Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi në “Special Report” komentoi veprimet penguese të deputetëve të Berishës te kryesia e Kuvendit.
Ai theksoi se procesi politik në Shqipëri ka vdekur dhe vendi ynë nuk prodhon më politikë. Sipas Zekthit, situata aktuale nuk mund të zgjidhet me mjete politike dhe bazuar në këtë ai shtoi se ndërhyrja e SPAK dhe drejtësisë mund t’i japë një zgjidhje “tymnajës” opozitare dhe mund të largojë Berishën.
“Procesi politik ka vdekur i gjithi, Shqipëria nuk prodhon më politikë. Aktoret zhurmëmëdhenj, qeveria dhe fluksi i Berishës janë në anti-politikë. Anti-politika është ajo që vetëm unë kam të drejtë, unë bëj atë që dua unë, ndërkohë që politika në vetvete është negociatë e përditshme dhe nuk bën atë që do dhe do dihet çdo ditë të negociosh. Nuk zgjidhet më me politikë, ka vite, që nga 2019, aktorët kanë dështuar. Kjo zgjidhet me mjete apolitike dhe besoj se kështu do zgjidhen, që është SPAK dhe drejtësia. Pse është prish procesi politik? Është prish si pasojë e korrupsionit politik të thellë të klasë politike shqiptare”, tha ai.
Anëtari i kryesisë së PD-së u shpreh se rruga që kanë zgjedhur deputetët dhe mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha është absurde dhe tërësisht e pakuptimtë.
Do zgjas kjo punë, por nuk ka rrugë tjetër. Ajo rrugë politike është pakuptimtë dhe absurde, është kundër historisë dhe kundër kohës. Ata janë atje sepse në një moment të caktuar ose bënë zgjedhjen gabuar ose menduan se atje është më e forta dhe atje mund të mbrohet karriera e tyre, Ata kanë ngecura aty dhe nuk lëvizin dot. Lidershipi politik i opozitës, në tërësi, ka dështuar turpshëm.”, tha ai