihet shumë mirë edhe në Shqipëri, ku ambasadori i BE-së Vlahutin haptazi ka mbajtur anën e qeverisë shqiptare dhe anëtarët e Parlamentit Evropian janë bërë objekt sulmi duke i konsideruar të parëndësishëm.
Problemi strukturor
Raporti flet për “problemin strukturor”, që qëndron në themel të problemeve të ndryshme:
“Reforma në drejtësi dhe e antikorrupsionit, promovuar me kosto të lartë nga BE-ja, janë minuar shpesh nga parlamentet. Ne duhet të përballemi me realitetin që këto vende kanë një problem strukturor: kërkesën e dobët të brendshëm për të luftuar korrupsionin në nivel shoqëror. Për fat të keq, partitë politike janë me të vërtetë përfaqësues të popullit të tyre”.
Kjo “kërkesë e dobët e brendshme”: do të thotë se në këto vende nuk është tradita e vënies përpara përgjegjësisë së politikanëve. Ka pasur pak protesta kundër zyrtarëve të korruptuar, si në rastin e 21 janarit si reagim ndaj një denoncimi për korrupsion nga kryetari aktual i Kuvendit, Ilir Meta apo protestat aktuale në Rumani, që në fakt, nuk janë mbuluar nga media tradicionale shqiptare.
Sidomos në Shqipëri, votimi për një parti të caktuar nuk ka fare të bëjë me politikat e partisë për të vënë përpara përgjegjësisë kandidatët e saj. Vota konsiderohet ende si transaksion tregtar dhe jo si angazhim ndaj një sërë idesh se si shoqëria duhet të organizohet.
Ky problem strukturor nuk do të largohet nga reforma në drejtësi, sado i suksesshëm apo jo të jetë procesi i vetingut. Ligjet mund të ndryshohen ose thjesht të injorohen. Dhe edhe në qoftë se ligji zbatohet relativisht në mënyrë të drejtë, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se shoqëria do të strukturohet rreth tij. Zbatimi i ligjit nuk do të thotë të jetosh me të – dhe kjo vlen si për zyrtarët shqiptarë, ashtu dhe për ato të BE-së.
Një incident i ditëve të fundit që e vërteton këtë mjaft qartë – këtë fundjavë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj u shfaq së bashku me ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi. Edhe pse mandati i Rroshit kryetar bashkie është hequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si rezultat i ligjit të dekriminalizimit, ai duket se është ende në pushtet. Duke dalë publikisht së bashku me Rroshin, ministri Ahmetaj nuk bën asgjë të paligjshme, por veprimi i tij shpreh përbuzjen e tij për procesin e dekriminalizimit dhe për këtë arsye, e deligjitimon atë.
BE-ja si zëvendësuese e keqe
Së fundi, raporti ofron informacione për rolin preçiz të BE-së në ato vende ku “ka kërkesë të dobët të brendshme kundër korrupsionit”. Ai sugjeron se “nga natyra e procesit të anëtarësimit, BE po zëvendëson mangësitë strukturore”. Me fjalë të tjera, është BE dhe jo shqiptarët ajo që ka tashmë rolin e vënies përpara përgjegjësisë së zyrtarëve shqiptarë.
Ambasadori amerikan mund të denoncojë korrupsionin, por është Delegacioni i BE-së ai që ka mjetet dhe kornizën ligjore, e më e rëndësishmja, ai që mund të luajë rolin e rëndësishëm të “evropianizimit” të elitës politike shqiptare. Për fat të keq, ai refuzon ta bëjë këtë. Jo vetëm që ambasadorja e BE-së Vlahutin ka heshtur për rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe dekriminalizimin – ajo ka theksuar vetëm rëndësinë e ligjit të vetingut – por ajo dhe ka dëmtuar imazhin e BE-së në Shqipëri, me blerjen e një pasurie të patundshme në një zonë ku shqiptarët kanë të gjithë arsyet e mundshme të besojnë se pjesa më e korruptuar dhe kriminale e shoqërisë jetojnë.
Ka shumë mësime për të mësuar nga reformat e drejtësisë apo ligjet antikorrupsion, të nisura nga BE në vendet rreth nesh, e nuk është ende shumë vonë për të mësuar nga to.
Burri i Vlahutin, me dy projekte biznesi në Shqipëri
Ish gazetarja kroate, u bë një analiste, konsulente politike, ambasadore dhe anëtare e komitetit ekzekutiv të BE-së, dhe në fund ambasadore e BE-së në Shqipëri.
Roli i ish politikanëve nga Kroacia që veprojnë si këshilltarë për kryeministrin Edi Rama, Vlahutin, që është me origjinë kroate dhe përpjekjet nga ana e Kroacisë për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe marrëdhëniet Kosovë – BE, i japin një tjetër dimension Vlahutinin dhe gjithashtu rolit të Kroacisë në Rajon.
Sipas medieve, burri i Vlahutin, Vlado Azinoviç është i përfshirë në dy projekte të mëdha në Shqipëri. Nga njëra anë linja hekurudhore Shqipëri-Mal i Zi dhe nga ana tjetër sistemet e sigurisë të shtetit shqiptar.
Natyrisht, duke i ofruar Shqipërisë premtime të rreme për anëtarësimin në BE, në këmbim të përfitimit financiar përmes projekteve të mëdha, disa njerëz po përpiqen të “shkatërrojnë” marrëdhëniet e mira të ndërtuara mes Greqisë dhe Shqipërisë së fundmi.
Aktualisht, ka një hetim dhe jo vetëm nga mediat për rolin e Romana Vlahutin dhe burrit të saj në Shqipëri.
SYRI.net
Ryshfeti 220 mijë euro, si i mbyll dosjet drejtori i SHKB?
Arben Skëndo ka marrë 220 mijë euro nga Gëzim Zhupaj, drejtor i Kufirit në Vlorë! 170 mijë euro ish-shefit të Komisariatit Sarandë, Besmir Sakajani, bashkëpunëtor i Balilit që ishte në prag arrestimi. 150 mijë euro shefit të Komisariatit të Krujës për të mos u arrestuar
Përmes ryshfeteve të majme që nisin nga 150 mijë euro deri në 220 mijë euro e më shumë, drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Arben Skëndo, po mbyll një e nga një të gjitha dosjet e drejtuesve të policisë në rrethe që janë të lidhur me trafikun e drogës. Kjo skemë korrupsioni dhe krimi është denoncuar dje nga ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar shifra marramendëse prej qindra mijëra eurosh, që i janë paguar kreut të SHKB, Skëndo nga drejtues policie të qarqeve të ndryshme për të mbyllur dosjet e tyre hetimore. Berisha ka publikuar denoncimin e një oficeri të SHKB, sipas të cilit drejtori i SHKB u mbyll dosjet e trafiqeve drejtoreve të policisë së qarqeve, duke ju marrë ryshfet qindra mijëra euro. Kështu, sipas tij Arben Skëndo ka marrë 220 mijë euro nga Gëzim Zhupaj, drejtor i Kufirit në Vlorë, 170 mijë euro ish-shefit të Komisariatit Sarandë, Besmir Sakajani, bashkëpunëtor i Balilit që ishte në prag arrestimi, si dhe 150 mijë euro shefit të Komisariatit të Krujës për të mos u arrestuar. “Përshëndetje Doktor, jam një oficer i SHKB-së. Ju bëj me dije se drejtori jonë i Përgjithshëm, Arben Skëndo, një oficer i vjetër i Sigurimit të Shtetit është personi që ka shkatërruar dhe shitur punën tonë tek drejtuesit e Policisë së Shtetit që kanë qenë dhe janë të përfshirë direkt me kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin. Për të gjithë këta drejtues që janë marrë me këtë veprimtari të paligjshme institucioni jonë në bazë të informacioneve të ardhura dhe grumbulluara ka mbledhur plot fakte e prova dhe e ka bërë detyrën e vet dhe ka qenë mëse e mjaftueshme që këta drejtues sot të ishin në burg. Por Arben Skëndo nuk i ndoqi dhe bëri punën që ka për detyrim me ligj, por i zgjidhi këto punë privatisht, duke zhdukur provat dhe duke ju marrë këtyre drejtuesve mijëra euro. Kjo gjë ka ndodhur pothuajse me të gjithë drejtuesit e drejtorive dhe komisariateve në të gjithë Shqipërinë. Po ju jap disa raste. Vetëm në Vlorë drejtorit të Policisë Kufitare, z. Gëzim Zhupaj në këmbim të zhdukjes së provave i ka marrë 220 mijë euro. Shefit të Komisariatit të Krujës për të mos e arrestuar i ka marrë 150 mijë euro. Një ish-shefi të Komisariatit të Sarandës, Besmir Sakajani, i cili është i lidhur me Klement Balilin dhe ka qenë për t’u arrestuar i ka marrë 170 mijë euro. Krimet e Rënda të merren vetëm me këtë drejtues dhe do të vërtetojnë e kuptojnë gjithçka ka ndodhur me kultivimin e kanabisit në Shqipëri”, thuhet në denoncimin e punonjësit të SHKB.
Vrasja e Arditit, 2 punëtorë në gjyq, asnjë zyrtar nuk u hetua
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë me cilësinë e të pandehurve vetëm për dy punonjës të landfillit të Sharrës, ku gjeti vdekjen 17-vjeçari Ardit Gjoklaj më 7 gusht të vitit të kaluar. Nga hetimi rezulton se përgjegjësi i turnit i kompanisë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, shtetasi Dëfrim Hakrama, si edhe fadromisti Edmond Kollari, nuk kanë respektuar rregulloret për mënyrën e punës, si pasojë e të cilave ka mbetur i vdekur shtetasi Gjoklaj, i cili punonte pranë kësaj kompanie.
Për këtë çështje, krahas hetimeve të nisura për vdekjen e 17-vjeçarit, janë duke u zhvilluar hetime edhe për përgjegjësitë e mundshme të kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, bazuar në një kallëzim të dorëzuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike.
Hetimi për kompanitë dhe Bashkinë e Tiranës u veçua nga hetimi kryesor për vdekjen e Ardit Gjoklaj, për faktin se po përfundonin afatet e paraburgimit për dy personat e konsideruar përgjegjës për vdekjen e punëtorit, për të cilët përfundoi hetimi dhe u dërguan për gjykim.
Nga hetimi për të pandehurit Dëfrim Hakrama dhe Edmond Kollari, ka rezultuar se: Në datën 7.8.2016, rreth orës 14:20, policia gjyqësore u njoftua se në vendin e quajtur “Landfilli i Sharrës” Tiranë ishte gjetur një kufomë në grumbullin e mbeturinave pranë sheshit të riciklimit. Kufoma ishte e seksit mashkull në të cilën nga këqyrja që ju bë u vërejtën plagë të shumta, si ato të shkaktuara nga mjete të tonazhit të rëndë. Trupi i dëmtuar i këtij shtetasi u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku u bë dhe identifikimi i tij dhe rezultoi se ishte shtetasi Ardit Gjoklaj, i datëlindjes 1999 (17 vjeç), lindur në Tropojë dhe banues tek ish- Kombinati Tekstil, Tiranë.
Shtetasi Ardit Gjoklaj punonte në landfillin e Sharrës, prej afërsisht një muaji, aty ku subjekti “3R” sh.p.k ushtron aktivitetin e përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane në bazë të një aktmarrëveshje me Bashkinë Tiranë, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij, ishte i veshur me uniformën e punëtorit në landfill (kominoshe ngjyrë gri dhe doreza të gomuara pune).
Nga këqyrjet në vendin e ngjarjes u konstatua se zyra e shoqërisë “3R” sh.p.k, e cila gjendet në ambientet e landfillit është e përshtatur në një konteiner, ku në këtë zyrë u gjetën disa praktika me emra – mbiemra sipas turneve, me data të ndryshme, të cilat u sekuestruan dhe aty figuron i shënuar edhe emri i shtetasit Ardit Gjoklaj deri ditën e ngjarjes.
Për këtë çështje, janë duke u zhvilluar hetime edhe për përgjegjësitë e mundshme të kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, bazuar në një kallëzim të dorëzuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike. Hetimi për kompanitë dhe Bashkinë e Tiranës u veçua nga hetimi kryesor për vdekjen e Ardit Gjoklaj, për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit për dy personat e dërguar në gjyq.
Gjatë hetimit për vdekjen në landfill, Prokuroria arriti të faktonte se Ardit Gjoklaj kishte më shumë se një muaj që punonte aty dhe se emri i tij gjendej në regjistrat e punëtorëve të firmës 3R.
Prokuroria e Tiranës po kryen hetime edhe ndaj kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj në lidhje me menaxhimin e landfillit të Sharrës ku gjeti vdekjen Ardit Gjoklaj. Burimet thonë se, krahas hetimit penal për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, po hetohet edhe mënyra e funksionimit dhe menaxhimit të vendgrumbullimit të mbetjeve urbane.
Sipas Prokurorisë, po verifikohet e gjithë procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës, në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit me Ndërmarrjen Publike të Bashkisë së Veronës. Krijimi mes tyre të një shoqërie të përbashkët me emër “Eco Tirana” sh.a. ku 51 % të aksioneve i disponon Bashkia e Tiranës dhe 49% të aksioneve tjera një shoqëri publike italiane e Bashkisë së Veronës për menaxhimin e landfillit të Sharrës.
Para pak kohësh në media u publikua një foto, ku Erion Veliaj drekonte në një lokal në kryeqytet me prokurorin e çështjes Petrit Fusha. Ndërkohë, hetimet ndaj administratorit të kompanisë “3R”, Edurim Teqja, që merrej me menaxhimin e landfillit të Sharrës u ndërprenë. Administratori i kompanisë “3R” nuk mban asnjë përgjegjësi për punësimin e një të mituri! Administratori, vazhdon i qetë, pasi pagoi faturën e drekës së Lali Erit me prokurorin e çështjes Petrit Fusha. Dreka, thonë se u pagua me paratë, të cilat administratori i “3R” i kishte fituar nga puna e selektimit të mbetjeve të riciklueshme nga Arditi dhe shokët e tij! Bashkia dhe kompania e sajuar “Eco Tirana”sh.a., nuk kanë asnjë përgjegjësi për mënyrën e marrëveshjes me shoqerinë 3R! Duke mos respektuar asnjë procedurë konkurimi nga Lali Eri dhe specialistët e tij!
Vdekja e Ardit Gjoklajt: Ja pasojat e drekës Veliaj-Fusha
Asnjë zyrtar, apo pronar i firmës që merrej me administrimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës ku humbi jetën Ardit Gjoklaj, nuk u hetua. Gazetari Flamur Vezaj shprehet në një status në rrjetin social Facebook se, ky është rezultati i drekës së rastësishme mes Erion Veliajt dhe kryeprokurorit të komanduar të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha.
Ja çfarë shkruan gazetari Flamur Vezaj:
Pasojat e drekës së rastësishme!!!
Në gjyq, vetëm shoferi i fadromës dhe përgjegjesi i turnit të landfillit të Sharrës, kur u gjet i vrarë dhe gjymtuar Ardit Gjoklaj!!!!
Administratori i kompanisë “3R” asnjë përgjegjësi për punësimin e një të mituri…etj!!!! Administratori, vazhdon i qetë pasi pagoi faturën e birrave dhe sallatës, të drekës së Lali Eri me Petrit Fushën, shefin e komanduar të prokurorisë së Tiranës!!!!
Dreka, thonë se u pagua me paratë, të cilat administratori i “3R” i kishte fituar nga puna e selektimit të mbetjeve të riciklueshme nga Arditi dhe shokët e tij!!
Bashkia dhe kompania e sajuar “Eco-Tirana”, asnjë përgjegjësi për mënyrën e marrëveshjes me shoqërinë 3R! Duke mos respektuar asnjë procedurë konkurimi nga Lali Eri dhe specialistët e tij!
#dreka_të_rastësishme_paçi_gjithmonë#
#të_fala_Vetingut#
R.POLISI
Incidenti me minatorët kinezë, politika dhe media nën censurë!
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për situatën e krijuar në një nga minierat e kompanisë “Alb Chrome” në Bulqizë, ku 3 punonjës kinezë kanë mbetur të bllokuar në thellësitë e nëntokës dhe prej 3 ditësh nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Berisha shfaqet tejet i irrituar për situatën e krijuar, ndërsa shkruan se, “aksidentet janë fatkeqësi që ndodhin në miniera. Por kjo heshtje kriminale zyrtare dhe mediatike ndaj varrosjes për së gjalli të tri punonjësve në një minierë në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë”. Sipas Berishës “qeveria, në vend të njoftimit të përditshëm për gjendjen dhe masat, zbaton kodin e territ dhe heshtjes, ndërsa mediat, në vend të raportimit direkt nga varreza e të gjallëve për çdo zhvillim, çdo përpjekje për shpëtimin e tyre, zbatojnë kodin e diktuar nga qeveria”. Ish-Kryeministri Berisha e mbyll postimin e tij, duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim që ai e cilëson si racist, çnjerëzor dhe të turpshëm të zyrtarëve, por edhe mediave të vendit ndaj jetës së 3 qytetarëve të huaj që punojnë në dheun e Shqipërisë.
Denoncoi aferat me fondet publike, Kumbaro shkarkon drejtorin e Muzeut
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është hakmarrë ndaj drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi në lidhje me akuzat që ky i fundit bëri pak ditë më parë, se më shumë para po jepen për privatin se për shtetin. Në një intervistë, Labi akuzoi Ministrinë e Kulturës dhe vetë ministren Kumbaro se po japin më shumë fonde për Karlo Bollinon, sesa për Muzeun Historik Kombëtar. E për këtë arsye, Kumbaro e ka thirrur në një takim ditën e djeshme drejtorin e Muzeut, duke i deklaruar se ishte shkarkuar nga kjo detyrë për akuza të rreme ndaj Ministrisë së Kulturës, duke mohuar deklaratat se po jepen më shumë lekë për privatin. Labi kishte në këtë detyrë që prej datës 4 nëntor 2013, ndërsa u largua dje. “Buxheti për 2017 nuk ka dalë ende, por pritet të jetë 13 ose 14 milionë lekë të reja. Ndërkohë nevojat e menjëhershme të Muzeut, për 70 milionë lekë të reja minimale. Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeumeve si Bunkarti etj., ku privati merr lekët dhe i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve”, thotë Melsi Labi. Po ashtu, punimet e Bashkisë për Sheshin “Skënderbej” kanë izoluar muzeun. Drejtori i MHK, tregon për “Dritare.net” se vizitorët sorollaten në qendër të Tiranës për të gjetur hyrjen për në muze dhe kjo është bërë shkak për një situatë kaotike. “Ne jemi të varur nga punët e Bashkisë, është absurde ta thuash një gjë të tillë. Unë nuk e imagjinoj dot se si një autoritet kombëtar, të varet nga ecuria e punëve të Bashkisë. Punimet në shesh kanë ndikuar në mënyrë drastike edhe në pjesën e frekuentimit, ikin ditët pothuajse pa asnjë vizitor në muze. Një turist nuk di ta gjejë hyrjen, pasi ne jemi të rrethuar nga punimet bashkiake. Edhe vendasit, vijnë anepërqark derisa e gjejnë hyrjen. Është një situatë kaotike dhe nëse vazhdohet kështu, 2017 do të jetë viti me më pak vizitorë e rrjedhimisht me më pak të ardhura. Kjo jo për fajin e muzeut apo shërbimeve që ofron”, ka thënë Melsi Labi në intervistën për “Dritare.net”.