19.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Gashi, i ftuar special në mbrëmjen gala

Lojtari i vitit, goli më i bukur i vitit dhe një vend në zemrat e tifozëve të Colorado Rapids. Duket se jeta e re e Shkëlzen Gashit përtej Atlantikut po ndihmon sulmuesin shqiptar të gjejë dimensionin e tij të vërtetë. Ai u transferua në MLS gjatë muajit shkurt dhe i kanë mjaftuar vetëm pak muaj për t’u transformuar në një lider te ekipi i tij i ri pas largimit nga Baseli. Colorado është në finalen e Konferencës falë golit të Gashit, i cili në fund të ndeshjes ndaj Los Angeles Galaxy këmbeu fanellën me Steven Gerrard. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, Gashi rrëfen momentin emocionues duke theksuar se Gerrard është një emër i madh i kësaj loje dhe fanella e tij do të qëndrojë përjetësisht mes shumë të tjerave në muzeun e tij personal.
Ai është gjithashtu një nga futbollistët më të ndjeshëm ndaj kauzave sociale siç është ajo e fëmijëve me sindromën Down. Gashi ka qenë disa herë i pranishëm në eventet lokale që synojnë sensibilizimin e botës për këtë kategori dhe nuk ngurroi të ishte i pranishëm edhe në një event të zhvilluar ditët e fundit në SHBA. “Fëmijët janë shumë të rëndësishëm për mua, ata janë heronjtë e vërtetë të botës tonë. Nuk u mendova dy herë kur më kërkuan të merrja pjesë në eventin e bamirësisë”, theksoi bomberi shqiptar. Gjatë mbrëmjes gala ku ishte i pranishëm si një nga personalitetet më influente në futbollin amerikan, Gashi u shfaq përkrah emrave të njohur si lojtari më i mirë i Superbowl, Peyton Manning, aktori John C. McGinley dhe fituesi i çmimit Oscar, Jamie Foxx. “Fakti që arrita të komunikoja me ta më jep një ndjesi pozitive sepse ndihem mirë kur u tregoj rreth sekreteve të futbollit edhe emrave të tillë”, përfundon 28-vjeçari.

“Metastazat e drogës kanë pushtuar vendin. Trafikantët nuk arrestohen në Shqipëri”

Shqipëria është sera europiane e drogës, kështu titullohet reportazhi më i fundit i italianes “Corriere della sera”, e cila publikon shifrat për drogën “made in albania”.
42 misionet përtej kufirit të policisë italiane që nga janari i këtij viti, kanë zbuluar 753 mijë bimë marijuanë në një territor prej 213 mijë hektarësh.
Kështu nis reportazhi i italianes “Corriere della sera” për Shqipërinë ku vendi ynë cilësohet si sera europiane e drogës.
Duke u kthyer në gushtin e 2004-ës, reportazhi tregon se si trafikantët – padronë të fshatit Lazarat shihnin të vinte një helikopter i policisë italiane, 400 metra mbi tokë, për të vëzhguar plantacionet e marijuanës. Sapo u afrua drejt tij u qëllua me kallashnikov. Në bord ndodheshin dy hetues, një marshall i Guardia di Finanza dhe një zyrtar shqiptar i Antidrogës. Për meritë të pilotit asnjë nuk u plagos, dhe pse plumbat qëlluan serbatorin kryesor, po helikopteri arriti të kthehej në bazë, që atëherë lartësitë kanë ndryshuar, por dhe gjeografia, mjetet, njerëzit dhe mënyrat e ofensivës. Teknikat e hetimit dhe në të njëjtën kohë niveli i trafikantëve. Por jo thelbi: Shqipëria është sera europiane e marijuanës.
Sipas marrëveshjes Itali – Shqipëri, avioni i Guardia di Finanza, një model i vjetër, por i besueshëm Piaggio, fluturon çdo vit për të monitoruar 20 për qind të territorit, përjashto qytetet, malet dhe lumenjtë. Që nga muaji janar janë bërë vëzhgime në 213 mijë hektarë të mbuluar nga plantacionet. Avioni, i cili fluturon në periudhën qershor – shtator, që është dhe periudha e rritjes së bimëve, nuk kalon më mbi Lazarat, ku dy vjet më parë ndërhynë forcat e policisë për ta marrë nën kontroll pas 20 ditësh betejë.
Metastaza tashmë ka pushtuar të gjithë vendin. Nga muaji janar i këtij viti në 42 misione janë zbuluar 753 mijë bimë marijuanë. Kudo. Duke llogaritur se një nga këto bimë prodhon mesatarisht dy kilogramë e gjysëm drogë, por ndonjëherë dhe dyfishin, llogaritet se vlera e saj është rreth 1300 euro për kilogramë. Kjo do të thotë se, në treg ato bimë, që u shkatërruan nga Policia e Tiranës do të kishin nxjerrë një fitim prej më shumë se 2 miliardë eurosh. Pothuajse një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Por ky nuk është momenti për të fajësuar një popull të tërë. Edhe pse me një përpjekje të vagët e që përqendrohet në temën e drogës, duke provokuar tensione, politikanët shqiptarë po lëvizin, përpiqen. Por nuk mund të lihet mënjanë përpjekja e madhe e guardia di finanza, në mënyrë të veçantë i grupit të misionit në Shqipëri nën drejtimin e kolonelit Joselito Minuto. Përkundrazi, vetëm në tre vitet e fundit, avioni Piaggio ka monitoruar 600 mijë hektarë territor dhe është rinovuar herë pas here për të mos humbur ritmin e trafikantëve. Këta të fundit kanë zgjedhur të nisen nga ishujt grekë për të qenë brenda Bashkimit Europian, duke pasur një rrjet të gjerë mbrojtjeje sidomos në Puglia, duke u bërë pasardhës të denjë të skafistëve të viteve ’90, por më të mirë teknologjikisht, më të guximshëm, aventurierë që nuk kanë frikë të udhëtojnë dhe kur në Adriatik ka stuhi. Por fitimet që marrin nga kjo veprimtari në fund e justifikojnë këtë rrezik. Kërkesat për marijuanë janë të vazhdueshme dhe në rritje, e klanet reagojnë menjëherë. Më pas në këto gomone, transportohen kokainë dhe armë, por dhe muxhahedinë që bëjnë vajtje – ardhje për luftën e shenjtë në Lindjen e Mesme.
Avioni italian i monitorimit është i pajisur me sensorë që gjurmojnë territorin. Të dhënat që merren përpunohen në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit të Studimeve në Napoli. Në këtë laborator teknikët dhe eksperti personal i financës lexojnë rezultatët e sensorëve. Lëvizja e radhës ka të bëjë me shpejtësinë e reagimit. Brenda 48 orësh bimët shkatërrohen në mënyrë që të identifikohen dhe kriminelët që menaxhojnë këto plantacione. Piaggio, fluturon një mijë metra lart në një distancë të domosdoshme sigurie. Por në aparatin shqiptar ka raste korrupsioni. Pagat e agjentëve të policisë janë të vogla, dhe pavarësisht ndjenjës për të nderuar uniformën dhe respektit për veten ka nga ata që janë blerë nga trafikantët. Trafikantë të pushtetshëm, mafiozë, të pasur dhe me njohje të rëndësishme.
Një nga hetuesit shprehet se problemi i marijuanës nuk ka pasur një rritje të papritur, por ka ekzistuar gjithnjë. Por është përmirësuar ndërgjegjësimi për këtë problem. Por tashmë është më e fortë dhe vetëdija se arrestimi i fshatarëve që kujdesen për plantacionet apo shoferëve të furgonëve që çojnë drogën tek gomonet, nuk mjafton. Duhen zbuluar drejtuesit e organizatave. Dhe në këtë rast, krerët e këtyre prganizatave bëjnë vajtje – ardhje nga Shqipëria në Itali, kthehen atje dhe fshihen kur e shohin se situata është e trazuar dhe rrezikojnë arrestimin. Për çfarë arsye? Ndodh që një urdhër arresti i lëshuar nga autoritetet italiane, në Shqipëri nuk ekzekutohet dhe të kërkuarit në mënyrë të pabesueshme arratisen, dhe më pas zhduken. Ata mbrohen nga klanet, nga terrori, nga kërcënimet ndaj më të varfërve që detyrohen t’i fshehin edhe në shtëpitë e tyre madje, dhe më pas të heshtin. Dhe ai që refuzon, kërcënohet se do i vrasin një të afërm. Por ka një shifër: me 400 mijë euro një i arratisur arrin të jetojë i qetë dhe larg prangave. Çmimi i një kilogrami marijuana në Puglia është 1300 euro, nëse shitet në veri të Italisë, ky çmim rritet shkon në 1800 euro.

Pikat e forta të Raportit

Megjithëse policia shqiptare arriti të futet dhe “të mbyllë” Lazaratin, në Shqipëri vazhdon të ketë drogë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është destinacioni dhe vendet se ku kultivohet.
Që nga janari 2016, 42 misione  të Guardia di Finanzias kanë zbuluar 753 mijë bimë kanabisi, me një vlerë tregu prej dy miliardë euro, katër herë më shumë se PBB e Shqipërisë.
Që nga janari 2016, janë zbuluar 213 mijë hektarë tokë të mbjellur me kanabis.
Në tre vitet e fundit, helikopterët fluturues kanë zbuluar 600 mijë hektarë plantacione.
Trafikantët që përdorin gomonet për të dërguar kanabisin në Itali janë zhvilluar në krahasim me vitet ‘90. Ato janë sofistikuar dhe përdorin teknologjinë. Në ngarkesa shpesh transportohet edhe kokainë dhe armë.
Numri i trafikantëve të mëdhenj të arrestuar është i ulët. Ato shpesh lëvizin nga njëri vend në tjetrin, duke i shpëtuar policisë. Mjaftojnë 400 mijë euro që një trafikant t’i shpëtojë policisë dhe të fitojë lirinë.

Manaj titullar ndaj Juventusit

Në sfidën mes Shqipërisë dhe Izraelit u aktivizua vetëm në minutën e 82-të duke luajtur për pak çaste, por edhe pse nuk është ende një pikë referimi në sulmin e përfaqësueses kuqezi, Rey Manaj është njeriu që ka për detyrë të mbajë mbi supe peshën e repartit të avancuar te Pescara. 19-vjeçari shqiptar në vetëm pak kohë ka arritur të fitojë plotësisht besimin e trajnerit Massimo Odo dhe deri tani është aktivizuar në 9 ndeshje të Serisë A me Pescarën duke realizuar dhe 2 gola. Manaj, i cili te skuadra abruceze luan si i huazuar nga Interi, sipas asaj që raportojnë mediat italiane do të luajë si titullar ndaj Juventusit.
Odo pritet në këtë mënyrë t’i besojë talentit shqiptar edhe në një ndeshje shumë të vështirë siç është ajo ndaj skuadrës kampione në fuqi dhe që ka fituar 5 tituj rresht. Kjo do të jetë ndeshja e 4-t për 19-vjeçarin nga Lushnja si titullar në këtë sezon. Manaj edhe pse shkëlqeu në miqësoret e verës në takimet e para aktivizohej më tepër nga stoli. Më pas një dëmtim bëri që ai të humbiste jo vetëm 2 ndeshjet e Shqipërisë ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës, por edhe 2 takime të Serisë A. Megjithatë sulmuesi i kombëtares shqiptare është kthyer më i fortë se kurrë nga ai dëmtim dhe tashmë është shndërruar në një element të domosdoshëm për Pescarën. Në ndeshjen e të shtunës në mbrëmje ndaj Juventusit, Manaj do të jetë sulmuesi i vetëm i Pescarës i mbështetur nga Caprari, ndërsa një fanellë titullari në repartin e mesit të fushës do ta ketë edhe Ledian Memushaj. Me shiritin e kapitenit në krah, 29-vjeçari nga Vlora do të synojë me Pescarën e tij t’i bëjë një surprizë të hidhur Juventusit edhe pse misioni për të marrë pikë në Torino duket shumë i vështirë për skuadrën abruceze.

Edhe INSTAT i Ramës e pranon: Familjet shqiptare po varfërohen

Familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.
Instituti i Statistikës, në anketën e buxhetit të familjeve, njoftoi se shpenzimet për ushqime zënë të njëjtën peshë si në vitin 2009. Sipas anketës shihet se njësitë familjare kanë rrudhur shpenzimet për mobilimin e shtëpive, për veshje dhe për shërbime shëndetësore, për argëtim dhe arsim.
Vendet e varfra kudo në botë dallohen për fokusin e lartë të shpenzimeve në ushqime. Shqipëria e kishte këtë peshë në fillim të viteve 2000, 70%, por zhvillimet e vrullshme ekonomike në këtë periudhë i çuan shpenzimet për ushqime në ulje, duke u zhvendosur preferencat për shpenzime në shërbime dhe mallra të tjera. Në vendet e zhvilluara, shpenzimet për ushqime zënë më pak se 20% të totalit. Në Bashkimin Europian për shembull, pesha e ushqimeve dhe pijeve alkoolike përbën mesatarisht 15% të totalit, sipas Eurostat, ndërsa rreth 16% e shpenzimeve shkon për shtëpi (qira), ujë, energji gaz dhe karburante të tjera.
Në vitin 2007, pesha e shpenzimeve për ushqime ishte 47.6% e totalit. Por pas krizës së vitit 2008, kuota e shpenzimeve ushqimore arriti në 49.4%. Në vitin 2014, matjet e reja të INSTAT gjetën se shpenzimet për ushqime kishin nisur sërish rënien duke zënë 44.3% të totalit.
Por siç shihet nga zhvillimet e vitit 2015, shpenzimet për konsumin bazë, ushqimet, janë rritur ndjeshëm duke zënë 48.7% të peshës, nivel ky edhe më i lartë se i vitit 2007 dhe njësoj me vitin 2009.
Tendencat e konsumit të familjeve shqiptare më 2015 kanë treguar se janë ulur ndjeshëm shpenzimet për shërbimet arsimore dhe shëndetësore, dy shtyllat bazë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.
Rritja e shpenzimeve për ushqime automatikisht ka ulur shpenzimet për të gjitha grupet e tjera, përveçse shpenzimet për banesën, ujin dhe energjinë, të cilat janë rritur më 2015 për shkak të angazhimeve më të mëdha për pagesat e faturave të energjisë.
INSTAT prezantoi Anketën e Buxhetit të Familjes realizuar në 7,335 Njësi Ekonomike Familjare, e cila bën të mundur përshkrimin e shpenzimeve për konsum të tyre. Shpenzimet mesatare mujore të NJEF vlerësohen 70.766 lekë, ku peshën më të madhe e zë grupi i “ushqime dhe pije jo alkoolike”.
Grupi i dytë me peshë më të lartë në shpenzimet e njësive familjare është grupi i “shpenzimeve për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar” me 10.3%.
Ndërsa peshën më të vogël të shpenzimeve e zë grupi “shpenzime për arsim” me 2.1%.
Sipas qarqeve, mbi mesataren e shpenzimeve mujore të vendit në total, janë Qarku i Tiranës (81.750 lekë), ndjekur nga Qarku i Lezhës (79.374 lekë), Gjirokastrës (74.933 lekë), Shkodrës (74.602 lekë) dhe Durrësit (74.602 lekë).
Qarku me shpenzimet më të ulëta mesatare mujore është Qarku i Vlorës me 51.198 lekë. Qarqe që janë nën mesataren e shpenzimeve mujore të vendit janë Fieri (69.125 lekë), Kukësi (68.989 lekë), Berati (65.840), Korça (64.417 lekë), Dibra (56.221) dhe Elbasani (55.671).

Rama bllokon ndërtimin e rrugëve

Rrugët kryesore të Shqipërisë, të cilat filluan të ndërtohen mes viteve 2008-2013 nga qeveria e djathtë e Sali Berishës do të vazhdojnë të mbeten kantiere të hapura edhe për disa vite në vazhdim. Të dhënat mbi investimet publike, të publikuara në buxhetin e vitit 2017 si pasojë e një kërkese për transparencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se vetëm dy nga 11 akset kryesore që janë aktualisht në ndërtim, pritet të përfundojnë brenda vitit 2017.
Qeveria parashikon që punimet në nëntë rrugët e tjera të shtyhen mesatarisht me dy vjet, ndërkohë që afati fillestar për disa prej tyre ka vite që ka skaduar. Nëse investimet do të ecin sipas planit të parashikuar, shumica e rrugëve në ndërtim pritet të përfundojnë mes viteve 2018-2019.
Fondet e buxhetit të shtetit për vitin 2017 janë përqendruar te segmentet Qukës-Qafë Plloçë; Tiranë–Elbasan; Qafë Thanë–Pogradec dhe Fushë Krujë–Milot. Ndërkohë, fondet e vëna në dispozicion në buxhetin e 2017 për by pass-et e Fierit, Vlorës dhe Shkodrës janë minimale, duke e shtyrë përfundimin e tyre në vitin 2019.
Të dhënat mbi investimet publike u publikuan për herë të parë bashkë me buxhetin e vitit 2017, si pasojë e kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për të rritur transparencën në investimet publike, si dhe për të rritur mundësinë e qytetarëve për të kërkuar llogari mbi shtyrjet e zakonshme të investimeve.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cila nisi të ndërtohej në vitin 2011, duhej të kishte përfunduar së ndërtuari në vitin 2015, por tashmë është shtyrë për së paku 2018. Disa rrugë, si Qafë Thanë–Pogradec dhe Korçë–Ersekë parashikohet të përfundojnë në vitin 2019, ndërsa projekti i Unazës së Madhe të Tiranës mban shënimin 2019+, që do të thotë se do të përfundojë përtej këtij afati. Ndryshe nga sa është premtuar herë pas here, përgjatë periudhës 2017-2019, nuk janë programuar fonde për Rrugën e Arbrit.

Premtim për fonde më 2018 e 2019

Të dhënat e publikuara nga qeveria tregojnë se, Shqipëria ka aktualisht projekte investimi në transportin rrugor me vlerë të përgjithshme prej 161 miliardë lekësh (afro 1.15 miliardë euro), nga të cilat 67 miliardë janë financuar deri në vitin 2015, ndërsa 13.3 miliardë janë parashikuar të financohen këtë vit.
Për të mbyllur kantieret e hapura, qeverisë i duhet të sigurojë edhe 81 miliardë lekë për katër vitet e ardhshme. Buxheti i vitit 2017 ka planifikuar vetëm 17.6 miliardë lekë për investime në ndërtim rrugësh, ndërsa që projektet të finalizohen, kërkohet që financimet për vitet 2018, 2019 dhe 2020 të jenë më të mëdha- çka do të varet nga vullneti politik dhe gjendja e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Qeveria shqiptare është kritikuar gjatë viteve të fundit se i ka kushtuar më shumë para dhe energji një nisme të njohur si “Rilindja Urbane”, se sa i ka kushtuar rëndësi përfundimit të rrugëve, disa prej të cilave kanë pësuar rritje kostosh për shkak se investimet janë lënë në mes. “Rilindja Urbane” është financuar në masë të gjerë nga një instrument i debatuar, i njohur si Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.
Në buxhetin e vitit 2017, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve është përcaktuar të marrë 9.5 miliardë lekë, ndërsa në vitet 2018 dhe 2019 do të alokohen për këtë qëllim edhe 3.5 dhe 3 miliardë lekë të tjera respektivisht.

Rrugët pezull

Rruga Fushë Krujë-Milot filloi së ndërtuari në vitin 2008 me një kosto totale prej 4,6 miliardë lekësh. Deri në vitin 2015 u shpenzuan 2.5 miliardë, ndërsa në buxhetin e vitit 2017 parashikohet të shpenzohen 1.2 miliardë të tjera. Rruga parashikohet të përfundojë në vitin 2018. Në vitin 2016 për këtë rrugë janë alokuar vetëm 99 milionë lekë.
Rruga Plepa–Kavajë–Rrogozhinë nisi në vitin 2009 me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh. Deri në vitin 2015 janë shpenzuar 4,5 miliardë, ndërsa rruga do të konsiderohet e përfunduar në vitin 2017. Fondet për vitin 2016 janë 266 milionë lekë, ndërsa për vitin 2017 janë 269 milionë lekë.
Rruga Qafë Thanë-Lin-Pogradec nisi në vitin 2013 me një kosto prej 2,5 miliardë lekësh. Projektbuxheti i vitit 2017 parashikon shpenzimin e 1.3 miliardë lekëve dhe rruga do të konsiderohet e përfunduar në vitin 2019. Buxheti i vitit 2016 për këtë rrugë qe 60 milionë lekë.
Unaza e Re e Tiranës është projekti më i kushtueshëm aktualisht në zbatim me kosto totale prej 13,6 miliardë lekësh. Punimet filluan në vitin 2010 dhe projekti pritet të përfundojë rreth vitit 2020. Deri në vitin 2015 qenë shpenzuar 4,6 miliardë lekë, ndërsa përfundimi i rrugës në vitin 2020 do të varet para së gjithash nga fakti nëse qeveria do të akordojë fondet e kërkuara në vitet 2018-2020. Për vitin 2016, fondet për këtë rrugë qenë 1.8 miliardë lekë.
Nga rrugët me financime të huaja, (kredi) dy projekte të rëndësishme, by pass-i i Fierit dhe by pass-i i Vlorës, të cilat sipas kontratave duhej të përfundonin në vitin 2017, tashmë pritet të përfundojnë në vitin 2019. By pass-i i Fierit kushton 7.1 miliardë lekë dhe punimet për të nisën në vitin 2014, por punimet janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve me kompaninë sipërmarrëse, ndërsa buxheti i vitit 2017 ka vënë në dispozicion të kësaj rruge vetëm 250 milionë lekë, një shifër krejt e papërfillshme për të vijuar punimet me ritëm.
Edhe by pass-i i Vlorës ka të njëjtën histori. Me kosto totale prej 6.2 miliardë lekësh, deri tani janë kryer më pak se 20 për qind e të gjitha punimeve, ndërsa në vitin 2017 janë alokuar vetëm 900 milionë lekë.
Rruga Tiranë–Elbasan, e cila filloi të ndërtohet në vitin 2011, ka një kosto totale prej 32.9 miliardë lekësh, ndërsa deri më sot janë përfunduar rreth 90 për qind të punimeve, por nevojiten edhe 3.9 miliardë lekë të tjera që projekti të përfundohet.
Rruga e vetme që qeveria duket se është angazhuar është segmenti Qukës–Qafë Plloçë, një rrugë më e shkurtër për lidhjen e Tiranës me Korçën. Me një kosto totale prej 21 miliardë lekësh, qeveria ka angazhuar 3,5 miliardë lekë për vitin 2016, një nga fondet më të mëdha në investime rrugore. Por për këtë rrugë nevojiten ende të shpenzohen 16.4 miliardë lekë në katër vitet e ardhshme.
Qeveria ka programuar ndërkohë edhe 700 milionë lekë për by pass-in Shkodër, një projekt me vlerë 1.9 miliardë lekë dhe që synon të krijojë paralelisht një rrugë për të anashkaluar trafikun në qendër të qytetit të Shkodrës dhe një barrierë mbrojtëse nga përmbytjet për qytetin. Projekti pritet të përfundojë në vitin 2018, ndërkohë që punimet kanë nisur në vitin 2011.
Rruga Kardhiq–Delvinë, e cila nisi në vitin 2007 me synimin për të krijuar një alternativë më të shkurtër drejt Sarandës në krahasim me rrugën aktuale që kalon nga Qafa e Muzinës, pritet të përfundojë në vitin 2018. Me një kosto totale prej 1.7 miliardë lekësh, deri tani është kryer më pak se gjysma e investimit të kërkuar.
Tortura e banorëve të Ersekës me rrugën aktualisht në ndërtim prej pesë vitesh në segmentin Korçë–Ersekë, ka gjasa do të vijojë së paku deri në vitin 2019. Projektbuxheti i vitit 2017 ka alokuar një shumë minimale prej 40 milionë lekësh për këtë rrugë me kosto totale prej 2.3 miliardë lekësh, ndërsa nevojiten edhe 710 milionë lekë të tjera përgjatë viteve 2018 dhe 2019 për t’u përfunduar.

Gjergj EREBARA

Basha-Danielson: Zgjedhjet dhe krimi probleme kardinale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielson me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Drejtori i Integrimit në BE, vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe në opozitë, në veçanti për Reformën në Drejtësi.
Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit, është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor, u shpreh zoti Basha. Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës. Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbështetje qeveritare, u shpreh zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtori për Zgjerimin bashkëndanë vlerësimin se vëmendja maksimale për çështjet e mprehta që po vuan vendi, si droga dhe krimi i organizuar, zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit, është e një rëndësie kardinale në përballimin e këtyre sfidave.

Beqja: Në emër të partisë je i shkarkuar

“Jam Çlirim Hajdarmataj nga Tropoja”

Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”, cili është problemi juaj?
“Përgjatë tre viteve jam Kryetar i Degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.
Papritur, pa asnjë lloj vërejtje, pa asnjë lloj këshille apo mase disiplinore, sot më komunikohet urdhëri i largimit nga puna, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, më datë 7.11.2016.
Ky njoftim më ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky shkarkim i menjëhershëm ka ndodhur, për një mbledhje partie që unë nuk kam shkuar, e kam pasur të pamundur, kam pasur arsye personale dhe nuk kam qenë në mbledhjen e partisë të asamblesë të rrethit Tropojë”.

Të Partisë Socialiste?
“Po, të Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja, e cila është shkelje flagrante dhe është një rast absurd, që të largohesh nga puna, se pse nuk erdhe në një mbledhje partie”.
Sipas një urdhëri të lëshuar më datë 4.11.2016 nga ana e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pra nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Kujdesit Shëndetësor urdhërohet shkarkimi i menjëhershëm nga puna i zotit Çlirim Hajdarmataj:

“Z. Çlirim Hajdarmataj, aktualisht me detyrë Kryetar i Degës Tropojë pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Kukës, t’i ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe financiare me Fondin, duke filluar nga data 07.11.2016”.
Por historia nuk përfundon me kaq.
Cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga puna? Ai ka komunikuar me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është i deleguari i Partisë Socialiste në Tropojë, ku gjatë bisedës, ministri në fund shprehet se i uron gjithë të mirat në jetë, duke i lënë të kuptojë Çlirim Hajdarmatajn, që nuk do të jetë më pjesë e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.

Drejtori– Alo!
Ministri – Alo!
Drejtori – Po. Përshëndetje!
Ministri –  …… ?
Drejtori – Po.
Ministri – Unë jam Ilir Beqaj.
Drejtori – Po. Po ministër!
Ministri – Pse s’erdhe sot në mbledhje në 10 e gjys?
Drejtori – Si?
Ministri – Nga ora 10 e gjys, pse nuk erdhe në mbledhje të Asamblesë të zgjeruar?
Drejtori – Nuk erdha në mbledhje të Asamblesë?
Ministri – Po.
Drejtori – Nuk mujta me ardh, pata probleme.
Ministri – Pse? Pse s’erdhe?
Drejtori – Pata arsye të miat, personale.
Ministri – Pse nuk më njoftove para mbledhjes, që nuk vij dot?
Drejtori – Si?
Ministri – Pse nuk më njoftove mua para mbledhjes, që nuk vij dot në mbledhje?
Drejtori – Po nuk kisha ndonjë pikë kontakti me juve z.ministër. Nuk më keni njoftue.
Ministri – Nuk e ndjeje, që duhet të vije sot në mbledhjen e Asamblesë?
Drejtori – Po nuk ë… Nuk kisha mundësi, që të tregoja ty. Mu më ka njoftue ish-kryetari, që ka qenë ……………. dhe ato i kam njoftu, që s’vij.
Ministri – Po pse më gënjen mu? Pse s’më njoftove që s’vij?
Drejtori – Po si të të njoftoj unë ty? Se s’kisha si të njoftoj. Për çar me të njoftue?
Ministri – Si jo? Jam i delegumi. Ti e di, që jam i delegumi i partisë.
Drejtori – E di. E di unë, që je i delegumi, po s’kisha si të njoftoj.
Ministri – Po pra!
Drejtori – Ti nuk më njoftove.
Ministri -……..
Drejtori – Ti z.ministër nuk më njoftove për mbledhje! Nuk e mendova, që mund të njoftoja ty.
Ministri – Mirë, dakord. Hajde! Të uroj suksese në jetë atëhere!
Drejtori – Z. ministër!
Ministri – Urdhëro!
Drejtori – Po, ne jemi bashkë për një qëllim, për Partinë Socialiste?
Ministri – Unë po të them, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Si në jetë o?  Ç’a është kjo? Se s’e kuptoj për ç’a po më thu kështu?
Ministri – Kuptoje si të dush!
Drejtori – Si kuptoje si të dush? O z.ministër…
Ministri – Si të dush. Si të dush.
Drejtori – Z. ministër, ne jemi njerëz të sakrificës, që ia kemi bo 8 vjet mundin të Partisë Socialiste në Tropojë.
Ministri – Je…
Drejtori – Në kushte të Sali Berishës z. ministër.
Ministri – Je njeri i përgjegjshëm, e kupton.
Drejtori – Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe jam njeri shumë me parime. Jam njeri shumë i drejtë, por ia kemi bo mundin e djersën Partisë Socialiste. Dhe jo me ardh njerëz, njerëz, që na kanë sulmu me armë. Na kanë sulmu me armë në kohën e… kur kemi qenë ne në pushtet në 2000. Dhe janë dhe të filmume z. ministër.
Ministri – Po ta përsëris, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Z. Ministër, po nuk është…, nuk po më vjen mirë me ma thanë, se ne jemi bashkë për një qëllim.
Ministri – Kurse mu më vjen shumë më keq, që ti s’ke njoftu, që s’vjen dot në mbledhje.
Drejtori – Unë të kam njoftu. Të kam hy në zyrë edhe të kam than dhe ta kam çu dhe e-mailin. Dhe firmën e katërdhet (40) personave.
Ministri – Dhe unë të kam thon, më vjen shumë keq, që pse s’më njoftove, që s’vij dot në mbledhje.
Drejtori – Po unë të kam thanë mo, ta kemi çu e-mailin. Unë të kam taku, unë jam shumë serioz mo burrë. Unë të kam ardh, të kam taku në zyrë o z.ministër. Unë të kam sqarue z. ministër, të kam sqarue, të kam ardh në zyrë.
Ministri – Unë për fatin tënd të keq, për fatin tënd të keq…
Drejtori – Po, po. Alo!
Ministri – Unë për fatin tënd të keq kam dy marrëdhënie me ty: edhe i delegum edhe ministër. Apo jo? Për shumicën e njerëzve jam thjesht si i delegum, për ty jam dhe ministër.
Drejtori – Po je dhe ministër dhe unë të respektoj 100% dhe Partinë Socialiste nuk e devijoj asnjë minutë, Partinë Socialiste.
Ministri – Po të më respektoje mu…
Drejtori – As statusin. Unë të repektoj ty dhe të kam ardh të kam kërkue. T’u kam lut njëherë si njeri, t’u kam lut si anëtar partie.
Ministri – Edhe njëherë, mund të më thoje për arsye, që s’ti them dot, sot nuk vij dot. Kaq doja prej teje unë. Nuk vij dot.
Drejtori – Nuk e pava të arsyeshme, se do të kisha njoftu. Unë të kam ardh, të kam… në zyrë.
Ministri – A, pikërisht!
Drejtori – Unë ta kam çu e-mailin e arsyes që…
Ministri – Pikërisht pra, m.q.s. e thu vetë, që nuk e shef të arsyeshme, duket se gënjen. Hajde mirupafshim!

Çlirim Hajdarmataj u flak në rrugë për të vetmen arsye pse nuk ishte i pranishëm në një mbledhje partie, në qytetin e Tropojës.
Pas kësaj që ndodhi u detyrua të largohej në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ai është kryefamiljar dhe e vetmja zgjidhje për të ishte të largohej nga ky vend.

Si njoftoi Policia trafikantët që të fshehin 1.8 ton drogë

Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Gjirokastrës zhvilloi një operacion antikanabis dje në Memaliaj, ku sekuestroi rreth 1.8 ton kanabis, si dhe arrestoi 4 persona, ndërsa shpalli në kërkim tre të tjerë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, ky operacion ishte urdhëruar të martën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet thonë se, ka oficerë policie të implikuar në këtë rast dhe për këtë qëllim janë njoftuar trafikantët që të fshehin drogën që të mos sekuestrohej gjatë operacionit të urdhëruar nga Prokuroria.
Në vijim të hetimeve Prokuroria e Krimeve të Rënda ka komunikuar të martën në mbrëmje me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke i kërkuar ndërhyrje për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e personave të implikuar.
Po kështu është vënë në dijeni për operacionin edhe Drejtoria e Policisë Gjirokastër, por burimet nga Krimet e Rënda, bëjnë të ditur se trafikantët janë njoftuar për të lëvizur mallin, pasi do të ketë operacion policor. Dhe kështu ndodhi, trafikantët e kanë transportuar kanabisin në një bazë tjetër, për të cilën sërish Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dijeni të plotë. Gjatë operacionit të djeshëm, organi i akuzës e orientoi policinë në vendndodhjen e re, pikërisht aty ku ishte vendosur lënda narkotike.
Ky është një tjetër rast që tregon implikimin e strukturave policore në mbrojtje të trafikantëve të drogës. Sikundër është raportuar kohë më parë, Shërbimi Informativ Shtetëror i kë dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda një hartë me zonat konkrete dhe emrat e personave të implikuar në kultivimin dhe trafikun e drogës. Mbi bazën e këtij dokumenti punon organi i akuzës, që shpesh herë është përplasur me Policinë e Shtetit për çështjen e kanabisit.
Dy javë më parë u organizua një tjetër operacion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për bllokimin e një magazine me 7 ton drogë në Rrëshen. Fabrika e drogës që funksiononte 24 orë ndodhej në mes të qytetit të Rrëshenit dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. Për një gjë të tillë fliste i gjithë qyteti, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, në bashkëpunim me kreun e policisë. Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të marrë pjesë në operacion dhe ka patur përplasje mes Policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës deri në sharje të ndërsjella.
Pronarë të drogës ishin drejtuesit e policisë dhe kreu i Bashkisë dhe për këtë arsye policia nuk ndërhynte për të sekuestruar drogën ndonëse laboratori i përpunimit ndodhej pak metra larg Komisariatit të Policisë dhe Bashkisë. Ndërkohë, pronari i magazinës me 7 tonë drogë në Rrëshen u zbulua se ishte Kastriot Preng Reçi, nipi i Zef Brozit, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë. Droga mbrohej nga policia, pasi banda drejtohet nga kryetari i Bashkisë.
Prokuroria dhe SHISH i kanë intensifikuar aksionet në terren, pasi policia është e përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Policia jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për të goditur magazinat ku përpunohet kanabisi, por janë vënë në mbrojtje të tyre. Rasti i sekuestrimit të 12 tonë droge në Vlorë, ku policia e kishte deklaruar sipërfaqen “të pastër” është më flagranti. Policia, sipas një burimi ka hezituar të ndërhyjë edhe pas kërkesës së prokurorëve të krimeve të rënda, pasi “zona kontrollohej nga njerëz të lidhur me shefat lart”. Për këtë arsye thirrën FNSH-në e Tiranës dhe Fierit.
I gjithë angazhimi i Prokurorisë në terren ka të bëjë me mosveprimin e policisë. Prokuroria dhe SHISH duket se po prekin pikërisht parcelat e “të paprekshmëve”, në zonat ku policia nuk ndërhyn “me dashje”, ku kultivuesit dyshohet se kanë lidhje me shefat në polici dhe qeveri.
Me konstatimet dhe hetimet në terren, prokurorët jo vetëm po zbulojnë dhjetëra ton drogë, por po ngushtojnë lakun edhe ndaj drejtuesve të policisë që dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit dhe nuk kanë ndërhyrë për të asgjësuar zonat e evidentuara nga raporti i SHISH, për shkak të lidhjeve me narkotrafikantët.

R.POLISI

Fieri në revoltë ndaj fabrikës së plehrave, bllokohet rruga

Banorët e Mbrostarit kanë protestuar dje kundër ndërtimit të impiantit të plehrave. Në ditën e dytë të kësaj proteste, banorët e Mbrostarit që dje ishin më shumë në numër, kanë bllokuar disa herë rrugën nacionale Fier-Tiranë. Vetëm me ndërhyrjen e forcave të policisë është mundur çlirimi i rrugës nga protestuesit.
Protestuesit kanë hedhur thirrje; “Jashtë plehrat nga Mbrostari”, ndërsa kanë kërcënuar se do rimblidhen në këtë shesh dhe rrugë deri kur të tërhiqet ky vendim për ndalimin e ndërtimit të impiantit të plehrave në Mbrostar.
Teksa protestat në qytetin e Fierit vijojnë për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të përpunimit të plehrave, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) shpalli në buletinin e radhës fituesin e koncesionit me Partneritet Publik–Privat të përpunimit të plehrave në qytetin jugor.
SPV “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. u shpall nga APP si fitues të kontratës koncesionare për trajtimin e mbetjeve në Fier. Kjo kontratë do t’i kushtojë buxhetit 3.7 miliardë lekë pa TVSH.
Autoriteti kontraktor për këtë koncesion është Ministria e Mjedisit. Kjo formë investimi për përpunimin e mbetjeve në qytetet e mëdha është përdorur në Elbasan dhe në Tiranë nëpërmjet Eco Tirana.
Kompania që do të trajtojë mbetjet në qytetin e Fierit ka në kontratë me qeverinë ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhim energjie.
Investimi do të jetë privat, por i subvencionuar nga buxheti i shtetit.
Ministria e Mjedisit ka në zbatim dy koncesione me vlerë totale 7.4 miliardë lekë (57 mln euro). Impianti i mbetjeve në Elbasan, për periudhën 2015-2022, me vlerë 3.3 miliardë lekë. Impianti i mbetjeve në Fier, për periudhën 2017-2022, me vlerë 4.1 miliardë lekë.
Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë.
Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025, Shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione.
Sikur të mos mjaftonte ndotja  e shkaktuar nga plehrat dhe ujrat e zeza që prej vitesh kan marr rrugët e fshatit  për 3 mijë banorët e njësisë administrative Mbrostar, bashkia Fier, kjo e fundit  ka vendosur që në tokat  në hyrje të Mbrostarit të ndërtojë impiantin e pëprunimit të plehrave, atë impiant që e kundërshtuan banorët e Mbyetit dhe Plykut.
Impianti do të ndërtohet në hyrje të Mbrostarit ku nga ndërtimi preken banorë të 5 fshatrave, të Mbrostarit, Vajkanit, Verrisë, Kallmit të Vogël e Kallmit të Madh.
Banorët e Mbrostarit janë vënë në dieni të vendimit të këshillit bashkiak nga media por janë kundër ndërtimit të tij. Nuk mjaftonë fekalet që prej vitesh kanë marrë rrugët e fshatit dhe janë bërë shkak për epidemi por tani duan edhe grumbullimin e pëprunimin e plehrave këtu në fshatin tonë, jemi kundër, pohuan ata.
Prej vitesh edhe pse janë ankuar banorët e Mbrostarit për fekalet në rrugë e sipërfaqe drejtues nuk ka vënë dorë  si në ish komunën ashtu edhe sot njësi administrative. Banorët ankohen por asnjëherë zëri i tyre nuk është marrë parasysh.