Cristiano Ronaldo mbyll diskutimet dhe zërat e merkatos, duke e bërë të qartë se ai ndihet 100% lojtar i Realit të Madridit. Në një intervistë dhënë për faqen e specializuar “Jugones”, portugezi e bën të qartë pa shumë lojëra fjalësh se dëshiron ta mbyllë karrierën në radhët e skuadrës “Los Blancos”. “Kam dëshirë të dal në pension këtu te Reali i Madririt, ndoshta në moshën 41-vjeçare. Gjithesi duhet të pres për të mësuar nëse do të rinovoj. Kam kaluar momente shumë të mira këtu. 4 vite më parë nuk isha i lumtur, ndërsa tani jam dhe nuk shikoj asnjë skuadër tjetër për të ardhmen time, sepse asnjë klub nuk është në lartësinë e Realit”, u shpreh Ronaldo.
Një deklaratë që i mbyll derën Paris Saint Germain dhe Manchester City-t që tashmë duhet të ndryshojnë strategjinë e merkatos, pasi numri 7 i ka idetë e qarta. Në vijim, Ronaldo flet për periudhën nën drejtimin e Rafael Benitez, duke e pranuar se edhe nga spanjolli ka arritur të mësojë shumë gjëra, ndërsa më pas ndalet te Zidane. “Ai është një njeri shumë inteligjent. Nuk flet shumë dhe ky është një detaj i rëndësishëm. Unë identifikohem në shumë sjellje të tij. Dua të fitoj shumë si Zidane. Edhe pse nuk ka shumë eksperiencë si trajner, po e bën punën e tij shumë mirë”, tha portugezi.
Ndërkohë, Zinedin Zidane vlerësoi trajneri i Atletiko Madridit, Simeone. Zidane foli në “Ditën e Hapur të Medias” së Realit të Madridit para finales së Ligës së Kampioneve ditën e shtunë, ndeshje që “Los Blancos” do e luajnë përballë Atletico Madrid, në “San Siro” të Milanos.
Trajneri i Realit hoqi presionin nga ekipi i tij duke thënë se, humbja e finales nuk do të ishte dështim. Sipas tij, dështim do të ishte nëse ekipi nuk jep maksimumin. “E rëndësishme është që ta përgatisim mirë, por në një finale mund të ndodhë gjithçka. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi nuk luajmë ndaj një ekipi që di vetëm të mbrojë, por bëhet fjalë për një kundërshtar të kompletuar, që di të luajë me topin”, u shpreh Zidane.
Kur u pyet në lidhje me Diego Pablo Simeonen, Zidane pati vetëm lëvdata. “Bën një punë të mirë. Është një nga trajnerët më të mirë në botë. E njeh shumë mirë futbollin dhe skuadrën e tij. Ka gjithçka që duhet të ketë një trajner, ndërsa unë kam shumë për të mësuar. Do të përmirësohem, jam i bindur për këtë. E përsëris, kam shumë rrugë përpara dhe nuk mendoj se jam trajner i rëndësishëm”, tha Zidane.