19.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Gara e madhe e François Fillon

François Fillon si person privat është një tifoz pasionant i garave me makina. Në qytetin e tij Le Mans, të famshëm për garën 24-orëshe, ai udhëton ndonjëherë edhe vetë me automjete të shpejta. Politikisht ai deri tani nuk ka qenë ende në pistën e parakalimit.
Sepse për një kohë të gjatë, François Fillon ka luajtur rolin e politikanit të radhës së dytë. I zellshëm, besnik, por jo fare në dritën e prozhektorëve. Karriera e Fillonit mund t’i kishte ngjarë asaj të një pasardhësi të dështuar të fronit. Por në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake në kampin borgjez-konservator Fillon papritur e parakaloi atë që besohej si favorit, Alain Juppé e edhe Nicolas Sarkozynë. Papritur Fillon tani ka shanse që në zgjedhjet e balotazhit të dielën e ardhshme kundër Juppé-së të zërë vend lart në shkallët e fitimtarëve. Politikani profesionist 62 vjeçar tani mund të hyjë më në fund në Pallatin Elysee.

Serioz në vend të një personi të rrethuar me skandale
“François Fillon përfaqëson seriozitet absolut,” i thotë politologu Dominik Grillmayer nga Instituti Gjermano-Francez Ludëigsburg DË-së. Në daljet në publik ai të lë përshtypjen e njeriut “të menduar, modest dhe sovran”. Fillon ka punuar për pesë vjet, nga viti 2007-2012 si kryeministër nën Presidentin Nicolas Sarkozy pa rënë në sy negativisht. François Fillon është i pari kryeministër i Francës, i cili ka arritur të qendrojë për një mandat të plotë në post nën një president. Më parë Fillon ka qenë ministër për Çështje Sociale dhe pastaj ministër i Arsimit.
Në elitën politike ai konsiderohet figurë e pastër. I lindur në Le Mans të Francës veriperëndimore, ai përfaqëson vlera klasike katolike. Juristi i diplomuar konsiderohet si konservator i flaktë. “Mariage pour tous”, martesën për homoseksualët, e edhe një të drejtë adoptimi për çiftet e së njëjtës gjini ai e kundërshton. Ai vetë është i martuar që prej 36 vjetësh dhe ka pesë fëmijë me gruan e tij. Ata jetojnë në një kështjellë te shekullit të 12-të në departamentin jugperëndimor Sarthe. Fillon përfaqëson një kurs të djathtë, kritik ndaj fesë islame. Jo më larg se vjeshta u botua libri i tij për “islamin radikal”. Fillon dëshiron t’i kontrollojë më fort xhamitë dhe t’i arrestojë njerëzit që kanë pasur kontakt me organizata si milicia terroriste “Shteti Islamik”. Veç kësaj, të huajve ai kërkon që t’u vështirësohet qasja në sistemin social dhe të shëndetësisë. Fillon kërkon edhe një kufi të sipërm për migrantët.

Përfaqësues i vijës së fortë dhe me ide liberale në ekonomi
Programi i Fillonit përfaqëson edhe një liberalizëm të fortë ekonomik. Ai e admiron ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ish-kryeministri synon t’i shkurtojë me 100 miliardë shpenzimet shtetërore dhe të eleminojë veç kësaj 500.000 vende pune në shërbimin publik. Ai nuk ndalet as para “lopëve të shenjta” të Francës: ai kërkon të eleminojë javën me 35 orë pune, që është në fuqi prej dekadash në Francë dhe të rrisë moshën e daljes në pension. Njëkohësisht kërkon të ulë dukshëm taksat dhe shpenzimet për sipërmarrjet, për ta bërë Francën sërish të aftë për konkurrencë.

Zgjidhës problemesh apo përçarës i shoqërisë?
Filloni e paraqet veten si zgjidhës problemesh, thotë eksperti për Francën, Grillmayer. Por me programin e tij të diskutueshëm liberal ekonomik ai “guxon shumë”. Jo vetëm të majtët, por edhe kampi i tij e akuzon se po e përçan shoqërinë. Sepse Fillon konkuron me një program radikal. Kërkesat e tij u ngjajnë në shumë vende atyre të populistëve të djathtë. Por ndryshe nga rasti i Sarkozysë, zgjedhësve Fillon u duket më i besueshëm. Bindjet e tij janë të njohura prej vitesh. Me një kod vlerash katolik, konservator dhe kapitalist Fillon-i ka kohë që jeton. Nëse Fillon-i do të mund ta parakalojë vërtet në 27 nëntor Juppé-në dhe të lërë pas edhe Marine Le Penn-in, kjo nuk mund të parashikohet. Garën për zgjedhjet presidenciale ai ende nuk e ka fituar.

Burgim i përjetshëm për ish-zyrtarin e UDB-së

Një gjykatë në Bruksel shpalli fajtorë tre serbë për vrasjen e veprimtarit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, 26 vjet më parë. Gjykimi u zhvillua në mungesë.
Gjykata shpalli fajtorë: Bozhidar Spasiqin, ish-shef i operacioneve të posaçme të policisë sekrete jugosllave, të njohur si UDB, dhe dy persona të tjerë, që njihen si pjesë e nëntokës serbe, Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq.
Gjykata në vendimin e saj shpalli fajtorë të tre personat dhe i dënoi ata me burgim të përjetshëm.
Lajmin e bëri të ditur edhe familja Hadri, përmes postës elektronike që e motra, Tetuta, ua ka dërguar mediave.
Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë.
Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.
Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Dy të dyshuar të tjerë për pjesëmarrje në vrasjen e tij, Andrija Lakoniq dhe Darko Ashanin, u vranë në Serbi gjatë viteve të 90-ta.
Bozhidar Spasiq, që besohet të ketë organizuar vrasjen e zotit Hadri, ishte pjesë e UDB-së që nga viti 1979 e deri më 1993.
Andrija Drashkoviq, i njohur për përfshirje në vrasje dhe veprime kriminale në Serbi, u dënua më 2010 në Beograd me 10 vjet heqje lirie për një vrasje, por u lirua tre vjet më pas.
Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav.

Reagimi i Merkel ndaj deklaratës së Trump

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu sot pakënaqësinë për dështimin e mundshëm të marrëveshjes për Partneritetin Trans-Paqësor, pasi presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump përsëriti se do që të tërhiqet prej saj. Në një fjalim para parlamentit, ajo tha se Gjermania duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe dënoi sulmet ndaj spitaleve në Siri.
Zonja Merkel nuk e përmendi zotin Trump me emër në fjalimin e saj, por e bëri shumë të qartë pakënaqësinë e saj ndaj qëndrimit të tij për pakte të rëndësishme tregëtare.
“Do të ketë edhe marrëveshje të tjera tregëtare, por nuk do t’i kenë standardet që ka pakti për Partneritetin transpaqësor dha ai i pritshëm për Tregëti Transatlantike dhe Investime”, tha ai.
Kancelarja gjermane foli edhe për nevojën e rritjes së buxhetit të mbrojtjes së Gjermanisë, duke thënë se duhet të jetë afro 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, megjithëse e pranoi se një synim i tillë mund të mos realizohet në të ardhmen e afërt.
“Por drejtimi duhet të jetë i qartë, se ajo që kemi premtuarsë bashku për një kontribut për NATO-n, jo vetëm Kristian-demokratët, por edhe social-demokratët, duhet t’i afrohemi atij objektivi dhe ta plotësojmë atë”.
Zonja Merkel shprehu gjithashtu shqetësimin për gjendjen në Siri, duke kritikuar ashpër sulmet ndaj spitaleve dhe qëndrimin e Rusisë.
“Ka shumë tregues se spitalet dhe qendrat mjekësore po bombardohen me qëllim dhe kjo është kundër të drejtës ndërkombëtare, duhet të ndiqet në bazë të së drejtës penale dhe regjimi i Assadit duhet ta dijë një gjë të tillë. Dhe është shumë për të ardhur keq që Rusia po e mbështet këtë regjim”.
Duke folur për Turqinë, kancelarja gjermane Merkel tha se ishte e rëndësishme që të mbahen të hapura kanalet e komunikimit, por se kjo nuk duhet të jetë një pengesë për të kritikuar ngjarjet “alarmuese” në vend, duke përmendur kufizimet e lirisë së shtypit dhe arrestimet e mijëra vetëve.

Neni 17 që pengon drejtimin e Komisionit të CEZ nga Balla

Taulant Balla është në një konflikt të hapur interesi. Ai nuk do të mund të drejtojë seancën e dëshmisë së ish-Kryeministrit Berisha në lidhje me CEZ, pasi një vendim i Gjykatës së Apelit ka marrë formën e prerë, duke e dënuar atë me 1 milion lekë gjobë për shpifje ndaj djalit të ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha. Nënkryetari i Komisionit, Arben Ristani kërkoi largimin nga kreu i këtij Komisioni të Taulant Ballës, pasi sipas tij ishte në konflikt interesi. Ai citoi Nenin 17 të Kodit të Procedurës Penale. “Ju nuk mund të drejtoni komisionin për konflikt interesi. Jeni dënuar për shpifje ndaj familjarëve të ish-kryeministrit”, tha Ristani.
Balla deklaroi dje para opinionit se nuk ekziston një vendim i tillë. Vetëm pak minuta, pasi mbledhja e Komisionit ishte ndërprerë, zyra e shtypit e ish-Kryeministrit bëri publik dokumentin e Gjykatës së Apelit që e dënonte deputetin Balla për shpifje ndaj djalit të ish-Kryeministrit. Pyetja që shtrohet është se përse i duhej Ballës që të mashtronte. Balla ishte i detyruar që të mashtronte për shkak se ai e di se ligji për konfliktin e interesit nuk e lejon të drejtojë një seancë të këtij komisioni ndaj ish-Kryeministrit. Tani që dokumenti është bërë publik, Ballës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të lëshojë drejtimin e karriges së Kryetarit të Komisionit Hetimor në rastin kur do të vijë si dëshmitar ish-Kryeministri Berisha.

Berisha: Rama meriton të kalbet në burg për aferën me CEZ

Ish-Kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediat deklaroi se fajtori kryesor për humbjen e 630 milionë eurove është Edi Rama dhe ministri i tij Damian Gjiknuri, për të cilët siç tha Berisha, të dy këta mund të dënohen deri në 35 vjet burg. “Kam qenë shumë i interesuar për CEZ-in. Edi Rama me atë vjedhje monstruoze që ka bërë me Gjiknurin, meriton të kalbet 35 vjet në burg pa ndërprerje. Ata për t’i shpëtuar asaj ngritën këtë komision. Unë për t’i hapur rrugën këtij procesi, pasi dosja e CEZ-it rëndon të paktën 35 vjet birucë për Damianin dhe Edi Ramën, pasi janë vjedhur 630 mln euro bashkë me Edi Ramën”. Në lidhje me debatin e zhvilluar në komisionin e ngritur për këtë qëllim, dhe të drejtuar nga Taulant Balla, ish-Kryministri tha se, do presë vendimet e shërbimeve juridike të Kuvendit, por vendimi ku Balla është dënuar si shpifës duhet të lexohet para mediave. Nga ana e tij, ish-Kryeministri tha se çdo deputet është i detyruar të vijë në Komisionin Hetimor parlamentar, por fakti që Balla mohoi një vendim gjykate e intimidon së tepërmi këtë proces. Sipas Kryeministrit për Ballën ka akuza të tjera, të cilat janë në hetim e sipër. “Çdo deputet është i detyruar dhe duhet të vijë. Në qoftë se nuk vjen prish një institucion. Do të vijë. Absolutisht. Do të pranoj vendimin e Parlamentit, por do të lexojë vendimin e formës së prerë. Edhe për konfliktin e interesit unë thashë se do ta vazhdonim këtë seancë. Mirëpo, ai tha se nuk ishte dënuar. Ky është i pafytyrë. Një njeri i dënuar që në vend të shkojë të vejë gjobën dhe të vërë maskën dhe të thotë se nuk ishte dënuar, atëherë ky është tejkalim i çdo niveli. Do shprehen shërbimet juridike të Kuvendit për këtë dhe do të lexohet para mediave vendimi i gjykatës, ku Balla është dënuar si shpifës ordiner. Është vendimi i Gjykatës së Apelit. Ka akuza të tjera të rënda, të cilat janë në hetim e sipër”. Pyetjes nëse Edi Rama do të paraqitet në Komisionin Hetimor parlamentar Berisha iu përgjigj shkurt dhe prerë: “Do të vijë edhe me një këmbë madje”. Çështja e shitjes së CEZ mendohet të jetë një nga aferat më të mëdha të ndodhura ndonjëherë. Nga marrëveshja e qeverisë me kompaninë, mendohet të jenë humbur më shumë se 600 milionë euro, të cilat shteti shqiptar i kishte të fituara në rast se çështja do të gjykohej në arbitrazh.

Debati në komision, Ristani kërkon dorëheqjen e Ballës

Ristani: Jeni në kushte të konflitit të interesit.
Balla: Mbledhjen e drejtoj unë. Unë nuk kam asnjë vendim gjykate të humbur. Bini vendimet e gjykatës.
Berisha: Mashtrim.Do sjell vendimet e gjykatave.
Balla: Silli, të bëjmë punën parlamentare njëherë.
Berisha: Është i dënuar me vendim të prerë.
Balla: Nuk ka asnjë vendim gjykate.
Berisha: Mos gënje. Je i dënuar dhe nuk ke paguar gjobë.
Balla: Nuk kam asnjë gjobë unë.
Ristani: Ka një problem, nuk mund të vazhdojë seanca kështu.
Ndreu: Berisha është dëshmitar, nuk është i pandehur.
Manja: Ftoj kolegët të jemi racionalë.
Ristani: Zbato Kodin e Proçedurës Penale. Paraqitni dorëheqjen kryetarit të Parlamentit.
Balla: Zoti dëshmitar të tërheq vëmendjen, po të them fjalën ta jap unë.
Berisha: I cili është një mashtrues ordiner.
Balla: Je i vetmi njeri në këtë botë që nuk më provokon fare.
Berisha: Nuk e kam atë qëllim. Çështja është këtu, je i dënuar?
Balla: Nuk jam fare.

Gati 73 milionë USD koncesione për klientelën e Ramës më 2017

Kastriot ISLAMI

Në fakt të gjithë të ashtuquajturat PPP apo Partneritet Privat Publik, nuk janë veçse tendera me afat 10-vjeçar sepse koncesionet klasike janë kur një pronar privat merr përsipër të investojë me paratë e tij për një shërbim, të cilin buxheti i shtetit nuk mundet ta financojë dhe pasi e shfrytëzon investimin për një periudhë kohe duke nxjerrë paratë e investimet e natyrisht, duke pasur edhe një fitim të arsyeshëm pronari privat ja kthen investimin pronarit publik.
Kurse në rastin e PPP të Rilindjes bëhet fjalë për financimin nga buxheti i shtetit, çdo vit dhe për një periudhë që shkon nga 5 deri në 15 vjet të një shërbimi publik që e kryen privati me paratë e taksapaguesve nga buxheti i shtetit. Pra, në vend që ta kryejë shteti një shërbim me paratë e buxhetit e kryen privati po me paratë e buxhetit dhe privati vetëm përfiton tenderin me miqësi dhe fitimet që me shumë gjasa i ndan me kupolën e qeverisë.
Ky lloj mekanizmi ka krijuar detyrime të konsiderueshme për 5-15 vjet për buxhetin e shtetit. Këto tendera i janë dhënë në mungesë të plotë të transparencës dhe pa asnjë konkurrim klientelës së qeverisë. I janë dhënë një grupi shumë të ngushtë, prej 6-7 vetësh, pranë kupolës qeverisëse, oligarkike e korruptive. Dhe janë gjithsej 7.3 miliardë lekë ose rreth 73 milionë dollarë që duhet të jepen më 2017. Po aq sa jepen nga buxheti për arsimin e lartë. Tetë herë më shumë sesa pagesa e papunësisë.
Pra, janë para që kalojnë, pa konkurrim, nga buxheti i shtetit te pjesëtarët e oligarkisë pranë qeverisë, një kupolë që pasurohet dhe ngushtohet në kurriz të varfërimit dhe mjerimit të 99 për qind të popullsisë. Nga të cilët 400 mijë jetojnë me 400 lekë në ditë. Kurse rreth 600 mijë janë pensionsitë që mbijetojnë.

2016, viti më i keq ekonomik

“16 mijë shqiptarë kanë një pasuri që arrin deri në 1 milion dollarë. Ose thënë ndryshe 0.7 % të popullsisë e zënë milionerët”. Të dhënat publikohen në raportin e fundit mbi pasurinë globale të Credit Swisse, ç’ka tregon qartë për hendekun e madh që është krijuar mes të pasurve dhe të varfërve në vend.
Referuar këtij raporti mësojmë se pjesa më e shqiptarëve në moshë madhore janë relativisht të varfër. “73.3%  e popullsisë shqiptare disponon në total një pasuri nën 10 mijë dollarë”, thuhet në raport. Ndërsa ata që mund të quhen shtresa e mesme dhe që zënë 26% të popullsisë kanë një pasuri që luhatet nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Në raportin për pasurinë globale për vitin 2016, të publikuar nga Credit Swisse rezulton se totali i pasurisë së shqiptarëve është 21 miliardë dollarë. Pasuria për çdo të rritur shqiptar është rreth 9 200 dollarë. Pasuria e të rriturve shqiptarë është shumë më e ulët se mesatarja botërore prej rreth 52.8 mijë dollarë dhe ndër më të ulëtat në rajon.
Po sipas këtij raporti mësojmë se shqiptarët kanë qenë më të pasur para 10 vitesh. Të dhënat tregojnë se viti kur të rriturit shqiptarë janë vlerësuar se kanë patur pasuri të lartë është fundi i 2007-s, me 14,865 dollarë. Më pas, fillimi i krizës globale duket se ka varfëruar dhe shqiptarët, që panë një rënie të pasurisë së tyre, për të arritur në 9200 dollarë në fund të 2010.
Tejkalimi i krizës bëri që pasuria të përmirësohej, duke u ngjitur në 10,195 dollarë në fund të vitit 2013. Më pas kemi sërish rënie, për të zbritur në 8,713 dollarë më 2015-n, niveli më i ulët ky që nga viti 2003. Ndonëse më 2016-n u raportua rritje, për të arritur në rreth 9200 dollarë, pasuria e shqiptarëve më 2015-2016 vlerësohet, sipas raportit, që të jetë më e ulëta e dekadës së fundit.

Njeriu i Ballës ndërton dy kate pa leje në Tiranë

Kryetari i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës ka denoncuar dje një rast skandaloz të favorizimit të deputetit Taulant Balla në Tiranë, ku një i afërmi i tij ndërton dy kate pa leje, dhe ndërkohë që qytetarët denoncojnë, askush nuk ndërhyn.
Ndërtesa është vetëm 100 metra larg Komisariatit Nr. 2, në zonën e “21 dhjetorit”. Banorët e zonës kanë lajmëruar e kanë denoncuar, por policia sapo ka vajtur në vend, është tërhequr me urdhra politikë.
“Planet që shihni pas meje janë pamjet e një ndërtimi pa leje, në shtetin e së zhdrejtës që ka vendosur Edi Rama dhe Erion Veliaj. Kjo ndërtesë ka lidhje me Taulant Ballën, deputetin e Partisë Socialiste, kushëriri i të cilit Mariglen Disha, ka bërë këtë ndërtim pa leje. Komisariati Nr. 2 ka tentuar të ndërhyjë për të rikthyer rendin dhe ligjin, por janë zbrapsur me urdhër politik, sepse policia e kapur nga Tahiri dhe nga Rama, nuk mund të veprojë kundër shefave të pushtetit, por vetëm ndaj qytetarëve të vobektë dhe të pambrojtur. Kjo është e vërteta në shtetin e së zhdrejtës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Kjo është ajo që ndodh në çdo cep të kryeqytetit dhe vende të tjera, sepse askush nuk mund të dalë mbi bandën e pushtetit, sepse banda e pushtetit mund të ndëshkojë çdo të pamundur qoftë edhe për rregullimin e çative për qytetarët që nuk marrin leje tek ta, ose nëse nuk paguajnë nën dorë. Kjo është e papranueshme. Ky është denoncim i qytetarëve”, u shpreh Leonard Olli.

Pse gënjen ministrja?

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi deklaroi dje se dhunimi i biznesmenit libanezo-amerikan, Faddi Mitri në shtator të këtij viti, nuk e përkeqëson klimën e biznesit në vend. Në një emision televiziv, ministrja Ekonomi deklaroi se dhunimi dhe largimi i biznesmenit Mitri është një rast i izoluar që nuk e rrezikon imazhin e Shqipërisë në botë. “Ngjarja që ndodhi në Shqipëri ka qenë e izoluar, ne kemi prezencë të shoqatave të ndryshme në Shqipëri. Shumë shoqata biznesi u distancuan, pasi ishte diçka individuale”. Pretendimi i ministres Ekonomi nuk është i vërtetë.
Banka Botërore, një ndër institucionet financiare më të rëndësishme në botë, e ka dënuar ashpër dhunën ndaj biznesmenit dhe i rekomandoi institucioneve të marrin masa për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Më 29 shtator Tahseen Sayed, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, deklaroi: “Incidenti me biznesmenin libanez është një ngjarje fatkeqe. Shqipëria duhet të marrë masa për të përmirësuar klimën e biznesit. Përmirësimi i klimës së investimeve dhe të biznesit është thelbësor për të zhvilluar konkurrencën”. Banka Botërore harton disa nga raportet më të rëndësishme për ekonominë dhe biznesin, ndër të tjera raportin e përvitshëm Doing Business, ku Shqipëria këtë vit, renditej mes tri vendeve të fundit të rajonit.

Islami-Bushatit: Ti je rrugaç

Një tjetër përplasje ka ndodhur ditën e djeshme në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, ku është duke u diskutuar buxheti i vitit 2017. Fodullëku dhe mënyrat se si ministrat e qeverisë Rama janë paraqitur para deputetëve ka sjellë edhe reagimet e këtyre të fundit.
Deputeti i PD-së, Kastriot Islami gjatë ditës së djeshme ka pasur një përplasje me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, përplasje që ka përfunduar me fjalë të rënda.
Siç raportojnë gazetarët që kanë qenë të pranishëm në komision, mësohet se Islami i ka thënë Bushatit se gjuha e përdorur nga ai, nuk i përket një ministri, por një rrugaçi.
Ministri Bushati ishte në mbledhje për të folur për buxhetin 2017 për institucionin që drejton, kur Islami është shprehur “të ndalohet gjuha rrugaçe e ministrit”. Menjëherë pas Islamit ka reaguar edhe deputeti tjetër demokrat, Aldo Bumçi, i cili e ka quajtur Bushatin ministër mashtrues dhe gënjeshtar, “njeri i skandaleve”.
Islami dhe Bumçi e kanë akuzuar Bushatin se ka futur në krizë edhe marrëdhëniet me Kosovën.
Tensionet u rritën ndjeshëm mes palëve, teksa kryetarja e komisionit, Arta Dade, i ka quajtur të papranueshme gjuhën e përdorur nga dy ish-ministrat e Jashtëm.
Shkak i fyerjes ka qenë deklarata e Bushatit, i cili tha se nuk mund të flitet që të jepet 30% e buxhetit për dikasterin e tij. Kjo solli dhe reagimin e ashpër të Islamit.
Kastriot Islami: Flet me gjuhë rrugaçësh. Ti je rrugaç, nuk duhet të jesh ministër.
Arta Dade: Nuk lejoj këtë gjuhë, do konsultohem me rregulloren.
Ditmir Bushati: Të merren masa për gjuhën e përdorur nga Islami.

Shpërthen dhe në Elbasan revolta kundër plehrave

Revolta kundër plehrave shpërthen edhe në Elbasan. Një organizim, “Të rinjtë kundër plehrave” i krijuar rishtas si përfaqësues të Shoqërisë Civile në Elbasan, kanë iniciuar dje kundërshtimin e ndërtimit të inceretorit të djegies së mbeturinave në këtë qytet. Në një deklaratë për shtyp ata u shprehën se, grupimi ka për qëllim që të sensibilizojë qytetarët e Elbasanit për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave në këtë qytet. Sipas tyre, ndërtimi i inceretorit në një zonë të populluar dhe ku mungon transparenca e plotë nënkupton se për qytetarët e Elbasanit po krijohet një vatër e re e helmit nga plehrat.
Të rinjtë shprehen se, kanë përshëndetur lëvizjen e fushës së vjetër të plehrave. Por sipas tyre, kjo nuk e justifikon që nga një tym kancerogjen që dilte në gjendje të lirë, që kalon një formë më të sofistikuar, në një tym të kontrolluar që del në oxhak.
Kjo, sipas tyre, është ndotja e sofistikuar që pret banorët e këtij qyteti, që kanë vuajtur për dekada me radhë tymin e Metalurgjikut, por që është akoma më i rrezikshëm se tymi i oxhaqeve të tij. Grupimi ka paralajmëruar një valë protestash e para e të cilave do të zhvillohet më 3 dhjetor para Prefekturës Elbasan, ku pritet të mbështetet pasivisht nga qytetarët elbasanas.
Bëhet e ditur se, qindra qytetarë janë solidarizuar me inciativën e të rinjve për të protestuar kundër fabrikës së djegies së plehrave. Mjaft qytetarë kanë shpërthyer kundër qeverisë në rrjetet sociale dhe janë shprehur kundër ndërtimit të fabriëks së djegies së plehrave. Njëri prej tyre shkruan se, lajmi për organizim protestash kundër ndërtimit të fabrikës së djegieve të plehrave në Elbasan është një nga gjërat më të bukura. “Në fakt, ky trend ka përfshirë, së fundmi, gjithë hapësirën territoriale të Republikës sonë farfuritëse, por në këtë copëz hartë goxha të madhe të Shqipërisë së Mesme, ndriçon fort. Ka shumë për të thënë mbi temën, por mjafton numri dyfish i kancerozëve mbi mesataren e qyteteve të tjera që prej viteve ’70-të të shekullit të kaluar, për të shtypur butonin e një sirene papushim. Të pakten, derisa banorët elbasanas, para se të mbyllin “derën e rrugës” pas vetes e të mos i shohë kush, të mendojnë për shëndetin e fëmijëve te tyre, ashtu siç deri tani nuk kanë menduar për veten”, shkruan ai.
Koncentrimi i ndotjes nga djegia e plehrave është më e rrezikshme edhe pse është më larg qytetit, në rajonin e metalurgjisë. Nëse para 25 vjetësh rajoni i Elbasanit kishte një ndotje nga tymërat që lëshonin oxhaqet e Metalurgjisë që nxiu jetën e popullit, tashmë një lloj ndotje tjetër po shoqëron Elbasanin. Ajo është një ndotje e klasifikuar me doza të mëdha helmesh që do të riciklojë atë problem madhor që ka popullata e këtij rajoni me sëmundjet kancerogjene. Është provuar se, sëmundjet profesionale që ishin në një nivel shumë të lartë para vitit 1990, ato nuk patën asnjë trajtim të specializuar nga organe shëndetësore, duke çuar në një situatë të shtimit të vdekjeve nga kanceri, më e larta kjo jo vetëm në Shqipëri për numër të popullsisë.
Ai që quhet depistim i të gjithë të regjistruarve me sëmundje profesionale apo siç quhet ndryshe në gjuhën popullore lehtësim të të prekurve nga këto sëmundje përmes analizave dhe trajtimit të specializuar, asnjëherë nuk u bë. Fenolet dhe cianuret në gjakun e punëtorëve të Metalurgjisë që u konstatuan me sëmundje profesionale, dosjet e të cilëve ishin rreth 2500 dhe që asnjëherë nuk u bënë publike, por mbaheshin sekret për të mos përhapur panik, patën efekte trashëguese në familjet e këtyre të prekurve gjë që vdekjet kanë qenë relativisht në moshë të mesme dhe që konstatoheshin nga sëmundjet që ata kishin nga puna në Metalurgji në sektorë të ndryshëm me gjendje të lartë helmi. Në këto kushte kur nuk kemi asnjë trajtim të të gjithë atyre të skeduarve me sëmundje vdekjeprurëse dhe kur nuk ka asnjë mjek për sëmundjet profesionale, gjendja është trishtuese, sepse rikthimi i djegjes së plehrave me koncentrim të lartë të helmeve që hidhen në atmosferë do të rikthejë edhe sëmundjet profesionale apo kancerogjene tek ata që janë më të ndjeshëm ndaj këtij realiteti.

Sot në orën 10:00 rrethohet Parlamenti kundër plehrave

Mijëra vetë do të protestojnë sot para Parlamentit kundër importit të plehrave. Në fakt, protesta ka nisur që mesnatën e mbrëmshme, ku 100 përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, (AKIP) u grumbulluan para Parlamentit në orën 23:00 dhe deklaruan se do të qëndrojnë përgjatë gjithë natës aty, dhe në mëngjes do të presin protestuesit e tjerë që pritet të jenë të shumtë në numër. Drejtuesit e AKIP thanë se, kjo do të jetë protesta më e madhe kundër plehrave dhe do të vijojë derisa të tërhiqet qeveria nga vendimi i importit të plehrave.
Drejtuesit e AKIP deklaruan dje gjatë një prononcimi për mediat se, të enjten në orën 10:00, është beteja e radhës kundër planit për deportimin e shqiptarëve nga ky vend. “Eshtë beteja kundër kthimit të Shqipërisë në kazanin e mbetjeve radioaktive, kimike, spitalore, farmaceutike. Eshtë beteja kundër kancerit. Eshtë beteja për jetën, tonë dhe të fëmijëve tanë. Eshtë beteja e radhës kundër plehrave! Politika shqiptare e ka treguar që di të shfrytëzojë çdo moment kur ne ulim vigjilencën. Ajo nuk e njeh moralin. Njeh vetëm interesin dhe frikën. Interesin ndaj milionave të eurove dhe frikën nga populli!”, thuhet në deklartatën për mediat.
AKIP shprehet se, deputetët interesin e kanë të votojnë Pro, por ajo që do t’i detyrojë të votojnë kundër plehrave është frika. “Frika nga turmat e njerëzve që qëndrojnë jashtë. Prandaj është e rëndësishme të jemi shumë. Të tregojmë që ne s’lëshojmë asnjë centimetër pe. Sepse në lojë është jeta! Të enjten në orën 10:00, tek Parlamenti. Mos eja vetëm. Fto dhe miq dhe të afërm. Eshtë një betejë qytetare, jo-partiake. Të gjithë së bashku do të fitojmë!”, thuhet në deklaratën e AKIP.

“Të bashkuar kundër plehrave në rrugë dhe në qeveri!”

Ish-Kryeministri Berisha mbështet të rinjtë që kanë vendosur të bëhen pjesë e protestës kundër importit të plehrave në Shqipëri, protestës së organizuar nga Shoqëria Civile të enjten në orën 10:00 para Kuvendit. Grupimi i të rinjve ka shpallur se do t’i bashkohet protestës jo nesër, por do ta nisë atë që të mërkurën në mesnatë, duke u grumbulluar para Parlamentit, për të mos lejuar kalimin e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Berisha, në mesazhin e tij në rrjetet sociale, i është bashkuar thirrjes së të rinjve. “Sonte, në ora 23:00 dhe në vazhdim, protesta historike qytetare: “Të bashkuar kundër plehrave në rrugë dhe në qeveri!”, shkruante dje ish-Kryeministri.

Mazhoranca nuk i ka votat

Rama kërkon ta shtyjë votimin, sepse nuk ka votat në Parlament për ta kaluar ligjin e importit të plehrave. Ndonëse kthimi në Parlament i dekretit të Presidentit për plehrat ka më shumë se një muaj, mazhoranca ka frikë ta votojë pasi nuk i ka votat. Ky fakt ka bërë që të zvarritet votimi. Ndërkohë, revolta popullore është një tjetër shkak që zvarritet votimi për kalimin e ligjit të importit të mbetjeve.
Drejtues të Shoqërisë Civile i kanë bërë thirrje Kryeministrit Rama që të heqë dorë nga importi i plehrave, në të kundërt ai do të përballet me revoltën më të madhe popullore. Sipas tyre, vetëm në Itali janë 500 mijë ton plehra që refuzoi Maroku, të gatshme për t’u sjellë në Shqipëri. Miliona ton të tjera presin radhën në shtete të tjera të Europës, për t’i sjellë brigjeve të Adriatikut. Një masë kancerogjene tepër e madhe rrezikon vendin e shqipeve, nga një skenar orguzi me interesa të pastra mafioze, ku përfitojnë një grusht i enturazhit politik të udhëhequr nga kreu i karvanit rilindas Edi Rama.
“Rilindja”, e ardhur në pushtet me gënjeshtrat e vitit 2013 është e vendosur ta kalojë. Por në llogaritë e saj nuk ka përfshirë qëndresën e popullit. Ajo çka po ndodh në Mbrostar, ku banorët e atjeshëm kanë dalë në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre, pritet të përsëritet sot më datë 24 nëntor përpara Parlamentit. Edi Rama, nga ana tjetër ndodhet në panik, pasi nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend dhe po përpiqet që me anë të blerjes së votave siç ka bërë gjithmonë të sigurojë kalimin e tij. Duhet theksuar se ky është një ligj për të cilin Rama është investuar fort çka shpreh qartë, kapjen e tij nga interesa të pastra të përfitimit personal.

R.POLISI