Këtë të shtunë në orën 18:30 luhet klasikja e futbollit gjerman. Në Signal Iduna Park, Borussia e Dortmundit pret Bayern Munich në një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël dhe emocione të shumta. Dortmundi aktualisht numëron 6 pikë më pak se bavarezët e Karlo Ançelotit në tabelën e klasifikimit, por në një sfidë të tillë nuk ka favoritë dhe diçka të tillë e lanë të kuptohet në intervistat e tyre, mbrojtësi brazilian i Bayern-it, Rafinha, por edhe kapiteni Philip Lahm, i cili vlerësoi maksimalisht Dortmundin. Nëse skuadra e Thomas Tuchel vjen në këtë sfidë pas fitores bindëse me shifrat 5-2 ndaj Hamburgut në transfertë, Bayerni shkon në Westfali pas barazimit zhgënjyes ndaj Hoffenheim-it në shtëpi, hap fals ky që i lejoi debutuesve të Leipzigut t’i bashkoheshin ekipit të Ançelotit në kuotën e 24 pikëve në krye të Bundesligës.
Megjithatë, problemet janë të shumta për Bayernin në vigjilie të klasikes së futbollit gjerman. Përveç Jerome Boateng, trajneri Karlo Ançeloti për arsye dëmtimi nuk mund të ketë në dispozicion tre lojtarë të tjerë me peshë për këtë sfidë. Kështu, Arjen Robben, Arturo Vidal dhe Javi Martinez, janë në dyshim të madh për duelin e kësaj të shtune. Të tre futbollistët nuk u stërvitën me grupin këtë të enjte dhe me shumë gjasa do të mungojnë ndaj Borussias së Dortmundit. Robben dhe Martinez kanë probleme fizike, ndërsa Vidal u largua i dëmtuar nga sfida mes Kilit dhe Uruguay-it. Drejtuesit e Bayern-it i kishin kërkuar federatës kiliane të futbollit të mos e aktivizonte lojtarin në atë sfidë, pasi Vidal kishte probleme, por këta të fundit nuk pranuan dhe tashmë pasojat duhet t’i vuajë Bayerni.
Bayerni me mungesa ndaj Borusia Dortmund
Agolli është me tifozët: Policia u shkeli të drejtat themelore
Një çështje e rëndësisë madhore jashtë së cilës nuk mund të qëndronte dhe kapiteni i Kombëtares. Ansi Agolli rreshtohet përkrah tifozëve kuqezi për sa i përket trajtimit të pamerituar që ju rezervua nga forcat e rendit gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael. Nëpërmjet një komunikimi në profilin e tij në Facebook, kapiteni e nis me një farë ndjese në lidhje me rezultatin e asaj sfidë, duke pranuar që në skuadër nevojitet reflektim dhe ka nevojë që të gjithë të punojnë për të sjellë paraqitje më të mira në ndeshjet e radhës. Megjithatë, thelbi ka të bëjë me trajtimin ndaj tifozëve kuqezi që së fundmi deklaruan se do të bojkotojnë kombëtaren në ndeshjet brenda si pasojë e terrorit policor, që ju nënshtruan gjatë sfidës me Izraelin.
Agolli shprehet se, masat ekstreme të sigurisë krijuan tension të tepruar e madje me shprehjen se, këto masa “Vështirësuan jetën dhe lojën për të gjithë ne”, le të kuptohet se klima e pazakontë pati ndikimin e saj edhe te futbollistët e kombëtares. Një trajtim i pakuptimtë ky i tifozëve nga forcat e rendit sipas Agollit, që shkon madje edhe më tej kur kujton se siguria në stadium nuk mund të realizohet në shkelje të të drejtave themelore të njeritu, siç është padyshim Lëvizja e Lirë, duke sjellë në vëmendje rastin e ndalimit të Shvercerave që nuk u lejuan nga forcat e rendit të kalojnë kufirin me Shqipërinë për të ndjekur ndeshjen. Në fund kapiteni kuqezi e mbyll komunikatën e tij me urimin, që tifozët kuqezi të rikthehen në stadium, pasi kombëtarja luan për ta.
Tifozët: Nuk kthehemi në stadium
Tifozët kuqezi nuk do të rikthehen në stadium. Pavarësisht letrës së hapur nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, zemra e tifozerisë shqiptare kërkon respekt dhe heqjen e masave drastike nga ana e policisë në dëm të tyre. Disa prej drejtuesve të tifogrupit të Kombëtares Shqiptare, bëjnë të qarta pikat ku nuk bien dakort me sjelljen e forcave të rendit. Gerti Peshkopia dhe Gentian Xhengo sqarojnë shkaqet e vendimit drastik të marrë nga “Tifozët kuqezi”.
“Janë marrë masa drastike ndaj nesh. U ushtrua presion shumë i madh. Këto masa nuk janë regjistruar vetëm në ndeshjen e fundit, por po përsëriten në vazhdimësi”, tha Gerti Peshkopia.
“Gjithçka nisi që në ndeshjen me Portugalinë dhe vazhdoi me Serbinë e me radhë. Heqja e simboleve, por edhe ndalimi i bluzave dhe banderolave janë disa nga shkaqet pse e kemi marrë këtë vendim”, tha Gentian Xhengo.
Për Sajmir Çollakun, “Tifozët kuqezi” meritojnë trajtim ndryshe, ashtu siç ndodh në stadiumet jashtë vendit ku ata kanë qenë të pranishëm përherë. “Ne nuk jemi terroristë. Kërkojmë të mbështesim Kombëtaren dhe duam një trajtim sa më normal, ashtu siç ndodh në çdo stadium jashtë”, u shpreh Çollaku.
Për “Tifozët kuqezi”, shkaktari kryesor i kësaj situate është policia dhe bojkoti do të prishet vetëmm nëse forcat e rendit nuk do të veprojnë me dorë të hekurt ndaj tyre.
“Federata ka punën e saj. Ne nuk merremi me federatën. Gjithçka që kërkojmë është që të mos ketë policë në tribuna. Vendimi për largimin nga stadiumi i takon kryesisë, por jam i sigurt se do të jetë në fuqi për Lihtenshtejnin dhe të gjitha ndeshjet miqësore që Shqipëria do të luajë në vendin tonë”, tha Peshkopia.
Në fund, përfaqësuesi i tifogrupit “Tifozët kuqezi” ka një mesazh të qartë, ku kërkon që të gjitha simbolet e lejuara nga UEFA, të mos pengohen nga policia.
Nëse “Tifozët kuqezi” nuk do të bëjnë një hap pas në qëndrimin e tyre, atëherë ata nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e fundit eliminatore të shtëpisë kundër Lihtenshtejnit, por edhe në miqësoret që do të zhvillohen deri në fund të vitit tjetër.
Romanjoli rrezikon të humbë derbin

Verdikti i ardhur dje në pasditen e vonë fut jo pak në telashe Milanin, në pritje të derbit kundër Interit. Alesio Romanjoli, i cili u detyrua të dilte në fundin e pjesës së parë të sfidës Itali-Gjermani, iu nënshtrua dje vizitave mjekësore, të cilat konfirmuan një tërheqje modeste muskulore të muskujve të brendshëm të kofshës së djathtë. Dhe pavarësisht se dëmtimi nuk duket i rëndë, gjendja e lojtarit do të monitorohet me kujdes deri të dielën paradite, për të kuptuar nëse lojtari do t’ia dalë ose jo. Prandaj, kaq ka mjaftuar për të vënë në alarm stafin mjekësor të kuqezinjve, por akoma më shumë trajnerin e Milanit, Vincenzo Montellën, i cili nuk e kishte llogaritur absolutisht këtë dëmtim, që i prish jo pak plane.
Natyrisht që kreu i pankinës do të ishte i lumtur nëse lojtari do të luante edhe duke shtrënguar dhëmbët, sepse Alesio Romanjoli është pa dyshim lideri i repartit defensiv, por nëse ai luan pa u riaftësuar plotësisht, ekziston rreziku që dëmtimi të përkeqësohet dhe diçka e tillë mund të prishte planet e një sezoni të tërë.
Për këtë arsye, gjithçka rreth 21-vjeçarit do të mbahet nën kujdes të plotë, ndonëse pak orë pas daljes së përgjigjes së analizave, nga “Milanelo” vinin lajme se Romanjoli me 60 për qind nuk do të jetë pjesë e derbit të Milanos.
Kjo do të thotë se në nxehje kanë dalë menjëherë jo vetëm paraguaiani Gustavo Gomes, që do të vijë jo pak i lodhur nga Amerika e Jugut dhe minutat e akumuluara me kombëtaren e tij, por edhe kolumbiani Kristian Zapata, i cili ka punuar rregullisht në Milano, duke konfirmuar se tani është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi që pësoi në verë.
Nëse Vincenzo Montella do të jetë i detyruar të ndërrojë lojtarë në mbrojtje, për arsye dëmtimi, në sulm ai ka dyshime që lidhen me formën që po kalojnë lojtarët në dispozicion të tij. Pa dyshim që, duke u nisur nga eksperienca e madhe mbi shpatulla, Karlos Baka duket se nuk ia mohon askush një bluzë titullari kundër Interit, por forma e fundit dhe euforia që ka pushtuar Xhanluka Lapadulën, pas golit të fitores me Kievon dhe grumbullimit në kombëtare, vë realisht në dyshime trajnerin.
Në të njëjtën kohë, golashënuesi më i mirë i Serisë B në sezonin e kaluar është një sulmues që di të sakrifikohet dhe të bëjë shumë herë më shumë presion te rivalët kundrejt Bakës, prandaj këto cilësi mund të jenë shumë të rëndësishme për të vendosur një derbi, prandaj këto pikëpyetje do ta tundojnë jo pak Montellan.
Pioli beson te Interi
Ashtu si Roberto Mançini dy sezone më parë edhe Stefano Pioli e nis me derbin ndaj Milanit aventurën e tij në krye të stolit të Interit. Një start i ndërlikuar për ish-trajnerin e Lazios, të cilit i është besuar detyra e vështirë për të rikthyer skuadrën zikaltër në rrugën e duhur pas një fillimi aspak pozitiv të sezonit. Megjithatë Pioli është gati dhe nuk ka frikë, madje 51-vjeçari beson se të dielën në mbrëmje në “San Siro”, do të jetë skuadra e tij që do të triumfojë në derbin e Milanos. Pioli e nisi me një grup të cunguar futbollistësh punën e tij te Interi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, megjithatë prej pak ditësh ai ka në dispozicion edhe elementë të tillë si Candreva, Eder, Brozovic, Perisic, Jovetic e Joao Mario.
Në pritje të amerikanojugorëve, trajneri italian mesa duket e ka përcaktuar formacionin me të cilin do të zbresë në fushë Interi ndaj kuqezinjve të Vincenzo Montellas. Por për trajnerin e ri të Interit pak rëndësi ka se kush do të luajë, e rëndësishme është që ata futbollistë që do të zbresin në fushë të shfaqin më të mirën e tyre dhe të ndihmojnë skuadrën për të marrë fitoren. Me një lider si Icardi në fushë, i cili do të kërkojë të zhbllokohet sepse nuk i ka shënuar asnjëherë Milanit, Pioli ka besim se Interi i tij do të marrë tre pikët në derbi.
Në profilin e tij në Twitter klubi zikaltër ka përcjellë deklaratat e para të trajnerit Stefano Pioli për derbin ndaj Milanit në pritje të konferencës për shtyp, të cilën 51-vjeçari do ta zhvillojë këtë të premte dhe jo të shtunën siç duhet të ishte në program. “Janë emocione të forta, të cilat duhet të na lejojnë të shkojmë në këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë përqendrim dhe vendosmëri. Sepse duam që derbi të jetë i yni”. Me këto fjalë Stefano Pioli ndez derbin e Madoninës me shpresën se të dielën, Interi i tij do të zhvillojë një ndeshje të madhe dhe do të marrë një fitore që mbi të gjitha do të rikthente qetësinë në shtëpinë zikaltër.
Edhe ish-presidenti zikaltër, Massimo Moratti beson se derbin do ta fitojë Interi, por gjithsesi parashikon një derbi të ekuilibruar. “Sigurisht mendja më shkon tek Icardi, por Interi ka futbollistë të tjerë që mund t’i japin fitoren. Derbi i Milanos është gjithmonë një sfidë shumë tërheqëse dhe sigurisht e veçantë. Ne nuk shkojmë si të favorizuar, por zakonisht kur situata është e tillë fiton Interi”, u shpreh Moratti.
Tek zikaltrit Moratti veçon Icardin, ndërsa te Milani vlerëson punën e trajnerit të Milanit, por edhe talentin e Donarummas. “Montella po tregon se është një trajner shumë i mirë, me të në krye po bëjnë mirë. Te Milani mund të veçoj Donarummën, ai është pika më e fortë e tyre”, tha ish-presidenti i Interit. Moratti beson se me Piolin Interi mund të arrijë objektivin Champions, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Gjithsesi skuadra dhe trajneri duhet të mos dorëzohen pavarësisht vështirësive.
“Daily Star”: Murinjo do Hysajn tek Manchesteri
Bëhen gjithnjë e më të fortë zërat për interesimin e Jose Murinjos për Elseid Hysajn. Pasi u bë i ditur nga mediat italiane, lajmi gjen konfirmim edhe në Angli me të përditshmen “Daily Star”, që jep detaje të tjera interesante të merkatos së United ku del me të njëjtin konkluzion, The Special One ka gati ofertën prej 25 milionë paundsh për Elsied Hysajn. Jose Murinjo ka shënjestruar yllin e Napolit, pasi është gati të përjashtojë nga skuadra dy futbollistë. Bosi në “Old Trafford” ka vendosur se Chris Smalling dhe Darmian nuk bëjnë më pjesë në planet e tij afatgjata dhe është gati t’i nxjerrë në merkato. Për këtë arsye Murinjo kërkon Hysajn, që e ka piketuar futbollistin e kombëtares shqiptare si një specialist në krahun e djathtë të mbrojtjes, por që mund të operojë edhe në qendër të këtij reparti.
Edhe “Daily Star” thekson se pavarësisht se Hysaj u ble për vetëm 5 milionë euro nga Napoli, së fundmi shkodrani ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me skuadrën italiane që në asnjë mënyrë nuk do ta shiste atë lirë. Napoli deri më tani e ka konsideruar Hysajn të pashitshëm si të domosdoshëm për planet e trajnerit Sarri, por në futboll e sidomos në merkato kurrë nuk mund të thuhet kurrë dhe përballë një oferte të jashtëzakonshme De Laurentiis mund të tundohet. Nga Franca vijnë ndërkohë sinjale se Napoli është duke u interesuar për mbrojtësin e djathtë të PSG, Serge Aurier çka të bën të mendosh se në klubin italian nuk duan të gjenden të papërgatitur në rast të një largimi të mundshëm të Hysajt, për të cilin parashikohet një merkato e nxehtë në janar.
Bashkë me bursën piramidë humbin paratë
Pas lajmit mbi ndërprerjen e veprimtarisë së shoqërisë Easy Invest si platformë investimi online, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (Autoriteti) ka sqaruar në një deklaratë publike se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti.
AMF tërheq vëmendjen e publikut se investimi në aksione, tituj të borxhit, valuta, etj., përmes platformave të tregtimit online shoqërohet me rrezikun e humbjes së plotë të vlerës së investimit, ndaj publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, të cilat plotësojnë kërkesat rregullative lidhur me aftësitë profesionale, administrimin e rrezikut dhe transparencën ndaj klientit. Në çdo rast, investimi duhet të kryhet mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto investime.
AMF kërkon që përpara se të bëhet regjistrimi si “biznes” i subjekteve të tilla që kryejnë veprimtari financiare online apo në çdo formë tjetër, të kërkohet informacion pranë autoritetit mbikëqyrës përkatës, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të kërkesave ligjore.
Autoriteti fton publikun dhe autoritetet e tjera të interesuara të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, të cilët veprojnë si agjentë të platformave të investimit online, të cilat gjenden në faqen zyrtare të Autoritetit.
Autoriteti, si ent rregullator që licencon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve në fushën e titujve, ka vepruar në përputhje me kërkesat ligjore respektive për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Në zbatim të këtyre kërkesave, Autoriteti ka mbështetur diskutimin mbi potencialin dhe rreziqet e investimeve të publikut përmes portaleve të tregtimit online, në mbledhjen e janarit 2016 të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF).
Autoriteti thekson se do të vijojë të ndjekë këtë çështje me përparësi, në zbatim të kërkesave ligjore dhe duke nxitur bashkëpunimin efektiv me autoritetet e tjera publike të interesuara, përfundon deklarata për shtyp e Autoritetit.
Mbyllja e Easy Invest
Easy Invest, një nga platformat e investimeve online, ka mbyllur aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë.
Lajmi u njoftua nga kreditorët e kompanisë pranë “Monitor”, të cilët janë braktisur që në korrik të këtij viti pa asnjë sqarim.
Easy Invest që funksiononte si një platformë investimi online, në korrik të këtij viti mbylli web-in “www.easyinvest.al” nën shënimin “under construction”.
Gjithashtu, adresa fizike e kompanisë në rrugën “Donika Kastrioti”, pallati 14, kati i parë në Tiranë, nuk i përket më kësaj kompanie.
Kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duke kaluar në pezullim statusin e saj, që në korrik të këtij viti, por pa lajmëruar asnjë nga investitorët, duke lënë pas vetëm humbje.
Bursat online janë një fenomen mjaft i përhapur dy vitet e fundit. Teksa interesat në banka janë ulur ndjeshëm dhe është forcuar procesi i kontrollit të burimit të parave në banka shumë persona kanë zgjedhur bursat online si forma të përshtatshme investimi.
Mirëpo teksa tregu i mbushur plot dhe këto subjekte që as nuk kanë licencë dhe as nuk mbikëqyren, falimentet kanë nisur.
Reagon banka: Mister shkaqet e rënies së euros
Në kushtet ku deficiti i llogarisë korrente në 6-mujorin e parë ka qenë dy herë më i lartë se një vit më parë, tendencë kjo edhe në muajt në vijim, monedha vendase, leku, në vend që të nënçmohet, është forcuar.
Banka e Shqipërisë, në raportin periodik të politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, vuri në dukje se tendenca mbiçmuese e lekut u përforcua në muajt korrik dhe gusht, periudhë në të cilën kursi euro/lekë regjistroi vlerën mesatare prej 136.5 lekë/euro ose 2.3% më poshtë se një vit më parë.
Banka gjithashtu ka arsyetuar se ky forcim i lekut po vjen nga një ofertë e lartë e monedhës euro në treg, së cilës i është përgjigjur një kërkesë e dobët për euro.
Prania e pazakontë e euros në treg vjen në kushtet kur burimet e furnizimit të ekonomisë së vendit me euro janë përkeqësuar. Eksportet vendase që janë furnitori kryesor i kësaj valute janë përkeqësuar dukshëm këtë vit. Gjatë periudhës nëntëmujore ato ranë me 4.6%, duke i sjellë ekonomisë së vendit rreth 60 milionë euro më pak se njëjta e vitit të kaluar.
Gjithashtu të ardhurat nga emigrantët në 6-mujorin e parë ishin gjithashtu 4.6% më të ulëta se një vit më parë. Të ardhurat nga turizmi kanë vijuar me një bilanc modest, duke mos e justifikuar ofertën e madhe në treg të valutës europiane.
Banka e Shqipërisë thotë se ecuria e kursit euro/lekë, në tremujorin e tretë të vitit, ka reflektuar prezencën e prurjeve të larta valutore sezonale. Për rrjedhojë, tendenca mbiçmuese e lekut u përforcua në muajt korrik dhe gusht, periudhë në të cilën kursi euro/lekë regjistroi vlerën mesatare prej 136.5 lekë/euro, ose 2.3% më poshtë se një vit më parë.
Në tremujorin e tretë të vitit, monedha amerikane ka vijuar prirjen nënçmuese të saj në tregun vendas të nisur që në muajin mars, por me ritme më të moderuara. Nënçmimi i dollarit amerikan regjistroi 2.9% në muajt korrik dhe gusht dhe 1.4% në muajin shtator, nga mesatarisht që ishte 3.8% në periudhën mars-qershor.
Tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt të gjitha monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. Megjithatë, ky mbiçmim është shfaqur me ritme më të moderuara se në pjesën e parë të vitit. Mbiçmimi vjetor i lekut në terma nominalë efektivë kulmoi në 4.1% në muajin korrik, nga 3.3% që shënonte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit.
Borxhi shtohet me 31 miliardë lekë
Qeveria ka propozuar në projektligjin e buxhetit të vitit 2017 që stoku i borxhit të zgjerohet me 31.6 miliardë lekë vitin që vjen.
Huamarrja e brendshme vjetore dhe mbështetja buxhetore nga institucionet ndërkombëtare pritet të arrijë në 40,759 milionë lekë, ndërsa huamarrja neto për financimin e projekteve të huaja pritet të bjerë me 9,560 milionë lekë.
Ndërsa garancitë vjetore të shtetit në dobi të palëve të treta përfituese, vlerësohen deri në 500 milionë lekë për vitin që vjen.
Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1 103 025 milionë lekë, në të cilat stoku i borxhit shtetëror zë 1,045,386 milionë lekë dhe stoku i borxhit shtetëror të garantuar 57,639 milionë lekë.
Në tregun e huaj, huamarrja do të bazohet te financimet e pritshme të projekteve ekzistuese, projekteve të reja për të cilat qeveria është angazhuar me kreditorët, si edhe te huatë e ofruara nga Banka Botërore me terma të favorshëm, në kuadër të mbështetjes së politikave zhvillimore të ndërmarra nga qeveria. Ministria e Financave nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të instrumenteve të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit, me qëllim uljen e presionit në tregun e brendshëm, në rast se do të jetë e nevojshme.
Gjatë vitit 2017, duke marrë në konsideratë nivelin më të ulët historik të normave të interesit aktual, rritjen e financimit të brendshëm, si dhe direktivat e bankave mëma ndaj bankave të nivelit të dytë, për të mbajtur nivele të pranueshme ekspozimi ndaj borxhit sovran, pritet që të ketë një rritje të normave të interesit. Por gjithsesi niveli i rritjes së normave në tregun e brendshëm pritet të jetë gradual dhe nën nivelin mesatar të 3 viteve të fundit.
Gashi, i ftuar special në mbrëmjen gala
Lojtari i vitit, goli më i bukur i vitit dhe një vend në zemrat e tifozëve të Colorado Rapids. Duket se jeta e re e Shkëlzen Gashit përtej Atlantikut po ndihmon sulmuesin shqiptar të gjejë dimensionin e tij të vërtetë. Ai u transferua në MLS gjatë muajit shkurt dhe i kanë mjaftuar vetëm pak muaj për t’u transformuar në një lider te ekipi i tij i ri pas largimit nga Baseli. Colorado është në finalen e Konferencës falë golit të Gashit, i cili në fund të ndeshjes ndaj Los Angeles Galaxy këmbeu fanellën me Steven Gerrard. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, Gashi rrëfen momentin emocionues duke theksuar se Gerrard është një emër i madh i kësaj loje dhe fanella e tij do të qëndrojë përjetësisht mes shumë të tjerave në muzeun e tij personal.
Ai është gjithashtu një nga futbollistët më të ndjeshëm ndaj kauzave sociale siç është ajo e fëmijëve me sindromën Down. Gashi ka qenë disa herë i pranishëm në eventet lokale që synojnë sensibilizimin e botës për këtë kategori dhe nuk ngurroi të ishte i pranishëm edhe në një event të zhvilluar ditët e fundit në SHBA. “Fëmijët janë shumë të rëndësishëm për mua, ata janë heronjtë e vërtetë të botës tonë. Nuk u mendova dy herë kur më kërkuan të merrja pjesë në eventin e bamirësisë”, theksoi bomberi shqiptar. Gjatë mbrëmjes gala ku ishte i pranishëm si një nga personalitetet më influente në futbollin amerikan, Gashi u shfaq përkrah emrave të njohur si lojtari më i mirë i Superbowl, Peyton Manning, aktori John C. McGinley dhe fituesi i çmimit Oscar, Jamie Foxx. “Fakti që arrita të komunikoja me ta më jep një ndjesi pozitive sepse ndihem mirë kur u tregoj rreth sekreteve të futbollit edhe emrave të tillë”, përfundon 28-vjeçari.