17.5 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Kaceres një vit pa luajtur te Milani

Ish-mbrojtësi i Juventusit, Martin Kaceres, gjendet në Itali ku pritet të nënshkruajë me Milanin. Por mbrojtësi duhet të kalojë më parë një sërë testesh fizike të stërzgjatura me kuqezinjtë, të cilët kanë dyshim për aftësitë e tij fizike.
Futbollisti nuk luan prej një viti, pasi më 3 shkurt 2016 dëmtoi tendinën dhe që atëherë mbeti jashtë fushave të lojës me skuadrën e Juventusit, nga e cila u shkëput në fund të sezonit.
Kaceres nuk u aktivizua me asnjë klub në pjesën e parë të sezonit, ndaj për të parashikohet që testet mjekësore para firmës në kontratën me kuqezinjtë do të jenë shumë më të hollësishme se ato që kryejnë normalisht futbollistët e tjerë. Përveç vizitave rutinë, lojtarit do t’i bëhet një kontroll i detajuar i strukturës fizike, për të shmangur mundësinë që të nënshkruajnë me një futbollist, i cili ka tendencë të dëmtohet.
Sipas mediave italiane, akordi me Kaceres do të jetë deri në fund të sezonit, periudhë për të cilën mbrojtësi do të paguhet 400 mijë euro.

Vëllezërit më të mirë në futboll

Historitë interesante të futbollistëve janë të shumta. Disa për mënyrën si e kanë nisur karrierën në sportin më popullor, të tjerë për famën dhe kontratat disamilionëshe që kanë nënshkruar në moshë të vogël. Të tjerë kanë histori me vëllezërit e tyre. Mes kësaj kategorie, janë edhe vëllezërit Xhaka, një prej të cilëve është pjesë e Kombëtares shqiptare dhe tjetri në atë helvete.
“Gazzetta Dello Sport” ka bërë një renditje të dhjetë vëllezërve që kanë luajtur në nivelet maksimale dhe dyshja e parë është ajo e Xhakave.
“Vetëm një gjë të përbashkët në karrierat e tyre: Bazeli. Në jetë, gjithmonë kanë bërë zgjedhje të ndryshme, mbi të gjitha ajo e kombëtares me të cilën kanë preferuar të luajnë. Graniti ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa Taulanti Shqipërinë. Të dy, për herë të parë janë përballur me njëri-tjetrin në fushën e lojës në Europianin ‘Francë 2016’, për kënaqësinë e mamasë mbase…”, ka përshkruar “Gazzetta” vëllezërit Xhaka.
Në një intervistë të dhënë për mediat helvete, mesfushori i Bazelit ka folur së bashku me ish-futbollistin e Jong Bojsit për përplasjen që kanë pasur mes tyre një vit më parë. Jo vetëm kaq, por Xhaka ka shpjeguar edhe marrëdhënien aktuale me Renato Shtefen, aktualisht futbollist i Bazelit dhe shoku i dhomës me shqiptarin.
“Në atë moment ishte një veprim në gjaknxehtësi e sipër dhe, pas vetëm pak sekondash e çova nëpër mend që do të më priste një ndëshkim nga federata. Aktualisht jemi miq shumë të mirë bashkë. Për fat të mirë, Renato nuk është si Delgato që gërhiste gjatë natës (qesh…). Më kanë thënë shpesh herë që ndëshkohem, mirëpo nëse krahason ndërhyrjet e mia gjatë ndeshjeve dhe numrin total të kartonëve, atëherë vihet re që nuk jam ndër futbollistët që e ekzagjeroj me kartonin”, u shpreh Xhaka.
Ai është pyetur edhe për vëllanë më të vogël, Granitin. “Është gjithmonë më i vendosur sesa unë dhe, mbi të gjitha, më bindës. Pavarësisht se është më i vogël, sa herë që kemi ndonjë diskutim, arrin të më bindë. Kemi kontakt të përditshëm bashkë, pavarësisht distancës që na ndan”, ka deklaruar Taulanti.

FIFA skualifikon për 4 muaj Calhanoglu

Bayer Leverkusen duhet të bëjë pa shërbimet e Hakan Calhanoglu deri në fund të sezonit. FIFA e skualifikoi për katër muaj futbollistin turk, për shkak të një episodi të ndodhur në vitin 2011 ndërmjet fantazistit dhe klubit të Trabzonspor. Në moshën 17-vjeçare, Calhanoglu kishte firmosur një parakontratë me klubin e Trebisonda-s, por transferimi i tij në muaj në vazhdim kur lojtari mbushi moshën për të firmosur kontratë profesioniste nuk u realizua.
Palët nuk arritën akordin dhe nga Karlsruhe, mesfushori përfundoi te Hamburgu. Në situatën e krijuar, Trabzonspori u ankua te FIFA, që dha vendimin për pezullim dhe 100 mijë euro gjobë masë disiplinore, e cila u konfirmua edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Nga e gjithë kjo situatë u dëmtua mbi të gjitha Bayer Leverkusen, skuadra aktuale e Hakan Calhanoglu. Kjo u konfirmua edhe nga drejtori sportiv i skuadrës së “aspirinave”, Rudi Völler.
“Për ne është një goditje e madhe, sepse dëmtohemi për një ngjarje me të cilën nuk kemi lidhje. Do të na mungojë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës”, deklaroi Völler.

Kameruni bën surprizën, shkon në finale

“Luanët e pamposhtur” shkojnë në finalen e Kupës së Afrikës. Kameruni arrin Egjiptin në aktin final të turneut pasi mposhtu 2-0 Ganën në Franceville falë golave të Ngadeiu-Nagdjiu dhe Bassogog. Një fitore e merituar me skuadrën e Broos që arrin finalen pavarësisht se nuk konsiderohej aspak favorite në vigjilje të sfidës. Për Ganën është disfata e katërt në gjysmëfinale në 6 pjesëmarrjet e fundit, ndërsa Kameruni rikthehet të luajë një finale që i mungonte prej plot 15 vjetësh.
Pjesa e parë e ndeshjes foli për Kamerunin me Affuol që pas 8 minutash neutralizoi një goditje me kokë të Teikeu. Gana ja doli t’i rezistonte presionit duke rrezikuar në fundin e fraksionit me Atsu dhe Jordan Ayew, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë tentoi me një goditje dënimi të Wakaso dhe një goditje nga jashtë zonës të Partey.
Ndeshja u zhbllokua nga një gol i qendërmbrojtësit të Slavias së Pragës Ngaddeu-Ngadjiu që shfrytëzoi një devijim të topit nga Bpye në daljen e Razak. Reagimi i Ganës nuk mungoi me Jordan Ayew që ishte vetëm një hap larg barazimit, me trajnerin Avram Grant që provoi gjithçka duke futur në lojë edhe Asamoah Gyan për të përforcuar sulmin, por në fund ishte Kameruni që gjeti edhe golin e dyfishimit, me një kundërsulm perfekt të finalizuar nga Bassogog.

Aguero drejt Realit?

Kun Aguero është një ndër lojtarët më të dëshiruar nga Reali i Madridit në këto vitet e fundit dhe transferimi i Gabriel Jesus te Manchester City mund të jetë okazioni perfekt për të tentuar edhe një herë blerjen e tij. Deri tani diçka e tillë ka rezultuar e pamundur, pasi argjentinasi ishte qendërsulmuesi kompetent i Citizens, por gjërat kanë ndryshuar në “Etihad” javët e fundit. Gabriel Jesus u transferua këtë dimër nga Palmeiras për 35 milionë euro, pasi ka shkëlqyer në kampionatin brazilian dhe konsiderohet një ndër sulmuesit me më shumë të ardhme në futboll.
Zbarkimi i tij në Angli nuk ka kaluar pa rënë në sy, me brazilianin që në tri ndeshje ka bërë tifozët e City-t të dashurohen pas tij duke shënuar një gol dhe dhënë një asist. Për këtë arsye tani Manchester City mund të jetë i predispozuar për të dëgjuar ofertën e Realit, siç bëjnë të ditur mediat angleze. Aguero është 28 vjeç dhe ky mund të jetë momenti që Citizens të arkëtojnë një shumë të mirë duke kërkuar një tjetër sulmues që mund të zërë vendin e tij. Kësaj i duhet shtuar edhe stili i Pep Guardiolës që ushtron shumë presion te sulmuesit e tij, diçka që mund të mos i pëlqejë Agueros edhe pse numrat e tij në drejtimin e spanjollit janë vërtet të mirë, me 18 gola të shënuar në 25 ndeshje. Nga ana tjetër Reali i Madridit mund të jetë i detyruar të ndërhyrjë në merkaton e verës edhe pasi qëndrimi i Alvaro Moratës nuk është i sigurt për vitin e ardhshëm, me sulmuesin spanjol që ndihet i zhgënjyer dhe mund të kërkojë largimin nëse sezonin e ardhshëm do të jetë sërish Zidane në krye të skuadrës. Të gjitha këtyre ju shtohen edhe zërat për Karim Benzema, i cili është duke u kontestuar nga tifozët në “Bernabeu”.
Barcelona me një strategji të veçantë në merkato. Politika e afrimeve duhet menaxhuar me kujdes pasi edhe situata ekonomike e klubit nuk është entuziazmuese. Ideja është për të vijuar punën për të ndërtuar një ekip sa më kompetitiv duke shpenzuar sa më pak e aq më mirë duke tentuar edhe ndonjë përforcim me kosto zero. Kështu në klubin blaugrana ka kohë që ndjekin me vëmendje situatën e dy futbollistëve që pëlqehen jashtëzakonisht shumë nga stafi teknik dhe drejtuesit katalanas. Isco i Realit të Madridit dhe Markquinhos i PSG. Dy operacione që te Barça synojnë t’i çojnë në të njëjtën rrugë, atë që i dërgon në “Camp Nou” edhe pse mënyra e menaxhimit për ta bërë diçka të tillë do të jetë e ndryshme.
Për mesfushorin e Realit me kontratën që i skadon më 2018 te Barça shpesojnë që të vijojë situata aktuale pa rinovimin e kontratës me Los Blancos deri në fund të 2017, duke hyrë në 6 muajt e fundit të bashkëpunimit pa rinovuar marrëveshjen atuale. Në këtë mënyrë Barcelona do të tentojë mundësinë për të hyrë në bisedime në mënyrë legale me futbollistin andaluzian. Te Barça e dinë se ky është një opsion shumë i komplikuar, por nuk e konsiderojnë aspak të pamundur.

Leicester City, të gjithë nën akuzë

Nga Parajsa në Ferr, Leicester City po kalon momente të errëta pas suksesit historik të disa muajve më parë. Të gjithë janë vendosur në bankën e të akuzuarve, heronjtë e titullit të parë, trajneri Ranieri, por edhe drejtuesit e klubit për lëvizjet e dobëta në merkato. Vendi i 16 në Premier League dhe vetëm dy pikë larg zonës së ftohtë, tifozët e “dhelprave” kanë nisur të dridhen sepse në stadiumin e kampionëve kanë nisur të vërtiten sërish hijet e rikthimit në Championship. Suksesi i fundit është regjistruar më 31 dhjetor kundër West Ham dhe që prej atij momenti kanë ardhur një barazim dhe tri humbje rresht.
Vardy që vetëm disa muaj më parë konsiderohej si xhevahiri i kësaj skuadre ka arritur të shënojë vetëm 5 gola sezonalë, ndërsa mbrojtja ka pësuar plot 38 gola. Reparti më pak i akuzuar është mesfusha që edhe pas largimit të Kante ka arritur të rezistojë. Drinkwater është rikthyer sërish një lojtar normal ndërsa Amartey e Mendy nuk janë magjistarë. Njeriu më i talentuar, Marhez, po tregon limite të theksuara personaliteti. Pjesa më e vështirë nuk ka ardhur ende, Leicester City ka zbritur me këmbë në tokë, por tashmë duhet të mbërthehet fort pas fatit dhe besimit për të kërkuar qëndrimin mes më të mirëve, sepse në të kundërt, vetëm pak muaj më vonë do të regjistronte një tjetër arritje historike, rrëzimin në Championship.

Dhunë ndaj partneres, arrestohet Hernandez i Atl. Madrid

Vetëm pak orë pas disfatës në Kupën e Mbretit përballë Barcelonës, te Atletico e Madridit duhet të përballen me një tjetër situatë aspak komode. Mbrojtësi i ri i ekipit, Lucas Hernandez, është arrestuar nga policia e kryeqytetit spanjoll.
Akuza që rëndon mbi futbollistin është ajo e dhunës ndaj partneres, me të cilën ai bashkëjeton. Sipas mediave iberike, 20-vjeçari ishte kthyer i dehur në shtëpi në orën 2 të mëngjesit dhe pas një debati të ashpër e ka goditur vajzën.
Fillimisht partnerja e mbrojtësit francez nuk e denoncoi ngjarjen. Por, gjithçka u zbulua vetëm pas shtrimit në spital, për shkak të plagëve të lehta që Lucas Hernandez i shkaktoi.
Lojtari i lindur në Marsejë dhe që ka qenë pjesë e përhershme e përfaqësuesve të moshave te “gjelat”, debutoi me Atletico Madrid gjatë sezonit të kaluar, duke u aktivizuar si zëvendësues edhe në finalen e Champions përballë Realit gjatë edicionit të kaluar. Në sezonin aktual, mbrojtësi numëron gjashtë ndeshje të luajtura në kampionatin spanjoll.

Juan Bernat drejt largimit nga Bajerni

Juan Bernat nuk është aspak i lumtur te Bajern Munchen. Mbrojtësi spanjoll që pas largimit të Guardiolës nga bavarezët nuk shihet më si titullar dhe këtë sezon ka luajtur vetëm 4 ndeshje që nga fillimi. 23-vjeçari ka kontratë deri më 2018 me Bajernin dhe në pozita të tilla qëndrimi i tij për sezonin e ardhshëm është shumë i vështirë ndaj dhe në verë pritet të ndryshojë skuadër.
Për të nuk mungojnë konkurrentët, por në pole position është pikërisht Guardiola që mund ta afrojë atë te Man. City. Edhe Barça, Sevilla dhe Arsenal janë në gjurmët e tij prej kohësh.

Ronaldinjo tërhiqet nga futbolli

“Ronaldinjo është kthyer”. Ky ishte njoftimi i Barcelonës, i cili bëri që mes tifozëve katalanë të shpërthente festa. Megjithatë, braziliani nuk do të luajë në fushën e “Camp Nou”. Pas lamtumirës zyrtare të Ronaldinjos, i cili mbylli një karrierë të jashtëzakonshme në fushë, tashmë ai do të jetë ambasadori i klubit “blaugrana” në nivel botëror, duke udhëtuar rreth e përqark globit si përfaqësues i katalanëve në aktivitete të ndryshme apo evente sportive.
Tërheqja zyrtare e Ronaldinjos nuk ishte konfirmuar zyrtarisht, pavarësisht se ndeshja e tij e fundit ishte në shtator të 2015-ës me fanellën e Fluminense-s.
Në fillim të këtij viti, vëllai Roberto de Assis, që ishte edhe menaxher i fantazistit brazilian, njoftoi se Ronaldinjo do të rikthehej të luante në vitin 2017, ku synimi ishte gjetja e një klubi, i cili merrte pjesë në Kupën Libertadores.
Deklarata të përgënjeshtruara nga faktet, por edhe nga forma fizike jo e mirë e ish-yllit të “seleçaos”, që pas eksperiencës me Barcelonën dhe Milanin u kthye në vendlindje për të luajtur me Flamengon dhe Atletico Mineiro-n, përpara se të transferohej te Queretaro në Meksikë dhe për ta mbyllur karrierën me fanellën e Fluminense-s.
Jeta e re e Ronaldinjo-s do t’i rikthejë ngjyrat “blaugrana”. Braziliani do të jetë imazhi i Barcelonës për 10 vitet në vazhdim, si pjesë e projektit të legjendave të klubit katalan, për ta ndihmuar markën e Barçës në nivel global dhe për të transmetuar vlerat e klubit nëpër botë.

FMN për projektin “One billion USD”: Të bëhen transparente rreziqet afatgjata

Projekti 1 miliard dollarë për partneritetet publike private (PPP) i prezantuar pak ditë më parë nga kryeministri dhe ministri i Financave nuk është konsultuar paraprakisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke thotë në një intervistë për “Monitor” se, FMN ka pasur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona.
Ai është i kujdesshëm kur i përgjigjet pyetjes nëse ky është një borxh i fshehur, duke pohuar se qeveria duhet të sigurojë që të gjitha angazhimet –si subvencione të drejtpërdrejta, garanci apo pagesat në të ardhmen- të regjistrohen si detyrime ashtu si duhet, përfshirë këtu edhe detyrimet kontigjente (potenciale).
Teksa këto projekte angazhojnë burimet e qeverisë për një periudhë të gjatë kohe, Reinke thotë se, “rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme”.

Rreziqet afatgjata

Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme. Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.

– A e ka konsultuar qeveria me FMN-në projektin e prezantuar së fundmi “One billion dollar”?
Gjatë programit, qeveria dhe FMN kanë identifikuar hapat për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve. PPP-të janë një formë për të financuar investimet. Ne kemi patur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona. Projektet që zbatohen si PPP duhet të kalojnë nëpërmjet të gjithë vlerësimeve dhe prioritizimeve, ashtu si të gjitha investimet e tjera publike që ndërmerren. Përveç kësaj, qeveria duhet të vlerësojë dhe kostot fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga subvencionet apo garancitë që shoqërojnë PPP-të. Kjo qasje është pasqyruar tashmë në ligjin e ri organik të buxhetit, (në Ministrinë e Financave) është ngritur një njësi e re për vlerësimin e rreziqeve fiskale ndaj buxhetit.

– Sipas ministrit të Financave, këto investime nuk ndikojnë në rritjen e borxhit publik, pasi janë të shtrira në kohë dhe kostot do të reflektohen në zërin e shpenzimeve kapitale. Cili është komenti juaj, cili duhet të jetë kontabilizimi sipas standardeve?
Qeveria është angazhuar për t’iu përmbajtur të gjithë ligjeve në fuqi, përfshirë ligjin e ri organik të buxhetit. Duke zbatuar këto parime, të gjitha subvencionet dhe garancitë të regjistrohen ashtu siç duhet dhe të gjitha tavanet ekzistuese, afatshkurtra apo afatgjata duhet të respektohen. Në varësi të vëllimit dhe natyrës së PPP-ve që do të miratohen, mund të jetë e nevojshme që të shkurtohen investimet e financuara drejtpërdrejt nga qeveria. Është e rëndësishme të merret parasysh se jo gjithmonë PPP-të janë mënyra më efektive nga pikëpamja e kostos për të financuar investimet publike. Financimi i projekteve nëpërmjet PPP-ve nuk duhet bërë kurrë për arsyen e vetme që ato të mbahen jashtë bilancit!

– A mendoni se ky është një borxh i fshehur?
Ne e kemi këshilluar qeverinë që t’i përmbahet të gjithë ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, si dhe praktikave më të mira. Ato do të siguronin që të gjitha angazhimet –si subvencione të drejtpërdrejta, garanci apo pagesat në të ardhmen- të regjistrohen si detyrime ashtu si duhet, përfshirë këtu edhe detyrimet kontigjente (potenciale).

– Bizneset dhe ekspertët e kontaktuar nga “Monitor” shprehën shqetësimin se ky është një proces i shtrirë në kohë, rreziqet e të cilit janë të vështira për t’u parashikuar. Cili është komenti juaj për riskun e kësaj forme PPP?
Është e vërtetë që PPP-të kanë potencialin për t’i lidhur burimet e qeverisë për një periudhë të gjatë kohe, qoftë nëpërmjet angazhimeve për pagesa të ardhshme nga ana e qeverisë apo nëpërmjet garancive që përbëjnë detyrime kontigjente (potenciale). Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme. Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.