24.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

PAOK-u nuk e huazon Kaçen

Ergys Kaçe është tashmë lojtar i PAOK-ut. Pas krisjes me trajnerin dhe drejtuesit e Plzenit, ai ka mbyllur çdo marrëdhënie me ekipin çek. Prej ditësh, vetë drejtuesit e PAOK-ut kanë nisur negociatat me skuadra të ndryshme, për të tentuar huazimin e lojtarit, duke qenë se Kaçe nuk është më në planet e trajnerit të kësaj skuadre.
Iraklis është shprehur e interesuar për shërbimet e mesfushorit të kombëtares, mirëpo mungesa e dokumenteve greke dhe fakti që ai është futbollist i huaj nuk ia mundësojnë diçka të tillë. Mediat greke bëjnë me dije që presidenti i PAOK-ut ka pasur një takim me drejtorin përgjegjës të Iraklis në çështjet e merkatos së transferimeve. Sipas “instasport.gr”, më 18 nëntor ka pasur një takim mes Lubos Mishel (presidenti i ri i PAOK-ut që do të marrë drejtimin e bordit më 21 dhjetor) dhe Nikos Kagioulis personi përgjegjës në ekipin grek për merkaton e transferimeve.

Etrit Berisha në formacionin e javës

Vetëm 3 gola të pësuar në 8 ndeshjet e fundit. Për meritë edhe të Etrit Berishës, Atalanta e Giampiero Gasperinit ka fluturuar në këto 8 javë duke grumbulluar më shumë pikë edhe se Juventusi që kryeson, Serinë A. 7 fitore dhe 1 barazim për skuadrën bergamaske që ka gjetur te portieri shqiptar njeriun e duhur për t’i vënë kyçin portës. Berisha shkëlqeu në fushë edhe në ndeshjen e të dielës ndaj Romës teksa falë pritjeve që realizoi dhe sigurisë që shfaqi në portën e Atalantës, është përfshirë nga e përditshmja më e madhe sportive në Itali, “Gazzetta dello Sport” në formacionin më të mirë të javës së 13-të në Serinë A.
Falë aftësive të 27-vjeçarit nga Prishtina që evitoi disa gola të sigurtë, Atalanta arriti të përmbyste avantazhin provizor të Romës duke triumfuar në fund me shifrat 2-1. Berisha edhe pse nuk arriti të evitonte dot golin e Diego Perottit nga pika e bardhë e penalltisë pavarësisht se arriti t’i kuptonte krahun, ishte përcaktues me pritjet që realizoi ndaj egjiptianit Mohamedd Salah. Në 3 raste gjatë pjesës së parë gardiani shqiptar u tregua thjesht fantastik me ndërhyrjet e tij ndaj Salah duke evituar tri gola të sigurtë. Me skemën 3-4-3, Berisha është portieri titullar i formacionit më të mirë të javës sipas “Gazzetta dello Sport”, ndërsa në 11-shen më të mirë bëjnë pjesë edhe Gobbi, Koulibaly, Lulic, Gagliardini, Felipe Andreson, Candreva, Bernardeschi, Suso, Gomez e Belotti.

3 gola për 5 minuta

Totenhemi i thotë lamtumirë Ligës së Kampioneve. Humbja 2-1 ndaj Monakos i nxjerr londinezët jashtë Grupit E dhe përballja e fundit ndaj CSKA-së së Moskës do të jetë vetëm për të përcaktuar ekipin që do ta vijojë rrugëtimin në Ligën e Europës. Në stadiumin “Luigji II” gjithçka u vendos në pjesën e dytë, pasi Hugo Loris i kishte pritur një penallti Falkaos në të parën. Sidibe kaloi përpara të zotët e shtëpisë tri minuta pas pushimit, Herri Kejn barazoi në të 52-n, por në aksionin pasardhës Lamar vulosi rezultatin që qëndroi në fuqi deri në fund. Me këtë sukses Monako kualifikohet si kryesuese me 11 pikë, e ndjekur nga Leverkuseni me 4 më pak.
Edhe Reali i Madridit e Juventus siguruan kalimin për në raundin tjetër të UEFA Champions League, pavarësisht se nuk patën një mbrëmje të thjeshtë. Los Blancos fituan jo pa vështirësi ndaj Sportingut në transfertë me rezultatin 2-1, ku golit të Varane në pjesën e parë ju përgjigj Adrien Silva në të 80-tën, por Benzema mundi t’i japë fitoren të tijve duke mbajtur të hapur dhe garën për vendin e parë. Në sfidën tjetër të grupit, Borussia e Dortmundit regjistroi një fitore të pabesueshme ndaj Legias së Varshavës, teksa triumfoi 8-4 në shtëpi, duke barazuar rekordin e ndeshjes me më shumë gola në Champions. Reus realizoi një 3 golësh, ndërsa Kagawa shënoi dy herë në këtë sukses, ndërsa për miqtë shënoi dy herë Prijoviç.
Juventus arriti të marrë vetëm në fund kualifikimin pasi mundi 3-1 në transfertë Sevijën duke përmbysur madje rezultatin në ndeshjen më të rëndësishme të Grupit H. Bardhezinjtë u ndëshkuan mjaft shpejt nga Pareja, që kaloi në epërsi andaluzianët në minutën e 9-të, por dalja me të kuq e Vazquez ndihmoi torinezët që barazuan në fundin e pjesës së parë me Marchision, ndërsa 6 minuta para fundit Bonucci shënoi dhe golin e epërsisë, kurse vulën takimit  ja vuri Mandzukiç me finalizimin e tij, që kualifikoi në raundin tjetër skuadrën e Allegrit, pavarësisht fitores 1-0 të Lionit në transfertë me Dinamon e Zagrebit.
Në Grupin G, Leicester pësoi golin e parë, por gjithsesi mundi të fitojë 2-1 me Clubb Brugge, duke siguruar dhe vendin e parë në grup. Golat për kampionët e Anglisë u shënuan nga Okazaki dhe Mahrez, ndërsa për miqtë realizoi Izqueirdo, ndërsa Porto shtyu gjithçka për sfidën e fundit në grup pasi barazoi 0-0 në Kopenhagen. Bajer Leverkusen arriti të marrë kualifikimin në fazën tjetër, pasi barazoi 1-1 me CSKA e Moskës. Aspirinat shënuan të parët me anë të Kevin Volland, ndërsa në pjesën e dytë Natcho barazoi rezultatin me penallti.

Strakosha kërkon të jetë titullar në derbi

Dëmtimi i Marchetit mund t’i hapë Thomas Strakoshës dyert e prezencës si titullar në një prej ndeshjeve më të ndjera jo vetëm të futbollit italian, por edhe në rang global, derbit të Romës mes verdhekuqve dhe Lazios. Portieri shqiptar ishte në portë për 90 minuta në fitoren e fundjavës së kaluar ndaj Genoas, duke bërë një tjetër paraqitje të mirë. Në fakt Strakosha sa herë është thërritur në mision ka treguar se e ka merituar besimin e Inzaghit dhe tani me shumë mundësi do të jetë titullar edhe në dy takimet e radhës, sfidën me Palermon këtë fundjavë dhe mbi të gjitha një javë më pas, në derbin e Romës një ndeshje me histori dhe rivalitet të jashtëzakonshëm.
Lazio bëri të ditur se Marcheti do të jetë me siguri jashtë për takimin e së dielës kundër Palermos, por rrezikon shumë edhe për derbin e 4 dhjetorit. Të jesh portier në një derbi që dallohet për tensionin dhe rivalitetin është një përgjegjësi e madhe, por 21-vjeçari e pret me optimizëm një mundësi të tillë, siç u shpreh dhe në një intervistë pas një eventi bamirësie në favor të njerëzve të prekur nga tërmetet e fundit në Itali.
“Çdokush që luan futboll ëndërron që njerëzit ta njohin një ditë kur është fëmijë. Mendojmë për Palermon, duhet të fitojmë në mënyrë që të shkojmë të qetë në derbi. Çdo djalosh që vjen në Romë ëndërron derbin, do të ishte diçka fantastike të zbrisja në fushë”, deklaroi portieri i kombëtares kuqezi. Strakosha është gati, pret një shans për derbin, një tjetër mundësi për t’u rritur duke ndjekur gjurmët e të atit, Strakoshës ikonë të portës kuqezi.

Gashi titullar në humbjen 2-1 të Rapids

Rikuperim në kohë i Shkëlzen Gashit për finalen e Konferencës së Perëndimit në MLS. Futbollisti shqiptar, i cili dëmtoi kaviljen në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Los Angeles Galaxy, ku shënoi edhe një supergol nga një distancë rreth 35 metra, ka udhëtuar bashkë me skuadrën e tij Colorado Rapids, që u mund 2-1 nga Seattle Sounders në takimin e parë final. Gashi luajti titullar në këtë ndeshje, por u zëvendësua në minutën e 78-të nga Zaira. Përsa i përket kronikës, Saunders arritën një fitore me përmbysje, me Rapids që kaluan në avantazh që në minutën e 13-të me Doyle, i cili në këtë rast u ndihmua edhe nga lëvizja e zgjuar e Gashit, që i dha mundësinë të godiste shokut të tij të skuadrës.

Ajeti projektohet titullar ndaj Chievos

Po vjen momenti i debutimit të Arlind Ajetit në Serinë A. I dëmtuar në fund të muajit gusht, 23-vjeçari ende nuk është aktivizuar në ndeshjet zyrtare me Torinon, pavarësisht se gjendje e tij fizike gjatë javëve të fundit është përmirësuar ndjeshëm.
Sipas mediave pranë klubit “granata”, trajneri Sinisa Mihajloviç po e vlerëson mundësinë për t’i ofruar një shans mbrojtësit shqiptar në takimin e shtëpisë kundër Chievos, duke ulur në stol një mes Rossetinit dhe Castan. Arsyeja është e thjeshtë: gjatë muajit dhjetor Torino do të ketë një kalendar të ngjeshur, pasi do të luajë në transfertë me Sampdorian në “Marassi”, në shtëpi me Juventusin në derbi, në “San Paolo” me Napolin, për ta mbyllur më 22 dhjetor me Genoan, ndaj është shumë i nevojshëm aplikimi i rotacionit.
Ajeti mbërriti në verë te Torino si një nga blerjet më të goditura, por dëmtimi i pësuar atëherë kur konsiderohej titullar në formacionin e Mihajloviç pati ndikim negativ në formën e tij.
Mbrojtësi kuqezi ka humbur edhe ndeshjet e kombëtares në kuadër të eliminatoreve të botërorit me Maqedoninë, Lihtensteinin, Spanjën dhe Izraelin. Madje në takimin e fundit në “Elbasan Arena” kundër izraelitëve, edhe pse u grumbullua nga De Biasi, qëndroi në tribunë.

Mavraj, mbrojtësi perfekt i Kolnit

Mërgim Mavraj mbetet një nga pikat më të forta të Kolnit në fazën mbrojtëse dhe këtë e konfirmojnë përveçse rezultatet e kësaj skuadre, edhe statistikat individuale të lojtarëve. Portali gjerman “Sportschau.de”, i specializuar në përpunimin e shifrave, ka zbuluar se mbrojtësi shqiptar ka spikatur në ndërhyrjet e tij në javën e 11-të të Bundesligës, Borussia e Monchengladbahut-Koln 1-2.
Në tabelën ku listohen futbollistët që kanë fituar më shumë duele, 30-vjeçari renditet i pari me 91.7% të ndërhyrjeve të sakta, ndjeshëm i shkëputur nga ndjekësit më të afërt. Kjo statistikë sugjeron se futbollisti i kombëtares shqiptare praktikisht ka qenë perfekt në ndërhyrje.
I dyti vjen Bastian Oczipka i Eintrahtit të Frankfurtit me 85.7% të ndërhyrjeve të sakta, ndërsa më pas vjen Diekmeier i Hamburgut me 84.6%. Plotësojnë tabelën e gjashtë më të mirëve Kimisch i Bayernit të Mynihut, Abraham i Eintrahtit të Frankfurtit dhe Vestergaard i Borussias së Moenchengladbahut.
Saktësia në ndërhyrje e Mavrajt konfirmohet edhe nga statistikat që ai ka me Kolnin në këtë sezon. Është aktivizuar titullar në të gjitha ndeshjet e Bundesligës dhe nuk është zëvendësuar në asnjë rast. Edhe më interesant është fakti që në 11 takime të kampionatit është ndëshkuar vetëm në një rast me karton të verdhë, pikërisht në humbjen 1-0 me Eintrahtin e Frankfurtit. Praktikisht një mbrojtës perfekt.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e ministres

Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Nikolla dorëhiqu” dhjetëra aktivistë të Lëvizjes “Për Universitetin” dhe studentë në Tiranë protestuan përpara Ministrisë së Arsimit, duke i kërkuar ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dorëheqjen e saj.
Protesta erdhi një javë pasi një aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin” spërkati me salcë ministren Nikolla në ditën ndërkombëtare të studentëve si shenjë revolte për dështimin e reformës së arsimit të lartë.
“Jemi mbledhur këtu si studentë, pedagogë, gjimnazistë dhe aktivistë për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi. I drejtohemi znj. Lindita Nikolla si ministre e Arsimit dhe i kërkojmë dorëheqjen pasi jeni vënë në shërbim të bizneseve private që rrjepin familjet e shqiptarëve me tarifa disa mijëra euro”, tha në deklaratë “Për Universitetin”.
“Ju si ministre zonja Nikolla me udhëzimet dhe dhjetë raundet e regjistrimit vratë ëndrrat dhe të ardhmen e maturantëve. Ju shkaktuat panik masiv ministre Nikolla, ju e kaluat vijën e kuqe”, deklaruan studentët.
Protestuesit i bënë thirrje institucioneve ligjzbatuese të hetojnë skemën e regjistrimit në universitete dhe e akuzuan ministren Nikolla se e ka vënë atë në shërbim të universiteteve private.
Ata dënuan gjithashtu sulmin mediatik ndaj aktivistes së Lëvizjes, e cila hodhi salcë ndaj ministres duke brohoritur “turp”, ndërsa vetë Ruko pohoi për “BIRN” se lajmet e publikuara në të ishin ngritur mbi baza false.
“Protesta e Lëvizjes ‘Për Universitetin’ kundër reformës në arsim është një protestë e hershme që po vazhdon prej dy vitesh tashmë. Ne jemi përballur me heshtje nga Ministria e Arsimit në lidhje me kërkesat tona”, tha për “BIRN” Mirela Ruko aktiviste e “Për Universitetin”.
“Ne kërkojmë me vendosmëri dorëheqjen e ministres Nikolla, e cila ka dështuar në punën e saj”, shtoi Ruko.
Kaosi në arsimin shqiptar u thellua edhe më tej në shtator të këtij viti kur ndryshimet në minutë të fundit të skemës së pranimit në universitete dhe favorizimi i maturantëve ekselentë në fazat e para të regjistrimeve, lanë mijëra maturantë jashtë fakulteteve.
Lëvizja “Për Universitetin”, një grupim studentësh dhe aktivistësh që synojnë të reformojnë nga brenda jetën studentore u bë aktive në vitin 2014 dhe për pasojë është përplasur vazhdimisht me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, të cilat sipas Lëvizjes po veprojnë në dëm të universiteteve shtetërore për të mbrojtur interesat e universiteteve private.

Policia nuk lejon studentët të protestojnë

Studentë e aktivistë të Lëvizjes “Për Universitetin” protestuan dje kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres pas dështimit të reformës së arsimit të lartë.
Me pankarta në duar ku shkruhej “Nikolla dorëhiqu”, “Jeni ministre katastrofë”, “Me salcë e vezë studenti do ju presë” e me thirrje për dorëheqjen e Lindita Nikollës, studentët nuk u lejuan të protestonin përpara ministrisë.
Protestuesit u ndaluan nga policia me argumentin se nuk janë pajisur me leje nga policia për të protestuar përpara ministrisë.
Ky fakt u kundërshtua nga protestuesit, të cilët thanë se janë pajisur me leje nga Policia e Tiranës.
Gjithsesi, ky incident nuk e ndaloi protestën. “Armiqtë tanë nuk janë policët, por ata në godinat e qeverisë që japin urdhrat”, deklaroi një prej protestuesve.
Lëvizja “Për Universitetin” e ka kundërshtuar ligjin e arsimit të lartë që përpara se ai të miratohej. Një aktiviste e Lëvizjes, Mirela Ruko hodhi salcë mbi ministren Nikolla pak ditë më parë, në shenjë proteste.

Ambasadori i Austrisë: Ndaloni ndërtimin e HEC-eve në parqet kombëtare

Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler këshilloi qeverinë të mos ndërhyjë në parqet kombëtare. Ai u shpreh se hidrocentralet, të cilat do të ndërtohen në parqet kombëtare do të kenë ndikim negativ në turizëm.
“Për qytetarin evropian që kërkon pastërtinë dhe natyrën, [HEC-et] janë ndërhyrje të gabuara”, tha ai gjatë fjalës së mbajtur në tryezën për zhvillimin e turizmit në vend të organizuar nga Shoqata e “Konsujve të Nderit”.
Zoti Statteri theksoi se ndërtimi i HEC-eve nuk do të dëmtonte vetëm luginën e Valbonës, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend turistik në Europë.
Ambasadori nuk është i vetmi që është shprehur kundra ndërtimit të HEC-eve, më herët edhe Parlamenti Evropian (PE) i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare.
Gjithashtu, ekspertë të fondacioneve evropiane për mbrojtjen e natyrës janë shprehur se këto hidrocentrale janë të paligjshme.
Por, pavarësisht protestave dhe thirrjeve nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, qeveria nuk është tërhequr nga vendimi për të ndërtuar hidrocentrale në Parqet Kombëtare të Vjosës dhe Valbonës.

Hapje e PD, beteja me një pakicë të inkriminuar

Kryetari i PD, Basha deklaroi dje fillimin e një procesi të ri bashkëbisedimi për hapjen e PD dhe forcimin e demokracisë së brendshme. Basha tha se Partia Demokratike do të kthehet në lumin e shpresës e mundësive për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu. Kryetari i opozitës tha se nga kjo vendimmarrje priten rezultate pozitive në javët në vazhdim, që do t’i paraprijnë aksionit politik të opozitës.
“Kemi diskutuar për fillimin e një procesi bashkëbisedimi për hapjen e Partisë Demokratike dhe për forcimin e demokracisë së brendshme. Dua të ndaj me ju se këto ditë kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët dua t’i falënderoj, mesazhe të shumta inkurajimi dhe shprese, por nuk ka qenë të pakta mesazhet e dyshimit dhe të pasigurisë. Unë e kuptoj dyshimin e një shoqërie të zhgënjyer thellësisht me politikën, e kuptoj sepse në të shkuarën, edhe kur ka lindur një dritë shprese është shuar, edhe kur ka patur një mundësi reale për të ndryshuar, është zbehur. Por dua t’i siguroj ata, se ndryshimi i Partisë Demokratike, hapja e saj do të jenë të vërteta, të besueshme dhe të pakthyeshme. Makijazhet apo gjërat e lëna përgjysmë do të minonin jo vetëm besueshmërinë e Partisë Demokratike, por do të minonin shanset për një ndryshim pozitiv në Shqipëri. Ndaj, i siguroj se do të ndërtojmë së bashku me ta një proces, i cili të japë garanci të plotë se ndryshimi do të jetë i vërtetë, një ndryshim tek i cili mund të besojnë dhe të mbështeten për të përmirësuar jetën e çdokujt në Shqipëri. Procesi do të jetë i vështirë, udhëtimi ynë do të jetë i vështirë. Do të jetë i sulmuar dhe i anatemuar, nga elitat që kontrollojnë, politikën, ekonominë, median. Por jam i bindur se bashkë me shqiptarët do t’ia dalim që Partia Demokratike të kthehet në lumin e shpresës e mundësive për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu, sepse në thelb ajo që do të ndërtojmë së bashku është një Shqipëri që nuk ofron mundësi vetëm për një grusht njerëzish, të cilët duan me çdo kusht të ruajnë gjendjen aktuale, të ruajnë status quo-në, por një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë. Ky është një proces në të cilin do të përfshihen të gjithë demokratët, grupi parlamentar, Kryesia, Këshilli Kombëtar, degët e Partisë Demokratike, është një proces, i cili ka për qëllim hapjen e Partisë Demokratike për këdo që është gati dhe dëshiron të japë kontributin e tij dhe të saj për një udhëtim, i cili ka për pikëmbërritje jo thjesht dhe vetëm një rrotacion politik, por një politikë në shërbim të njerëzve e jo në shërbim të elitës dhe një grushti njerëzish. Do ta nisim brenda Partisë Demokratike, do ta nisim duke e bërë Partinë Demokratike plotësisht një parti të shqiptarëve, një parti të Shqipërisë e jo parti drejtuesish që kanë për qëllim ardhjen e tyre në pushtet dhe me rregullat, normat, parimet që do të zbatojmë, do të japim garancinë tonë me vepra, jo me fjalë, që po kështu, nesër do të ndryshojmë Shqipërinë. Kjo është një temë që ka konsumuar një diskutim në këto muaj, është diskutuar sot gjerësisht në grupin parlamentar dhe nga e cila presim zhvillime pozitive në javët në vazhdim për t’i paraprirë vendimmarrjes sonë dhe aksionit tonë politik”, tha Basha.

– Zoti Basha, a e morët në analizë sot humbjen në Kolonjë?
Për Kolonjën mund t’ju them vetëm se, kushdo që kërkonte një provë tjetër, jo se ishte e nevojshme, ja ku e ka. Në një zonë ku historikisht e majta ka qenë e avantazhuar, nuk iu përmbajtën dot nevojës për të shkatërruar procesin zgjedhor përmes shitblerjes së votës dhe presioneve siç mediat e kanë dokumentuar shumë mirë.

– Zoti Basha, flisni për një proces të vështirë, por në fakt ndoshta i referoheni të gjitha humbjeve që PD i ka patur në përballje elektorale që prej 2013-ës, në çdo sfidë, ku ju keni rezultuar humbës. Kjo është arsyeja që ju e konsideroni proces të vështirë të bashkimit, të gjithë elitave dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë?
Jo në fakt. Ajo që po mundohem të transmetoj përmes jush është diçka tjetër, që interesat e këtyre që prishin zgjedhjet, që blejnë votat, që kanë kthyer Shqipërinë në hambar droge, janë interesa miliarda euroshe dhe me këto miliarda euro që në fakt i takojnë taksapaguesve shqiptarë, në vend që të bëhen investime, në vend që të hapen vende pune, në vend që t’u vihet në ndihmë të sëmurëve, fëmijëve nëpër shkolla, përfiton një grusht njerëzish. Beteja është me këtë pakicë, me këtë elitë të inkriminuar dhe të korruptuar, e cila ka interes pasurimin e saj dhe për pasurimin e saj nuk ndalet, as para kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve, as para blerjes, kapjes dhe vënies në kontroll të medias, as para shkeljes flagrante të ligjit, as para paktit me krimin, por mund dhe do të ndalet me një aleancë të madhe qytetare, e cila duhet të besojë në një ndryshim të vërtetë, ndaj procesi do të jetë i vështirë, sepse kur ky grusht njerëzish kontrollon pasuritë e shqiptarëve, kontrollon buxhetin e shqiptarëve, do ta kuptojë se përballë nuk ka thjesht një parti politike që kërkon të vijë në pushtet, por ka një vullnet të madh politik të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve për një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në qendër të të cilit të jetë shporrja e këtij modeli, ky grusht njerëzish që kontrollojnë pasurinë sigurisht do të bëjë rezistencë të plotë me të gjitha format dhe mënyrat, siç po bëjnë edhe sot jo për hir të parimit, por për hir të milionave që fusin në xhep ditë për ditë në kurriz të shqiptarëve të papunë, të varfëruar dhe të sjellë deri në kafshatën e bukës për fëmijët dhe gjendjen më katastrofike të shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti.

– Zoti Basha, konkretisht çfarë do të thotë hapje e PD?
Ju dhe të gjithë kolegët tuaj do të keni mundësinë në mënyrë të zgjeruar dhe të plotë të bëni pyetje, të merrni informacione nga unë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e PD. Ajo që desha të njoftoj sot është që ky proces është futur në një fazë finale që bashkëbisedimi për hapjen dhe për demokracinë e brendshme në PD do të çojë në një produkt politik, në një vendimmarrje politike dhe qëllimi është të sjellim një ndryshim tek i cili njerëzit besojnë, tek një rreze drite që nuk shuhet dhe nuk do të shuhet me ardhjen e PD në pushtet, por do të ndryshojë demokracinë duke i fuqizuar qytetarët, duke i bërë ata zotërit e vërtetë të Shqipërisë, resurseve të saj, buxhetit të saj dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre.

– Ndonjë gjë konkrete?
Po mundohem të shmang arrogancën dhe cinizmin, që janë pronë e kundërshtarit politik. Mesazhi ka qenë i qartë. Ju realitetin politik e njihni. Konkretisht, kjo do të thotë që PD bëhet gati për një hapje të vërtetë, jo makijazh. Konkretisht kjo do të thotë që së bashku me demokratët do t’u ofrojmë shqiptarëve një parti politike për interesat e tyre, jo për interesat e mia apo drejtuesve të kësaj partie. Dhe ky është një proces i vështirë, por ne e dimë rrugën përmes të cilës ecet, sepse është një rrugë që shoqëritë normale e kanë bërë dhe prandaj janë shoqëri normale, drejt të cilave duan të emigrojnë sot 70% e popullsisë së Shqipërisë.

– Po ndërkohë përsa i përket demokracisë së brendshme…
Padyshim është një proces dhe nuk mund të përmblidhet në një intervistë duke qëndruar këtu në këmbë, por mund të përmblidhet në një sërë vendimesh që do t’i japin rrugë hapjes së PD, për të thithur në gjirin e saj të gjithë ata që duan të kontribuojnë që të mos ketë gardh as fizik dhe as mendor, për të dhënë kontributin e tyre në një demokraci pjesëmarrëse për qytetarët. Mekanizmat, mënyrat sesi do ta bëjmë këtë të mundur, që të mos jetë makijazh as përfaqësim i zgjedhur me dorë, por të jetë me të vërtetë produkt i besueshmërisë së re të PD në raport me dëshirën e çdo shqiptari për ndryshim, këto ne do t’i shohim e do t’i dëshmojmë së bashku.

– Kur do t’i prezantoni drejtuesit e zgjedhur nëpër qarqet e vendit sepse jeni shumë vonë duke marrë në konsideratë se pala tjetër e ka bërë këtë gjë prej kohësh?
Pala tjetër është hedhur në sulm për të ruajtur status quo-në, për të ruajtur privilegjet e tenderave, të prokurimeve që vjedhin, për të zhvatur, për të vazhduar paktin e tyre me krimin. Pra, nuk është thjesht çështje caktimi, është çështje e një përqasje të re, në thelb të së cilës do të jetë hapja, do të jetë demokracia e brendshme, kufizimi i pushtetit, dhënia e vendimmarrjes anëtarësisë së PD, garantimi i qytetarëve se ndryshimi që ne do të sjellim dhe do ta sjellim, do të jetë një ndryshim i vërtetë dhe jo makijazh. Do të jetë ndryshimi tek i cili ata mund të besojnë dhe që do të ndryshojë jetët e tyre dhe jo thjesht jetën apo fatin e drejtuesve të një partie politike.

– A do të afroni ata, të cilët janë larguar për shkak të Sali Berishës? Dhe ka plot demokratë të tillë…
Pyetja juaj është e paragjykuar se nuk mund të thuash që janë larguar prej këtij apo atij. Një gjë ju them, bashkimi i çdo demokrati në respekt të diversitetit të mendimit të çdokujt, është deviza që unë kam shpallur prej ditës së parë si kryetar i kësaj partie dhe do të jetë patjetër një nga parimet kryesore të bashkimit dhe të hapjes si procesi që do t’i japë rrugë një shprese të re për Shqipërinë dhe një politike në thelb të së cilës do të qëndrojë ndryshimi i vërtetë dhe jo thjesht rrotacioni politik.

– Ju flisni për hapje partie, por strukturat janë ende në zgjedhje dhe ende nuk e keni mbyllur. A e dëmton kjo PD?
Njëra nuk e përjashton tjetrën. Procesi i zgjedhjeve është drejt përmbylljes, është një proces që tregon dinamizmin e PD, kërkimin gjithmonë të më të mirit, të më të zotit përmes votës së anëtarëve dhe jo tekave të kryetarit, dhe është një nga themelet e punës që do të çojnë më tutje dhe do ta kulminojmë me këtë hapje të re dhe me një zgjerim të demokracisë së brendshme në PD.

– Zoti Basha, ju flisni për demokracinë e brendshme, por zoti Selami pak kohë më parë kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe nuk u realizua, nuk ja dhatë këtë mundësi, ai nuk i mbledh dot firmat.
Këshilli Kombëtar është mbledhur dhe mblidhet për të marrë vendime të rëndësishme të PD. Dhe padyshim si të gjitha forumet, si grupi parlamentar, si kryesia e PD, si Këshilli Kombëtar do të kenë rolin e tyre në vendimmarrjen që na pret. Por kësaj vendimmarrje do t’i prihet nga një bashkëbisedim i sinqertë ku çdokujt i kam kërkuar, deputetëve, kryetarëve të degëve, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, anëtarëve të PD të kontribuojnë, edhe të tjerëve, simpatizantëve, mbështetësve, pse jo edhe kritikëve tanë, të kontribuojnë pra, për një proces të vërtetë dhe jo për një makijazh. Për një proces të vërtetë nga i cili PD do të dalë si një parti moderne, përfaqësuese e vërtetë e shumicës së shqiptarëve që kërkojnë një ndryshim tek i cili mund të besojnë, jo thjesht rrotacion.

– Po ju e nisët një hapje të tillë para dy vitesh…
Hapja ka nisur para tre vitesh dhe jo para dy vitesh. Hapja ka vazhduar çdo ditë. Por sot produkti i kësaj hapje do të reflektojë aleancën tonë me qytetarët për të cilën kemi folur gjithë këto vite para betejës së madhe, për t’ia dhënë qytetarëve në dorë pushtetin që iu takon.