14.5 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Dënohet Bilali në SHBA, a po i vjen radha Ramës?

Edi Rama pritet të hetohet në lidhje me shkeljen e ligjit federal për donacionet e huaja në fushatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas dëshmive që pritet të japë bashkëpunëtori i tij dhe i Bilal Shehut në skemën e mashtrimit. Gjykata Federale në Newark, New Jersey ka dënuar me një vit burg me kusht Bilal Shehun, shqiptari me nënshtetësi amerikane, pasi ai pranoi se ka ndihmuar në dhënien e fondeve për të ndihmuar Edi Ramën të bënte një foto me ish-presidentin Obama, gjatë fushatës elektorale të vitit 2012. Vetë Bilal Shehu sipas portalit www.nj.com ka pranuar fajin, duke shkelur ligjin federal, se ka dhënë kontribut në shumën e 80 mijë dollarëve që të ndihmonte kryetarin e Partisë Socialiste që të merrte pjesë në këtë eveniment, lajm që e konfirmon zyra e prokurorit të çështjes, Paul Fishman. Edhe avokatët e Shehut në këtë çështje Alan Abramson dhe Eric Breslin, kanë thënë se Bilal Shehu ka bërë një “gabim të tmerrshëm”, duke shtuar se është i lumtur që i jepet mundësia që ta shlyejë fajin që ka bërë. Më datë 14 shkurt do të zhvillohet një tjetër gjyq sipas portalit dhe këtë herë është greko-amerikani William Argeros, njeriu që kanalizoi fondet që do të përballet para drejtësisë. Argeros ka bërë të mundur blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila në formë donacionesh në emër të Bilal Shehut (ka deklaruar se ka një kompani limuzinash, pasi ligji federal nuk lejon donacione nga individë më shumë se 5000 dollarë) dhe një tjetër në emër të gruas së tij, por që në vend të bashkëshortes së Bilal Shehut është paraqitur Edi Rama. Argeros pritet të përballet me një akuzë, e cila mund t’i kushtojë 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë. Ky është momenti kyç në bazë të të cilit prokurorët federalë do të hetojnë dhe në lidhje me burimin e të ardhurave, gjë e cila bën që fijet të çojnë dhe tek kryeministri aktual.

Bilali ishte i pari

Por në rast se gjykata e New Jersey-t provoi se Bilal Shehu ishte thjesht një vegël në të gjithë këtë skemë mashtrimi, ku sipas avokatëve i ka premtuar gjykatës se “do të provojë se është i gatshëm për ta shlyer atë që ka bërë”, nuk është e njëjta gjë për financuesit e kësaj skeme mashtrimi. Madje i gjithë hetimi është përqendruar pikërisht tek çështja se nga kanë ardhur këto financime. Ligji për financimet elektorale është i qartë dhe ndalon çdo lloj organizate, kompanie, partie politike apo politikani të lartë të japë financime për fushatën elektorale që zhvillohet në SHBA. Madje ndalohen dhe personat rezidentë në Shtetet e Bashkuara, që nuk disponojnë Green Card. Ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi pse është përzgjedhur Bilal Shehu, një person me nënshtetësi amerikane për të blerë biletat që nuk ishin gjë tjetër vetëm se donacione, në emër të tij. Por, qoftë Rama, qoftë Argeros dhe qoftë Shehu e dinin fare mirë që po kryenin një krim federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ligji jo më kot është ndërtuar në mënyrë të tillë, pasi shmang paratë e pista që vijnë nga aktivitete të ndryshme, që të ndikojnë tek njëri apo tjetri kandidat në Shtetet e Bashkuara. Ligji është i qartë, se në çdo rast dënohen jo vetëm ata që kanë kryer aktin, por hetim dhe dënim ndërmerret dhe nga personat që kanë bërë të mundur financimin e kësaj skeme, gjë që mund t’i kushtojë shumë liderit global. Procesi vazhdon dhe natyrisht që Argeros, nuk ka pse rrezikon aq shumë që të mbajë mbi shpatulla mëkatet e kryeministrit tonë, që kërkoi të përdorte foton me ish-presidentin Obama si një mbështetje që po i jepnin Shtetet e Bashkuara.

Rama e dinte se po shkel ligjin

Po përse u zgjodh pikërisht Bilal Shehu dhe jo një kompani lobimi për këtë çështje? Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1966, prodhuesit e sheqerit nga Filipine ishin investuar shumë në fushatën presidenciale dhe Senatit të asaj kohe, me qëllim që Senati të favorizonte çmimet e importit nga ky vend. Nga ajo kohë Senati vendosi që t’i presë rrugën çdo financimi të huaj që mund të ndikonte sadopak në politikat e shtetit amerikan. Sot në Amerikë dhe kompani apo korporata të fuqishme si Toyota, Nisan, Sony, Samsung, kompania e naftës Shell, kompani kafeje dhe gjithfare tjetër që operojnë në Shtetet e Bashkuara, por bazën e kanë jashtë vendit nuk mund të japin donacione në fushatë elektorale për asnjë kandidat apo senator në Shtetet e Bashkuara. Në raste të veçanta mund të kanalizojnë, kur bie fjala për aktivitete bamirësie që bëjnë kandidatët vetëm 5000 mijë dollarë (donacioni i Ramës ishte 80 mijë). Më vonë në vitin 1990, listës së kompanive iu shtuan dhe qytetarët e huaj amerikanë, partitë politike jashtë Amerikës apo politikanët. Askush prej tyre nuk ka të drejtë sipas ligjit elektoral për financimin e partive të ndërhyjë me anë të financimit në zgjedhjet amerikane. Në rast të kundërt masat janë shumë të rrepta. Në fakt, në lidhje me këtë çështje senatorët dhe politikanët amerikanë nuk kanë reshtur asnjëherë së bëri amendamente me qëllim shtrëngimin e masave dhe parandalimin e futjes së parave me burim të dyshimtë nga jashtë. Madje në amendamentin e reformës të bërë në vitin 2002, kandidatët që pranojnë shumë më shumë se 5000 dollarë, qofshin për Senat apo presidencë, duhet të deklarojnë dhuruesin dhe burimin me të cilat ky dhurues i ka përfituar këto para. Natyrisht këtu bëhet fjalë për shtetas amerikanë që gjithsesi në bazë të ligjit për donacionet individuale nuk kanë të drejtë të kalojnë shumën e 15 000 dollarë vit dhe për këto duhet deklaruar burimi i fitimit. Kjo është arsyeja se përse Edi Rama i kaloi këto financime nëpërmjet Bilal Shehut, duke përdorur si burim për kanalizmin e tyre biznesmenin William Argerosi, i cili përdori lidhjet e tij me administratën Obama që këto donacione të kanalizoheshin për të fituar biletat për aktivitetin e kandidatit demokrat. Por nuk është çudi që Argeros të akuzohet dhe për fshehje të të ardhurave, dhe mosjustifikimin e futjes së tyre në Shtetet e Bashkuara. Nga ana e tyre prokurorët e Newark thonë se askush nga Komiteti për Mbledhjen e Fondeve s’është akuzuar ende për këtë rast, por hetimet do të vazhdojnë, nën moton follow the money (ndiq paratë) dhe dëshmia e grekut Argeros është shumë e rëndësishme në këtë rast. Bilal Shehu e ka pranuar me vetëdije se ka kryer një krim federal, duke përfituar kështu nga statusi i të penduarit. Por Bilali ishte vetëm zbatuesi i kësaj skeme mashtrimi urdhëruesi ndodhet në godinën e Kryeministrisë.

Kryeprokurori ka nisur hetimet për falsifikimin e kryeministrit

Kryeprokurori, Adriatik Llalla ka nisur hetimet për falsifikimin e kryeministrit. Ai ka deklaruar në studion e Opinion, se do të thërrasë ish-ministrin Ylli Manjani për të dëshmuar në lidhje me akuzat e bëra publike mbi Kryeministrin Rama. Ai tha se ka nisur hetimet ndaj qeverisë për deklaratat e bëra nga Manjani. Ky i fundit deklaroi se ka pasur shkelje me mbledhjet e qeverisë dhe për këtë arsye kanë nisur hetimet. “Hetimi ka nisur menjëherë pasi Manjani ka bërë ato akuza”, tha ai.  “Nuk kam frikë të hetoj. Pas deklaratës së ish-ministrit kanë nisur edhe hetimet e para. Menjëherë pas konferencës së mbajtur nga Manjani është regjistruar si procedim penal, dhe ka nisur hetimi për akuzat e bëra. Por duhet koha e nevojshme për hetimet”, u shpreh kryeprokurori Llalla. Menjëherë pas publikimit të lajmit për shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe disa ministrave të qeverisë. Manjani tha se mbledhjet e Qeverisë firmosen koncesione pa dakordësinë e ministrave. Madje ai tha se në jo pak raste ato janë fiktive.

Balili nuk lejon Ramën tek Këshilli i Sigurisë

I mbetur peng për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Klement Balilin, Edi Rama mungoi dje në Këshillin e Sigurisë. Ai nuk mund të merrte pjesë në një mbledhje ku do të kërkohej intensifikimi i masave për kapjen e Balilit si dhe do të ngrihej shqetësimi mbi indiferencën e autoriteteve përkatëse në kapjen e tij. Këshilli i Sigurimit u mblodh dje nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar veprimet dhe përpjekjet lidhur me çështjen “Balili” si dhe në luftën pakompromis ndaj fenomenit kriminal të trafikut të lëndëve narkotike në vendin tonë. Presidenti theksoi që në fillim se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim, i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare. “Çështja ‘Balili’, përtej nivelit kombëtar i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse ajo është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate dhe për këto arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese lidhur me hetimin e mëtejshëm të saj”,  u shpreh Nishani. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në diskutimin e tij, argumentoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me faktin se, rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit tonë. Më pas, të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar në mënyrë sa më efektive krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Presidenti Nishani në përmbyllje, vuri në dukje rëndësinë dhe domosdoshmërinë e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duke vlerësuar nismën e marrë nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, si dhe falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre produktiv dhe konstruktiv. “Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike dhe komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deri më tanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve, pastrimin e parave, duke ndikuar edhe në imazhin e shtetit shqiptar, por vetë faktin që edhe partnerët tanë dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese janë interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj dhe kanë shprehur shqetësimin disa herë, ilustron përmasat e mëdha që ajo mbart jo vetëm duke cenuar sigurinë tonë kombëtare, duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narko-trafikut, por edhe te nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rritjes së përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale”, u shpreh Presidenti Nishani.

A.Shahini

Afera e radhës, Tahiri tender 9.5 milion euro për uniformat e policisë

Policia e Shtetit do të jetë e veshur “firmato” këtë vit pasi Ministria e Rendit Publik ka startuar një tender në të cilin do të shpenzojë 1,292,618,666 lekë (9.5 milionë euro) për veshje, këpucë, grada dhe shenja dhe aksesorë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i punonjësve të Policisë së Shtetit aktualisht është 11 mijë. Sipas shumës që ministri Tahiri ka vënë në dispozicion për veshjen e tyre, çdo punonjësi i takon 117,510 lekë ose 857 euro. Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme pohuan se, blerjet do të bëhen për të pajisur me veshje policinë për tri vite rresht. Për çdo vit janë parashikuar dy veshje të plota, dimri dhe vere. Gjithashtu në këtë shumë përfshihen edhe uniformat ceremoniale dhe ato të punës. Gjithashtu rreth 15 për qind e fondit do të përdoret për të prodhuar veshje rezervë për forcat e reja policore, sqaruan të njëjtat burime.
Sipas të dhënave të shpallura në Agjencinë e Prokurimit Publik gara do të zhvillohet në katër lote. Loti i parë përfshin prokurimin e 955,904,563 lekë, të cilat do të përdoren për blerjen e uniformave. Kështu uniforma e çdo polici do të kushtojë 86 mijë lekë ose 634 euro për person. Loti i dytë parashikon 114,608,220 lekë për blerje e këpucësh ose 10.4 mijë (76 euro) lekë për person.
Loti i tretë parashikon shpenzimin e 44 milionë lekëve për blerjen e gradave dhe stemave që kërkojnë uniformat e policisë ose rreth 29 euro për person. Loti i tretë parashikon blerjen e aksesorëve (kapelat, doreza etj.,) me një vlerë 178 milionë lekë ose 161 mijë lekë (118 euro) për çdo polic.
Nëpërmjet një bisede telefonike, burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se shuma në fjalë parashikon blerjen e dy uniformave dhe gjithashtu edhe të veshjeve ceremoniale. Më tej ata sqaruan se fondi në dispozicion u takon pajisjeve me veshje të 11 mijë policëve. Tenderët e veshjeve të policisë disa herë kanë qenë objekt akuzash për abuzim. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë inspektimeve rutinë në Ministrinë e Rendit disa herë ka gjetur parregullsi në këto tenderime.

Monitor

Revokimi i vizave, vendim politik në shërbim të kapjes së drejtësisë

Heqja e vizave nuk ka qenë thjeshtë një procedurë e Departamentit të Shtetit për të “luftuar korrupsionin”, siç u mundua të justifikohej Ambasada amerikane, por një shërbim i hapur që i bëhet pushtetit të Edi Ramës, dhe turravrapit të tij për të shtënë në dorë drejtësinë. Portali lapsi.al ka botuar dje formularin që kanë dorëzuar gjykatësit dhe prokurorët, për procesin e vettingut, ku një ndër pikat e saj kërkohet qartësisht që të përgjigjen nëse u është refuzuar hyrja, apo viza në Ambasadën e SHBA/BE. Portali në analizën e tij lë të kuptohet se, vizat janë haqur për arsye thellësisht politike, të individëve të veçantë në gjyqësor dhe kanë të bëjnë ose me mospëlqimin e figurës së tyre nga ana e Edi Ramës, ose se kanë mbajtur qëndrime kundër Reformës në Drejtësi. “Heqja e vizave për 27 prokurorë dhe gjyqtarë shqiptarë nga ana Ambasadës amerikane, nuk është as një nismë rutinë e “Ministrisë së Brendshme” të SHBA dhe as një procedurë konsullore për shkeljen e vizës ashtu si po mundohet të shitet nga selia e rrugës së “Elbasanit” dhe disa media që mbrojnë këtë version. Eshtë e qartë që ajo është një masë politike. Pra, thënë thjeshtë Adriatik Llallës nuk iu hoq viza se bashkëshortja e tij shkoi të lindte fëmijën në SHBA, duke shkelur vizën zyrtare, por për qëndrimet dhe idetë e tij pro apo kundër Reformës në Drejtësi. Kështu është vepruar edhe me 26 njerëzit e tjerë të drejtësisë, të cilët janë “dënuar” kolektivisht me anulimin e vizave. Këtë version e dëshmon edhe fakti që ky aksion u ndërrmor fiks, kur pritet të fillojë procesi i vetingut. Por përpos këtij hamendësimi logjik, Lapsi.al ka zbuluar edhe arsyen e vërtetë të këtij dënimi kolektiv. Ajo gjendet tek një nga pikat e Ligjit të Vetingut. Në pikën “G” të formularit aplikuesve u kërkohet nëse u është mohuar viza për në SHBA apo BE gjatë 10 viteve të fundit.  Pra, siç shihet nisma për të ndërhyrë me anulim vizash është një përpjekje e pastër për të ndikuar në mënyrë okulte dhe ekstra institucionale në procesin që sapo ka filluar. Natyrisht shumë nga njerëzit e drejtësisë që kanë aplikuar për të qenë përsëri në sistemin e drejtësisë mund të mos e meritojnë ripërtëritjen e këtyre posteve, por eliminimi i tyre me rrugë dhe mjete të tilla vetëm sa e damkos procesin. Ai e bën atë të pabesueshëm dhe pre preferencash individuale”, shkruan portali Lapsi.al. Lajmi për anulimin e vizave të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve doli menjëherë pas fillimit të Ligjit të Vettingut të famshëm. Duhet sqaruar që në krye të herës se me këtë që ka bërë Ambasada amerikane gjyqtarët dhe prokurorët dhe sikur mos rezultojë asgjë nga hetimi ose vetting, sërish ata mund të humbasin pozicionet e tyre me arsyetimin se, “u është refuzuar/revokuar viza nga Ambasada amerikane”, një shërbim i cili bëhet ditën për diell dhe në mënyrë abuzive. Pra, është fare e qartë se ata gjyqtarë dhe prokurorë të asaj liste, nuk janë gjë tjetër vetëm se individë, të cilët nuk kanë marrë pëlqimin e Edi Ramës për të vazhduar në radhët e gjyqësorit.

A.Maho

Stoltenberg: NATO-ja do ta garantojë paqen në rajon

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg qendroi (03.02) në Kosovë, ku takoi përfaqësuesit më të lartë politikë të vendit ata shqiptarë dhe serb si dhe komandantin e KFOR-it e përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë, se stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për NATO-n, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ai siguroi qytetarët e Kosovës se forcat paqeruajtëse garantojnë paqen në Kosovë dhe do të mbeten të përkushtuara për një mjedis të sigurtë. Këto komente Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri gjatë një vizite që realizoi në Prishtinë, ku takoi përfaqësuesit më të lartë politik të Kosovës, si ata shqiptarë dhe serb, komandantin e KFOR-it dhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare. “NATO është në Kosovë dhe ka forcën e saj KFOR këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë. KFOR-i me mbi 4.500 ushtarë do të jetë i pranishëm në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Por, tani është koha për dialog. Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Jens Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Është jetësore që marrëveshjet e arritura të zbatohen”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha, se marrëveshjet e arritura me Serbinë në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, sepse kjo është e vetmja zgjidhje në procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve. “Është jetësore që marrëveshjet e arritura të zbatohen. Duhet të vazhdojmë me procesin e normalizimit, sepse kjo është e vetmja zgjidhje. NATO e ka forcën e KFOR-it për ta ruajtur paqen këtu. Policia është forca e parë, pastaj EULEX-i dhe pastaj KFOR-i, që të ruajnë sigurinë e vendit dhe ne do të veprojmë gjithmonë aq sa është e domosdoshme për të ruajtur paqen”, tha Stoltenberg, duke shtuar se “NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Stoltenberg nuk pranoi të flasë, nëse Rusia e ka shtrirë ndikimin në Ballkan, por konfirmoi, siç tha se, “kjo pjesë e Evropës mbetet zonë strategjike e rëndësishme për NATO-n”.
Autoritetet e Prishtinës ka kohë që dëshirojnë që Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, ta shndërrojnë në ushtri të Kosovës, mirëpo për ta arritur këtë duhet ndryshim i Kushtetutës me miratimin edhe të përfaqësuesve të serbëve në Parlamentin e Kosovës. E përfaqësuesit e serbëve, në këtë fazë, nuk janë të gatshëm ta mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha, se “NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa transformimi mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nga ana e tij tha, se i gjithë spektri politik në Kosovë ka qëndrim unik sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke rikonfirmuar se Kosova mbetet e angazhuar për dialog me Serbinë, në mënyrë që të tejkalohen tensionet aktuale.
“Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo përkundër kësaj qasjeje në kohët e fundit kemi pasur disa provokime sistematike nga Beogradi, për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i tejkalojmë me paqe”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ndërsa, sa i përket transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, kryeministri Mustafa tha se, “ky transformim po mbahet peng nga ana e Serbisë, përmes ndikimit që ka tek deputetët serb në Parlamentin e Kosovës”.
Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, e vlerësoi lart punën e KFOR-it në Kosovë duke thënë, se “me përkushtimin e tyre forca paqeruajtëse KFOR ka arritur që të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë”.
“Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik”, i tha Presidenti Thaçi, shefit të NATO-s.

EULEX: Nuk ka informata lidhur me armët në Veri
Ditë më parë në një intervistë për DW, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha, se “Serbia po armatos serbët në Veri të Kosovës”, me qëllim destabilizimin e asaj pjese. Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha, se Prishtina zyrtare “po dërgon forcat speciale të policisë në Veri me qëllim të frikësimit të serbëve”. Por zyrtarë të misionit të BE-së për policinë dhe drejtësi EULEX, i thanë DW-së në Prishtinë, se ata nuk kanë informacione që në Veri të Kosovës po hyjnë armë nga Serbia për civilët serbë. “EULEX-i nuk ka informata të tilla në lidhje me armët në Veri. Ne inkurajojmë të gjithë ata që kanë ndonjë dëshmi në lidhje me trafikimin e armëve në Veri të Kosovës të informojnë Policinë e Kosovës. EULEX-i mbetet i angazhuar në veri të Kosovës në rolin e përgjegjësit të dytë për çështjet e sigurisë”, tha Besa Domi zëdhënëse e misionit EULEX.
Beogradi dhe Prishtina edhe pas dy raundeve të dialogut në nivel të lartë politik që u zhvillua në Bruksel me datën 24 janar dhe 1 shkurt, vazhduan me deklarata “nxitëse”, ndonëse para shefes së diplomacisë evropiane që i ftoi në takime, ata ishin zotuar që do të kontribuojnë për uljen e tensioneve. Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Federika Mogherinit, tha se BE-ja shpreh keqardhje për “kumtesat nxitëse të përsëritura”.
“Në mbledhjen në kuadër të dialogut në nivel të lartë të presidentëve dhe kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, është arritur marrëveshja për përmbajtje nga mesazhet dhe kumtesat nxitëse. Shprehim keqardhje të madhe për kumtesat ndezëse të përsëritura”, tha Maja Koçijançiç, duke ftuar palët që t’i qetësojnë mesazhet dhe të vazhdojnë me përpjekjet për uljen e tensionit.

Tillerson: Bindjet personale nuk duhet të bëhen pengesë

Në komentet e para për stafin e Departamentit të Shtetit, kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson, i këshilloi ata dhe punonjësit e tjerë të mos lejojnë që bindjet e tyre personale të bëhen pengesë për të punuar si një ekip i vetëm.
Rex Tillerson i bëri komentet në hollin e Departamentit të Shtetit në ditën e tij të parë në detyrë. Vetëm pak ditë më parë, rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit, me anë të një memoje shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të përkohshëm nga ana e Presidentit Donald Trump të hyrjes së njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
Zoti Tillerson u zotua se, personeli i Departamentit të Shtetit do të përdorej në mënyrën më të efektshme të mundur, por shtoi:
“Për këtë mund të duhen disa ndryshime në mënyrën se si punohet tradicionalisht në këtë departament. Ndryshimi për hir të ndryshimit mund të jetë kundërproduktiv dhe kjo nuk do të jetë kurrë mënyra e ime e veprimit”.
Sekretari i ri i Shtetit pranoi ekzistencën e një hendeku të thellë në politikën amerikane, duke u kërkuar atyre, të cilët tani do të punojnë për të, që ta përqendrojnë vëmendjen te misioni i tanishëm:
“Ndershmëria do të jetë bazë e politikës sonë të jashtme, dhe këtë do ta fillojmë me mënyrën sesi ndërveprojmë me njëri-tjetrin”.
Senati amerikan e konfirmoi të mërkurën emërimin e zotit Tillerson, ish-shef ekzekutiv i gjigantit të naftës dhe gazit Exxon Mobil. Vetëm tre demokratë votuan kundër tij.
Ish-ndihmës Sekretari i Shtetit, Thomas Countryman tha se, pavarësisht ndarjeve politike në Uashington, departamenti do të jetë i bashkuar nën zotin Tillerson:
“Ai vjen në një departament, ku ka dhjetëra mijëra profesionistë shumë të kualifikuar, të cilët i dëshirojnë atij sukses dhe do të bëjnë gjithçka që ai të ketë sukses”.
Zoti Tillerson trashëgon disa sfida globale, siç janë lufta civile në Siri dhe aftësitë në rritje të Koresë së Veriut në fushën bërthamore dhe të raketave.
Këtyre u shtohet edhe agresiviteti në rritje i Kinës, sidomos shtimi i pranisë së saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore.

Autoritetet franceze parandalojnë sulmin terrorist

Në Paris, një ushtar francez plagosi me armë një burrë të armatosur me hanxhar. Personi kishte dy çanta në shpinë dhe po përpiqej të hynte në Muzeun e Luvrit.
Policia tha se personi iu vërsul patrullës së ushtarëve, duke thirrur në arabisht “Allahu akbar”, pasi i ishte thënë se nuk mund të hynte në zonën e dyqaneve me dy çantat që mbante në shpinë.
Zona e dyqaneve ndodhet nën muzeun e Luvrit.
Policia tha se njëri prej ushtarëve qëlloi pesë herë me armë ndaj personit, duke e plagosur atë, ndërsa njëri prej ushtarëve u plagos prej tij.
Kryetarja e Bashkisë, Anne Hidalgo, lavdëroi ushtarët dhe policët e pranishëm tek objekti.
“Do të doja të vlerësoja efektshmërinë e forcave të policisë dhe ushtrisë që mundën ta neutralizojnë përpara se ai të hynte në Luvër, pasi u ndalua në zonën e kontrollit. Mendimet e mia janë me ushtarin e plagosur dhe dua të shpreh solidaritetin e të gjithë parizienëve, pasi ai ndaloi sot në mëngjes dikë që do të sulmonte shumë njerëz të tjerë”.
Zyrtarët e sigurisë thanë se në çanta nuk u gjetën eksplozivë apo materiale të tjera të rrezikshme.
Fillimisht u njoftua se ishte ndaluar edhe një i dyshuar i dytë, por që më vonë u tha se, nuk kishte patur lidhje me sulmin.
Policia ka lejuar sërish hyrjen e vizitorëve, por vazhdon të ruajë masa të larta sigurie.

Maqedoni, presidenti vendos kushte për mandatimin e qeverisë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nuk e mandatoi opozitën për krijimin e qeverisë duke deklaruar, se ka vendosur kushte për mandatimin për qeverisje. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur mjaft reagime. Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në deklaratën drejtuar opinionit tha, se mandatin për formimin e qeverisë së re do ta marrë partia ose koalicioni që do të dëshmojë, se ka siguruar 61 mandate. Por i mandatuari, sipas presidentit, duhet të plotësojë paraprakisht dy kushte, në programin e tyre të kenë dy prioritete kryesore: mbrojtjen e interesave shtetërore ç’ka nënkupton ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, si dhe reforma sistematike e gjithpërfshirëse pas krizës që kaloi vendi, Maqedonia.

LSDM: Ivanov shkel Kushtetutën
Presidenti Gjorge Ivanov është duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ai duhet të japë llogari, thotë zëdhënësi i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Petre Shilegov: “Gjorge Ivanov nuk ka të drejtë ta bëjë këtë diskriminim politik. Ai ia dha mandatin Nikolla Gruevskit, duke mos kërkuar nënshkrim nga 61 deputetë dhe duke mos e kushtëzuar me program. Kështu që nuk ka të drejtë as liderit të LSDM-së, Zoran Zaev t’ia kërkojë këtë. Kjo është një shkelje e patolerueshme e Kushtetutës nga ana e Ivanovit”, shprehet Shilegov.

Partitë shqiptare ende të pavendosura, disa preferojnë Zaevin
Bashkimi Demokratik për Integrim i është rikthyer konsultimeve partiake lidhur me pozicionin e partisë pas takimit me presidentin Ivanov. Nga BDI thonë se të gjitha opsionet janë ende në tryezë. Dy partitë e tjera lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për Zaevin. Orhan Murtezani nga BESA thotë, se përkrahja ndaj Zaevit për marrjen e mandatit duke mbledhur 61 nënshkrime nuk nënkupton që ata me automatizëm do të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Aleanca për Shqiptarët është e gatshme që t’ia japë nënshkrimet atij mandatari, i cili nuk ka qasje refuzuese ndaj deklaratës së përbashkët të partive politike, gjegjësisht ky parim vlen edhe për mandatarin eventual nëse është ai i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Ne jemi të gatshëm të përkrahim qeverisjen vetëm me disa kushte, të cilat janë pjesë e deklaratës, por fillimisht do të kërkojmë që të votohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe mandej do të përkrahim qeverisjen”, ka deklaruar Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët. Të heshtur vazhdojnë të mbeten dy deputetët e PDSH-së.

Ekspertët: Presidenti Ivanov tejkalon kompetencat
VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja, përderisa LSDM dhe partitë shqiptare presin që presidenti Ivanov të bëjë atë që i takon sipas Kushtetutës dhe t’i japë mandatin partisë së dytë për ta formuar qeverinë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë, se partitë e tjera nuk duhet të bien në grackën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, vetëm pse kjo e fundit dështoi në formimin e qeverisë.
Profesor Bekim Kadriu thotë, se Presidenti Ivanov nuk mundet që të përcaktojë përmbajtjen e programit të qeverisë së ardhshme e asesi të kushtëzojë mandatarin e ri. Ai ka për detyrë vetëm t’ia besojë mandatin atij që do të sigurojë shumicë parlamentare e asgjë më tepër. “Tregon qasje skajshmërisht selektive. Ai i tejkalon kompetencat e tij kushtetuese duke mos e respektuar parimin e qartë të ndarjes së pushtetit. Sipas Kushtetutës Ivanov nuk ka mundësi të parashikojë dhe të imponojë kushte të caktuara për mandatarin e ardhshëm”, thekson Kadriu.
Analisti politik, Petar Arsovski, thotë se Presidenti Ivanov me qëndrimin e tij nuk ofroi dalje nga kriza, po thellim të saj. “E futi Maqedoninë në krizën më të madhe politike. Ai është skajshmërisht joparimor dhe sjell vendime selektive. Mendoj se Presidenti Ivanov duhet të japë dorëheqjen ose atij t’i inicohet impeachment, pra të shkarkohet”, thotë Arsovski.
Politologu Bashkim Bakiu vlerëson se shkuarja në zgjedhje të parakohshme krijon situata të paparashikueshme. “Zgjedhjet e parakohshme janë shpëtim vetëm i VMRO-DPMNE-së, konkretisht kthimi i Gruevskit prandaj ky opsion duhet eliminuar nga axhenda politike shqiptare. Nga ana tjetër kemi LSDM me Zaevin, që përkrah funksionimin e PSP-së dhe mund të inkorporohet platforma shqiptare. Kjo situatë duhet shfrytëzuar”, vlerëson Bashkim Bakiu.
Profesor Lubomir Frçkovski thotë se, Presidenti George Ivanov nuk mund të vlerësojë programe partiake për arsyen se nuk ka kompetenca të tilla kushtetuese.  “Një nga punët më delikate në kushtetutat e shteteve liberale është balancimi i forcave dhe ndarja e pushtetit. Në këtë rast, kjo nuk është punë e presidentit, kjo është punë dhe detyrim i Parlamentit. Ivanov i merr me kokën e vet kompetencat e Parlamentit”, shpjegon profesor Frçkovski.

Vetëm me vullnet politik mund të tejkalohet kriza
Situata politike në Maqedoni ende është e rënduar dhe është i nevojshëm vullneti politik që të dilet nga ajo, ka thënë Christine Altahauser, ambasadore e Gjermanisë në Shkup. “Situata politike në Maqedoni ende është e rëndë, ndërsa vullneti politik është gjithmonë një parakusht për një përparim politik. Në këtë kontekst presim që haptazi presidenti Ivanov t’i pranojë qëndrimet e të gjitha partive politike. Ne do të vazhdojmë t’i përkrahim proceset e reformave në vend për më shumë kushte të mira demokratike”, ka theksuar Altahauser.
Rusia konstaton thellim serioz të krizës politike në Maqedoni dhe ndikim të fuqishëm të jashtëm, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse lidhur me situatën në Maqedoni. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kontribuan për zgjidhje të situatës.
“Vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm ndaj forcave politike në Maqedoni, me qëllim që Perëndimi t’i shmangë politikanët maqedonas, të cilët nuk i pëlqejnë pavarësisht vullnetit të shprehur qartë në zgjedhje nga qytetarët në dobi të koalicionit”, për një Maqedoni më të mirë”. Manipulimi i paturpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve mund të shkaktojë përshkallëzim të gjendjes në Maqedoni dhe ta prishë stabilitetin e brishtë në të gjithë rajonin”, thekson Ministria e Jashtme ruse.

Mesazhe të qarta nga Angela Merkel në Ankara

Kancelares në fillim iu desh të dëgjojë shumë kritika, se vizita e saj tek Erdogani e forcon atë në moment të papërshtatshëm. Por Michael Lehmann mendon, se fjalët e hapura të Merkelit ishin me vlerë.
“Opozita është komponente e demokracisë”. Kjo ishte fjalia e thjeshtë, por qendrore e Kancelares gjermane të enjten (02.02) në kuadër të vizitës në Ankara. Me shumë gjasë, Presidenti turk Erdogan këtë fjali e injoroi. Por Kancelarja foli hapur, atë që shumë do të kishin dashur t’ia thonin më qartazi në sy Presidentit të pushtetshëm në Turqi: t’i jepet fund shtypjes së lirisë së mendimit! Të ruhet ndarja e pushteteve! Të zbardhen menjëherë dhe me rigorozitet akuzat për tortura!
Ne nuk e dimë, se sa hapur ishin në të vërtetë fjalët, që ka përdorur Kancelarja në bisedën personalisht me Erdogan-in. Por ishte dhe është e rëndësishme, që një sundimtari, i cili prej muajsh vepron me kaq kokëshkretësi, t’i bëhet një kritikë kaq e qartë dhe e hapur nga ana tjetër prej një gruaje të fuqishme që qeveris në mënyrë demokratike – edhe pse në disa pika ato ishin formuluar indirekt.
Po aq i rëndësishëm është edhe takimi me dy partitë e mëdha opozitare turke. “Të dëgjohet dhe të respektohet zëri i atyre që mendojnë ndryshe!” Ky mesazh i Kancelares gjermane vlen jo vetëm për Erdoganin dhe rrethin e tij të ngushtë të përkrahësve, por ai duhet të tërheqë vëmendjen edhe ndaj gjysmës tjetër të Turqisë, që nuk është dakord me kursin aktual të qeverisjes në vend, e që dita-ditës po i hiqet e drejta e fjalës.
Kësisoj, dita e vizitës së Merkelit pavarësisht kohës së kufizuar të qendrimit mund të mbështesë ata, të cilët kryejnë me vështirësi vërtetë punë opozitare, duke rrezikuar jetën. Vizita e Merkelit, pavarësisht se si e paraqesin atë mediet turke, është një sukses – për kancelaren, por edhe për njerëzit në Turqi, të cilët nuk e konsiderojnë pa alternativë Erdogan-in dhe regjimin e tij.

Lukashenka: Rusia përpiqet “të na kap në fyt”

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, e ka kritikuar Rusinë, gjatë një konference të sotme për gazetarë në Minsk, duke e akuzuar se nuk po i respekton marrëveshjet ndërmjet dy vendeve fqinje dhe se e përdor furnizimin me gaz për ta “kap për fyti” Bjellorusinë.
Duke folur para afro 50 gazetarëve vendas dhe të jashtëm, Lukashenka tha se Rusia e kishte “kaluar kufirin” e marrëveshjeve me Bjellorusinë me një “lëvizje të lapsit”.
Ai i është referuar veprimit të Rusisë për të ndërmarrë kontroll të ashpër në kufirin e përbashkët, derisa Bjellorusia përgatitet, që prej 9 shkurtit, ta zbatojë regjimin e lëvizjes pa viza për udhëtime të shkurtëra me afro 80 vende.
Lukashenka ka sugjeruar se, Rusia është përpjekur ta forcojë ndikimin e saj ndaj shteteve të vogla, duke synuar kontroll të gazsjellësve të gazit dhe duke e përdorë gazin dhe naftën si mjet të forcës.
Presidenti i Bjellorusisë tha se, “pavarësia nuk mund të krahasohet me naftë” dhe se vendi i tij, që për një kohë të gjatë ishte i varur nga furnizimet e subvencionuara të energjisë ruse, do të gjejë burime të tjera të naftës dhe gazit, nëse paraqitet e nevojshme.