Banorët e Mbrostarit kanë protestuar sërish dje, kundër ndërtimit të impiantit të plehrave, duke bllokuar rrugën nacionale. Dje ishte dita e tetë e protestës, ndërsa bashkë me të rritur në protestë janë hedhur edhe fëmijët. Me parulla në duar “Ndal plehrave”, “Duam jetën”, “Lironi protestuesit”, etj., banorët bllokuan sërish rrugën nacionale, ku si pasojë u krijuan radhë të gjata makinash. Forcat e policisë mbanin të rrethuar protestuesit, por nuk kanë ndërhyrë ndaj tyre.
Në thirrjet e tyre kundër këtij ndërtimi, banorët kërkuan dje edhe lirimin e të arrestuarve nga Policia e Fierit disa ditë më parë. Një ditë më parë reagoi edhe dega e Partisë Demokratike Fier për lirimin e protestuesve. Në një deklaratë për mediat, Dega e PD Fier shprehej se, denoncon fort dhe u bën thirrje forcave të rendit të lenë të lirë banorët e Mbrostarit që kanë ndaluar në orët e vona të ditës së dielë. Dega e PD Fier bën të ditur se është në mbështetje të banorëve të Mbrostarit për protestën e drejtë që po zhvillojnë në mbrojtje të jetës së tyre.
Edhe pse qeveria me gojën e Prefektit deklaroi zyrtarisht për kthimin e vendimit të ndërtimit të impiantit të plehrave, banorët e Mbrostarit po e vazhdojnë betejën deri sa ta shohin të shkruar dhe të vulosur. Gjatë protestës së djeshme, banorët i kërkuan Prefektit të Fierit të mbajë fjalën e dhënë për anulimin e vendimit të ndërtimit të impiantit në fshatin e tyre.
Gjatë një takimi ditën e hënë, banorët takuan Prefektin Xhevit Bushaj, por kanë dalë nga zyra e tij pa shumë shpresë. Sipas banorëve, prefekti iu ka premtuar se projekti nuk do të miratohet dhe se do ta kthente vendimin në këshill, por fjalët e tij nuk i kanë bindur banorët, të cilët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat. “Prefekti na premtoi që ky impiant nuk do të ndërtohej në Mbrostar, por edhe ky na preu në besë”, tha një tjetër. Ata takuan para tre ditësh edhe kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili u deklaroi se fabrika do të ndërtohej dhe nuk do të ketë kthim pas. Banorët e revoltuar kanë dalë nga zyra e tij dhe kanë vijuar protestën para Bashkisë.
Banorët pohojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat nëse nuk tërhiqet projekti i fabrikës së plehrave. Megjithë presionin, terrorin policor dhe arrestimet në mes të natës, banorët thonë se do të jenë për çdo ditë në shesh derisa të anulohet vendimi.
Burra, gra, fëmijë, të moshuar, kërkojnë vetëm një gjë, të mos u rrezikohet jeta nga ndërtimi i fabrikës së plehrave!
Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk, Kraps dhe Portëz, ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit. Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e mazhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit.
Qeveria dhe Bashkia në vend që të dëgjojë zërin e banorëve për anulimin e fabrikës së vdekjes, siç e cilësojnë ata, ushtron presion ndaj protestuesve me arrestime dhe kërcënime. Zyrtarët mundohen ta politizojnë protestën, në një kohë që në këtë protestë janë përfshirë të gjitha banorët pa dallime partiake në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre.
Revolta në Fier, banorët: Do ta vazhdojmë betejën
‘Përgjimet’, Kryepolici Çako braktis Komisionin Hetimor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, braktisi mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Hetimor për pajisjen përgjuese të policisë, “Imsi Cathcer”. Kryepolici Çako refuzoi t’u jepte përgjigje pyetjeve të deputetëve të opozitës në këtë komision hetimor, ndërsa pas disa minutash u largua në mënyrë demonstrative. Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar, Flamur Noka e cilësoi urdhër politik largimin e Çakos nga mbledhja e komisionit. “I erdhi urdhëri që të largohej”, u shpreh Noka.
Kryetari i Komisionit Hetimor, Flamur Noka iu drejtua Çakos se ishte në dijeni për pajisjen që krijoi një megaskandal dhe e pyeti për procedurat që janë zbatuar për futjen dhe administrimin e saj. “Zoti Çako, ndryshe nga më parë besojmë se tani jeni në dijeni për këtë pajisje, sepse herën e parë thatë që nuk ishit i informuar. Tani shpresoj që jo vetëm për ne si Komision Hetimor për çështjen e pajisjes “Imsi Catcher”, jo vetëm për Kuvendin, por edhe për opinionin për këtë që u quajt një megaskandal dhe në vende të tjera ka pasur dorëheqje dhe ndjekje penale deri në nivele të larta, në Shqipëri të paktën opinioni të qartësohet për këtë pajisje dhe procedurat që janë zbatuar për futjen dhe administrimin e saj”, ishte pyetja e Nokës ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve me argumentimin se, dëmton hetimin e nisur nga Prokuroria për këtë çështje. Në mbledhje ishin të pranishëm vetëm deputetët e opozitës, pasi mazhoranca u largua që në fillim të mbledhjes.
Edhe deputetët e PS e kanë braktisur komisionin dhe u larguan menjëherë pas Çakos. Gjatë mbledhjes, deputetët e PS-së nuk dënjuan t’i bënin asnjë pyetje Çakos.
Noka vijoi mbledhjen duke u shprehur se, ne jemi ligjvënës dhe e dimë që nuk do të zbatojmë çdo dëshirë tuajën. “Nëse juve një ministër ju bën për një lek të gjithëve, ne si opozitë nuk e pranojmë. Nëse një ministër nuk jep sqarime për buxhetin, po thotë, “ikni ju se nuk ju njoh se kam punë të tjera”, ne s’e pranojmë. Askush nuk ka të drejtë të tallet me qytetarët e këtij vendi”, u shpreh Noka.
Pjerin Ndreu dhe Paulin Stërkaj e kanë injoruar totalisht çështjen për të cilën ishin mbledhur, duke mos folur fare për të dhe kanë debatuar vetëm me kryetarin e komisionit, Flamur Nokën, duke i deklaruar se ai nuk duhej ta thërriste fare komisionin! Sipas tyre, Noka i kishte fyer me sjelljen e pahijshme në Kuvend dhe madje edhe në disa raste të tjera dhe dolën në mënyrë demonstrative nga salla. “Ju vërtet jeni opozita, po ju e kaloni çdo lloj limiti. Ju fyeni jo vetëm ministrin, por edhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, që është në një moshë relativisht të madhe”, tha Stërkaj, para se të ikte nga mbledhja e komisionit.
Deputeti i PS, Pjerin Ndrehu tha se, nuk e quan të drejtë të vazhdojë në këtë komision dhe u largua nga mbledhja.
Megjithatë, kryetari Noka tha se, deputetët e PS kishin marrë porosi për ta lënë komisionin dhe për të mos u angazhuar për zbardhjen e së vërtetës lidhur me pajisjen e përgjimit “Imsi Catcher”. Ai tha se ajo pajisje kishte dhunuar të drejtat e njeriut dhe kishte vënë në rrezik, sigurinë kombëtare. Në mbledhje e mëparshme, kryetari i Komisionit, Flamur Noka, deklaroi se futja dhe përdorimi i pajisjes së përgjimit nga policia është një krim dhe ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare. Ai tha se, ka fakte dhe prova që faktojnë se, autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë përgjuar Presidentin e Republikës, deputetë të opozitës, diplomatë të akredituar në Tiranë, zyrtarë të lartë, politikanë, gazetarë e biznesmenë.
Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë kanë pranuar vetë këtu disa fakte, se ekziston një pajisje dhe kanë thënë se është përdorur për trajnim të punonjësve të policisë. Deputetët e opozitës kërkuan që t’u vihen në dispozicion, ose të bëhet këqyrja e dokumenteve, regjistrat e hyrje-daljeve në burgun 302, Peqin e me radhë. Ku janë bërë hyrje-daljet e personave dhe mjetit që ka bërë përgjimin. Të vihen në dispozicion regjistrimet nga kamerat. Janë 17 zyrtarë të lartë, të cilët do të thirren të dëshmojnë në Komisionin Hetimor parlamentar, ndërkohë që Prokuroria ka nisur një hetim për pajisjen, ku janë marrë në pyetje zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit.
R.POLISI
OSBE shikon si problem të madh zgjedhor kasetat e partive
Bernd Borchardt, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, theksoi sot rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të ODIHR për zgjedhjet e vitit 2017.
Zoti Borchardt, i ftuar në Forumin për Zhvillimin e Medias, tha se një nga 84 rekomandimet kërkon ndalimin e transmetimit të pamjeve filmike të prodhuara nga partitë politike.
“Më lejoni t’ju rikujtoj një prej rekomandimeve të dhëna nga ODIHR në vitin 2015: “Shfuqizimi i dispozitave të Nenit 84 të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme”, deklaroi ambasadori.
Deklaratat e ambasadorit vijnë pak ditë, pasi kryetari i sapozgjedhur i Komisionit Qendror Zgjedhor, Denar Biba deklaroi se “nuk ka kohë, të paktën për zgjedhjet e vitit 2017” për të bërë një reformë të mirëfilltë zgjedhore.
Ambasadori i OSBE-së shprehu gjithashtu mbështetjen për gazetarët dhe dënoi punësimin informal nëpër mediat shqiptare.
“Kjo sjell mungesën e pavarësisë editoriale dhe i hap derën presioneve të ndryshme. Ne bëjmë thirrje për zbatimin e Kodit të Punës në të gjitha kompanitë mediatike”, u shpreh Zoti Borchardt.
Rrëshkitja e dherave në Sharrë, Paloka takohet me banorët
Rreshkitja e dherave në zonën e Sharrës në Kombinat, ka rrezikuar banesat e dhjetëra banorëve, të cilëve nuk u është përgjigjur asnjë autoritet, megjithë thirrjet që kanë bërë. Dje, pranë tyre ishte deputeti dhe kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Pasi u takua me banorët, Paloka u shpreh për mediat se ka dy ditë që ka rrëshkitur dheu në këtë zone, por autoritetet nuk janë kujtuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
“Jam këtu me kërkesë të banorëve, sepse ka dy ditë që ka rrëshkitur dheu në këtë zonë. Siç e shihni edhe vetë, situata është vërtetë e rëndë. Siç duket banorët pas kërkesave të vazhdueshme që kanë bërë për t’u ardhur në ndihmë, janë ndjerë pa mbështetje dhe pa mbrojtje, duke na njoftuar ne. Më vjen mirë, që kanë ardhur emergjencat civile dhe uroj t’i japin zgjidhje sa më shpejt këtij problemi. Gjithçka duhet bërë për banorët. Nuk ka asnjë arsye, për ta përdorur politikisht, pasi jam këtu me kërkesë të banorëve meqrnëse si deputet jam angazhuar në këtë zonë, dhe shpresoj edhe një herë që gjendja të përmirësohet sa më shpejt dhe të mos rrezikohet jeta e banorëve që janë këtu”, tha Paloka.
Pas këtij sensibilizimi, në zonë u shfaqën autoritetet dhe ministri i Brendshëm. Paloka theksoi se pavarësisht se me vonesë dhe nën presionin e denoncimit mediatik, ishte mirë që më në fund autoritetet u kujtuan për këtë gjendje të rëndë të banorëve të kësaj zone.
Deputeti denoncon farsën në Komisionin e Mediave
Luçiano Boçi
E pangjarë kjo që ka ndodhur sot në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të informimit publik!
Mazhoranca nën delir të plotë, harton kalendar në klandestinitet e në kundërshtim flagrant me rregulloren e Parlamentit. Në po atë minutë thërret një nga një ministrat në dëgjesë, më saktë në raport partiak si dikur, pa njoftuar fare ose përgjate dëgjesës, opozitën. Sikur këto ministrat të na ishin “prapa dere”!
Nxituan aq shumë sa vetëm për një orë, kaluan me shpejtësi të gjithë ministritë (MAS, MK, MMS) e institucionet (RTSH, ASH etj) dhe qesh e loz, u kënaqën me “sukseset” e njëri-tjetrit! U kënaqën që e kanë degraduar arsimin me një përqindje qesharake në raport me PBB. Vetëm 2.3%, të cilën me mbledh e zbrit e me ca ndërmend e deklarojnë 2.8%. Mos harrojmë që për katër vite këta do e çonin buxhetin për arsimin në 5% të PBB! Pas shëndetësisë falas, ky është mashtrimi më madh i dytë i qeverisë Rama, që konkurron me dinjitet 300.000 vendet e punës!
U kënaqen që për arsimin e lartë kanë akorduar vetëm 0.4% dhe për shkencën 0.01% të PBB.
Sportit nuk i del përqindja fare, aq pak është financuar. Se si mund të quhet kjo maskaradë një orëshe, diskutim mbi buxhetin, vetëm këta mund ta dijnë. Frika nga llogaridhënia, ballafaqimi e faktimi i mashtrimit, prodhojnë të tilla çudira!
Parlament mjeran e qeveri qaramane!
Aksidenti tragjik, përcillet për në banesën e fundit këngëtari
Familjarë, miq dhe të afërm të Ergi Dinit, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme së bashku me shokun e tij, Kejdi Halili, përcillet për në banesën e fundit mes lotëve dhe dhimbjes që nuk bën zë. Ergi, i riu 22-vjeçar nga qyteti i Shkodrës do të përcillet në banesën e fundit pikërisht në qytetin ku lindi dhe u rrit, edhe pse jetonte në kryeqytet.
Kurora të shumta me lule, lotë dhe lutje që të prehet i qetë në paqe, janë ato çfarë shikojmë edhe në këto foto të dhimbshme që sjell “Express”. Dini dhe shoku i tij humbën jetën mbrëmë në një aksident me motor pranë ambasadës ruse në zonën e ish-Bllokut.
Ashtu siç kishin lajmëruar më herët, familja Dini hapi dyert e mortit në Shkodër, për djalin e tyre të vetëm. Në pamje shihet se familjarë, miq dhe qytetarë janë mbledhur poshtë pallatit ku jetonte këngëtari, i cili është nisur drejt banesës së fundit rreth orës 15:30. Ndarja nga jeta e 22-vjeçarit në mënyrë tragjike lëndoi familjen e tij, por dhe njerëz të artit shqiptar, të cilët nuk kursyen mesazhet e tyre të ndjera për kolegun e tyre.
Plehrat po tërhiqen, Rama anullon votimin se nuk ka votat
Kuvendi nuk do e shqyrtojë as këtë të enjte dekretin e Presidentit, megjithëse në kalendarin e Kuvendit ishte shënuar data 24 nëntor. Në respekt të afateve të caktuara nga rregullorja, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese duhej të shqyrtonte brenda të martës dekretin e Nishanit, që e cilëson në kundërshtim me Kushtetutën atë pjesë të ligjit që lejon importin e mbetjeve. “Nuk kemi ngut”, komentojnë jashtë kameras deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa motivet që vazhdojnë të mbajnë në sirtaret e Kuvendit dekretin e Presidentit, duket se kanë të bëjnë më shumë me ekuilibrat brenda mazhorancës. Rikthimi i importit të mbetjeve u prit me protesta nga Shoqëria Civile dhe Edi Rama kërkon ta ndajë përgjegjësinë me aleatin e tij kryesor, Ilir Metën. Por kreu i LSI-së është i ndërgjegjshëm se kosto elektorale, kur na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet, nuk do të ishte e lehtë.
Mazhoranca i bëri disa amendime ligjit dhe u përpoq të fitojë kohë, duke deklaruar se priste një opinion nga Komisioni Europian, i cili erdhi këtë fillim jave, duke mbështetur draftin e qeverisë. “Duke mbajtur parasysh situatën specifike të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe mungesën e një infrastrukture të përshtatshme në vend për këtë menaxhim, ne besojmë se amendamentet ndaj Ligjit të Integruar të Mbetjeve janë të mirëadoptuara dhe i përshtaten Shqipërisë në këtë moment”. Por Shoqëria Civile e ka bërë të ditur se, nuk pranon korrigjime të tekstit. Për të distancuar veten nga çdo përgjegjësi me kosto elektorale, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar javët e fundit dy takime me përfaqësues të Shoqërisë Civile. Pasi u dëgjuan nga kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, ata u pritën edhe nga Ilir Meta në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, ku duket se kanë marrë edhe premtimin që prisnin. Në të tilla kushte, gjasat janë se dekreti i Presidentit Nishani do të vazhdojë të mbetet në sirtaret e Kuvendit. Pavarësisht kësaj, seancën e kaluar, Sali Berisha nuk ua kurseu sulmet kundërshtarëve në lidhje me dekretin e Presidentit Nishani për mbetjet, duke akuzuar të majtët për mos votimin e tij. Pritja do të vazhdojë pavarësisht përgjigjes pozitive nga Brukseli. “Nuk kemi ngut”, thotë mazhoranca, për të mos thënë nuk kemi dakortësi! Rama ndjehet komod në refuzimin e Ilir Metës dhe në të njëjtën kohë qetëson deputetët e tij, si Erion Braçe, që edhe në mbledhjen e fundit të Grupit parlamentar të PS-së e kanë këshilluar Kryeministrin të presë, për të evituar koston politike.
Gjyqtari Kristo: Eksperimente me kufizimin e të Drejtave të Njeriut
Gjyqtarët nuk janë tërhequr dje përpara presioneve të hapura në sallë të deputetes së Ramës, Vasilika Hysi. Një deklaratë e fortë ka ardhur nga gjyqtari më i vjetër i trupës së Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo: “Mënyra se si ju i përgjigjeni një gjyqtari është mungesë etike. Këtu, në këtë sallë rregullat i vendosim ne”, ishte përgjigjja që gjyqtari Kristo dha për Vasilika Hysin, e cila iu drejtua me tone ofenduese një tjetër gjyqtari të Kushtetueses. Pas ndërhyrjes së gjyqtarit Kristo, Hysi ka heshtur.
Gjyqtari i Kushtetueses ka qenë më i drejtpërdrejtë me politikën, ndërsa në sallë ndodhej ambasadori amerikan, ai ka kujtuar edhe një standard të demokracisë amerikane. “Në asnjë vend nuk ndodh që Kushtetuta të kufizojë të drejtat e njeriut. Tek ne ndodh ky eksperiment. Vettingu do të bëhet dhe shumë mirë që do të bëhet. E shumta që mund të bëjë gjykata është të ndryshojë diçka. Pyetja ime është se nëse heqim ca të sëmurë dhe vijnë ca të pastër, a mos mbetet sërish mikrobi në sistem? A mos ka ardhur koha të reformohet thellë sistemi politik në vend? Është i deformuar dhe nuk kam besim se pa reformuar sistemin politik, reformat do të jenë afatgjata”, tha gjyqtari Kristo. Më pas, duke iu drejtuar ambasadorëve në sallë, Kristo tha ky ka qenë një debat i bërë në Amerikë qindra vite më parë.
“Dy janë problemet që mund ta prishin gjyqësorin: e para, korrupsioni dhe kërcënimi nga krimi i organizuar. Në SHBA u vendos për juri me qytetarët. Koha provoi që ishte vendim i drejtë. A mos ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë kështu?”.
Në fund, Kristo kërkoi edhe ndjesë: “U zgjata ca dhe ndoshta dola edhe pak jashtë statusit, por jam gjyqtari më i vjetër në sistem në mbyllje të karrierës”, tha ai.
Kushtetuesja i qëndroi vendimit të parë, pra vendosi të mos heqë pezullimin e ligjit derisa të ketë ardhur mendimi nga Komisioni i Venecias. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë Ligjin e Vettingut. Ishte Kuvendi që kishte kërkuar heqjen e masës së pezullimit ndaj Ligjit të Vettingut. (Anulimin e vendimit të parë të Kushtetueses).
Gjyqtarët kundër
Demokratët u përfaqësuan nga deputeti Oerd Bylykbashi, si dhe ekspertët ligjorë Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso.
Ndërsa PS-ja u përfaqësua nga tre deputetët: Pandeli Majko, Vasilika Hysi dhe Fatmir Xhafaj.
Gjykata Kushtetuese ka bërë palë në proces edhe Unionin e Gjyqtarëve, të cilët, ashtu si PD, kanë ankimuar Vettingun në Kushtetuese, ndërsa përfaqësohen në seancë nga kreu i UGJSH, Gerd Hoxha.
Deputeti socialist, Pandeli Majko, kërkoi nga Kushtetuesja heqjen e masës së pezullimit të Ligjit të Vettingut.
“Kuvendi, para se të parashtrojë pretendimin e saj, kërkon tërheqjen e masës së pezullimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Në çfarë motivesh është bazuar Gjykata Kushtetuese që ka pezulluar ligjin? Një standard i gjykatës që nuk gjendet në ligj”, u shpreh Majko.
Kundër kërkesës së Kuvendit u rendit kreu i Unionit të Gjyqtarëve shqiptarë, Gerd Hoxha. “Jemi kundër kërkesës së Kuvendit për heqjen e masës së pezullimit të ligjit. Ligji është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën”, tha Hoxha.
Ndërsa eksperti ligjor i PD, Gazmend Bardhi tha: “Ne jemi kundër kërkesës së Kuvendit, pasi bie ndesh me Kushtetutën. Vendimi i gjykatës nuk mund të vihet në dyshim nga askush, por respektohet dhe bazohet. Vetë Kuvendi pranon që situata në legjislacion vendimi për pezullim nuk publikohet menjëherë, por kur mbyllet shqyrtimi”.
Reagimi i PD
Palët, Partia Demokratike, Unioni i Gjyqtarëve dhe Kuvendi, i cili u përfaqësua nga deputetët socialistë ritheksuan pozicionet e tyre. Ndër të tjera Gazmend Bardhi i demokratëve kërkoi që t’u hiqej ILDKP dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave roli kryesor në Vetting, rol të cilin duhet ta kryejnë dy organet e reja që krijohen me Kushtetutë, çka u kundërshtua nga socialistja, Vasilika Hysi.
Pyetja e gjyqtarëve është nëse konsiderohen në konflikt interesi, pasi Vettingu do të veprojë dhe mbi ta. Palët në proces kujtuan të kundërtën, pasi kanë shënuar një precedent për këtë.
Seanca nisi me kërkesën e socialistëve për heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë që trupa e gjyqtarëve e rrëzoi. Çfarë pritet pas kësaj është mbërritja e opinionit nga Komisioni i Venecias dhe vendimi përfundimtar i gjykatës mbi kushtetutshmërinë e ligjit.
Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e Ligjit të Vettingut duke rrëzuar kërkesën e paraqitur në emër të Kuvendit nga Pandeli Majko për heqjen e tij, ndërkohë që ka nisur shqyrtimin në themel të kërkesës së Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve për shfuqizimin e këtij ligji.
Opozita dhe gjyqtarët pretendojnë në ankimim se, ligji shkel Kushtetutën. Gjatë kërkesës për heqjen e pezullimit, Pandeli Majko tha se “Ende nuk është mësuar arsyeja se përse ligji është pezulluar”. “Të hiqet pezullimi i Ligjit të Vettingut sepse edhe sot ne nuk dimë arsyet se përse Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar atë”, deklaroi Majko.
“Në dijeninë time, në asnjë vend Gjykata Kushtetuese nuk interpreton ndryshimet kushtetuese, ndaj po flasim jashtë temës”.
Ndërkohë, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi ruajtjen e pezullimit duke deklaruar se ligji “Rrezikon vendin e punës për shumë gjyqtarë dhe prokurorë”.
I pranishëm në sallë, veç përfaqësuesve të opozitës dhe Unionit të Gjyqtarëve si palë të interesuara, ishte edhe ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Kurse kryetari i Kushtetueses, Bashkim Dedja tha se bazuar në Kushtetutë dhe në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë nuk i arsyeton vendimet e ndërmjetme, por vetëm përfundimtaret.
Kush do t’i hetojë tani ministrat e korruptuar?
Çfarë do të ndodhë me prokurorin e Përgjithshëm? Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, i cili hyri në fuqi dje, zvogëlon kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm. Tashmë prokurori i Përgjithshëm nuk ka më të drejtë: Të hetojë zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj. Të marrë vendime për karrierën e prokurorëve – emërim, komandim, transferim, shkarkim.
Këto kompetenca i kalojnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucion i ri i krijuar në kuadrin e reformës në drejtësi.
Ligji i për Prokurorinë u miratua në fund të muajit shtator vetëm me votat e mazhorancës. Ai është një nga shtatë ligjet plotësuese të reformës në drejtësi.
Hyrja në fuqi e këtij ligji mund të ishte një risi në rastin kur është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mirëpo mosngritja e Këshillit sjell një ngërç të fortë ligjor dhe mund të jetë paralizues për institucionin e akuzës. Tani zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive mund të festojnë sepse nga njëra anë prokurorit të Përgjithshëm i ndalohet që të hetojë ndaj tyre dhe nga ana tjetër Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk funksionon. Pyetja që ngrihet është se kush do ta ketë të drejtën që të hetojë zyrtarët e lartë, kush mund të vendosë para drejtësisë, ministrat apo edhe vetë prokurorët dhe gjyqtarët kur institucionet jo vetëm që nuk janë ngritur, por kanë paralizuar njëri-tjetrin? Ne kemi një prokuror të Përgjithshëm, i cili nuk mund të hetojë zyrtarët e lartë sepse ia ndalon ligji. Në letër kemi një institucion si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili mund ta bëjë këtë detyrë, por kjo është vetëm në ligj, pasi në praktikë ky institucion nuk funksionon. Atëherë kush përfiton nga ky ngërç i reformës në drejtësi? Natyrisht që të përfituarit e vetëm në këtë rast janë ministrat hajdutë dhe zyrtarët e tjerë të lartë që vazhdojnë të rrjepin qytetarët e këtij vendi. PD depozitoi dje një kallëzim penal ndaj ministrit Beqaj për aferën e të famshmit check up dhe ku vlera e abuzimit financiar vetëm për një segment të kësaj kontrate kap vlerën e 16 milionë eurove. Po kush do ta hetojë Beqajn tani që ligji i ri për Prokurorinë ka hyrë në fuqi? Kjo është një pyetje, e cila deri tani nuk ka një përgjigje.
Arben SHAHINI
70 vjet nga Masakra e Maliqit
Mes të pushkatuarve Zyraka Mano shtatzënë
70 vite më parë, në tetor të vitit 1946, me urdhër të Prokurorit Ushtarak, Nevzat Haznedari, u arrestuan dhe u dërguan menjëherë prapa hekurave të qelisë një grup intelektualësh nga më të iluminuarit që kishte Shqipëria e asaj kohe, të cilët ishin diplomuar në universitetet më të njohura të Perëndimit. Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra, Jani Vasili, Vasil dhe Zyraka Mano, Pandeli Zografi, Mihal Stratobërdha, Vasil Risto, si dhe dy shtetasit italianë, Eugenio Scaturo e Mario Guarnieri, të njohur ndryshe nga propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës si “Grupi sabotator tekniko-inxhinier i Kënetës së Maliqit”, më 18 nëntor të po atij viti, u nxorën para një gjykate ushtarake speciale të improvizuar, ashtu siç ndodhte në atë kohë në të gjitha vendet e Lindjes Komuniste. Dhe pas disa seancash gjyqësore të zhvilluara plot bujë në sallën e kinema “Nacional” në qendër të Tiranës, ku merrnin pjesë e asistonin edhe gazetarë të huaj e misionet ushtarake, jugosllave, sovjetike, franceze, britanike e amerikane që ishin atashuar në Shqipërinë e porsadalë nga lufta, ajo trupë gjykate ushtarake speciale iu dha pesë të pandehurve dënimin kapital. Dy me varje dhe tre me pushkatim, ndërsa të tjerëve burgime të përjetshme. Akuza kryesore ndaj tyre ishte se gjoja ata kishin sabotuar punimet për tharjen e Kënetës së Maliqit dhe kishin pasur lidhje me agjenturën-anglo-amerikane, të kryesuar nga Harry Fultz. Dhe direkt pas këtij gjyqi, misioni amerikan, i kryesuar nga Harry Fultz, në shenjë proteste u largua përfundimisht nga Shqipëria, çka çoi automatikisht edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve. Në fakt, i gjithë ky proces gjyqësor nuk do të shërbente për gjë tjetër, veçse për demaskimin dhe diskreditimin e amerikanëve në Shqipëri në përgjithësi dhe figurës së Harry Fultz-it në veçanti. Dhe kjo, pasi prej vitesh diplomati dhe inxhinieri i mirënjohur amerikan, Harry Fultz, vijonte të zhvillonte veprimtarinë e tij në dobi të zhvillimit të ekonomisë dhe arsimit profesional shqiptar.
Dënimi sipas arkivave të Sigurimit të Shtetit
Republika Popullore e Shqipërisë. Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Lartë Ushtarake.
Akt-Gjykim. Në emër të popullit shqiptar, Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Lartë Ushtarake për gjykimin e sabotatorëve të Maliqit, i formuar prej N/Kolonel Gaqo Floqit, Kryetar, Kapiten i.I. Veledin Zeneli, anëtar Kapiten.I. Nexhat Hyseni anëtar, i asistuar prej Sekretarit Aspirant, Thoma Rino dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit Kapiten i.I. Nevzat Haznedari, sot më datën 18 nëntor 1946 ora 11 paradite, i mbledhur në sallën e kinemasë “Nacional” në Tiranë dha këtë Vendim:
Këta persona akuzohen për shkak se kanë kryer,
a) Vepra sabotazhi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike.
b) Vepra spiunazhi në favor të agjentëve të huaj.
c) Kanë formuar një grup tekniko-profesional për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit e si pasojë për të ndryshuar gjendjen e stabilizuar në vendin tonë, në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe reaksionin e jashtëm.
Në procesin gjyqësor të rrjedhur botërisht dhe faqësisht të pandehurit Abdyl Sharra, Mario Guarnieri dhe Jani Vasili përfaqësohen prej avokat Burhan Rusi: Vasil Mano, Zyraka Mano, Pandeli Zografi e Mihal Stratobërdha përfaqësohen prej avokat, Efthim Cancos dhe Kujtim Beqiri, Eugenio Scaturo e Anastas Risto, përfaqësohen prej avokat Vasil Xhajës. Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Lartë mbasi shqyrtoi procesverbalet e mbajtura kundra të pandehurve nga organet e Sigurimit të Shtetit. Mbasi shqyrtoi procesverbalet e mbajtura prej Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë Ushtarake. Mbasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve. Mbasi dëgjoi pretencën e prokurorit, i cili kërkoi fajësinë e gjithë të pandehurve dhe dënimin e Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit me vdekje, duke u varur në litar. Të Vasil Manos, Zyraka Manos, Pandeli Zografit dhe Eugenio Scaturos me vdekje me pushkatim. Të Mario Guarnierit me burgim të përjetshëm, të Mihal Stratobërdhës me 15 vjet burgim, të Anastas Ristos me 5 vjet burgim dhe të Jani Vasilit me 1 vit burgim kondicional dhe për të gjithë të dënuarit me 5 vjet e lart konfiskimin e pasurisë të luajtshme e të paluajtshme.
Mbasi dëgjoi mbrojtjen e avokatëve dhe fjalën e fundit të të pandehurve, të cilët kërkuan lehtësimin e fajit të tyre.
Konstaton: Qysh në verë të vitit 1945 në bashkëpunim me agjentë të huaj formohet një grup tekniko-profesional për të kryer shkatërrime e sabotime në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike për të minuar pushtetin në sektorin më vital të ekonomisë kombëtare dhe me konsekuencë të pakësojnë rezistencën e popullit shqiptar, duke dëshiruar një ndërhyrje të monarko-fashistëve grekë dhe të reaksionit të jashtëm. Për të kurorëzuar qëllimin e mësipërm dhe aktivitetin e tyre antipopullor, të pandehurit Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e Zyraka Mano bashkë me elementë të tjerë janë vënë në kontakt herë mbas here me agjentët e reaksionit të huaj të maskuar me funksione legale, për t’u shërbyer qëllimeve të tyre imperialiste bëhen spiunë dhe vegla të verbra në shërbim të tyre. Konsekuentë të vijës së tyre politike antipopullore, të pandehurit Abdyl Sharra, ish-oficer i fashizmit dhe i rrethuar nga një ambient familjar, që u vu në dispozicion të Ballit e të okupatorëve dhe Kujtim Beqiri, anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit në Vlorë në kohën e okupacionit filluan me anë të agjitacionit dhe propagandës të villnin vrer kundra pushtetit të rekrutojnë elementë antipushtet, të mbjellin disfatizëm për ta prezantuar gjendje të paqëndrueshme dhe ndërhyrjen e reaksionit grek e ndërkombëtar të paevitueshëm. Me metoda të ndryshme, duke abuzuar me besimin që u kishte ngarkuar pushteti, i përvishen punës shkatërrimtare të sabotimit me vullnetin e tyre të veprave të sapo ndërtuara.
Aktiviteti i tyre kriminal filloi pikërisht të merrte hov të gjerë me zbatimin e planit të ri të pushtetit. I pandehuri Kujtim Beqiri, i emëruar si inxhinier drejtues i aksionit të rinisë në rrugën Kukës-Peshkopi, sabotoi një pjesë të rrugës në sektorin B, kurse i pandehuri Abdyl Sharra, i emëruar drejtor i punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqit, para se të nisej për në krye të detyrës, merr udhëzime nga agjentët e huaj në Tiranë, duke u shpërblyer me një rrogë të përmuajshme prej 50 stërlinash. Njëkohësisht, Abdyl Sharrës iu dhanë premtime se në të njëjtën mënyrë do të shpërbleheshin gjithë elementët e tjerë që do të bashkëpunonin me të. Qysh prej mbërritjes së tij e deri më 26-27 korrik 1946 që u largua nga përgjegjësia si drejtues i Kantierit të Maliqit, i pandehuri ushtroi një aktivitet antipopullor të gjerë: rekrutoi të pandehurit Jani Vasili, Zyraka Mano, Vasil Mano, Pandeli Zografin, Mihal Stratobërdhën dhe fashistët Eugenio Scaturo dhe Mario Guarnierin. Në këtë mënyrë, ata bënin shpeshherë mbledhje të fshehta për të sabotuar programin e pushtetit të ri popullor. Në këtë mënyrë: Abdyl Sharra i ndihmuar nga Mihal Stratobërdha dhe Mario Guarnieri saboton punën në kanalin kryesor, i pandehuri Vasil Mano sabotoi punën në ofiçinën e kantierit, Pandeli Zografi sabotoi instalimin e linjës së dekovilave dhe lokomotorëve, Eugenio Scaturo sabotoi në intendancë dhe ushqime, Jani Vasili sabotoi punën në gurore. E pandehura Zyraka Mano ishte në lidhje të vazhdueshme midis grupit sabotator dhe agjentit të huaj. Në përgjithësi, anëtarët e këtij grupi sabotatorësh të kryesuar fillimisht prej Abdyl Sharrës dhe më pas prej Kujtim Beqirit, iu kushtuan me plot ndërgjegje punës sabotuese në çdo ndërmarrje. Duke përfituar nga dijenia tekniko-profesionale, si dhe nga përgjegjësia që u ishte ngarkuar nga pushteti, penguan në mënyra të ndryshme dhe të rafinuara mbarëvajtje dhe përfundimin e punimeve brenda datës 1 tetor 1946, të caktuar në planin e përgjithshëm të shtetit. Zbatuan keq dhe së mbrapshti planin për punimin e çeljes së kanalit, nuk veshën skarpatet me mur, nuk bënë briljet çdo 50 metra, nuk filluan punën për ndërtimin e urës në kohën e caktuar, sabotuan argjinaturat etj. Të gjitha këto i bënë me qëllim që t’i zvarrisnin punimet deri në sezonin e shirave.
Përpiluan statistika dhe relacione të rreme për të mashtruar pushtetin. Organizuan keq dhe jo në proporcion të drejtë ndarjen e punës, sistemimin e kanalizimeve, dëmtuan rëndë arkën e shtetit etj. Veprimtaritë kriminale të më sipërme të të pandehurve Abdyl Sharra, Vasil Mano, Zyraka Mano, Kujtim Beqiri, Pandeli Zografi, Mario Guarnieri, Eugenio Scaturo, Mihal Stratobërdha, Jani Vasili e Anastas Ristos e kanë kryer në mënyrë të organizuar dhe konspirative. Sado që avokatët mbrojtjës u përpoqën të lehtësojnë fajin e të pandehurve, duke pretenduar se ishin të mashtruar nga reaksioni i huaj dhe se një pjesë e tyre janë dalluar për aktivitet në lëmin e rindërtimit, por këto nuk janë shkaqe serioze ose ligjore për të lehtësuar fajësinë dhe nga ana tjetër është taktika e sabotatorëve qysh në krye për të fituar besimin ndaj organeve të pushtetit, me qëllim që më vonë të sabotojnë sa më tepër për të mos u diktuar. Për këto arsye, Këshilla Gjyqësore e Gjykatës së Lartë Ushtarake në pjesën më të madhe në konformitet me kërkimin e prokurorit dhe pjesërisht në kundërshtim me të, në bazë të Neneve 1 të Ligjit Nr.21 dt. 15 dhjetor 1944 mbi sabotatorët dhe 15, 17, e 18 të Ligjit Nr.41 dt. 14 janar 1945, mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake.
Vendosi
Fajësinë e gjithë të pandehurve duke i cilësuar si sabotatorë e armiq të popullit dhe ndëshkimin e tyre si vijon:
1) Abdyl Sharra. Me vdekje duke u ekzekutuar me varje në litar.
2) Kujtim Beqiri. Me vdekje duke u ekzekutuar me varje në litar.
3) Vasil Mano, me vdekje me pushkatim.
4) Eugenio Scaturo, me vdekje me pushkatim.
5) Zyraka Mano, me vdekje me pushkatim.
Për 5 të dënuarit. Me vdekje, urdhërohet ekzekutimi i tyre në Maliq.
6) Pandeli Zografi. Me burgim të përjetshëm.
7) Mario Guarnieri. Me burgim të përjetshëm.
8) Mihal Stratobërdha. Me 10 vjet burgim me punë të detyrueshme.
9) Anastas Risto. Me 2 vjet burgim me punë të detyrueshme.
10) Jani Vasili. Me 1 vit burgim kondicional me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira.
Për 8 të dënuarit e parë, urdhërohet konfiskimi i pasurisë së luajtshme e së paluajtshme personale dhe me humbjen e të drejtave qytetare e politike.
Ky vendim është i prerë.
Tiranë, më 18 nëntor 1946 Kryetar (N/Kolonel Gaqo Floqi) dhe Sekretar (Aspirant Thoma Rino).
(Marrë nga AMB, dosja hetimore gjyqësore nr. 1080 aktakuza e Prokurorisë së Gjykatës së Lartë Ushtarake nr. 98-107 dt 06.11.1946, aktgjykimi nr.17 dt 18.11.1946).
Vendimet u ekzekutuan të gjitha në Kenetën e Maliqit ku u mblodhën me dhunë mijëra qytetarë përfshi edhe fëmijët e shkollave fillore. Zyraka Mano në kohën e pushkatimit ishte shtatzënë.