Një protestë e turpshme e urdhëruar nga Elvis Rroshi është zhvilluar dje në Kavajë me qëllim mbrojtjen e tij ndaj akuzave të ngritura për lidhjet e Rroshit me trafikun e drogës. Një njeri i dënuar e i konfirmuar si shpërndarës droge dhe si përdhunues në grup, Elvis Rroshi e ka kthyer qytetin në një geto, të cilën e mbledh dhe e shpërndan me një fishkëllimë. Sipas raportimeve të News24, prindër, mësues, nxënës e stafi pedagogjik i shkollës së mesme të përgjithshme “Aleksandër Moisiu” në Kavajë është hedhur në protestë mesditën e djeshme. Shkak sipas këtij raportimi është bërë një status në Facebook i ish-kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë, i cili akuzonte kreun e Bashkisë Kavajë si shpërndarës të drogës në këtë gjimnaz. Drejtoresha e këtij gjimnazi, Rovena Xeka i ka quajtur shpifje të mirëfilltë postimin në Facebook të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke shtuar se do ta ndjekë në rrugë ligjore këtë shpifje të ulët të ish-kryeministrit. Xeka u zotua se në gjimnazin e drejtuar prej saj ky fenomen nuk ekziston. Edhe prindërit kanë dalë në mbështetje të stafit pedagogjik, duke deklaruar se janë të sigurtë për fëmijët e tyre, pasi janë nën kujdesin e një stafi pedagogjik profesionist, raporton “News 24”. Pak ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha, në një postim në Facebook akuzoi kryebashkiakun Elvis Rroshi dhe drejtoreshën e gjimnazit se drejtonin tregtimin e lëndëve narkotike në ambjentet e gjimnazit të Kavajës “Aleksandër Moisiu’.
Rroshi urdhëron protestë në mbrojtje të akuzave ndaj tij

Përdhunuesi do të organizojë koncert fëmijësh
Me mbështetjen absolute të Ramës, Elvis Roshi vijon të sfidojë shtetin ligjor, duke u shfaqur ende në detyrë si kryetar i Bashkisë së Kavajës, e madje duke organizuar aktivitete me fëmijë. Gazeta “RD” denoncoi dy ditë më parë një afishe të publikuar nga Bashkia Kavajë, sipas të cilës nën kujdesin e kryetarit Elvis Roshi do të organizonte një koncert për fëmijë. Dje, Partia Demokratike përmes deputetit Eduard Halimi denoncoi këtë skandal, ndërsa theksoi se ngjarja në fjalë dëshmon fundin e shtetit ligjor ku ligjet dhe Kushtetuta e vendit nëpërkëmbet nga vet kryeministri. Halimi u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 18 shkurtit si e vetmja zgjidhje për t’i thënë ndal keqqeverisjes.
“Shihni pak këtu, i dënuari për trafik ndërkombëtar droge. I dënuari për përdhunim në grup, Elis allias Edvin Rroshi shpërndan afishe dhe sot në Kavajë, se ai i dënuari për përdhunim të të miturve, do të kujdeset personalisht për të organizuar Festivalin e Këngës për Fëmijë. Shiheni pra ku kemi arritur, ai person i cili nga Prokuroria u kërkua t’i hiqej mandati, KQZ kërkoi t’i hiqte mandatin, ta shkarkonte, Edi Rama duhet ta largonte një herë e mirë nga Bashkia, nga partia, nga politika dhe t’i gjente vendin, por ky person është përsëri në krye të Bashkisë, ai person kujdeset personalisht për të organizuar festivalin e fëmijëve. Ja ku kemi arritur. Këtu nuk ka ligj, këtu nuk ka Kushtetutë, këtu nuk ka legjislacion të zbatueshëm, sepse nuk do një njeri, nuk do Edi Rama. Ndaj e vetmja zgjidhje për të gjithë qytetarët është të dalim në shesh. E vetmja zgjidhje janë protestat, në mënyrë që krimi të ndahet një herë e mirë nga politika, në mënyrë që njerëz si ky këtu Elvis Ervin Rroshi i dënuar për përdhunim, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të mos ketë më të bëjë me qytetarët dhe me postet publike. E vetmja zgjidhje sot është të dalim të gjithë bashkë më 18 shkurt në protestë”, u shpreh dje Halimi.
Një festival fëmijësh do të organizohet në Kavajë më 8 dhe 9 shkurt. Sipas posterit në Kavajë, organizator i këtij festivali do të jetë Elvis Roshi, që sipas posterit është akoma në detyrën e kryetarit të Bashkisë. Rroshi i Kavajës, vazhdon punën i pashqetësuar megjithëse është shkarkuar nga detyra si kryetar i Bashkisë. Fakti që ai nuk e liron zyrën e shtetit konfirmohet dhe nga faqja zyrtare e Bashkisë së Kavajës, ku ai përshkruhet si një njeri i punës, i arsimuar (në fakt vitet si korrespondojnë për përfundimin e shkollës së mesme), biznesmen i suksesshëm etj. Emri i tij duhet të ishte hequr që më datë 29 dhjetor, kur Rama mori vendim qeverie për ta shkarkuar.
Qeveria dështoi, mijëra qytetarë të papunë po i drejtohen azilit
Premtimi i Kryeministrit Edi Rama, për 300 mijë vende pune solli debate të ashpra mes opozitës dhe ministrit Blendi Klosi, në Komisionin për Çështjet Sociale ku u diskutua projektligji për arsimin profesional. Deputetja Albana Vokshi tha se qeveria ka dështuar, ndërsa Klosi tha se janë rreth 205 mijë të rinj kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore. Diskutimi i Projektligjit për Arsimin Profesional, solli debate mes mazhorancës dhe opozitës në komisionin e çështjeve sociale, përsa i përket punësimit dhe premtimit të qeverisë për 300 mijë vende pune. Deputetja demokrate Albana Vokshi tha se qeveria ka dështuar ndërsa ka zhytur vendin në krizë ekonomike, por ministri Blendi Klosi, tha se të rinjtë po orientohen drejt tregut të punës. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së komisionit, Albana Vokshi, e cila tha se qeveria mashtroi me hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës. “Rama ka premtuar 300 mijë vende të reja pune nuk ka premtuar formalizim të punëve në informalitet” tha kryetarja e Komisionit. Vokshi dhe ministri i Mirëqenies Sociale debatuan dhe për fenomenin e azil kërkimit nga shqiptarët. Vokshi tha se të rinjtë po largohen për shkak të papunësisë dhe mungesës së mundësive për tu punësuar në vend.
Ministria e Financave injoron kërkesat e bizneseve
Kërkesat e biznesit nuk janë marrë parasysh nga qeveria për ndryshimet që janë bërë në dy struktura të rëndësishme për këtë komunitet. Kështu referuar tashmë ligjit për procedurat tatimore, ku flitet për Avokatin e Tatimpaguesit dhe Komisionin e Apelimit, edhe pse i janë kërkuar mendime biznesit, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Financave.
Sipas burimeve nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës, kërkesat e paraqitura vitin e kaluar konsistonin në: “Varësia e Avokatit të Tatimpaguesit nuk mund të jetë nga Ministria e Financave, ku janë edhe Tatimet edhe Doganat (zbatuesit e ligjeve fiskale), pasi ai është në mbrojtje dhe interes të sipërmarrjes (tatimpaguesit) dhe si i tillë do të gjente veten pranë sipërmarrjes në Ligjin nr. 9640, si dhe përgjigjej, emërohej apo më shumë, tek ministri që drejton Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
Por ky propozim nuk u mor parasysh, pasi duke iu referuar ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se struktura organike, mbi bazën e së cilës Avokati i Tatimpaguesit, duke filluar nga data 1 janar 2017, është pjesë përbërëse e Ministrisë së Financave.
“Çdo tatimpagues që do të kërkojë shërbimin e Avokatit të Tatimpaguesit, duhet t’i drejtohet, Drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesit, në adresën Ministria e Financave”.
Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë gjithashtu se Avokati i Tatimpaguesit i raporton me shkrim, periodikisht, një herë në tre muaj, ose sa herë që ai e kërkon, ministrit të Financave.
Në të njëjtën kohë, ky raport i dërgohet edhe drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Gjithashtu një tjetër kërkesë e biznesit ishte pjesëmarrja e Avokatit të Tatimpaguesve në Komisionin e Apelimit, për gjobat mbi 20 milionë lekë.
Por sipas ligjit në fuqi, pjesë e këtij komisioni do të jetë Avokatura e Shtetit, që sipas përfaqësuesve të biznesit, është jashtë çdo logjike.
Vota kundër SHBA në NATO, si do të reagojë Uashingtoni?
Presidenti i Republikës ka nxjerrë zbuluar dhe një herë ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, në lidhje me informacionin që ka dërguar në Presidencë për votimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Me ç’duket i zënë ngushtë prej urdhrave të shefit të tij në qeveri, i cili e ka urdhëruar prerazi të votojë kundër interesave amerikane dhe Perëndimit në lidhje me rezolutën për armët bërthamore në OKB, si një karshillëk që kërkonte t’i bënte Shteteve të Bashkuara, ministri i Jashtëm kërkon të përfshijë në këtë skandal dhe Presidentin e Republikës, ku u shpreh se i ka dërguar informacion që më datë 3 shkurt. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidencës, e cila ka bërë publike për mediat dokumentin e protokollit të Gardës, e cila merr në dorëzim dhe postën zyrtare të institucionit. Sipas kësaj shkrese, letra është dorëzuar më datë 7 shkurt, në orën 10, pra përgjatë kohës kur Bushati ishte në Komisionin e Jashtëm, në seancën e thirrur nga deputetja e PD-së Topalli për këtë çështje.
Presidenca
Në shkresën e Presidencës bëhet e qartë se ajo nuk ka qenë e informuar për këtë çështje. Nga ana e tij, Nishani ka shprehur keqardhjen, për dezinformimet sipas tij të përsëritura nga ana e ministrit Bushati. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh keqardhjen për dezinformimet e përsëritura e të pavërteta të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe nëse nuk do të ishte një çështje e rëndësishme e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik të Shqipërisë, si dhe vendet partnere në NATO, nuk do t’i kthente përgjigje dezinformimit të radhës së ministrit. Dezinformimit të djeshëm në Komisionin për Politikën e Jashtme, sot ministri Bushati i ka shtuar edhe një të ri, duke pretenduar se i është përgjigjur në formë shkresore presidentit përpara deklaratës së tij të ditës së djeshme në Komisionin parlamentar. Edhe ky pretendim i ministrit Bushati nuk është aspak i vërtetë, pasi shkresa ka mbërritur në Presidencë dhe është regjistruar nga autoritetet e Gardës së Republikës, në orën 10:00, të datës 07.02.2017, si dhe pak minuta më vonë nga strukturat e protokollit të institucionit të Presidentit të Republikës. Këto janë lehtësisht të verifikueshme dhe jo pretendimet dezinformuese të ministrit”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Informacioni i mbajtur i fshehur për 45 ditë
Nga ana e tij, Bushati ka bërë publike një letër, e cila mban numrin e protokollit 1662 dhe siç pretendon ai është shkruar më datë 3 shkurt. Por siç dhe pohon vetë Ministria e Jashtme, kërkesa e Presidencës për informacion në lidhje me këtë çështje ka shkuar që më datë 11 janar 2017. Ndërkohë votimi në Asamblenë e Përgjithshme është bërë më datë 23 dhjetor të vitit të shkuar… Ministri Bushati, nuk i është përgjigjur për më shumë se 25 ditë kërkesës së Presidentit. Po t’i shtojmë dhe ditët që kur është kryer votimi atëherë dalim në përfundimin se nga ana e shtetit shqiptar është heshtur për më shumë se 45 ditë për këtë çështje. Bushati nga ana e tij nuk dha përgjigje as kur çështja u bë publike nga ana e ish-Kryeministrit Berisha në seancën e 26 janarit, kur denoncoi këtë votim. Nuk mori mundimin të bënte as sqarimin më të vogël zyrtar, në rast se çështja ka të bëjë me një gabim njerëzor apo të sekretarisë atje siç pretendon Bushati. Duket se nga ana e shtetit shqiptar ka një tentativë për ta fshhehur këtë çështje, e cila përbën një nga skandalet më të mëdha të historisë sonë në marrëdhëniet me Aleancën e Atlantikut Verior dhe SHBA-të. Dyshimet janë hedhur se vota kundër u dha, menjëherë pasi u shpall fitues presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, ku Edi Rama kish vënë bastin e tij politik për kandidaten demokrate dhe u investua deri në daljet e televizioneve amerikane kundër presidentit Trump. Vota mesa duket ka qenë një karshillëk që ka kërkuar të bëjë Kryeministri ynë piktor, që mesa duket ka ngatërruar Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me Asamblenë e Partisë Socialiste, ku është mësuar të duartrokitet për të gjitha llomotitjet e veta, por harron se marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë, nuk janë si ato mes tij dhe atyre që i bëjnë fresk pushtetit.
Ajo çfarë pritet të ndodhë është si do të reagojë Uashingtoni? A ka reaguar politika zyrtare amerikane në lidhje me këtë votë kundër të Shqipërisë ndaj Prseidencës Trump? Natyrisht që ka një reagim zyrtar dhe ky pritet të bëhet publik.
Armand MAHO
Icardi e Perisiç skualifikohen 2 ndeshje
Interi del më i dëmtuar sesa mund ta parashikonte nga sfida me Juventusin. Përveç disfatës 1-0 që ndali ecurinë pozitive prej 7 fitoresh radhazi të skuadrës së Piolit në kampionat, në sfidën me bardhezinjtë e Allegrit, Interi humbi për dy ndeshjet e ardhshme të Serisë A, dy lojtarët më të mirë në repartin e sulmit. Gjykatësi sportiv në Itali ka dënuar me 2 ndeshje skualifikimin e kapitenit të zikaltërve argjentinasin Mauro Icardi dhe kroatin Ivan Perisiç. Në këtë mënyrë Interi nuk do t’i ketë në dispozicion këta dy futbollistë, për sfidat ndaj Empolit dhe Bolognas, me Perisiç dhe Icardin që do të rikthehen për ndeshjen e rëndësishme ndaj Romës. Perisiç autori i 7 golave në kampionat, u ndëshkua me karton të kuq në sekondat e fundit të ndeshjes që u zhvillua në “Juventus Stadium” dhe për shkak të fjalëve fyese që ka përdorur në drejtim të arbitrit Rizzoli është pezulluar me 2 ndeshje. Icardi ndërkohë nuk mori karton të kuq, por në përfundim të sfidës bëri një veprim të pahijshëm në drejtim të gjyqtarit që sipas kapitenit i mohoi Interin të paktën dy penallti.
Autori i 15 golave në këtë sezon të Serisë A, goditi një top në drejtim të Rizzolit që gjithsesi nuk e preku arbitrin, por kaq mjaftoi që ky i fundit të shkruante një raport për Icardin, i cili gjithashtu u skualifikua me dy ndeshje nga gjykatësi sportiv. Interi do ta apelojë vendimin, por nëse masa ndëshkimore nuk ulet, Stefano Piolit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mendojë sesi do t’i zëvendësojë këta dy lojtarë. Alternativat nuk mungojnë gjithsesi sepse ka një kontigjent të madh lojtarësh. Pritet që në dy sfidat e radhës të ketë më shumë hapësira për lojtarë të tillë si Eder, Palacio, Banega e Gabigol, pa harruar gjithashtu faktin që në krahët e sulmit në skemën 4-2-3-1 mund të përshtaten edhe Joao Mario e Brozoviç, për të zëvendësuar Perisiç në dy takimet e radhës.
Ndërkohë sulmuesi i Juventusit, Juan Guadrado ishte vendimtar në derbin ndaj Interit, pasi shënoi supergol në fitoren 1:0. Por, ai edhe pse e pranon se ishte supergol, po ashtu thotë se ishte pak me fat. “Ishte gol fantastik. Por kisha edhe pak fat sepse kisha mundësi 1 prej 10 që të shënoja”, tha Cuadrado për “Gazzetta dello Sport”.
Shfajësohet Baka
Karlos Baka i ka kërkuar publikisht falje trajnerit Vinçenco Montela për mënyrën se si u soll gjatë zëvendësimit në ndeshje kundër Sampdorias. “Nuk kam asnjë lloj problemi me trajnerin, vetëm më zëvendësoi dhe u zemërova, pasi po mundeshim nga një penallti e Muriel dhe shpresoja të qëndroja në fushë për të ndihmuar ekipin. Ishte një vendim i tij dhe unë isha ende i nxehtë prej ndeshjes dhe ndodhi… Më pas gjithçka shkoi mirë dhe sot fola me të. E di që kam gabuar, por gjithçka është fryt i asaj që bëra në fushë dhe se më zëvendësoi. Duhet të respektoj zgjedhjet e tij dhe të vazhdoj të punoj”, ishte ndjesa e Bakas.
Kolumbiani ka idetë e qarta se si mund të shlyejë gabimin edhe para shokëve të skuadrës. “Kam folur me shokët dhe do t’u paguaj një darkë të gjithëve. E kam vendosur pasi jemi një skuadër e bashkuar”, tha ai.
Milani është zyrtarisht në krizë. Kuqezinjtë prekën fundin me disfatën 1-0 në shtëpi ndaj Sampdorias. Duelin në “San Siro” e vendosi Luis Muriel, i cili në minutën e 70-të shndërroi në gol një penallti të shkaktuar nga një ndërhyrje nga prapa e Paletës ndaj Kualjarelës në zonë. Milani e mbylli takimin me një lojtar më pak, pasi Hoze Sosa u përjashtua me dy kartonë të verdhë në pesë minutat e fundit.
Ekipi vendas qan një shtyllë të goditur nga Deulofeu dhe një mundësi të mirë të humbur nga Lapadula. Humbja e tretë radhazi e zbret skuadrën milaneze në pozitën e tetë me 37 pikë, por me një ndeshje më pak. Kurse Sampdoria ngjitet e dhjeta, me 30 pikë në 23 ndeshje.
Ndërkohë, lojtari i lirë, Martin Caseres ka tradhtuar keq skuadrën e Milanit, tek e cila skuadër kreu testet mjekësore ditë më parë. Ai dje ka kryer testet te skuadra e Southamptonit, para se të nënshkruajë kontratën e re, shkruan “Daily Mail”. Kujtojmë se Caseres po ashtu testet mjekësore javë më parë kishte kryer edhe në Crystal Palace, por tashmë ka vendosur përfundimisht për Southamptonin.
Mavraj është si beton në mbrojtje
Që prej dyshes së qendërmbrojtësve Van Bujten-Bularuz (2004-‘06), asnjë dyshe tjetër mbrojtësish nuk kishin fituar kaq shumë besimin dhe zemrat e tifozëve të Hamburgut. Bëhet fjalë për Mërgim Mavrajn dhe grekun Kiriakos Papadopulos. Këtë e thotë një prej drejtuesve të lartë në të shkuarën të kundërshtarëve që u mundën nga skuadra e Mavrajt gjatë fundjavës.
“Të dy janë si beton në mbrojtje. Vendosmëria e tyre është edhe çelësi në një dyluftim. Jam argëtuar nga performanca e tyre në ndeshjen e fundit”, tha Rainer Kalmund, ish-menaxheri dhe drejtori i Përgjithshëm i Leverkusenit.
Ndërkohë, Arlind Ajeti pritet të largohet përfundimisht nga Torino. Mbrojtësi nga Kosova ka pritur gjatë që të debutojë me Torinon, ku ishte transferuar gjatë verës. Por, fatkeqësisht asgjë nuk ka shkuar mirë për mbrojtësin e kombëtares në debutimin me Torinon në Serie A, në ndeshjen ndaj Empolit. Ai ka bërë një gabim në përfundim të pjesë së parë, e cila i kushtoi Torinos me gol. Sipas “Calciomercto.com”, Ajeti pritet të largohet përfundimisht nga Torino gjatë verës, pasi vështirë se do të zërë vend në formacionin bazë, derisa nuk ka edhe raporte të mira me trajnerin serb, Sinisa Mihajloviç.
Debutojnë Sadiku dhe Ajeti
Armando Sadiku debutoi këtë fundjavë me fanellën e Luganos, ndërsa Edgar Çani gjeti golin e parë sezonal me Pisan. Shqiptarët e futbollit europian dhuruan paraqitje pozitive në disa prej ligave më të forta të kontinentit, por jo të gjithë buzëqeshën këtë fundjavë. Bomberi kuqezi që gjatë merkatos së dimrit u transferua te Lugano me dëshirën e trajnerit Paolo Tramezani, zbriti në fushë që nga minuta e parë në transfertën e Baselit që gjithsesi rezultoi një debutim i hidhur pasi ekipi mik u mund me rezultatin 4-0. Shumë pak mundësi për sulmuesin nga Elbasani duke marrë parasysh edhe shkallën e lartë të vështirësisë së kësaj sfide pasi Baseli është skuadra e momentit në Zvicër.
Në Serie B shqiptarët arritën të lënë shenjë këtë fundjavë. Ishte Edgar Çani ai që shënoi në barazimin 1-1 që Pisa arriti ndaj Entellas. Kjo ishte edhe rrjeta e parë e tij gjatë këtij sezoni ku skuadra toskane lufton për të mos rënë nga kategoria. Çani hyri në fushën e lojës në minutën e 68 duke zëvendësuar pikërisht sulmuesin tjetër shqiptar, Rey Manaj. Migjen Basha shkëlqeu në mesfushën e Barit në suksesin 2-1 ndaj Vincenzas. Tashmë lojtari shqiptar është një pikë referimi në mesfushën e skuadrës puljeze. Ai ka marrë notën më të lartë të ndeshjes duke konfirmuar momentin pozitiv që po kalon me skuadrën e Barit. Fundjavë pozitive edhe për Gjimshitin që u aktivizua për 90 minuta në ndeshjen që Avellino barazoi pa gola në transfertën e Trapanit. Një mur i vërtetë rezultoi shtatlarti nga Presheva në repartin e tërhequr të Avellinos, duke ndihmuar skuadrën e tij të dilte me një pikë nga transferta siçiliane.
Në Serie A, asnjë minutë për Veselin e Strakoshën, ndërsa Arlind Ajeti debutoi me fanellën e Torinos në kampionat. Gjithsesi, mbrojtësi kuqezi do të kërkojë ta harrojë sa më shpejt ndeshjen e barazuar 1-1 në Empoli pas gabimit në rastin e golit të barazimit të skuadrës toskane. 90 minuta të plota edhe për Elseid Hysajn në fitoren e 7-1 të Napolit në Bologna. Mbrojtësi i djathtë u ndëshkua me një karton të verdhë të panevojshëm në minutën e 75 të ndeshjes. Moment të artë po kalon Etrit Berisha me Atalantan. Skuadra bergamaske kaloi lehtësisht 2-0 Cagliarin, ndërsa gardiani shqiptar ruajti të paprekur kuadratin e ekipit zikaltër në garë për Europën. Titullar edhe Mërgim Mavraj në Gjermani ku Hamburgu arriti fitoren e parë të vitit 2017. Shtatlarti i kombëtares shqiptare zhvilloi një 90 minutësh shumë të mirë në shtëpi ku Hamburgu kaloi 1-0 Bayer Leverkusenin.
Kosova e pret ende Januzajn
Trajneri i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez, planifikon që të kthejë në radhët e kësaj përfaqësueseje Adnan Januzajn. Futbollisti 22-vjeçar vazhdon të mos shprehet publikisht rreth të ardhmes së tij, nëse do të luajë me Kosovën apo jo. Por mesa duket, në Belgjikë nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtësisht nga ai.
Martinez ka pranuar se po ndjek me vëmendje futbollistin dhe pas ndeshjeve të tij të fundit me Sandërlend, ka krijuar besimin se ai do të jetë shumë i vlefshëm edhe për “Djajtë e kuq”.
“Ai ka shumë talent. Ai është lloji i lojtarit që mund të bëjë diferencën. Në kombëtare, ne nuk kemi asnjë fantazist që luan me të majtën. Unë kam shpresa të mëdha për të, pasi ne nuk kemi shumë futbollistë që luajnë me të majtën, të cilët mund të aktivizohen edhe në krahun e djathtë. Duke marrë parasysh stilin tonë të lojës, Januzaj mund të jetë shumë i rëndësishëm në këtë rol në kombëtare. Ai mund të sjellë ekuilibër në lojën tonë”, tha Martinez.
Januzaj ka filluar të luajë rregullisht me Sandërlendin dhe në ndeshjen e fundit që kjo skuadër fitoi me rezultatin 4-0, ai dha dy asist. “Trajneri i ka dhënë më shumë liri pas sulmuesit. Në këtë rol ai prek më shumë topin dhe ne e dimë që mund të jetë kirurgjikal në situata të tilla.
Ai ka një talent thuajse të pashoq, por në këtë etapë të karrierës, duhet të luajë rregullisht. Në fillim të sezonit, ai e kishte të vështirë të tregonte nivelin e tij, por tani që ka 3-4 ndeshje të luajtura në këmbë, e shohim që mund të ketë një impakt të madh në lojën e skuadrës”, tha Martinez, i cili pranoi se po merrte në konsideratë idenë e grumbullimit të Adnan Januzajt në mars.