I riu tenton të vrasë veten në burg, në gjendje kome

Një i ri ka tentuar t’i japë fund jetës në ambientet e burgut të Fierit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Marlind Ymeraj, 27 vjeç tentoi të mbyste veten me çarçaf. Kanë qenë gardiantët e burgut, ata që kanë parë se çfarë kishte ngjarë brenda qelisë, ndërsa kanë njoftuar sigurinë dhe ambulancën. Sipas informacioneve mësohet se i riu është rëndë për jetën, pasi është në gjendje kome. Si fillim ai u transportua me urgjencë në Spitalin e Fierit, e më pas drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Burimet e policisë bënë të ditur se 27-vjeçari Marlind Ymeraj, banues në Tiranë, vuante dënimin për vjedhje. Të njëjtat burime pohojnë se arrestimi i të riut u krye më 19 qershor të vitit 2015. Ai akuzohej se po këtë ditë, rreth orës 11:30, se në rrugën “Sokrat Miho”, i ka marrë çantën shtetases L.Rr, 24 vjeç, banuese në Tiranë. Atij gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet një përforcues grushti e një shall i përshtatur si maskë.
“Më datë 19.06.2015, rreth orës 11:30, u arrestua në flagrancë shtetasi Marlind Ymeraj, 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në orën 03:00, në rrugën “Sokrat Miho”, i ka marrë çantën shtetases L.Rr, 24 vjeç, banuese në Tiranë, si dhe gjatë kontrollit ju gjet një përforcues grushti e një shall i përshtatur si maskë. Nenet 134/1 e 279 të Kodit Penal”, citohet në njoftimin e policisë gjatë kohës së arrestimit të Ymerajt. Ai si fillim u dërgua në Burgun 303 në Tiranë, e më pas në atë të Fierit. Ditën e djeshme, 27-vjeçari tentoi të mbyste veten me çarçaf në ambientet e qelisë.

Exit mobile version