16.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Merkel, motori i vetëm i BE-së

E rrethuar nga populizmi, Angela Merkel duhet t’i mbajë lart flamujt e BE. Të paktën për një periudhë kohe, mendon Bernd Riegert. Ajo ka një përparësi të madhe. Ka qenë gjithmonë aty ku është. Të paktën kjo është ndjesia. Asnjë kryetar tjetër qeverie evropiane nuk ka qëndruar më gjatë në post se Angela Merkeli. May-t, Renzi-t, Rajoy-t, Tsipras-it dhe Hollande-t shkojnë e vijnë. Politikania më me ndikim e Evropës është gjithmonë aty. Ajo qëndron si një shkëmb në furtunën e populizmit dhe të nacionalizmit në rritje në shtetet fqinjë. Ende. Edhe për katër vjet të tjera ajo do të luajë rolin e kështjellës mbrojtëse dhe të hartojë kompromise evropiane. Një aftësi që duhet vlerësuar pafundësisht në këto kohë krize.
Por edhe për sa kohë do të funksionojë kjo? Edhe për sa kohë do të mjaftojë mënyra e saj modeste, herë pas here edhe jopasionante, për ta drejtuar BE? Në Spanjë, në Itali, në Holandë, në Danimarkë dhe madje edhe në Greqi, qeveritarët janë të të njëjtit mendim se pa Merkelin në Evropë nuk bëhet asgjë. Në Poloni, në Austri, në Hungari, në Britaninë e Madhe dhe ndoshta së shpejti edhe në Francë, mendojnë ndryshe. Atje Madame Merkeli shihet për shembull si pengesë për ta përfunduar krizën e refugjatëve me përsosjen e kështjellës Evropë.

Merkeli ende nevojitet
Populizmin në rritje, para së gjithash nga e djathta si në Francë dhe në Holandë, por edhe nga e majta, si në Itali, kancelarja e përjetshme nuk do të jetë në gjendje ta kundërshtojë e vetme. Sepse ajo ka një problem në rritje edhe në vendin e saj. Për mbështetësit e “Alternativës për Gjermaninë” (AfD), Merkeli nuk është pa alternativë. Përkundrazi, për provokuesit e mallkuesit e djathtë ajo është objekti i urryer numër 1. Në qoftë se ajo nuk do që “efekti Trump” të ketë sukses edhe në Gjermani dhe që pakënaqësitë antievropiane dhe nacionaliste të bëhen tepër të fuqishme, atëherë asaj duhet t’i lindin ide të reja. Dhe për këtë asaj i nevojiten evropianët e tjerë.
BE duhet të ofrojë një vlerë të shtuar të dallueshme, përndryshe për Merkelin ajo do të kthehet në fushatën elektorale jo në kënaqësi, por në barrë. Brexit-i që ecën me pasiguri dhe kuturu, presidenti i paparashikueshëm në veprime i SHBA, Donald Trump dhe para së gjithash presidenti rus që duket i paparashikueshëm në veprime, Vladimir Putin mund ta kufizojnë shumë aftësinë për të vepruar të BE dhe ta vënë në një provë të rëndë solidaritetin e evropianëve. Kancelares i duhet të luftojë njëkohësisht në shumë fronte politike.

Në klubin e pashallarëve
Dhe nuk mungon as autokrati Recep Tayyip Erdogan, për bashkëpunimin e të cilit Merkeli ka nevojë. Vetëm me Turqinë funksionon frikësimi dhe sprapsja e refugjatëve në kufirin juglindor të Evropës. Prej kohësh kancelarja ka kaluar nga lejimi në mbyllje. Me ndihmën e Italisë dhe të shteteve afrikanoveriore ajo do ta zbatojë këtë së shpejti edhe në Mesdheun Qendror. Vetëm në këtë mënyrë mund t’ia presë ajo ujin e mullirit Alternativës për Gjermaninë kundër migrantëve dhe të mbajë në linjë partinë simotër bavareze, CSU. Vetëm një “edhe më tej kështu” nuk do ta çojë përpara Angela Merkelin në pesë vitet e ardhshme, po t’i fitojë zgjedhjet. Ajo duhet të zhvillojë ide të reja, për të luftuar kundër pakënaqësisë, ksenofobisë, injorancës dhe klubit të pashallarëve nga Uashingtoni, në Moskë deri në Ankara. Ndoshta do të mund t’ia dalë mbanë. E sigurtë kjo nuk është. Nuk është kaq shumë fjala për Merkelin si person. E nevojshme është para së gjithash një spirancë stabile evropiane në qendër. Një Gjermani stabile, e suksesshme ekonomikisht, e hapur. Këtë ende e përfaqëson Angela Merkeli.

Trump, takime për formimin e qeverisë

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump thotë se së shpejti do të bëjë emërime të reja për qeverinë e tij dhe po premton se ata do të jenë “njerëz shumë të aftë”.
Të hënën ai u takua me dy kandidatura të mundshme për kabinetin e tij, ish-guvernatorin e Teksasit, Rick Perry, njëri prej republikanëve të cilin Trump e mundi në garën për të siguruar emërimin e partisë dhe me guvernatoren e Oklahomës, Mary Fallin.
Zoti Perry është një kandidaturë e mundshme për postin e sekretarit të Energjisë ose atë të Mbrojtjes, ndërsa zonja Fallin për sekretare e Brendshme, një ministri që mbikëqyr parqet dhe pyjet e vendit. Zoti Trump, po ashtu është duke u takuar me aleatin e tij politik prej shumë vitesh, ish-kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich.
Zoti Trump u takua dje në qendrën e tij luksoze të golfit në Bedminster të Nju Xhersit, me dy nga mbrojtësit e tij më të palëkundur gjatë fushatës së zgjatur presidenciale, me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani dhe guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie.
Zoti Giuliani është simbol i qëndrueshmërisë amerikane kundër terrorizmit islamik pas sulmeve terroriste të vitit 2001 në Nju Jork dhe në Uashington. Megjithëse ka pak eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ai ka kërkuar emërimin si sekretar Shteti, që është posti më i lartë diplomatik i vendit.
Zëvendëspresidenti i zgjedhur, Mike Pence, i tha kanalit “Fox News” se Mitt Romney, ish-kandidat republikan për president në vitin 2012, u takua të shtunën me zotin Trump dhe se është duke u marrë në konsideratë për postin e sekretarit të Shtetit, së bashku me personalitete të tjera të shquara amerikane.

Putin, masa kundër zgjerimit të NATO-s

Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia do të ndërmarrë masa për t’iu përgjigjur zgjerimit të NATO-s në vende kufitare me Rusinë.
Në komente të bëra për një dokumentar të realizuar nga kineasti amerikan Oliver Stone, i cili transmetohet këtë javë nga televizioni rus “REN-TV”, zoti Putin aludon se aneksimin i Krimesë u nxit nga shqetësimet për fatin e Sevastopolit ku ndodhet flota ruse e Detit të Zi.
Presidenti Putin tha se shfaqja e forcave amerikane dhe të NATO-s në Sevastopol do të kishte qenë “tepër serioze”.
Ai shtoi, siç duket duke iu referuar mundësisë që Ukraina do të anëtarësohet në NATO “Kur një vend bëhet anëtar i NATO-s, e ka shumë të vështirë t’i rezistojë presionit nga një vend i madh si Shtetet e Bashkuara, udhëheqësi i NATO-s”.
Pasi një vend futet në NATO, tha zoti Putin, “çdo gjë” mund të shfaqet në atë vend, përfshirë një sistem për mbrojtjen nga raketat, baza të reja dhe një sistem sulmues me raketa.
“Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet të marrim masa reaguese, duhet t’i kërcënojmë këto objekte që për mendimin tim përbëjnë kërcënim për ne”, tha ai.
“Nuk e kuptoj gjithnjë logjikën e partnerëve tanë”, shtoi zoti Putin. “Nganjëherë më duket se ata kanë dëshirën t’i nënshtrojnë, t’i mbajnë nën disiplinë pjesëtarët e kampit perëndimor, kampit të ashtuquajtur Atlantik. Kjo kërkon ekzistencën e një armiku të jashtëm. Megjithë frikën që krijon, Irani nuk e përmbush këtë rol”.
Ndërkaq, agjencia ruse e lajmeve “Interfax” njoftoi të hënën se ushtria ruse ka dislokuar raketa moderne Bastion për mbrojtjen e vijës bregdetare në Kaliningrad, një zonë e banuar me rusë në Detin Baltik, mes Polonisë dhe Lituanisë.
Po të hënën, kreu i komitetit të mbrojtjes pranë Këshillit Federal rus tha se raketa balistike Iskander dhe raketa të mbrojtjes ajrore S-400 do të vendosen në Kaliningrad, skaji më i largët perëndimor i territorit rus.

Fushata zgjedhore në Maqedoni

Fushata zgjedhore e saposhpallur zyrtarisht në Maqedoni do të zgjasë 20 ditë dhe do të përfundojë më 9 dhjetor në mesnatë. Në zgjedhjet e parakohshme marrin pjesë 11 subjekte politike, gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista të kandidatëve.

BDI: E ardhmja e Maqedonisë është vetëm Evropa
Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti konventën zgjedhore në Shkup, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit. Vota për BDI-në është votë për vazhdimin e rrugës euroatlantike që ka për qëllim kjo parti, si dhe për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratat e reja të këtij vendi, ka theksuar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. BDI do të angazhohet për mirëqenien sociale dhe ekonomike, barazinë e plotë të shqiptarëve të Maqedonisë në të gjitha fushat, si dhe përfundimin e proceseve të integrimit euroatlantik të vendit, premtoi Ahmeti.
Sipas liderit të integristëve, opsion i vetëm për shqiptarët është integrimi në BE dhe NATO, dhe të gjitha ideologjitë e tjera e kthejnë vendin mbrapa. “Kemi punuar me të tëra energjitë tona që kemi pasur, që vendi ynë, kombi ynë të jetë i rreshtuar pranë kombeve të Europës Perëndimore, jemi përpara situatave ku duhet më shumë forcë dhe guxim të veprojmë, të mendojmë si një trup, sepse rruga jonë euroatlantike nuk duhet penguar, nuk duhet ndalur. Rruga jonë e vetme është rruga euroatlantike e jo rrugë të tjera që përpiqen të trasojnë rrugë euroaziatike”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ahmeti gjithashtu u bëri apel subjekteve të tjera politike që në vend të përpjekjeve për të shkatërruar BDI-së, të koncentrohen në krijimin e një platforme të mirëfilltë politike.

“Aleanca për shqiptarët” kërkon shtet binacional
“Aleanca për shqiptarët” ka mbajtur konventën zgjedhore, ku ka prezantuar platformën dhe kandidatët për deputetë. Tre parti politike garojnë në këtë koalicion-UNITETI, Lëvizja për Reforma në PDSH dhe Rilindja Demokratike Kombëtare. “Aleanca për shqiptarët” synon barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoni si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë institucional, duke filluar që nga institucionet më të larta të shtetit ka deklaruar kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.
“Ne në asnjë moment nuk do të tërhiqemi nga shteti binacional ose barazia e tërësishme mes shqiptarëve dhe maqedonasve ose bashkë shqiptarët këtu do t’i bëj me federatë. Ne nuk do të lejojmë që dikush tjetër ta bëjë zyrtare gjuhën, e cila ka zbrit nga Zoti vetë, gjuhën shqipe do ta bëjmë ne”, deklaroi kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.
“Aleanca për shqiptarët” premton ndryshime kushtetuese në të mirë të shqiptarëve, ndarje të buxhetit lokal, ku komunat vetë do të rregullojnë buxhetin e tyre dhe luftë për shtet të së drejtës. Ajo kërkon që Prokuroria Speciale të rregullohet me Kushtetutë dhe të vazhdojë me punë të suksesshme për nxjerrjen para gjyqësisë të të gjithë atyre që kanë shkelur ligjet.

VMRO-DPMNE: Premtim për prosperitet
Lideri i VMRO-DMPNE-së, Gruevski është i sigurt se qytetarët e Maqedonisë do të votojnë për përparimin dhe prosperitetin e vendit, platformë që, sipas tij, e ofron vetëm VMRO-DPMNE. Sipas tij, VMRO-DPMNE garon me projekte dhe afate konkrete për realizimin e tyre në katër vitet e ardhshme. “Pjesë e programit janë projektet për paga dhe pensione më të larta, subvencione bujqësore, autostrada, hekurudha dhe kapacitete të reja energjetike, mbështetje më e madhe financiare për kompanitë, si dhe shumë përfitime për të filluar biznese, zvogëlimi i papunësisë, zona zhvillimore rurale, në të cilat investuesit potencialë për çdo fabrikë të hapur do të marrin stimulim financiar nga shteti dhe lirime nga tatimet, rritje e asistencës sociale dhe investime në shëndetësi dhe arsim”.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski gjatë prezantimit të platformës ka theksuar ndërkohë edhe qëndrimet e partisë që ai drejton për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe ka akuzuar shërbimet e huaja dhe opozitën në vend për krizën politike që tashmë, sipas tij, dy vjet e gjysmë po i mban peng qytetarët e Maqedonisë. “Deklarata e Zaevit për modelin zviceran për Maqedoninë, duke e zyrtarizuar gjuhën shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë, vetëm e vërteton atë që e kam thënë më herët. Qytetarët e Maqedonisë asnjëherë nuk do të votojnë propozimet e Zoran Zaevit për ta ndarë Maqedoninë që të futet në krizë më të thellë etnike”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

LSDM: Vëmendje të rinjve
Ndërsa programi zgjedhor i LSDM-së i kushton vend të posaçëm të rinjve. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka prezantuar platformën e LSDM-së, e cila, sipas tij, është drejtpërdrejtë e lidhur me të rinjtë në çdo segment të saj, pasi në platformë bëhet fjalë për të ardhmen që ju takon pikërisht të rinjve. “Ky është programi ynë zgjedhor, e kemi quajtur ‘Plan për jetë në Maqedoni’ me 100 mijë kopje dhe çdo faqe e saj ka pjesë për të rinjtë, të gjitha faqet madje edhe kur flasim për pensionistët, për gjeneratat më të vjetra, flasim se si t’i shpëtojmë nëpërmjet ndihmës së të rinjve, që pensioni të mbetet te ata, gjithçka i është kushtuar të rinjve”.
Për Zaev pas 11 dhjetorit do të kemi inkuadrim të drejtpërdrejtë të të rinjve në politikat tona. Kjo përbërje parlamentare do të ketë më së paku shtatë të rinj, grup për herë të parë, të cilët do të jenë direkt të kyçur në shtëpinë më të fortë shoqërore ose shtëpia më e rëndësishme e kësaj shoqërie demokratike dhe ajo është Parlamenti i Maqedonisë.

Vetëvrasja politike e Theresa May

“The Indipendent”
Theresa May duket se ka ngritur perspektivën e futjes së Britanisë së Madhe në marrëveshjen tranzitore të Brexit me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian në vitin 2019, në vend që të kërkojë një shkëputje të plotë. Ajo tha për “CBI” se, bizneset britanike duan ta shmangin “buzën e greminës” gjatë periudhës 2-vjetore.
Një zëdhënës i Downing Street tha më pas se një sërë çështjesh janë duke u shqyrtuar nga zyrtarët – edhe pse më pas u përpoqën të përhapnin spekulime se cilat ishin këto çështje. Por çfarë është në të vërtetë marrëveshja tranzitore me Bashkimin Europian dhe çfarë do të sillte ajo në terma praktikë?

Çfarë është marrëveshja tranzitore?
Nuk e dimë me siguri duke qenë se Kryeministrja britanike vazhdon t’i mbajë letrat e saj shumë të fshehura, duke mos dhënë asnjë detaj për këtë çështje. Megjithatë, kjo marrëveshje mendohet se do të bëjë që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Europian deri në vitin 2019, siç është planifikuar, por duke hyrë menjëherë më pas në një marrëdhënie të ngushtë tregtie me pjesën tjetër të bllokut, siç ka bërë Norvegjia si pjesë e Zonës Ekonomike Europiane.
Kjo mendohet të jetë diçka e lehtë për t’u arritur duke qenë se institucioni i Zonës Ekonomike Europiane ekziston dhe është funksional, pra Britania e Madhe nuk do të ketë nevojë të krijojë nga hiçi një mjedis të ri bashkëpunimi. Kjo marrëveshje mund të zgjasë për një periudhë të caktuar kohe, ndoshta për 2 vjet.
Një plan i tillë tranzicioni duket se është rekomanduar nga firma këshillimore “Open Europe” gjatë muajit gusht dhe tani po merret në shqyrtim nga qeveria britanike. Raoul Ruparel, ish-kreu ekzekutiv i “Open Europe”, është bërë tashmë një këshilltar i ngushtë i sekretarit të Brexit, David Davis.

Përse duhet kjo marrëveshje?
Kjo marrëveshje do të bënte të mundur që Britania të qëndronte brenda tregut të përbashkët. Në këtë mënyrë, do të përfitonte të gjithë avantazhet, siç është tregtimi i të mirave dhe shërbimeve pa tarifë shtesë brenda kontinentit. Bankat me qendër në Britaninë e Madhe do të vazhdonin të ruanin “pasaportën” e tyre, që do të thotë se nuk do të kenë nevojë të transferonin një numër të madh stafi jashtë Londrës për të garantuar vazhdimësinë e operacioneve të tyre kontinentale. Britania e Madhe do të kishte gjithashtu mundësi të firmoste marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet të tjera përreth botës dhe të rifillonte kontrollin e plotë të industrive të peshkimit dhe agrikulturës.

Po lëvizja e lirë e njerëzve?
Edhe ajo do të vazhdonte. Norvegjia lejon lëvizjen e lirë të njerëzve brenda Bashkimit Europian, njëlloj si anëtarët e tjerë të Zonës Ekonomike Europiane. Por, nga ana tjetër, a nuk është kjo marrëveshje njëlloj si të jenë anëtar i plotë i Bashkimit Europian? Në fakt ka disa kufizime më shumë.
Përveç lëvizjes së lirë dhe pagesave buxhetore, Mbretëria e Bashkuar duhet të pranojë dhe të implementojë rregullat e tregut të përbashkët pa pasur asnjë influencë mbi rregullat që e formulojnë duke qenë se nuk do të ishte më anëtare e Këshillit Europian apo e Parlamentit Europian dhe nuk do të kishte asnjë Komision Europian.

Një vetëvrasje politike për Theresa May?
Mënyra se si ajo dhe ministrat e saj po përpiqen ta shpjegojnë është që teknikisht, Britania e Madhe do të ndodhej jashtë institucioneve të Bashkimit Europian. Ajo mund të theksojë gjithashtu natyrën e përkohshme të kësaj marrëveshjeje tranzitore dhe avantazhet praktike të marrëveshjes janë të dukshme.
Shumë ekspertë tregtarë janë tepër dyshues kundrejt fizibilitetit të Britanisë së Madhe për të negociuar jo vetëm kushtet e divorcit Brexit me Bashkimin Europian në vitin 2019, por edhe të një marrëveshjeje të re tregtie me bllokun deri atëherë.

Shqetësimet e Brexit
Teksa koha kalon pa asnjë marrëveshje të suksesshme dhe të kënaqshme në tavolinë, Britania do të detyrohet të tregtojë me pjesën tjetër në bazë të kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë, gjë që do të shtonte tarifa të larta në të mirat e eksportuara. Më pas ka edhe mbi 50 marrëveshje të tjera të tregtisë së Bashkimin Europian me vende të tjera të botës, që nga Koreja e Jugut e deri tek Meksika. Pasi nuk do të jetë më palë e asnjë prej këtyre marrëveshjeve, Britania e Madhe do të detyrohet të negociojë marrëveshje të tjera individuale me secilin shtet deri në vitin 2019.

Shumë punë për dy vite
Theresa May mund të argumentojë se të gjitha këto janë thjesht të pamundura për t’u arritur dhe se mënyra e vetme për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian deri në vitin 2019 dhe të shmanget “buza e greminës” për eksportuesit britanikë, është të miratohet marrëveshja tranzitore. Duket si diçka që mund të bëhet, por media pro Brexit, konservatorët dhe UKIP-i mund të nuhasin një tradhti të rëndë në rast se kjo marrëveshje vihej mbi tavolinë.
Ata do të kenë frikë që marrëveshja tranzitore do të kthehej në një marrëveshje të përhershme – ndoshta edhe një prelud i rikthimit të Britanisë në Bashkimin Europian sipas nevojës, në rast se ndryshon opinioni publik për Brexit. Kjo është arsyeja përse që tani kanë filluar lobimet për të miratuar një Brexit të egër pa asnjë vonesë tjetër dhe arsyeja përse Kryeministrja May e ka kaq të vështirë edhe ta përmendë marrëveshjen tranzitore. Ndoshta ajo do të vendosë ta mbajë si plan rezervë, i cili do të vendoset në tavolinë vetëm në rast se negociatat shkojnë keq ose zvarriten shumë pasi t’i bëhet thirrje nenit 50.

Fillon, ndryshimi që po kërkon Franca

François Fillon si person privat është një tifoz pasionant i garave me makina. Në qytetin e tij Le Mans, të famshëm për garën 24-orëshe, ai udhëton ndonjëherë edhe vetë me automjete të shpejta. Politikisht ai deri tani nuk ka qenë ende në pistën e parakalimit.
Sepse për një kohë të gjatë, François Fillon ka luajtur rolin e politikanit të radhës së dytë. I zellshëm, besnik, por jo fare në dritën e projektorëve. Karriera e Fillonit mund t’i kishte ngjarë asaj të një pasardhësi të dështuar të fronit. Por në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake në kampin borgjez-konservator Fillon papritur e parakaloi atë që besohej si favorit, Alain Juppe edhe Nicolas Sarkozy-në. Papritur Fillon tani ka shanse që në zgjedhjet e balotazhit të dielën e ardhshme kundër Juppe-së të zërë vend lart në shkallët e fitimtarëve. Politikani profesionist 62-vjeçar tani mund të hyjë më në fund në Pallatin Elysee.

Serioz në vend të një personi të rrethuar me skandale
“François Fillon përfaqëson seriozitet absolut”, i thotë politologu Dominik Grillmayer nga Instituti gjermano-francez Ludwigsburg “DW”-së. Në daljet në publik ai të lë përshtypjen e njeriut “të menduar, modest dhe sovran”. Fillon ka punuar për pesë vjet, nga viti 2007-2012 si kryeministër nën Presidentin Nicolas Sarkozy pa rënë në sy negativisht. François Fillon është i pari kryeministër i Francës, i cili ka arritur të qëndrojë për një mandat të plotë në post nën një president. Më parë Fillon ka qenë ministër për Çështje Sociale dhe pastaj ministër i Arsimit.
Në elitën politike ai konsiderohet figurë e pastër. I lindur në Le Mans të Francës Veriperëndimore, ai përfaqëson vlera klasike katolike. Juristi i diplomuar konsiderohet si konservator i flaktë. “Mariage pour tous”, martesën për homoseksualët, edhe një të drejtë adoptimi për çiftet e së njëjtës gjini ai e kundërshton. Ai vetë është i martuar që prej 36 vjetësh dhe ka pesë fëmijë me gruan e tij. Ata jetojnë në një kështjellë të shekullit të 12-të në departamentin jugperëndimor Sarthe. Fillon përfaqëson një kurs të djathtë, kritik ndaj fesë islame. Jo më larg se vjeshta u botua libri i tij për “islamin radikal”. Fillon dëshiron t’i kontrollojë më fort xhamitë dhe t’i arrestojë njerëzit që kanë pasur kontakt me organizata si milicia terroriste Shteti Islamik. Veç kësaj, të huajve ai kërkon që t’u vështirësohet qasja në sistemin social dhe të shëndetësisë. Fillon kërkon edhe një kufi të sipërm për migrantët.

Përfaqësues i vijës së fortë dhe me ide liberale në ekonomi
Programi i Fillonit përfaqëson edhe një liberalizëm të fortë ekonomik. Ai e admiron ish-kryeministren britanike, Margaret Thatcher. Ish-kryeministri synon t’i shkurtojë me 100 miliardë shpenzimet shtetërore dhe të eliminojë veç kësaj 500.000 vende pune në shërbimin publik. Ai nuk ndalet as para “lopëve të shenjta” të Francës: ai kërkon të eliminojë javën me 35 orë pune, që është në fuqi prej dekadash në Francë dhe të rrisë moshën e daljes në pension. Njëkohësisht kërkon të ulë dukshëm taksat dhe shpenzimet për sipërmarrjet, për ta bërë Francën sërish të aftë për konkurrencë.

Zgjidhës problemesh apo përçarës i shoqërisë?
Filloni e paraqet veten si zgjidhës problemesh, thotë eksperti për Francën, Grillmayer. Por me programin e tij të diskutueshëm liberal ekonomik ai “guxon shumë”. Jo vetëm të majtët, por edhe kampi i tij e akuzon se po e përçan shoqërinë. Sepse Fillon konkurron me një program radikal. Kërkesat e tij u ngjajnë në shumë vende atyre të populistëve të djathtë. Por ndryshe nga rasti i Sarkozy-së, zgjedhësve Fillon u duket më i besueshëm. Bindjet e tij janë të njohura prej vitesh. Me një kod vlerash katolik, konservator dhe kapitalist, Fillon-i ka kohë që jeton. Nëse Fillon-i do të mund ta parakalojë vërtet më 27 nëntor Juppe-në dhe të lërë pas edhe Marine le Penn-in, kjo nuk mund të parashikohet. Garën për zgjedhjet presidenciale ai ende nuk e ka fituar.

Serzh Orie mungon ndaj Arsenalit

Futbollisti i PSG, Serzh Orie, nuk lejohet të hyjë në Britaninë e Madhe dhe si rrjedhojë do të humbasë ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit. Ylli i Bregut të Fildishtë pritej të udhëtonte sot drejt Londrës bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, për duelin e të mërkurës në “Emirates Stadium”.
Megjithatë, autoritet policore i kanë refuzuar atij hyrjen në vend, për shkak të një dënimi që Orie ka marrë vitin e kaluar, pasi sulmoi një polic. 23-vjeçari aktualisht po e apelon vendimin, por për policinë angleze, ai nuk mund të hyjë në vend derisa të ketë sqaruar plotësisht situatën e tij.
Ai u dënua me dy muaj burg, pasi goditi me bërryl një polic në një klub nate në Paris dhe autoritetet e emigracionit në Angli mendojnë se kjo u jep atyre të drejtën që t’i bllokojnë hyrjen.
Klubi i PSG-së reagoi i indinjuar ndaj këtij vendimi, i cili sipas tyre kishte ardhur shumë vonë. “PSG ndjen keqardhje që prezumimi i pafajësisë nuk ka influencuar vendimin e Britanisë. Edhe UEFA i dha mbështetje të plotë PSG-së rreth kësaj çështjeje, për të ruajtur integritetin e aktiviteteve të saj.
Na vjen keq sidomos, që autoritetet britanike komunikuan vendimin vetëm në orën 14:00 të ditës së sotme, edhe pse klubi punon prej 6 ditësh për të gjetur një zgjidhje për t’i mundësuar lojtarit tonë të udhëtojë me shokët e skuadrës në Londër”, shkruhej në reagimin e PSG-së.

Klopp kërkon lojtarë te Southampton

Liverpool kërkon të bëjë “pazar” në shtëpinë e Southampton. “The Reds” janë të gatshëm të derdhin në arkat e skuadrës së drejtuar nga Claude Puel, 40 milionë Paund për dy lojtarë. Bëhet fjalë për dyshen e mbrojtjes Virgil van Dijk dhe Sam McQueen. Holandezi në dy vitet e fundit është konsideruar ndër më të mirët në Premier League në rolin e tij, ndërsa anglezi McQueen ka impresionuar me paraqitjet e tija në këtë sezon. Lojtarët pëlqehen shumë nga trajneri Jurgen Klopp, i cili i shikon si përfocimet ideale në repartin e tërhequr.

Grizman më “urren”

Kristiano Ronaldo ka dhënë një intervistë të gjatë për “France Football”, ku tregon për revistën shumë gjëra nga viti i tij i suksesshëm 2016, ku fitoi trofetë më të rëndësishëm në rang klubi dhe kombëtareje. Revista franceze ka publikuar sot disa pjesë të kësaj interviste në të cilën portugezi ka zbuluar se si ishte takimi i tij i parë pas Europianit me francezin, Antuan Grizman, të cilin e kishte mundur si në finalen e Ligës së Kampioneve, ashtu edhe në Kampionatin Europian.
Atmosfera para finales së Europianit
“Jam i bindur se, qetësia është çelësi i gjithçkaje. Ne e dinim që kishim një avantazh të madh, nuk ishim favoritë. Francezët mendonin se do të fitonin lehtësisht… të paktën kjo ishte përshtypja që na ishte krijuar ne… Kur filluam nxemjen në fushë i pashë francezët pak si shumë të qetë. I pashë që po qeshnin shumë. Sigurisht, që mund të qeshësh para një ndeshje, por nëse dukesh shumë i lumtur… Edhe gjestet e tyre tregonin një siguri të dukshme… Unë e kisha këtë ndjesi për ta dhe si kapiten më shërbeu për të motivuar shokët e skuadrës”.
Ndjesia para ndeshjes
“Pas fjalëve të Fernando Santos, isha i bindur që Franca do të sulmonte 50 herë dhe ne do të detyroheshim të mbronim. Por kisha edhe ndjesinë që ne do të na krijoheshin një ose dy mundësi dhe do të arrinim të shënonim”.
Roli i tij
“Nuk kam bërë një fjalim grupi, por si kapiten kam folur me secilin lojtar. Objektivi im ishte që t’u hiqja trysninë, ndaj për secilin kishte nga një mesazh të veçantë. Pepe për shembull, i cili është një lojtar me eksperiencë, i kërkova që të gjallëronte më të rinjtë. Edhe unë fillova të ndjehesha pak më nervoz se zakonisht, por mbi të gjitha duheshin ndihmuar të tjerët dhe t’u transmetoja atyre një energji pozitive”.
Dëmtimi
“Hyra në dhomat e zhveshjeve në mënyrë që mjeku i kombëtares të më bënte një diagnozë të shpejtë. Isha keq, qaja. Mendoja se isha shumë keq. Mjeku më siguroi që jo, por unë vazhdoja të qaja”.
Takimi me Grizman
“Është e çuditshme, pasi pak ditë pas finales, kur isha në pushime në Majami, u takova me Antuan Grizman në një restorant, ku po darkonte bashkë me të fejuarën e tij. Ai erdhi e më takoi në tavolinë dhe më tha me të qeshur “Kristiano, të urrej’”.

Benzema edhe mund të rikthehet te Franca

Trajneri i përfaqësueses franceze, Didier Deschamps i hap dyert e gjelave, sulmuesit të Realit të Madridit, Karim Benzema. Në një intervistë për mediat franceze, numri 1 i 1-herë kampionëve të Botës la të hapura mundësitë që ish-lojtari i Lyonit të rikthehet të luajë me ekipin përfaqësues. Deschamp në fjalën e tij bëri të ditur se, arsyeja që ai nuk është mbështetetur te Benzema gjatë kësaj periudhe ka patur të bëjë vetëm me faktin se lojtari u përfshi në çështjen Valbuena, duke i bërë shantazh këtij të fundit.
Megjithatë, Deschamps u tregua i gatshëm për të grumbulluar sërish në kombëtaren franceze 28-vjeçarin edhe pse për diçka të tillë duhet të vendosin instancat më të larta të shtetit, sepse skandali në cilin u përfshi Benzema i kaloi përmasat e futbollit, duke u kthyer në një çështje kombëtare, pasi në lojë ishte imazhi i shtetit francez në sytë e Europës dhe Botës. “Benzema ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren franceze, por më pas ndodhën gjëra të çuditshme, kur marr disa vendime të caktuara, unë e bëj për të mirën e ekipit”, theksoi trajneri i gjelave. Benzema ka që nga tetori i vitit 2015 që nuk grumbullohet në kombëtaren franceze, por Deschamps la të kuptohet se situata në të cilën ndodhet futbollisti nuk do të jetë e njëjtë pas 4 muajsh apo ndoshta 1 viti.