SKANDAL – Koncesioni i laboratorëve po i çon pacientët tek privati. Kosto për qytetarët

Koncesionet vazhdojnë që të bëjnë batërdi në buxhetin e shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar sot një raport që ka hartuar dhe mbyllur në shtator të këtij viti në Drejtorinë e Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në fokus kanë qenë koncesionet.

Dy nga kontratat janë në qendër të hetimeve nga SPAK-u për momentin, Sterilizimi dhe Laboratorët. 

Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga konsorciumi, kjo kompani zotërohej nga “Pegasus”, një tjetër kompani shqiptare në pronësi të biznesmenit Janis Karathano.

Redaksia publikon gjetjet e raportit. Duke marrë brenda edhe koncesionin e Dializës, KLSH thotë se sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga “FSDKSH” në lidhje me financimin e kontratave PPP, ka rezultuar se për tre kontratat vlera e financimit vjetor, si dhe parashikimet e financimit të tyre nga 2022-2024 janë përtej mbështetjes buxhetore të parashikuar për zbatimin e tyre.

Por cilat janë gjetjet konkrete për koncesionin e Sterilizimit?

KLSH thekson se në bazë të dokumenteve që i ka vendosur në dispozicion Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që ka në dorë “rubinetin” e lekëve, ka “rezultuar se për ndërhyrjet kirurgjikale të kryera gjatë vitit 2022, në tre llojet e spitaleve, universitare, rajonale dhe bashkiake, ka përdorim të seteve të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale”.

Por çfarë do të thotë kjo?

Sipas auditit kjo do të thotë rritje të kostove duke thelluar “gropën” në buxhetin e shtetit që paguan privatin. Për këtë arsye, KLSH kërkon që të rishikohet kontrata koncesionare për “Sterilizimin” me qëllim që të rritet gama e pajisjeve duke ulur koston në buxhet.

Niveli i lartë i deviacioneve, ku për të njëjtën tipologji kirurgjikale përdoren nivele të ndryshme të kompleksitetit të seteve, ku në spitalet universitare arrin deri në 52 % të rasteve, në spitalet rajonale deri në 48.5 % të rasteve, kundrejt totalit të ndërhyrjeve, reflekton mangësitë në përfshirjen e kirurgjive sipas tipologjisë, referuar nivelit të seteve, por dhe të përmbajtjes me instrumente mjekësorë të seteve referuar nivelit të kompleksitetit, gjë e cila është e shoqëruar edhe me rritjen e kostove të këtij shërbimi dhe për rrjedhojë të mbështetjes buxhetore për vazhdimësinë.

Rikonfigurimi i tyre edhe pas ndryshimeve në vitin 2020, referuar aneksit nr. 4 të kontratës nr. 1440/40, datë 10.12.2015, dhe shkresës nr. 28/20, datë 04.12.2020 të koncesionarit, protokolluar në MSHMS me nr. 150/21, datë 07.12.2020 me objekt “Konfigurim i seteve 30.11.2020”, ka paraqitur mangësi dhe nuk ka minimizuar problematikën e evidentuar edhe në auditimin e mëparshëm të kryer nga KLSH” thotë raporti i publikuar.

Për këtë koncesion është nën hetim për veprimet që ka kryer dhe pasurinë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ndërsa ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni që fitoi koncesionin Ilir Rrapaj janë në burg.

Shkelje janë evidentuar edhe tek koncesioni i Laboratorëve, që i është dhënë biznesmenit Janis Karathanos. Konkretisht, KLSH thotë se shërbimi është i kufizuar nga tavani për numrin e analizave që janë të përcaktuara. Nëse numri plotësohet, koncesionari nuk e tejkalon fondin por i kalon në listë pritje duke rrezikuar ofrimin e shërbimit për qytetarët. Kjo, thotë më tej raporti, pra fakti që shërbimi nuk jepet në shtet, i drejton pacientët drejt spitaleve private.

Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FSDKSH është evidentuar se dhënia e këtij shërbimi është e kufizuar, nga kushtet e kontratës nr. 1924/2, datë 10.04.2019, pika 22.4 “Tavanet e buxhetit”, sipas të cilit koncesionari nuk mund të tejkalojë fondin e miratuar për spitalet në zërin “Laboratorët”, për rrjedhojë rastet shtesë duhet të transferohen në një listë pritje me përparësi, duke filluar nga periudha tjetër buxhetore e spitalit referues.

Përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore, kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse” thuhet në raport.

KLSH kërkon që Fondi i Sigurimit të Detyruar të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si kontraktor, duhet të kryejnë analiza të thelluara në lidhje me ecurinë dhe cilësinë e dhënies së këtij shërbimi, si dhe shpenzimeve në rritje të tij, me qëllim rritjen e efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore.

Gjithashtu kërkohet monitorimi i këtyre kontratave, me qëllim ndjekjen dhe disiplinimin e shpenzimeve, përdorimin me efektivitet të fondeve, të cilat rezultojnë me tendencë në rritje nga viti në vit, jo vetëm si rezultat i rritjes së rasteve, por dhe si rezultat i rritjes së kostove të shërbimit për pacient, duke tejkaluar mbështetjen buxhetore të parashikuar në kontratat koncesionare.

Exit mobile version