21.5 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Leicester City, të gjithë nën akuzë

Nga Parajsa në Ferr, Leicester City po kalon momente të errëta pas suksesit historik të disa muajve më parë. Të gjithë janë vendosur në bankën e të akuzuarve, heronjtë e titullit të parë, trajneri Ranieri, por edhe drejtuesit e klubit për lëvizjet e dobëta në merkato. Vendi i 16 në Premier League dhe vetëm dy pikë larg zonës së ftohtë, tifozët e “dhelprave” kanë nisur të dridhen sepse në stadiumin e kampionëve kanë nisur të vërtiten sërish hijet e rikthimit në Championship. Suksesi i fundit është regjistruar më 31 dhjetor kundër West Ham dhe që prej atij momenti kanë ardhur një barazim dhe tri humbje rresht.
Vardy që vetëm disa muaj më parë konsiderohej si xhevahiri i kësaj skuadre ka arritur të shënojë vetëm 5 gola sezonalë, ndërsa mbrojtja ka pësuar plot 38 gola. Reparti më pak i akuzuar është mesfusha që edhe pas largimit të Kante ka arritur të rezistojë. Drinkwater është rikthyer sërish një lojtar normal ndërsa Amartey e Mendy nuk janë magjistarë. Njeriu më i talentuar, Marhez, po tregon limite të theksuara personaliteti. Pjesa më e vështirë nuk ka ardhur ende, Leicester City ka zbritur me këmbë në tokë, por tashmë duhet të mbërthehet fort pas fatit dhe besimit për të kërkuar qëndrimin mes më të mirëve, sepse në të kundërt, vetëm pak muaj më vonë do të regjistronte një tjetër arritje historike, rrëzimin në Championship.

Dhunë ndaj partneres, arrestohet Hernandez i Atl. Madrid

Vetëm pak orë pas disfatës në Kupën e Mbretit përballë Barcelonës, te Atletico e Madridit duhet të përballen me një tjetër situatë aspak komode. Mbrojtësi i ri i ekipit, Lucas Hernandez, është arrestuar nga policia e kryeqytetit spanjoll.
Akuza që rëndon mbi futbollistin është ajo e dhunës ndaj partneres, me të cilën ai bashkëjeton. Sipas mediave iberike, 20-vjeçari ishte kthyer i dehur në shtëpi në orën 2 të mëngjesit dhe pas një debati të ashpër e ka goditur vajzën.
Fillimisht partnerja e mbrojtësit francez nuk e denoncoi ngjarjen. Por, gjithçka u zbulua vetëm pas shtrimit në spital, për shkak të plagëve të lehta që Lucas Hernandez i shkaktoi.
Lojtari i lindur në Marsejë dhe që ka qenë pjesë e përhershme e përfaqësuesve të moshave te “gjelat”, debutoi me Atletico Madrid gjatë sezonit të kaluar, duke u aktivizuar si zëvendësues edhe në finalen e Champions përballë Realit gjatë edicionit të kaluar. Në sezonin aktual, mbrojtësi numëron gjashtë ndeshje të luajtura në kampionatin spanjoll.

Juan Bernat drejt largimit nga Bajerni

Juan Bernat nuk është aspak i lumtur te Bajern Munchen. Mbrojtësi spanjoll që pas largimit të Guardiolës nga bavarezët nuk shihet më si titullar dhe këtë sezon ka luajtur vetëm 4 ndeshje që nga fillimi. 23-vjeçari ka kontratë deri më 2018 me Bajernin dhe në pozita të tilla qëndrimi i tij për sezonin e ardhshëm është shumë i vështirë ndaj dhe në verë pritet të ndryshojë skuadër.
Për të nuk mungojnë konkurrentët, por në pole position është pikërisht Guardiola që mund ta afrojë atë te Man. City. Edhe Barça, Sevilla dhe Arsenal janë në gjurmët e tij prej kohësh.

Ronaldinjo tërhiqet nga futbolli

“Ronaldinjo është kthyer”. Ky ishte njoftimi i Barcelonës, i cili bëri që mes tifozëve katalanë të shpërthente festa. Megjithatë, braziliani nuk do të luajë në fushën e “Camp Nou”. Pas lamtumirës zyrtare të Ronaldinjos, i cili mbylli një karrierë të jashtëzakonshme në fushë, tashmë ai do të jetë ambasadori i klubit “blaugrana” në nivel botëror, duke udhëtuar rreth e përqark globit si përfaqësues i katalanëve në aktivitete të ndryshme apo evente sportive.
Tërheqja zyrtare e Ronaldinjos nuk ishte konfirmuar zyrtarisht, pavarësisht se ndeshja e tij e fundit ishte në shtator të 2015-ës me fanellën e Fluminense-s.
Në fillim të këtij viti, vëllai Roberto de Assis, që ishte edhe menaxher i fantazistit brazilian, njoftoi se Ronaldinjo do të rikthehej të luante në vitin 2017, ku synimi ishte gjetja e një klubi, i cili merrte pjesë në Kupën Libertadores.
Deklarata të përgënjeshtruara nga faktet, por edhe nga forma fizike jo e mirë e ish-yllit të “seleçaos”, që pas eksperiencës me Barcelonën dhe Milanin u kthye në vendlindje për të luajtur me Flamengon dhe Atletico Mineiro-n, përpara se të transferohej te Queretaro në Meksikë dhe për ta mbyllur karrierën me fanellën e Fluminense-s.
Jeta e re e Ronaldinjo-s do t’i rikthejë ngjyrat “blaugrana”. Braziliani do të jetë imazhi i Barcelonës për 10 vitet në vazhdim, si pjesë e projektit të legjendave të klubit katalan, për ta ndihmuar markën e Barçës në nivel global dhe për të transmetuar vlerat e klubit nëpër botë.

FMN për projektin “One billion USD”: Të bëhen transparente rreziqet afatgjata

Projekti 1 miliard dollarë për partneritetet publike private (PPP) i prezantuar pak ditë më parë nga kryeministri dhe ministri i Financave nuk është konsultuar paraprakisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke thotë në një intervistë për “Monitor” se, FMN ka pasur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona.
Ai është i kujdesshëm kur i përgjigjet pyetjes nëse ky është një borxh i fshehur, duke pohuar se qeveria duhet të sigurojë që të gjitha angazhimet –si subvencione të drejtpërdrejta, garanci apo pagesat në të ardhmen- të regjistrohen si detyrime ashtu si duhet, përfshirë këtu edhe detyrimet kontigjente (potenciale).
Teksa këto projekte angazhojnë burimet e qeverisë për një periudhë të gjatë kohe, Reinke thotë se, “rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme”.

Rreziqet afatgjata

Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme. Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.

– A e ka konsultuar qeveria me FMN-në projektin e prezantuar së fundmi “One billion dollar”?
Gjatë programit, qeveria dhe FMN kanë identifikuar hapat për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve. PPP-të janë një formë për të financuar investimet. Ne kemi patur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona. Projektet që zbatohen si PPP duhet të kalojnë nëpërmjet të gjithë vlerësimeve dhe prioritizimeve, ashtu si të gjitha investimet e tjera publike që ndërmerren. Përveç kësaj, qeveria duhet të vlerësojë dhe kostot fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga subvencionet apo garancitë që shoqërojnë PPP-të. Kjo qasje është pasqyruar tashmë në ligjin e ri organik të buxhetit, (në Ministrinë e Financave) është ngritur një njësi e re për vlerësimin e rreziqeve fiskale ndaj buxhetit.

– Sipas ministrit të Financave, këto investime nuk ndikojnë në rritjen e borxhit publik, pasi janë të shtrira në kohë dhe kostot do të reflektohen në zërin e shpenzimeve kapitale. Cili është komenti juaj, cili duhet të jetë kontabilizimi sipas standardeve?
Qeveria është angazhuar për t’iu përmbajtur të gjithë ligjeve në fuqi, përfshirë ligjin e ri organik të buxhetit. Duke zbatuar këto parime, të gjitha subvencionet dhe garancitë të regjistrohen ashtu siç duhet dhe të gjitha tavanet ekzistuese, afatshkurtra apo afatgjata duhet të respektohen. Në varësi të vëllimit dhe natyrës së PPP-ve që do të miratohen, mund të jetë e nevojshme që të shkurtohen investimet e financuara drejtpërdrejt nga qeveria. Është e rëndësishme të merret parasysh se jo gjithmonë PPP-të janë mënyra më efektive nga pikëpamja e kostos për të financuar investimet publike. Financimi i projekteve nëpërmjet PPP-ve nuk duhet bërë kurrë për arsyen e vetme që ato të mbahen jashtë bilancit!

– A mendoni se ky është një borxh i fshehur?
Ne e kemi këshilluar qeverinë që t’i përmbahet të gjithë ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, si dhe praktikave më të mira. Ato do të siguronin që të gjitha angazhimet –si subvencione të drejtpërdrejta, garanci apo pagesat në të ardhmen- të regjistrohen si detyrime ashtu si duhet, përfshirë këtu edhe detyrimet kontigjente (potenciale).

– Bizneset dhe ekspertët e kontaktuar nga “Monitor” shprehën shqetësimin se ky është një proces i shtrirë në kohë, rreziqet e të cilit janë të vështira për t’u parashikuar. Cili është komenti juaj për riskun e kësaj forme PPP?
Është e vërtetë që PPP-të kanë potencialin për t’i lidhur burimet e qeverisë për një periudhë të gjatë kohe, qoftë nëpërmjet angazhimeve për pagesa të ardhshme nga ana e qeverisë apo nëpërmjet garancive që përbëjnë detyrime kontigjente (potenciale). Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme. Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.

KLSH: 534 milionë euro dëm buxhetit të shtetit në dy vite

Nëpunësit publikë, kryesisht zyrtarët e lartë të shtetit kanë shkaktuar të paktën 534 milionë euro dëme ndaj buxhetit në 2 vite e gjysmë. Shifra, e cila është sa 5.3 për qind e Prodhimit Kombëtar është bërë publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e sapopublikuar për vitin 2016. Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar enti më i lartë auditues i shtetit ka ushtruar 154 kontrolle të plota në institucione apo kompanitë publike. Por edhe pse kontrollet janë kryer vitin e kaluar, shkeljet e zbuluara në to i përkasin periudhës nga 1 janari i vitit 2013 deri në shtator të 2016-ës. Sipas KLSH, nga totali i dëmeve të zbuluara 346 milionë euro janë shkelje të disiplinës financiare me pasoja negative në buxhetet e institucioneve të audituara, ndërsa pjesa tjetër prej 188 milionë euro janë parregullsi në të ardhurat apo shpenzimet e kryera. Brenda këtij zëri shkeljet më të mëdha i përkasin privatizimit dhe dhënies me qira të pronës publike me rreth 110 milionë euro, si dhe abuzimeve në tendera dhe prokurime me rreth 25 milionë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se për këto shkelje ka kallëzuar penalisht 191 zyrtarë. Sipas raportit, pjesa më e madhe e tyre tashmë janë nën hetim nga Prokuroria dhe paralelisht është kërkuar masë administrative nga gjoba deri në largim nga puna për 1515 punonjës të sektorit publik. Në prill të vitit 2015, KLSH në raportin drejtuar Kuvendit konstatonte se abuzimet në Dogana dhe Tatime ishin rritur rreth 14 herë më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas këtij raporti 123 milionë euro ishte shuma e abuzimit nga këta sektorë ose rreth 13 për qind të totalit prej 1 miliard euro të dëmit që iu shkaktua shtetit për vitin që shkoi nga qeverisja e rilindjes. Mbetet për t’u parë këtë vit sa do të jetë dëmi total, por trendi i shifrave është në rritje. “Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e Tatimeve dhe Doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013. Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e Tatimeve dhe Doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014”, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014. Gjithashtu, rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin e energjisë e sektorin e hidrokarbureve.

BERZH: Pengesa për të bërë biznes në Shqipëri

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka realizuar një vrojtim me vendet e Ballkantit Perëndimor për performancën dhe pengesat në bërjen e biznesit. Në Shqipëri, pengesat më të mëdha lidhen me konkurrencën e pandershme, kostot energjetike, aksesin ndaj financës apo edhe administrimi i taksave. Në anketim kanë marrë pjesë 1,800 pronarë dhe menaxherë sipërmarrjesh në Shqipëri, Bosnje–Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbi. Nga analiza rezultoi se në rajon vihet re një nivel i lartë i konkurrencës së pandershme nga sektori informal, por gjithashtu renditen edhe faktorë të tjerë. Sidoqoftë efekti është i ndryshëm nga sektori në sektorë, nga orientimi i tregut, nga përvoja menaxheriale, lloji i pronësisë etj.Në analizë janë marrë 15 barriera.

Konkurrenca nga sektori informal

Kjo është veçanërisht më e dëmshme në Maqedoni, ku 26% e sipërmarrjeve e kanë renditur si pengesën më të madhe, të ndjekur nga Kosova (23.3%) dhe Shqipëria 16.8%. Raporti, thekson se që nga momenti kur ka nisur vrojtimi qeveria shqiptare ka ndërmarrë një fushatë të madhe kundër informalitetit.

Aksesi ndaj financës

Është gjithashtu një nga barrierat që shqetëson sipërmarrjet ballkanase, duke qenë 12.7%. Shumë biznese kanë raportuar se ata kanë nevojë për kredi, por iu është refuzuar. Interesat e kredive kanë shënuar rënie. Megjithatë ky ka qenë një problem më pak shqetësues se në vitet e tjera.

Stabiliteti politik

Ky është një problem, i cili theksohet si i rëndë veçanërisht nga sipërmarrjet në Bosnje–Hercegovinë (30.2%), e ndjekur nga Serbia (26.7%).

Niveli i taksave

Rreth 11.9% e të anketuarve në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë cilësuar si problem. Bizneset malazeze e kanë cilësuar si një problem të madh, ndoshta për shkak të nivelit të lartë të TVSH-së nga 17-19%.

Korrupsioni

Sistemi i korrupsionit është një tjetër problem i vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë është vënë re se disa vende kanë bërë progres në luftën ndaj këtij fenomeni. Përjashtim bën vetëm Kosova, e cila është në “fazat e para” të luftës kundër korrupsionit.

Projekti 1 miliard euro apo “lavatriçja” 1 miliard euro

Sa herë që afrojnë zgjedhjet, fillojnë dhe premtimet elektorale! Gjatë fushatës së vitit 2013 Partia Socialiste premtoi se do të ulte taksat dhe do të mendonte për popullin, deri diku të mërzitur me qeverisjen e atëhershme. Taksa këto që nuk u ulën asnjëherë vetëm u ngritën, kurse ato pak premtime për investimet nuk u përmenden më dhe ngelën në letër.
Pas zgjedhjeve rritmin më të madh e mori mbjellja e kanabisit, si mënyra më e shpejtë e pasurimit, si dhe PPP-të, një mënyrë tjetër e të pasuruarit të militantëve të partisë në kurriz të popullit. Në lidhje me këto kanë folur dhe organizmat ndërkombëtare që po dëmtojnë ekonominë dhe rrisin dhe borxhin e shtetit që është një barrë më shumë për taksapaguesit shqiptarë, të cilëve në ndryshim nga premtimet elektorale për ulje taksash po i rritin dita-ditës.
Por t’i kalojmë dhe këto dhe të vijmë tek projekti 1 miliard euro i premtuar pak ditë më parë nga Kryeministri se çfarë në të vërtetë është ai. Bandat dhe mafia qeveritare duket që janë fuqizuar së tepërmi dhe problemin më të madh sot ato e kanë se si të pastrojnë këto lekë që kanë siguruar në rrugë të paligjshme. Zgjidhja këtë herë është e mirëmenduar si një premtim elektoral, ku biznesi do të hedhë këto lekët e pakontrolluara në treg, pra do i investojë ato, qeveria do ja pastrojë zyrtarisht ato dhe populli shqiptar përmes taksave të tij do të vazhdojë për 10-15 vitet e ardhshme t’i paguajë ato. Fundja po ua lëmë ju lexuesve ta vlerësojnë, a kemi të bëjmë me projektin 1 miliard euro në të mirë të Shqipërisë apo “lavatriçen” 1 miliard euro pranë mafias qeveritare.

syri.net

Mustafa fton investitorët e huaj të investojnë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve italiane. Ai u takua edhe me nënsekretarin për Tregtinë Ndërkombëtare dhe Tërheqjen e Investimeve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ivan Scalfarotto, me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për Promovimin e Jashtëm dhe Ndërkombëtar të Ndërmarrjeve italiane, Piergiorgio Borgogelli.
Një takim të veçantë, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka zhvilluar edhe me ministren regjionale të Trentos, Sara Ferrari, ku është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Trentos dhe Pejës. Gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar për të arriturat e mëdha në Kosovë, me theks të posaçëm në ambientin shumë të favorshëm për investime dhe për të bërë biznes.
Duke falënderuar Italinë për përkrahjen e madhe në shumë sfera, kryeministri foli edhe për mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunim ekonomik dhe investime sidomos në energjetikë, në energjinë e ripërtëritshme, në miniera dhe minerale, përpunimin dhe finalizimin e tyre, në procesimin e produkteve me prejardhje bujqësore, në IT, në turizëm, sidomos turizmin dimëror.
Kryeministri Mustafa gjatë ditës ka marrë pjesë në punimet e Forumit Itali-Kosovë, ku ishin të pranishëm 93 përfaqësues të bizneseve italiane dhe kosovare, si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Gjatë forumit, kryeministri Mustafa dhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës kanë shpalosur në detaje mundësitë e mëdha që ofron Kosova për investitorët italianë.
Gjatë paneleve të ndryshme të forumit, ministrat përkatës kanë prezantuar potencialin e Kosovës, kanë diskutuar për instrumentet në mbështetje të kompanive posaçërisht për prodhim dhe investime të reja, për lehtësirat doganore, për rolin e odave ekonomike, etj.
Po ashtu, gjatë forumit, kompanitë e ndryshme kosovare dhe italiane kanë zhvilluar takime ndërmjet vete ku kanë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve, ku bizneset kosovare me potenciale eksportues kanë qenë shumë mirë të përfaqësuara në këtë forum.

Prodhuesit kosovarë kalojnë shumë barriera deri te tregjet botërore

Me gjithë vështirësitë me të cilat prodhuesit po ballafaqohen në zhvillimin e veprimtarisë së tyre në Kosovë, disa prej kompanive, megjithatë kanë arritur të jenë në pranishëm në tregjet e njohura botërore. Kompania “ASK Foods”, në Gjilan, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, me produktet e saj ka qenë e pranishme në tregun e Gjermanisë, Belgjikës, në Britani të Madhe, Suedi dhe disa vende të tjera. Por, së fundi pas shumë vështirësive, pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni në një prononcim për Radio Evropa e Lirë ka bërë të ditur se kanë arritur të jenë të pranishëm me produktet e tyre në rrjetin e maketeve më të njohura ndërkombëtare SPAR.
“Tash ‘ASK Foods’ përmes një partneri kemi arritur të hyjmë në marketet SPAR në Zvicër. Këto janë markete të njohura në botë dhe janë të pranishme në mbi 40 shtete. Produktet tonë kanë arritur të jenë në këto markete pas shumë testeve që iu janë bërë produkteve, të cilat më pas janë konsideruar se janë të kualitetit të lartë, ku edhe na është dhëna e drejta që të jemi prezent me produktet tona”, thekson Namoni.
Ai thekson se gjatë këtij viti presin që të realizojnë një marrëveshje për eksport edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova për vite me radhë është duke u ballafaquar me një ambient të pafavorshëm biznesor. Në hulumtimet e bëra, ishin identifikuar barriera të shumta në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore, konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore, pastaj furnizimi jo stabël me energji elektrike, kontestet ekonomike ndërmjet bizneseve, si dhe normat e larta të kredive.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet më të mëdha i kanë në gjetjen e partnerëve tregtarë.
“Realisht kompania jonë nuk ka probleme të mëdha gjatë eksportit, ne eksportojmë në mbi 25 vende të botës, por problemi më i madh është gjetja e tregut dhe plasimi i produkteve. Këtu mungon përkrahja e qeverisë së Kosovës për prodhuesit. Institucionet e Kosovës do të duhej të bënin më shumë për ato kompani prodhuese që kanë synim tregun evropian”, thekson Palushi.
Krahasuar me vendet e rajonit, prodhuesit e Kosovës nuk janë të subvencionuar nga shteti, thotë pronari i kompanisë i “ASK Foods”, Barlet Namoni.
“Nëse krahasohemi me rajonin, përkatësisht vendet si Serbia apo Maqedonia, ata kanë subvencione nga shteti për çdo kilogram që e eksportojnë jashtë shtetit. Tek ne nuk janë këto subvencione. Në Kosovë ka shumë produkte, të cilat vijnë nga Maqedonia dhe kanë lehtësira të mëdha, derisa ne kur kemi eksportuar në Maqedoni problemet kanë qenë të mëdha në dogana deri në tre ditë kanë qenë të ndaluar kamionët tanë vetëm për të penguar eksportin”, thekson Namoni.
Ndryshe, vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.
Ky debalanc tregtar, për përfaqësuesit e kompanive prodhuese në Kosovë tregon gjendjen e rëndë të sektorit të prodhimit në vend.