Zëdhënësja e KE: Përse u vendos autorizimi 5 euro

Teksa sistemi i lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen është vënë në pikëpyetje për shkak të krizës së refugjatëve, Komisioni Europian propozon një sistem të ri. Quhet ETIAS dhe është një sistem rregullash që e lehtësojnë dhe rrisin efikasitetin e kontrolleve të hyrje-daljeve. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Tove Ernst shpjegon këtë sistem në një intervistë.

– Më 16 nëntor, Komisioni Europian propozoi ETIAS. Sipas këtij sistemi, shtetasit që përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave afatshkurtra duhet të aplikojnë për një autorizim para udhëtimit të tyre në Shengen. Si do të aplikojnë ata konkretisht dhe kush i verifikon aplikimet?
Së pari, sistemi ETIAS nuk është një regjim vizash. Të gjithë qytetarët e vendeve që përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza. Bëhet fjalë për qytetarë të plot 60 vendeve në botë. Sistemi ETIAS nuk është konceptuar për një rajon të caktuar apo vende të caktuara edhe është një procedurë shumë e thjeshtë. Mjafton të bëhet një aplikim online, që pritet të marrë më pak se 10 minuta dhe në 95% të rasteve, qytetarët do të marrin një përgjigje pozitive. Procedura kushton vetëm 5 euro dhe është e vlefshme për 5 vjet.

– Në Ballkan, sistemi ETIAS perceptohet si një rikthim në regjimin e vizave, pasi kërkohet aplikim sërish për të udhëtuar. Komisioni Europian thotë që nuk është një rivendosje e vizave. Pse nuk është e tillë sipas jush dhe si do të kryejnë aplikimin personat e moshuar që jetojnë në zona malore dhe nuk kanë akses në internet, për të cilët komplikohet udhëtimi?
ETIAS nuk është konceptuar për të komplikuar udhëtimin pa viza, por për ta lehtësuar atë. Shumica e qytetarëve do të kenë vetëm brenda disa minutash autorizimin për të udhëtuar në Shengen, që do të jetë i vlefshëm për 5 vjet. Kur ata të paraqiten në kufijtë e shteteve anëtare, Policia Kufitare do ta ketë marrë tashmë informacionin për autorizimin dhe kontrollin e të dhënave për çdo rast individual. Pra, është një sistem që ndihmon policitë kufitare në punën dhe verifikimet që ata kryejnë. Në vend që këto verifikime të bëhen në kufi apo doganë të çdo shteti anëtar, ato bëhen paraprakisht. Edhe në rastet kur ka qytetarë, të cilëve u refuzohet udhëtimi, ata do ta marrin këtë përgjigje përpara gjatë autorizimit online dhe nuk kanë nevojë të shkojnë deri në kufi për këtë. Ja pse ETIAS lehtëson udhëtimin pa viza në zonën Shengen. Sistemi parashikon edhe rastet kur qytetarët nuk e bëjnë dot aplikimin online. Ata mund ta bëjnë përmes një agjencie udhëtimi ose një personi të tretë. Në raste të rralla, mund ta bëjnë edhe në kufi. Por gjithsesi, ne do të bëjmë një vlerësim në çdo vend para se të zbatohet sistemi.

– Komisioneri Avramopolos deklaroi se ETIAS shërben për evitimin e rreziqeve lidhur me flukset migratore dhe terrorizmin. A është konceptuar gjithashtu sistemi që të ndalë abuzimet?
Sistemi verifikon informacionin që jep udhëtari me atë që ekziston në sistemet e të dhënave të informacionit të BE-së, për shembull për të parë rreziqet në nivelin e sigurisë apo migracionit të paligjshëm. Për shembull personat, të cilët kanë tejkaluar kohën e qëndrimit, të cilëve u është refuzuar hyrja ose që u është kërkuar largimi, mund të marrin një përgjigje negative gjatë procedurës për autorizim.

– Ajo që duam të dimë konkretisht në rastin e Shqipërisë, është nëse do të ndëshkohen abuzuesit e lëvizjes së lirë, duke qenë se ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që kanë kërkuar azil në vendet anëtare?
Sistemi nuk është krijuar për të ndëshkuar udhëtarët e 60 vendeve në botë, por për ta lehtësuar atë dhe për të detektuar rreziqet potenciale në nivelin e sigurisë dhe të terrorizmit para se këta persona të vijnë në kufi. Pra, këtu përfshihet edhe verifikimi i rasteve të personave, të cilëve u është kërkuar të largohen nga territori i një shteti anëtar apo kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme në territorin e BE-së.

– Kur është parashikuar hyrja në fuqi e ETIAS?
Hyrja në fuqi është parashikuar më 2020.

Exit mobile version