Ish-kryetari i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda, ka reaguar menjëherë pas lajmit se është proceduar penalisht nga Policia e Korçës për shitje tokash, duke e cilësuar këtë padi si hakmarrje të pastër politike. Në një prononcim për “News24”, Guda deklaroi se gjithçka vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë Korçë.
“Njoftimi mediatik për proçedim penal ndaj meje erdhi menjëhere pas fushatës së ashpër elektorale për zgjedhjet e parakohshme vendore të Bashkisë Kolonjë. E gjitha është një hakmarrje e pastër politike, e cila vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë Korçë, elementë të së cilës duke më kërkuar të rrija rrehat më kanë komunikuar se në lidhje me personin tim ka disa çështje për t’u sqaruar. Gjithashtu, pjesë e këtij presioni ka qenë edhe konfrontimi fizik ndaj meje mesnatën para datës së zgjedhjeve, ku jam kërcënuar me jetë nga persona të paidentifikuar me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë, ngjarje për të cilën kam bërë dhe denoncimin përkatës”, u shpreh Guda.
Guda gjithashtu në reagimin e tij tha se, pret nga drejtësia që të zbardhë çështjen, që është një proces i montuar politikisht. Momenti pas një viti nga lënia e detyrës dhe menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme vendore për Bashkinë Kolonjë, që është bërë ky proçedim penal më japin gjithë arsyet se kjo është një hakmarrje dhe shantazh politik. Duke lënë veten time në dispozicion të drejtësisë për zbardhjen e këtij proçesi të montuar politikisht, garantoj gjithë qytetarët e Leskovikut se asnjë rast nuk i kam tradhtuar, por më i vendosur se kurrë do jem me ta kundër kësaj qeverie armike për vdekje të votës së lirë dhe kundërshtarëve të saj politikë”, deklaroi Guda.
Policia e Korçës bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, nisi procedimin penal për ish-kryetarin e Bashkisë së Leskovikut Fatmir Guda, pasi akuzohet për shitjen e tokave të Bashkisë në kohën kur mbante postin e kryetarit. “Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Gudajt “Procedimi ndaj tij filloi pasi, ky person kur ka qenë me detyrë Kryetar i Bashkisë Leskovik, dyshohet të ketë shitur toka (truall) në pronësi të Bashkisë Leskovik, duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Shpërdorim detyre”, thuhet në deklaratën e Policisë së Korçës.
Është për t’u çuditur fakti se Policia e Korçës ka proceduar ish-kryebashkiakun vetëm dy ditë, pasi përfunduan zgjedhjet në Kolonjë, ku Guda ishte për fushatë në Leskovik, ku ka bërë fushatë për kandidatin e opozitës.
Ish-kryebashkiaku i Leskovikut: Policia hakmerret pse bëra denoncim për kërcënim me jetë
Banorët e Mbrostarit protestë para Gjykatës së Fierit për lirimin e protestuesit
Banorët e Mbrostarit protestuan dje para Gjykatës së Fierit në mbështetje të protestuesit të arrestuar Zylyftar Delibashi, i cili doli para togave të zeza për masën e sigurisë. Banorët thanë se po protestojnë për lirimin e të moshuarit, ndërsa të enjten do kërkojnë takim me prefektin për të konfirmuar nëse është firmosur apo jo, vendimi për projektin e impiantit të përpunimit të plehrave. Pas vlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Fierit, 65-vjeçari Zylyftar Delibashi është lënë i lirë nga Gjykata e Fierit.
“Të lirohet ta marrim me vete. Ndërsa nesër kemi muhabet vetëm për prefektin. Na ka dhënë një fjalë, do me thënë për tre ditë do t’u vijë një përgjigje pozitive”, u shpreh një banore. Banorët thanë se do të vijojnë protestën kundër ndërtimit të fabrikës së përpunimit të plehrave. “Plehrat në Mbrostar, Jo! Këtë parullë kemi. Nuk është çështje politike, por është jetike”, u shpreh një banore.
Banorët u shprehën se presin një përgjigje nga prefekti për anulimin e vendimit të Bashkisë Fier për ndërtimin e impiantit të plehrave. “Të tepërt nuk jemi, edhe ne njerëz jemi. Kalamajtë tanë na dhimbsen ne, nëse nuk i dhimbsen atij. Nesër ne do shkojmë atje të na kthejë përgjigje”, u shpreh një banore.
Një ditë më parë banorët e Mbrostarit kanë protestuar, duke bllokuar rrugën nacionale. Me parulla në duar “Ndal plehrave”, “Duam jetën”, “Lironi protestuesit”, etj., banorët bllokuan sërish rrugën nacionale, ku si pasojë u krijuan radhë të gjata makinash. Forcat e policisë mbanin të rrethuar protestuesit, por nuk kanë ndërhyrë ndaj tyre.
Edhe pse qeveria me gojën e Prefektit deklaroi zyrtarisht për kthimin e vendimit të ndërtimit të impiantit të plehrave, banorët e Mbrostarit po e vazhdojnë betejën deri sa ta shohin të shkruar dhe të vulosur. Gjatë protestës së djeshme, banorët i kërkuan Prefektit të Fierit të mbajë fjalën e dhënë për anulimin e vendimit të ndërtimit të impiantit në fshatin e tyre.
Qeveria firmos TEC-in helmues për Korçën
Kreu i Departamentit te Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, denoncoi nga Korça një projekt të qeverisë për ndërtimin e një TEC-i në fushën e Maliqit, për të cilin tha se nuk janë pyetur qytetarët. Malltezi tha se, qeveria e ka çuar projektligjin në Kuvend për shqyrtim, ndërkohë që nuk ka një impiant të përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që do çlirohen nga TEC-it. Ai renditi disa pika që sipas tij do të shkatërronin të mbjellat bujqësore.
“Së pari, humbja e tokës së bukës, së dyti, emetimi i gazrave të rrezikshëm ndotës, së treti, rreziku i produkteve bujqësore të të gjithë zonës së fushës së Korçës, që është fusha më e begatë. Janë të paktën 50 mln tonë hi që është gjithashtu mbetje e rrezikshme, që duhet trajtuar, ndërkohë Shqipëria nuk ka impiant për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme”, u shpreh Malltezi.
Jamarbër Malltezi ishte në Korçë në një takim me intelektualë të Shoqërisë Civile për çështjen e TEC-it të Maliqit që sipas drejtuesit të departamentit për çështje të mjedisit në PD, do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 288 hektarësh. Malltezi tha se projekti nuk është konsultuar me qytetarët. Sipas tij, ndërtimi i TEC-it në fushën e Maliqit përkthehet në shkatërrim mjedisor për zonën, humbjen e dhjetëra ha tokë bujqësore, dhe emetim të tonelatave mbetje të rrezikshme.
Vrasja në Fier, makina tradhton mikun e viktimës
Makina në të cilën u qëllua Nelgert Pata ka nxjerrë zbuluar dëshminë e Ari Alinanit, që ditën e atentatit gjendej në drejtimin e saj. 38-vjeçari nga Delvina ka deklaruar para hetuesve se Patën e njihte vetëm prej 3 ditësh, në kohën kur ai ishte zhvendosur nga Tirana në Fier. Por hetimet zbuluan se makinën tip “Volkswagen”, Alinanit ia kishte dhuruar 34-vjeçari nga Memaliaj. Ai e kishte blerë atë disa kohë më parë dhe ia kishte dhënë mikut të tij. Kjo nuk është prova e vetme e njohjes mes tyre. Edhe tabulatet telefonike kanë vërtetuar komunikimin e vazhdueshëm mes tyre.
Hetuesit dyshojnë se Ari Alinani ka informacione mbi konfliktet e Patës dhe se mund të ketë të dhëna të vlefshme edhe për autorët e atenatit, apo porositësit e tij.
Prokurorët duken të bindur se ai ka dijeni edhe për arsyet pse viktima po qëndronte në Fier ditët e fundit të jetës së tij. Megjithatë, Alinani nuk ka pranuar të flasë. Por nisur nga këto prova, ai është arrestuar për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Nelgert Pata, ishte zhvendosur prej mbrëmjes së të enjtes në Fier. Në Tiranë, të enjten ai kishte parë disa njerëz të dyshimtë pranë lokalit ku po qëndronte, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve. Ky fakt e ka bërë atë që të largohet për t’u strehuar në Fier. Por sipas Prokurorise, personat që e eliminuan, e kanë ndjekur atë edhe gjatë spostimit për në Fier, ku kanë organizuar edhe atentatin.
Policia ka marrë në pyetje disa persona. Pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve me grupin e Elton Çiçës, të vrarë më 1 maj të këtij viti në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Disa të afërm të tij mësohet se janë pyetur gjithashtu.
Nelgert Pata dyshohet se kishte marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Çiçës. Në makinën e tij të parkuar në hotelin ku qëndroi ditët e fundit të jetës në Fier, u gjetën dy kallashnikovë dhe një bidon me benzinë, çka i ka bërë hetuesit të dyshojnë se ai po përgatiste një tjetër atentat.
2 kg kokainë nga Shqipëria në Greqi
Policia greke ka sekuestruar dje 2 kg 52 gram kokainë në doganën e Kapshticës, ndërsa në pranga ranë 2 shqiptarë. Burime zyrtare pohuan se shqiptarët, 32 dhe 33 vjeç u kapën në pjesën greke të pikës kufitare, pasi kishin kaluar me këmbë. Mësohet se ata kishin përshtatur një mbajtëse në formë rripi në trup, ndërsa secili mbante nga 1 kg 26 gram. Po ashtu atyre iu sekuestruan 1030 euro dhe 5700 lekë të reja. Ndërkohë, nuk dihet ende identiteti i tyre.
Ndërkohë, në Milano është shkatërruar një grup që transportonte marijuanë nga Shqipëria në Holandë, e cila konvertohej në heroinë dhe trafikohej në Itali. Droga transportohej nga Peruja në Holandë dhe nga Shqipëria për t’u depozituar më pas në një bazë në rrugën “Via Padova” të Milanos. Agjentët e policisë së Milanos kanë lëshuar 45 urdhërarreste në përfundim të hetimeve të nisura 3 vite më parë, në nëntor të 2013-ës, në bazë të së cilit policia italiane ra në gjurmët e një grupi të mirëorganizuar kriminal i përbërë kryesisht nga italianë dhe amerikano-jugorë.
Në bazë të hetimeve rezulton se, ky grup trafikonte kokainë dhe marijuanë. Ndërsa kokaina sigurohej në Peru, marijuana ishte ekskluzivitet i Shqipërisë. Në kuadër të operacionit “Rubens”, policia arrestoi edhe disa shpërndarës të këtij grupi, në disa zona të Milanos, por ende nuk janë publikuar identitetet e tyre. Nuk dihet nëse mes të arrestuarve ka edhe shqiptarë.
Shqiptari kapet në Itali me 20 kilogramë heroinë
Një shqiptar i identifikuar nga policia italiane me emrin Feim Nure, u arrestua në Padova, pasi u zbulua se kishte fshehur nën tokë anës një lumi 20 kilogramë heroinë me vlerë 600 mijë euro. Në banesën e Nures, gjatë kontrollit u gjetën edhe 9500 euro. Hetimet zgjatën disa javë, pas dyshimeve të policisë se 30-vjeçari Nure ishte bërë pikë referimi e shpërndarjes së heroinës në zonë. Droga u gjet me anë të qenit. Nure ishte arrestuar edhe në vitin 2010, në zonën e Udines me 1.5 kg heroinë.
Në një tjetër operacion të antidrogës së Milanos, disa shqiptarë janë vënë në pranga pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë nga Peruja në Holandë, Shqipëri e Itali. 45 urdhër arreste me burg u ekzekutuan në përfundim të një hetimi të nisur nga nëntori 2013. U sekuestrua 33 kilogramë kokainë, 580 kilogramë marijuanë, 6 kilogramë hashash dhe 18 mijë euro cash.
Sipas hetuesve italianë, nga Shqipëria importohej marijuanë, një pjesë e së cilës dërgohej në Holandë në këmbim të kokainës. Droga trafikohej kryesisht në rrugë ajrore e fshehur në çanta të ndryshme udhëtimesh.
Siç shkruan ANSA, shqiptari i identifikuar si Feim Nure, 30 vjeç është kapur pas një hetimi të nisur disa javë më parë në lidhje me rrjetin e drogës që vinte në Padova. Ai është kapur pak kilometra larg banesës së tij, ku kishte fshehur heroinën.
Dy aksidente me vdekje, njëri prej viktimave një 5-vjeçar
Dy aksidente me pasojë vdekje janë shënuar në orët e para të ditës së sotme në Tiranë dhe Kavajë. Rreth orës 10:00, në afërsi të ish-repartit Ushtarak në qytetin e Kavajës, një 5-vjeçar u përplas për vdekje nga një “Mercedes Benz”, që drejtohej nga A. L. Fëmija mësohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Aktualisht, grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme.
Në Tiranë, rreth orës 7:30 të mëngjesit një person ka gjetur vdekjen në rrugën e Rinasit. Sipas policisë drejtuesja e një automjeti “Mercedez Benz”, me inicialet E.D, ka aksidentuar për vdekje një person që lëvizte me biçikletë. Viktima është 79-vjeçari Ramiz Balliu. Drejtuesja e automjetit është shoqëruar për në polici.
Fillimi i Donald Trumpit
Kanë kaluar dy javë që prej fitores historike në zgjedhje të Donald Trumpit si President i SHBA. Por që tani një gjë është e qartë: Të gjithë ata që menduan se punët nuk do të venë kaq keq, u gabuan.
Mund të mos e quash në rregull, që Donald Trumpi, i cili tani firmos zyrtarisht si President i zgjedhur, u vërsulet edhe më tej përmes Twitterit mediave, demonstruesve dhe ansambleve teatrore, sepse ato e kritikojnë atë, politikën e tij dhe shumicën e herëve të dyja.
Mund të mos e quash në rregull, që Presidenti i zgjedhur Trump i sugjeron një shteti tjetër, Britanisë së Madhe, po me anë të Twitterit dhe publikisht, se cilin ambasador do të bënte mirë të dërgonte në SHBA – pikërisht mikun e tij, arkitektin e Brexit-it, Nigel Farage.
Mund të mos e quash në rregull, që Presidenti i zgjedhur Trump vërtet i zgjidhi me 25 milionë dollarë tri padi për mashtrim kundër universitetit me emrin e tij, por që një duzinë procesesh të tjera kundër tij ende vazhdojnë.
Dhe mund të mos e quash në rregull, që Presidenti i zgjedhur Trump vazhdon të mos e publikojë deklaratën e tij të taksave. Dhe që ndarja e shpallur e interesave të tij të biznesit dhe postit të tij, duke ia kaluar drejtimin e bizneseve të tij familjes së tij, duket gjithashtu e dyshimtë.
Të gjitha këto mund të të shqetësojnë dhe duhet të të shqetësojnë. Sepse këta janë tregues që flasin se kandidati Trump deri tani në parim nuk dallohet nga Presidenti i zgjedhur Trump. Vërtet që mund të thuash se këtë ndryshim Trumpi do ta bëjë sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.
Krijoi fakte
Por kjo shpresë duket e gënjeshtërt, sepse Trumpi nuk ka ndërmarrë sulme vetëm përmes Twitterit, ai ka krijuar edhe fakte. Dhe këto fakte përmbajnë një mesazh të qartë: Trumpi ka dëshirë që edhe t’i vërë në jetë shumë nga ato, të cilat i deklaroi në fushatën elektorale.
Kështu, me anë të një mesazhi me video ai deklaroi se braktisja e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Trans Paqësore, TPP, do të bëjë pjesë në veprimet e tij të para si President. Pikërisht kjo është ajo që pati deklaruar ai edhe në fushatën elektorale. Trumpi deklaroi veç kësaj se do të eliminojë rregullat në sektorin energjetik, të cilat pengojnë të ashtuquajturin Fracking dhe prodhimin e qymyrit vendas.
Me të dyja masat, Trumpi ka ndërmarrë në dy sektorë qendrorë të politikës një kthesë ndaj presidencës së Obamës. Nëse Obama e çoi përpara tregtinë e lirë dhe mbrojtjen e klimës, Trumpi ecën në drejtim të proteksionizmit dhe të fitimit tradicional të energjisë në dëm të mjedisit.
Spostim djathtas në personel
Kjo nuk të çudit, sepse Trumpi nuk e pati formuluar vetëm në fushatën elektorale qëndrimin e tij për këto tema që lidhen me njëra-tjetrën. Kështu, ai pati deklaruar që katër vjet të shkuara se koncepti i ngrohjes së Tokës qe shpikur nga Kina, për të dobësuar industrinë amerikane. Me këtë duhet të jetë e qartë se SHBA nën Trumpin, as duan dhe as do t’i arrijnë objektivat e klimës të vendosura në Paris. Por të paktën po kaq shqetësuese janë edhe vendimet e tij të para në personel.
Kështu ai e emëroi Steve Bannon-in, ish-shefin e portalit të internetit “Breitbart” si kryekëshilltar të tij. Për ta kuptuar pasojën e këtij vendimi, duhet të kuptosh se në këtë mënyrë, strategu më me ndikim dhe këshilltar i Presidentit bëhet një njeri, i cili pak pas zgjedhjeve, tha në një intervistë se është nacionalist. Që në verë, Bannoni u mburr se e kishte bërë “Breitbart” një platformë për lëvizjen ekstremiste të djathtë, lëvizjen e ashtuquajtur alt-right.
Edhe një emërim i dytë që bëri Trumpi të jep shkas për t’u shqetësuar. Michael Flynn, ish-shef i shërbimit të fshehtë ushtarak, do të jetë këshilltari kryesor për Sigurinë i Presidentit. Flynn tërhoqi vëmendjen në fillim të vitit, kur bëri të ditur përmes Twitterit se “frika ndaj myslimanëve” është racionale. Edhe mbështetja e qartë që ai i ka bërë Presidentit turk Erdogan, që qeveris në mënyrë gjithnjë e më shumë autokratike, si dhe një fjalim i paguar mirë së bashku me një fotografi me Presidentin Putin në Moskë vitin e kaluar të tërheqin vëmendjen.
Natyrisht që Trumpi nuk do t’i plotësojë të gjitha premtimet e tij në zgjedhje dhe nuk do ta mbushë kabinetin vetëm me persona të dyshimtë. Por dy javë pas zgjedhjes së Donald Trumpit është e qartë se Presidenti i ardhshëm ka vullnet që fjalët e fushatës elektorale t’i pasojë edhe nga vepra. Mediat dhe publiku do të bënin mirë që në dallim nga ajo që bënë në fushatën elektorale, ta marrin Trumpin që në fillim seriozisht.
DASH, sanksione ndaj tre aktivistëve të ISIS-it
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një operativi që mendohet të ketë patur rol të rëndësishëm në organizimin e sulmeve terroriste të Parisit dhe të Brukselit.
Të martën Departamenti amerikan i Shtetit vendosi sanksione ndaj Abdelilah Himich, francez me origjinë marokene, i cili mendohet se jeton jashtë Sirisë.
Himich, po ashtu i njohur si Abu Sulayman al-Firansi, është themeluesi i batalionit “Tariq Ibn Ziyad”, një celulë e përbërë prej rreth 300 luftëtarësh të huaj europianë, të cilët kanë qenë aktivë në Irak, Siri dhe gjetkë.
Departamenti i Shtetit, po ashtu e identifikoi Himich-in si figurë kryesore në sulmet terroriste të nëntorit 2015-ës në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona, si dhe për sulmet me bombë të Brukselit në mars të vitit 2016, ku u vranë 32 persona.
Në tetor, një zyrtar i rëndësishëm amerikan kundër terrorizmit tha se Himich kishte luajtur një rol të rëndësishëm në sulm.
Po ashtu, Himich ishte identifikuar nga disa ish-anëtarë të ISIS-it, që kanë braktisur grupin, si udhëheqës i operacioneve të grupit në Europë.
Sipas Projektit kundër Ekstremizmit, Himich u bë në vitin 2008 anëtar i Legjionit të Huaj francez dhe shërbeu në Afganistan. Dy vjet më pas ai dezertoi.
Departmenti i Shtetit, po ashtu vendosi sanksione ndaj dy zyrtarëve të tjerë të ISIS-it, Abdullah Ahmed al-Meshedani dhe Basil Hassan.
Meshedani është këshilltar i udhëheqësit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi. Ai është po ashtu përgjegjës për organizimin e luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak dhe për transportimin e autorëve të sulmeve vetëvrasëse me bombë.
Ndërsa personi i tretë, Hassan, njihet si panifikues si operacioneve të ISIS-it, ai ka qenë i ndaluar në Turqi dhe u lirua si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e 49 pengjeve. Ai po ashtu është akuzuar për vrasjen e gazetarit danez Lars Hedegaard.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara i kanë përdorur sansionet si një mjet i rëndësishëm për të luftuar ISIS-in, duke i ndaluar anëtarëve të grupit terrorist qasjen tek sistemet financiare amerikane.
Erdogan: Vota për anëtarësim në BE “nuk ka vlerë”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar BE-në një ditë përpara votimit të Parlamentit Evropian për ndërprerjen e bisedave për anëtarësim me Ankaranë.
Duke folur në Stamboll, më 23 nëntor, në hapjen e një konference të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (IOC), Erdogan tha se “pavarësisht rezultatit, ky votim nuk ka ndonjë vlerë në sytë tanë”.
Erdogan tha se “asnjë nga premtimet” për Turqinë të bëra nga vendet anëtare të BE-së nuk janë mbajtur, kur bëhet fjalë për rrugën e Turqisë drejt anëtarësimit në BE.
Ai tha se Turqia e ka “bërë të qartë shumë herë se ne përkujdesemi për vlerat evropiane më shumë se shumë shtete të tjera të BE-së, por nuk mund të shohim një përkrahje konkrete nga miqtë perëndimorë”.
Anëtarët kryesorë të Parlamentit Evropian më 22 nëntor bënë thirrje që bisedimet me Turqinë të ndalen në përgjigje ndaj goditjes kundër kundërshtarëve politikë të Erdoganit, pas një grusht shteti të dështuar në korrik.