Në komentet e para për stafin e Departamentit të Shtetit, kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson, i këshilloi ata dhe punonjësit e tjerë të mos lejojnë që bindjet e tyre personale të bëhen pengesë për të punuar si një ekip i vetëm.
Rex Tillerson i bëri komentet në hollin e Departamentit të Shtetit në ditën e tij të parë në detyrë. Vetëm pak ditë më parë, rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit, me anë të një memoje shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të përkohshëm nga ana e Presidentit Donald Trump të hyrjes së njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
Zoti Tillerson u zotua se, personeli i Departamentit të Shtetit do të përdorej në mënyrën më të efektshme të mundur, por shtoi:
“Për këtë mund të duhen disa ndryshime në mënyrën se si punohet tradicionalisht në këtë departament. Ndryshimi për hir të ndryshimit mund të jetë kundërproduktiv dhe kjo nuk do të jetë kurrë mënyra e ime e veprimit”.
Sekretari i ri i Shtetit pranoi ekzistencën e një hendeku të thellë në politikën amerikane, duke u kërkuar atyre, të cilët tani do të punojnë për të, që ta përqendrojnë vëmendjen te misioni i tanishëm:
“Ndershmëria do të jetë bazë e politikës sonë të jashtme, dhe këtë do ta fillojmë me mënyrën sesi ndërveprojmë me njëri-tjetrin”.
Senati amerikan e konfirmoi të mërkurën emërimin e zotit Tillerson, ish-shef ekzekutiv i gjigantit të naftës dhe gazit Exxon Mobil. Vetëm tre demokratë votuan kundër tij.
Ish-ndihmës Sekretari i Shtetit, Thomas Countryman tha se, pavarësisht ndarjeve politike në Uashington, departamenti do të jetë i bashkuar nën zotin Tillerson:
“Ai vjen në një departament, ku ka dhjetëra mijëra profesionistë shumë të kualifikuar, të cilët i dëshirojnë atij sukses dhe do të bëjnë gjithçka që ai të ketë sukses”.
Zoti Tillerson trashëgon disa sfida globale, siç janë lufta civile në Siri dhe aftësitë në rritje të Koresë së Veriut në fushën bërthamore dhe të raketave.
Këtyre u shtohet edhe agresiviteti në rritje i Kinës, sidomos shtimi i pranisë së saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore.
Tillerson: Bindjet personale nuk duhet të bëhen pengesë
Autoritetet franceze parandalojnë sulmin terrorist
Në Paris, një ushtar francez plagosi me armë një burrë të armatosur me hanxhar. Personi kishte dy çanta në shpinë dhe po përpiqej të hynte në Muzeun e Luvrit.
Policia tha se personi iu vërsul patrullës së ushtarëve, duke thirrur në arabisht “Allahu akbar”, pasi i ishte thënë se nuk mund të hynte në zonën e dyqaneve me dy çantat që mbante në shpinë.
Zona e dyqaneve ndodhet nën muzeun e Luvrit.
Policia tha se njëri prej ushtarëve qëlloi pesë herë me armë ndaj personit, duke e plagosur atë, ndërsa njëri prej ushtarëve u plagos prej tij.
Kryetarja e Bashkisë, Anne Hidalgo, lavdëroi ushtarët dhe policët e pranishëm tek objekti.
“Do të doja të vlerësoja efektshmërinë e forcave të policisë dhe ushtrisë që mundën ta neutralizojnë përpara se ai të hynte në Luvër, pasi u ndalua në zonën e kontrollit. Mendimet e mia janë me ushtarin e plagosur dhe dua të shpreh solidaritetin e të gjithë parizienëve, pasi ai ndaloi sot në mëngjes dikë që do të sulmonte shumë njerëz të tjerë”.
Zyrtarët e sigurisë thanë se në çanta nuk u gjetën eksplozivë apo materiale të tjera të rrezikshme.
Fillimisht u njoftua se ishte ndaluar edhe një i dyshuar i dytë, por që më vonë u tha se, nuk kishte patur lidhje me sulmin.
Policia ka lejuar sërish hyrjen e vizitorëve, por vazhdon të ruajë masa të larta sigurie.
Maqedoni, presidenti vendos kushte për mandatimin e qeverisë
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nuk e mandatoi opozitën për krijimin e qeverisë duke deklaruar, se ka vendosur kushte për mandatimin për qeverisje. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur mjaft reagime. Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në deklaratën drejtuar opinionit tha, se mandatin për formimin e qeverisë së re do ta marrë partia ose koalicioni që do të dëshmojë, se ka siguruar 61 mandate. Por i mandatuari, sipas presidentit, duhet të plotësojë paraprakisht dy kushte, në programin e tyre të kenë dy prioritete kryesore: mbrojtjen e interesave shtetërore ç’ka nënkupton ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, si dhe reforma sistematike e gjithpërfshirëse pas krizës që kaloi vendi, Maqedonia.
LSDM: Ivanov shkel Kushtetutën
Presidenti Gjorge Ivanov është duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ai duhet të japë llogari, thotë zëdhënësi i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Petre Shilegov: “Gjorge Ivanov nuk ka të drejtë ta bëjë këtë diskriminim politik. Ai ia dha mandatin Nikolla Gruevskit, duke mos kërkuar nënshkrim nga 61 deputetë dhe duke mos e kushtëzuar me program. Kështu që nuk ka të drejtë as liderit të LSDM-së, Zoran Zaev t’ia kërkojë këtë. Kjo është një shkelje e patolerueshme e Kushtetutës nga ana e Ivanovit”, shprehet Shilegov.
Partitë shqiptare ende të pavendosura, disa preferojnë Zaevin
Bashkimi Demokratik për Integrim i është rikthyer konsultimeve partiake lidhur me pozicionin e partisë pas takimit me presidentin Ivanov. Nga BDI thonë se të gjitha opsionet janë ende në tryezë. Dy partitë e tjera lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për Zaevin. Orhan Murtezani nga BESA thotë, se përkrahja ndaj Zaevit për marrjen e mandatit duke mbledhur 61 nënshkrime nuk nënkupton që ata me automatizëm do të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Aleanca për Shqiptarët është e gatshme që t’ia japë nënshkrimet atij mandatari, i cili nuk ka qasje refuzuese ndaj deklaratës së përbashkët të partive politike, gjegjësisht ky parim vlen edhe për mandatarin eventual nëse është ai i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Ne jemi të gatshëm të përkrahim qeverisjen vetëm me disa kushte, të cilat janë pjesë e deklaratës, por fillimisht do të kërkojmë që të votohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe mandej do të përkrahim qeverisjen”, ka deklaruar Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët. Të heshtur vazhdojnë të mbeten dy deputetët e PDSH-së.
Ekspertët: Presidenti Ivanov tejkalon kompetencat
VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja, përderisa LSDM dhe partitë shqiptare presin që presidenti Ivanov të bëjë atë që i takon sipas Kushtetutës dhe t’i japë mandatin partisë së dytë për ta formuar qeverinë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë, se partitë e tjera nuk duhet të bien në grackën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, vetëm pse kjo e fundit dështoi në formimin e qeverisë.
Profesor Bekim Kadriu thotë, se Presidenti Ivanov nuk mundet që të përcaktojë përmbajtjen e programit të qeverisë së ardhshme e asesi të kushtëzojë mandatarin e ri. Ai ka për detyrë vetëm t’ia besojë mandatin atij që do të sigurojë shumicë parlamentare e asgjë më tepër. “Tregon qasje skajshmërisht selektive. Ai i tejkalon kompetencat e tij kushtetuese duke mos e respektuar parimin e qartë të ndarjes së pushtetit. Sipas Kushtetutës Ivanov nuk ka mundësi të parashikojë dhe të imponojë kushte të caktuara për mandatarin e ardhshëm”, thekson Kadriu.
Analisti politik, Petar Arsovski, thotë se Presidenti Ivanov me qëndrimin e tij nuk ofroi dalje nga kriza, po thellim të saj. “E futi Maqedoninë në krizën më të madhe politike. Ai është skajshmërisht joparimor dhe sjell vendime selektive. Mendoj se Presidenti Ivanov duhet të japë dorëheqjen ose atij t’i inicohet impeachment, pra të shkarkohet”, thotë Arsovski.
Politologu Bashkim Bakiu vlerëson se shkuarja në zgjedhje të parakohshme krijon situata të paparashikueshme. “Zgjedhjet e parakohshme janë shpëtim vetëm i VMRO-DPMNE-së, konkretisht kthimi i Gruevskit prandaj ky opsion duhet eliminuar nga axhenda politike shqiptare. Nga ana tjetër kemi LSDM me Zaevin, që përkrah funksionimin e PSP-së dhe mund të inkorporohet platforma shqiptare. Kjo situatë duhet shfrytëzuar”, vlerëson Bashkim Bakiu.
Profesor Lubomir Frçkovski thotë se, Presidenti George Ivanov nuk mund të vlerësojë programe partiake për arsyen se nuk ka kompetenca të tilla kushtetuese. “Një nga punët më delikate në kushtetutat e shteteve liberale është balancimi i forcave dhe ndarja e pushtetit. Në këtë rast, kjo nuk është punë e presidentit, kjo është punë dhe detyrim i Parlamentit. Ivanov i merr me kokën e vet kompetencat e Parlamentit”, shpjegon profesor Frçkovski.
Vetëm me vullnet politik mund të tejkalohet kriza
Situata politike në Maqedoni ende është e rënduar dhe është i nevojshëm vullneti politik që të dilet nga ajo, ka thënë Christine Altahauser, ambasadore e Gjermanisë në Shkup. “Situata politike në Maqedoni ende është e rëndë, ndërsa vullneti politik është gjithmonë një parakusht për një përparim politik. Në këtë kontekst presim që haptazi presidenti Ivanov t’i pranojë qëndrimet e të gjitha partive politike. Ne do të vazhdojmë t’i përkrahim proceset e reformave në vend për më shumë kushte të mira demokratike”, ka theksuar Altahauser.
Rusia konstaton thellim serioz të krizës politike në Maqedoni dhe ndikim të fuqishëm të jashtëm, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse lidhur me situatën në Maqedoni. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kontribuan për zgjidhje të situatës.
“Vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm ndaj forcave politike në Maqedoni, me qëllim që Perëndimi t’i shmangë politikanët maqedonas, të cilët nuk i pëlqejnë pavarësisht vullnetit të shprehur qartë në zgjedhje nga qytetarët në dobi të koalicionit”, për një Maqedoni më të mirë”. Manipulimi i paturpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve mund të shkaktojë përshkallëzim të gjendjes në Maqedoni dhe ta prishë stabilitetin e brishtë në të gjithë rajonin”, thekson Ministria e Jashtme ruse.
Mesazhe të qarta nga Angela Merkel në Ankara
Kancelares në fillim iu desh të dëgjojë shumë kritika, se vizita e saj tek Erdogani e forcon atë në moment të papërshtatshëm. Por Michael Lehmann mendon, se fjalët e hapura të Merkelit ishin me vlerë.
“Opozita është komponente e demokracisë”. Kjo ishte fjalia e thjeshtë, por qendrore e Kancelares gjermane të enjten (02.02) në kuadër të vizitës në Ankara. Me shumë gjasë, Presidenti turk Erdogan këtë fjali e injoroi. Por Kancelarja foli hapur, atë që shumë do të kishin dashur t’ia thonin më qartazi në sy Presidentit të pushtetshëm në Turqi: t’i jepet fund shtypjes së lirisë së mendimit! Të ruhet ndarja e pushteteve! Të zbardhen menjëherë dhe me rigorozitet akuzat për tortura!
Ne nuk e dimë, se sa hapur ishin në të vërtetë fjalët, që ka përdorur Kancelarja në bisedën personalisht me Erdogan-in. Por ishte dhe është e rëndësishme, që një sundimtari, i cili prej muajsh vepron me kaq kokëshkretësi, t’i bëhet një kritikë kaq e qartë dhe e hapur nga ana tjetër prej një gruaje të fuqishme që qeveris në mënyrë demokratike – edhe pse në disa pika ato ishin formuluar indirekt.
Po aq i rëndësishëm është edhe takimi me dy partitë e mëdha opozitare turke. “Të dëgjohet dhe të respektohet zëri i atyre që mendojnë ndryshe!” Ky mesazh i Kancelares gjermane vlen jo vetëm për Erdoganin dhe rrethin e tij të ngushtë të përkrahësve, por ai duhet të tërheqë vëmendjen edhe ndaj gjysmës tjetër të Turqisë, që nuk është dakord me kursin aktual të qeverisjes në vend, e që dita-ditës po i hiqet e drejta e fjalës.
Kësisoj, dita e vizitës së Merkelit pavarësisht kohës së kufizuar të qendrimit mund të mbështesë ata, të cilët kryejnë me vështirësi vërtetë punë opozitare, duke rrezikuar jetën. Vizita e Merkelit, pavarësisht se si e paraqesin atë mediet turke, është një sukses – për kancelaren, por edhe për njerëzit në Turqi, të cilët nuk e konsiderojnë pa alternativë Erdogan-in dhe regjimin e tij.
Lukashenka: Rusia përpiqet “të na kap në fyt”
Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, e ka kritikuar Rusinë, gjatë një konference të sotme për gazetarë në Minsk, duke e akuzuar se nuk po i respekton marrëveshjet ndërmjet dy vendeve fqinje dhe se e përdor furnizimin me gaz për ta “kap për fyti” Bjellorusinë.
Duke folur para afro 50 gazetarëve vendas dhe të jashtëm, Lukashenka tha se Rusia e kishte “kaluar kufirin” e marrëveshjeve me Bjellorusinë me një “lëvizje të lapsit”.
Ai i është referuar veprimit të Rusisë për të ndërmarrë kontroll të ashpër në kufirin e përbashkët, derisa Bjellorusia përgatitet, që prej 9 shkurtit, ta zbatojë regjimin e lëvizjes pa viza për udhëtime të shkurtëra me afro 80 vende.
Lukashenka ka sugjeruar se, Rusia është përpjekur ta forcojë ndikimin e saj ndaj shteteve të vogla, duke synuar kontroll të gazsjellësve të gazit dhe duke e përdorë gazin dhe naftën si mjet të forcës.
Presidenti i Bjellorusisë tha se, “pavarësia nuk mund të krahasohet me naftë” dhe se vendi i tij, që për një kohë të gjatë ishte i varur nga furnizimet e subvencionuara të energjisë ruse, do të gjejë burime të tjera të naftës dhe gazit, nëse paraqitet e nevojshme.
Trump: Irani po “luan me zjarr”
Presidenti amerikan, Donald Trump, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin Twitter, i ka tërhequr vërejtjen Iranit se po “luan me zjarr”. Ky fjalor i ashpër i Presidentit amerikan u përdor për të dytën ditë me radhë, pas provës së fundit balistike raketore të Iranit.
Zoti Trump, mëtutje në Twitter, ka shkruar se, qeveria iraniane nuk ishte falënderuese se sa “mirë” Shtetet e Bashkuara ishin sjellur me ata.
Kjo ishte referencë e qartë në marrëveshjen atomike të Iranit me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore në vitin 2015, sipas së cilës kapaciteti bërthamor i Iranit reduktohet në këmbim për zbutjen e sanksioneve ekonomike.
Mediat amerikane kanë raportuar se, Shtëpia e Bardhë po përgatitiet për imponim të sanksioneve të reja kundër Iranit.
Raportet e bazuara në zyrtarë anonimë amerikanë, thonë se dhjetëra individë, kompani dhe agjenci qeveritare iraniane, mund të përfshihen në kuadër të sanksioneve të reja.
Simeone bën diferencën
Fati i Atletiko Madrid varet shumë nga Diego Simeone. Përveçse një strateg i aftë që ndërtoi një skuadër shumë të mirë, ai është edhe një motivues i jashtëzakonshëm. Për ta kuptuar më së miri mjafton të shohësh ndryshimin mes pjesës së parë dhe të dytë të ndeshjes së mbrëmshme të Atletikos me Barcelonën.
Pas një pjese të parë shumë zhgënjyese, të mbyllur me shifrat 2-0 në favor të Barcelonës në “Vicente Kalderon”, Simeone tregoi talentin e tij në dhomat e zhveshjes me një fjalim, të cilit lojtarët e tij ia kanë venë nofkën “Cholina”.
“Ju mund të luani mirë apo keq, por këtu ka më shumë se 55 mijë persona që kanë ardhur t’ju shohin se si lini lëkurën në fushë, se si jepet jeta për fanellën e Atletiko Madrid. Mos u shqetësoni për rezultatin, dilni dhe mbroni këtë fanellë, pasi përfaqëson 55 mijë njerëzit që janë këtu”, ishte britma e luftës e Simeones, e zbuluar nga “Cadena Cope”.
Fjalimi dha menjëherë efekt. Pas pushimit, Atletiko ishte një skuadër e tjetërsuar që shkurtoi diferencën dhe ishte disa herë pranë barazimit, duke ngjallur shanset për të mbijetuar në Kupë.
Ronaldo, sportisti më i paguar
Cristiano Ronaldo shpallet sportisti më i paguar në botë për vitin 2016. Është revista prestigjioze “Forbes”, ajo që e ka zbuluar këtë nëpërmjet një klasifikimi të përpiluar prej saj, të cilën portugezi e kryeson me 88 milionë dollarë të përfituara vitin e kaluar.
Në vendin e dytë gjendet argjentinasi Lionel Mesi me 81.4 milionë dollarë që ka lënë pas Lebron James. Ylli i Cleveland Cavaliers plotëson podiumin e “Forbes”, pasi në 2016 arriti të përfitojë 77 milionë dollarë. Klasifikimi vijon me legjendën e tenisit Roger Federer, të pozicionuar në vendin e katërt dhe Kevin Durant në vendin e pestë.
Në klasifikimin e “Forbes” të sportistëve më të pasur spikasin edhe emrat e Novak Djokoviç, Cam Newton, Phil Mickelson dhe Jordan Spith. Dhjetëshja e sportistëve më të paguar në botë plotësohet nga një emër i madh i basketbollit botëror, Kobe Bryant edhe pse ish-lojtari i Lakers tashmë është tërhequr.
Derbi i Romës!
Dilema më e madhe e tifozëve në derbin roman të futbollit italian ka qenë çdo herë se, cila prej ngjyrave do të triumfonte në stadiumin “Olimpico”. Por këtë herë duket se kjo dilemë është zëvendësuar me atë se, cilës do t’i takojë fitorja: sigurisë publike apo programimit televiziv. Kur duhet edhe një muaj nga ndeshja e parë e gjysmëfinales së Kupës së Italisë, përplasja e skuadrave të të njëjtit qytet nis të gjenerojë konflikte.
Për shkak të historisë aspak pozitive dhe sjelljes së dhunshme të dy tifozerive në vitin 2013, Prefekti i Romës imponoi zhvillimin e ndeshjeve pasdite dhe jo në orë të vona. Në po atë vit, pati trazira të rënda, që sollën edhe 14 të plagosur, e kjo i bindi më shumë autoritetet për të mos lënë një derbi të tillë në darkë, edhe pse nga kjo sakrifikoheshin miliona për të drejtat televizive.
Gjashtë nga 8 sfidat pasardhëse derbi në Romë u zhvilluan në orën 15:00, me vetëm dy përjashtime, edhe pse jo në orë të vona, finalen e Kupës së Italisë dhe kthimin para dy sezonesh. Më 1 mars të këtij viti, dikush duhet të përkulet, pasi mundësitë janë të pakta.
Ose derbi do të luhet në një të mërkurë me pak tifozë, në orar dreke, gjë që nuk josh askënd, ose do të provohet t’i jepet besim dy tifozerive me garën e mbrëmjes, që mund të sjellë ndoshta edhe tragjedi. Sido që të shkojë, polemikat në pritje të rezultatit janë të garantuara.
Françesko Toti rikthehet të luajë titullar dhe menjëherë tregon se vazhdon të jetë i vlefshëm për Romën. Spaleti i besoi majën e sulmit, kapitenit legjendar, në përballjen ndaj surprizës së Kupës së Italisë, Çezenës dhe ai e shpërbleu, duke shënuar golin e kualifikimit në fitoren 2-1.
Toti shndërroi në gol, një penallti të fituar në minutën e 95’ të takimit, duke e bërë edhe më emocionues këtë kualifikim të Romës, e cila vuajti vërtetë shumë ndaj Çezenës modeste. Tashmë Roma do të vazhdojë rrugëtimin e Kupës me përballjen derbi, në gjysmëfinale me Lacion, e cila eliminoi Interin, duke fituar 1-2. Ndeshjet midis Romës dhe Lacios do të zhvillohen më datat 1 mars dhe 5 prill.
Arena Kombëtare kandidate për Superkupën e Europës
Arena Kombëtare është edhe zyrtarisht kandidate për të organizuar finalen e Superkupës së Europës. Impianti modern që po ndërtohet në Tiranë është mes 10 stadiumeve në garë për zhvillimin e ndeshjes së vitit 2019. Ashtu siç u konfirmua prej prezantimit të projektit nga Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, synimi është që përveç ndeshjeve të Kombëtares në “Arenën Kombëtare” të zhvillohet edhe një prej finaleve më të rëndësishme të kontinentit.
Kërkesa për të luajtur finalen e Superkupës është depozituar nga Federata Shqiptare e Futbollit në selinë e UEFA-s. Në garën ku marrin pjesë dhjetë impiante nga 9 shtete të ndryshme europiane, Shqipëria ka si rivalë stadiumin e Tuluzës në Francë, impiantin “Florian Albert” në Budapest të Hungarisë, stadiumin e Haifas në Izrael, “Astana Arena” në Kazakistan, impiantin “Ëinsdor Park” në Irlandën e Veriut.
Të tjerë stadiume në garë janë “Hampden Park” në Skoci, “Besiktas Arena” në Turqi, ndërsa Polonia ka hedhur kandidaturat për “Gdansk Arena” dhe “Stadiumin Kombëtar” të Varshavës.
Sipas procedurave, më datë 1 mars të këtij viti do të zhvillohet seminari për prezantimin e kandidaturave, ndërsa më 6 qershor UEFA do të vlerësojë dokumentacionin e paraqitur nga federatat që kanë shfaqur interes. Më pas, do të jetë Ekzekutivi i UEFA-s, që në shtator do të japë vendimin përfundimtar rreth stadiumit që do të presë finalen e Superkupës së Europës në vitin 2019.