19.5 C
Tirana
E diel, 18 Maj, 2025

5 kushtet e Brukselit që rrëzojnë Ramën

Më 3 shkurt 2017, Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (PE) miratoi raportin për Shqipërinë, i cili do të votohet në sesionin e ardhshëm plenar të PE-së.
Raporti pohon shumë qartë pesë kushtet kryesore për hapjen e negociatave me Shqipërinë. PE thekson se zbatimi i plotë dhe në kohë i reformave për të pesë kushtet është thelbësor që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara- luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër drogës, dekriminalizimin, zbatimin e reformës në drejtësi dhe zgjedhjet e lira.
Raporti konfirmon kështu kërkesat e Bundestagut gjerman për Shqipërinë, të paraqitura Kryeministrit Rama nga kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane Gunther Kirschbaum, i cili u sulmua nga Kryeministri Rama dhe mediat pranë tij.
Raporti ngre gjithashtu disa çështje të tjera të rëndësishme përfshi respektimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht ruajtjen e lumenjve nga ndërtimi i hidrocentraleve. Duket se me lobimin e deputetëve bullgarë raporti ka përfshirë edhe një kërkesë për njohjen e minoritetit bullgar në Shqipëri.
Në një diskutim të draft raportit 2016 për Shqipërinë nga Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian në datën 2 shkurt, eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë theksuar se, “Shqipëria ka nevojë të zbatojë reformat lidhur me BE-në në mënyrë të besueshme dhe të sigurojë që zgjedhjet parlamentare të qershorit të jenë të lira dhe të ndershme, në qoftë se ajo kërkon të fillojë negociatat për anëtarësim në BE”. Eurodeputetët mirëpresin progresin e Shqipërisë në reformat lidhur me BE-në dhe përpjekje të mëtejshme për të reformuar sektorin gjyqësor, i cili është një kërkesë kyçe e qytetarëve të Shqipërisë dhe një faktor në rivendosjen e besimit në institucionet publike. Ndërsa, përjashtimi i kundravajtësve penalë nga postet publike dhe rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë hapa premtues përpara, eurodeputetët mbetën të shqetësuar për drejtësinë selektive, korrupsionin, procedurat e stërgjatura gjyqësore dhe ndërhyrjet politike në hetime apo çështje gjyqësore. Eurodeputetët theksojnë se, zbatimi i besueshëm i këtyre reformave dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor të vitit 2017 është një çelës për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe nisjen e negociatave.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni

Parlamenti Evropian kërkon që hapja e negociatave të bëhet sapo të shihet përparim i besueshëm dhe i qëndrueshëm në zbatimin e reformës të drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raporti përmend qartësisht se “policët dhe prokurorët kanë dështuar të identifikojnë rrjetin kriminal që qëndron pas kultivimit të drogës”. Shqetësime janë shprehur edhe për “rritjen e numrit të të burgosurve dhe […] keqtrajtimin e të dyshuarve në rajonet e policisë”. Në mënyrë të drejtpërdrejtë raporti trajton korrupsionin në nivelet e larta të qeverisë:
Paralamenti Evropian vazhdon të jetë i shqetësuar se korrupsioni mbetet ende i lartë dhe mbizotërues në shumë fusha… duke shkatërruar besimin e qytetarëve në institucionet publike; institucionet kryesore antikorrupsion vazhdojnë të jenë subjekt i ndërhyrjes politike dhe kanë aftësi të kufizuara administrative; bashkëpunimi ndërinstitucional është i dobët dhe shkëmbimi i informacionit vazhdon të pengojë hetimin dhe dënimin efektiv të korrupsionit.

Reforma zgjedhore, dekriminalizimi dhe liria e medias

Raporti kërkon që Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore të “përfundojë shpejt” reformën zgjedhore, të zbatojë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Raporti kërkon zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. Në lidhje me lirinë e medias, PE “ndjen keqardhje” për gjendjen aktuale të ndikimit politik dhe censurën:
PE ndjen keqardhje për përparimin e kufizuar të bërë në fushën e lirisë së medias gjatë vitit të kaluar; ai është i shqetësuar për ndikimin politik në media dhe vetëcensurimin e përhapur mes gazetarëve.

Mjedisi dhe hidrocentralet

PE thekson nevojën për “të përmirësuar vlerësimin e ndikimit në mjedis, garantimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe dëgjesat me shoqërinë civile për projekte me rëndësi”.
PE shprehet kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë dhe deklaron se, “vlerësimi i ndikimit në mjedis i hidrocentraleve nuk është bërë në mënyrën e duhur që të sigurojë përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve të rëndësishme mjedisore të BE-së”.

Njohja e minoritetit bullgar

Një koment më pak i pritur është rekomandimi për të njohur ligjërisht “të drejtat e qytetarëve me etni bullgare në Prespë, Golo Brda dhe rajonin e Gorës”.
I kontaktuar nga “Exit.al”, Blagov Klimov nga zyra e deputetit bullgar Andrey Kovatcehv u përgjigj se:
Ne normalisht kemi prirjen të shmangim çështjet bilaterale në progres raport, por kjo është e një rëndësie parësore. Minoriteti bullgar në Prespë, Golo Brdo dhe Gora është e vetmja pakicë historike e panjohur në Shqipëri. Kjo është një nga komunitetet në rrezik në Shqipëri, që prej zhdukjes së 50 mijë qytetarëve në tre zonat e largëta, që i përkasin dy besimeve fetare të ndryshme — myslimanë dhe ortodoksë — dhe është e vetmja pakicë historike, e cila nuk është njohur zyrtarisht edhe me statusin etnogjuhësor.

Bashkëshorti i Vlahutin, anëtar i bordit të Sorosit

Disa nga postimet e tij shoqërohen me pyetjet “A mund t’i besohet Trump-it butoni i mbushjeve atomike? Çfarë dreqin po i bën Trumpi abortit? Po emigrantëve, çfarë po u bën Trump? Ç’është ky ultranacionalizëm i bardhë?”.
Mediat kroate nuk e kanë patur të vështirë përgjigjen se përse bashkëshorti i ambasadores Vlahutin është kundër presidentit Trump. Duke sjellë në vëmendje jetëshkrimin e tij ata përmendin faktin se ai është pjesë drejtuese e fondacionit Soros.
Revista kroate “HRsvijet” shkruan se ai është anëtar i bordit drejtues të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Bosnjë, i George Soros.

Manjani: Rama, e keqja e të majtës

Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë vazhdon të akuzojë qeverinë Rama për shkelje të ligjit, keqqeverisje, për përhapjen e kanabisit dhe censurimin e medias. Në postimin e tij në Facebook ai shkruan se nuk mund të ndëshkohet e majta për problemet në qeverisjen Rama. Ai i bën thirrje të majtës të bashkohet, si e vetmja rrugë për largimin e  “të keqes prej nesh, prej qeverisë dhe prej shtetit tonë të përbashkët”.
Para pak ditësh, zoti Manjani sulmoi dhe projektin e “1 miliard euro” të njoftuar nga Kryeministri si investimi kryesor për mandatin e dytë qeverisës. Zoti Manjani e quajti këtë projekt “pastrim parash”.
“Projekti 1 miliard euro i shpallur nga Kryeministri është pastrim parash! Kultivimi dhe tregtia e hashashit i paska mbledhur 1 miliard euro, por u duhet një vend për t’i fshehur. Mënyra më e mirë është investimi. Investimi në projekte qeveritare është më i sigurti”, shkruan ai në një postim në Facebook.

Agjencia S&P’s: Në Shqipëri,mungesë të investimeve të huaja

Agjencia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s vlerëson si zhvillime problematike në ekonominë shqiptare numrin e lartë të kredive të këqija dhe mungesën e investimeve të huaja. Në raportin e përvitshëm S&P’s ka vlerësuar bashkëpunimin e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore. Lidhur me dy problemet kryesore, investimet e huaja direkte (IHD) dhe kreditë e këqija, S&P’s shkruan për Investimet e Huaja Direkte: Zbatimi i pjesës kryesore të projektit TAP, gjatë vitit 2017, do të sjellë rritje të vlerës së investimeve të huaja direkte. Pavarësisht kësaj, rreziku se IHD-të do të ulen në vitet e ardhshme, është i lartë. Projekte të mëdha disavjeçarë të tilla si TAP, në total rreth 1,5 miliardë euro investim, sjellin flukse pozitive në ekonomi, por vetëm për një kohë të shkurtër. Zbatimi i reformave, lufta ndaj korrupsionit, respektimi i të drejtës së pronës dhe forcimi i institucioneve do të përmirësonin ndjeshëm klimën e biznesit në vend, do të tërhiqnin investime të reja të huaja direkte dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit. Për kreditë e këqija: Niveli i kredive të këqija vazhdon të mbetet mbi 20 për qind, shifër kjo shqetësuese. Niveli i lartë i kredive të këqija ul besueshmërinë e bankave, pengon kreditimin dhe kufizon rimëkëmbjen ekonomike. Përmirësimet në sistemin ligjor mund të luajnë rol të rëndësishëm në uljen e këtyre kredive. Konkurrenca e pandershme dhe kostot e larta për energjinë elektrike janë dy pengesat kryesore për sipërmarrësit shqiptarë për të zhvilluar biznesin e tyre. Ky përfundim u nxor pas një anketimi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në anketim, që kishte për qëllim të nxirrte në pah vështirësitë e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, u morën në pyetje 1 800 sipërmarrës nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje-Hercegovina. Të gjitha pengesat me të cilat përballen bizneset në vendet e Ballkanit Perëndimor përkthehen në kosto të larta. Studimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim “Studimi i Mjedisit për Biznesin dhe Performanca e Sipërmarrjes”, (BEEPS) që ka marrë në vrojtim 1,800 pronarë biznesesh dhe menaxherë bën të ditur se katër janë çështjet që kanë ndikim më të fortë: krimi, çështjet energjetike, infrastruktura e dobët dhe korrupsioni.

Si i bleu Soros republikanët që dolën kundër Trumpit?

Një fond i themeluar nga miliarderi i majtë, George Soros, ka dhuruar dhjetëra mijëra dollarë për disa prej eksponentëve kryesorë të republikanëve për të luftuar kundër Donald Trump në fushatën presidenciale të vitit 2016.
Ky fakt rrjedh nga të dhënat e donacioneve të përpiluara nga “Qendra për Politika të Përgjegjshme -Center for Responsive Politics”.
Lajmi është publikuar nga “Breitbart”, një prej faqeve kryesore të internetit që ka mbështetur Trump në fushatë, raporton “Lapsi.al”.
Fondi i Menaxhimit të Soros, i cili tashmë shërben si firmë e menaxhimit të investimeve, është themeluar nga miliarderi George Soros në vitin 1969. Ai u bë një prej mjeteve më fitimprurës në industri.
Punonjës të tij janë të përfshirë thellë në mbështetjen e kandidatëve politikë duke dhënë miliona e miliona për grupet që mbështesnin kandidaten demokrate për presidente, Hillary Rodham Clinton.
Por më e rëndësishmja, kompania e Soros, që tani drejtohet nga djali i tij Robert Soros, ka pompuar mijëra dollarë në fushatat e zyrtarëve të lartë republikanë që ishin kundër Trump.
Në total, drejtuesit e kompaninë Soros futën 36.800 dollarë në arkat e këtyre kandidatëve të republikanëve vetëm në ciklin e fundit.
Përfituesi kryesor i këtyre parave të thata ishte kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Rayan, i cili vazhdimisht tentoi të minonte Trump gjatë zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të disponueshme në internet, punëtorët e firmës Soros dhanë 10.800 dollarë për Ryan. Të ndara në dy pjesë, donacionet janë bërë nga David Rogers, një punonjës i atëhershëm i Fondit të Menaxhimit Soros, i cili jeton në Neë York. Ai u largua nga fondi rreth asaj kohe, raporton “Lapsi.al”.
Edhe dy donacione të veçanta për Ryan erdhën nga Jozueu Donfeld, më 2 maj 2016.
Zyra e Ryan nuk iu përgjigj interesit të “Breitbart”.
Senatori Lindsey Graham, që dështoi si kandidat i republikanëve për president, ka marrë 3.500 dollarë nga punonjësit e firmës. 1 500 dollarë i ka marrë nga drejtuesi i Fondit të Menaxhimit Soros, Scott Bessent. 2 000 dollarë i janë dhënë nga Alexander Cohen, një tjetër drejtues i fondit të Soros.
Senatori Marco Rubio, një tjetër kandidat republikan për president ka marrë 2 700 dollarë.
Ndërsa dy kandidatët e tjerë republikanë, guvernatori i Ohajos (Ohio) John Kasich dhe ish–guvernatori i Floridës, Jeb Bush morën nga 2 700 nga Soros.
Senatori antiTrump, John McCain ka marrë 2 500 dollarë nga Soros, ndërsa John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve mori 2 600 dollarë.
Ish-republikani Joe Heck, i nominuari i republikanëve për senator në Nevada, i cili i humbi zgjedhjet dhe u pozicionua kundër Trump ka marrë 2 500 dollarë nga një drejtues i fondit Soros.
Kongresmeni Carlos Curbelo ka marrë 1 000 dollarë.
Cathy McMorris Rodgers mori 1 000 dollarë nga një zyrtar i fondit Soros.
Disa republikanë të tjerë që morën fonde nga Soros, por mbështetën Trump ishin senatori Ron Johnson, senatori Chuck Grassley, Dan Donovan dhe Ed Royce.

Termocentralet e amortizuara shkak për rritjen e importit të energjisë

Në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme për prodhimin e energjisë elektrike aktualisht Kosova është duke u përballur me një krizë serioze në furnizim. Çdo rënie qoftë e planifikuar ose jo e termocentraleve Kosova A dhe B po krijon probleme të mëdha për furnizuesin KEDS/KESCO dhe automatikisht për konsumatorët. Pajisjet e amorizuara të blloqeve (në Kosova A nga viti 1970 dhe në Kosova B nga viti 1983), janë në momentet e fundit të jetës së tyre dhe rregullimet e përkohshme nuk po ndihmojnë. Kur kësaj i shtohen edhe kushtet ekstreme të motit me temperaturat nën -20 gradë gjatë dimrit dhe mbi +30 gradë gjatë verës, atëherë lind nevoja për shtim të importit. Punëtorët e KEK-ut janë angazhuar maksimalisht për të mbajtur prodhimin në nivel, duke u munduar që përkundër paisjeve të stërvjetëruara t’i përmbahen planit të parashikuar. Ky plan devijon ne masë të madhe nga fuqija e instaluar e njësive prodhuese që është sajuar duke marrë parasysh gjendjen e gadishmërisë së ultë të pajisjeve të vjetëruara dhe të konsumuara gjerë në pikën kur paraqesin rrezik per stafin punues në veqanti dhe për terësinë e Bllokut në përgjithësi. Nevoja për import të shtuar, që është rasti i ditëve të fundit, vjen si pasojë e rënies së njësisë A3 dhe pamundësisë së ristartimit për shkak të ngricave, largimit nga puna i njësisë A5 për shkak të rrjedhjes në gjeneratorin e avullit (ekonomizerit) dhe ndaljes së njësisë B1 për shkak të dëmtimeve në elektrofilter. Blloku B1 ka dëmtime edhe në vijen e ventilatorit shtytës, kështuqë edhe pas sanimit të elektrofilterit, një kohë do të punojë me gjysëm kapaciteti, vetem me nje vijë të ekstraktimit të gazrave.

Prishtina dhe Shkupi vendet e preferuara për fluturimet ajrore

Mungesa e linjave të fluturimit me kosto të ulët dhe e aeroporteve dytësore i ka detyruar shqiptarët që t’u drejtohen fqinjëve për të realizuar udhëtime të volitshme. Destinacione europiane që arrihen nga Prishtina, Shkupi e Podgorica me një çmim më të ulët krahasuar me atë që mund të merrej nga Tirana, shtoji kësaj edhe faktin se për një pjesë nuk ka fluturime direkte.
Edhe agjencitë e udhëtimit që ofrojnë ture kulturore apo edhe bileta i programojnë ato me nisje nga aeroporti i Prishtinës, Shkupit madje edhe Podgoricës. Sipas drejtuesve të këtyre agjencive bëhet fjalë për udhëtime që zgjasin nga 4-5 ditë. Në rastet kur klientët dëshirojnë të marrin transport nga agjencia çmimi i ofertës rritet me 25 euro për person.
Janë kryesisht ture kulturore që përfshijnë disa destinacione.
Disa shembuj:
Barcelona
Ky destinacion ofrohet nga agjencitë e udhëtimit përmes linjës direkte nga Shkupi. Aeroporti mund të arrihet me autobus Tiranë–Shkup.
Madridi
Edhe ky destinacion ofrohet nga agjencitë e udhëtimit nga aeroporti i Shkupit me linjë direkte.
Suedia
Kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi, është një tjetër vend turistik që mund të arrihet lehtësisht sërish nga aeroporti i Shkupit me linjë direkte.
Zvicra
Nëse dëshironi të vizitoni Cyrihun, një nga qytetet e Zvicrës atëherë do t’ju duhet të shkoni në Prishtinë. Aeroporti “Adem Jashari” ofron fluturime direkte.
Rusia
Shën Petërburgu, një nga qytet e mrekullueshme të Moskës është vënë në axhendën e agjencive turistike si propozim për festën e 14 shkurtit dhe udhëtimet e pranverës.
Për të mbërritur në Shën Petërburg do t’ju duhet të udhëtoni tranzit përmes Stokholmit, nga Shkupi.
Dubai
Vendi i mrekullueshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai, një destinacion i cili ka filluar të jetë ndër tendencat turistike të këtij viti, ofrohet nga agjencitë shqiptare me fluturime direkte nga Shkupi. Nga ky aeroport, fluturimet mundësohen dy herë në javë.

Nga Shqipëria e lirë vetëm Italia

Nga aeroporti “Nënë Tereza”, kompania me kosto të ulët Wizz Air do të nisë fluturimin e parë në datë 5 prill. Prenotimet, sipas agjencive turistike kanë kohë që janë bërë. Por në krahasim me Shkupin, Wizz Air është shumë më i shtrenjtë në Tiranë.
Të vetmet destinacione që tashmë janë shumë më të lira se një vit më parë janë drejt Italisë, ku shtimi i konkurrencës dhe hyrja e operatorëve të rinj ka ndikuar në uljen e çmimeve dhe një udhëtim vetëm vajtje drejt Milanos e gjen edhe me 35 euro.

Mungesa e aeroporteve dytësore

Vitin e kaluar, qeveria u “fali” dy vite shtesë gjermanëve që menaxhojnë TIA-n, ndërsa është folur edhe për hapjen e aeroporteve në Jug.
Në fillim të këtij viti, qeveria deklaroi se hapat konkretë për ndërtimin e aeroportit të Jugut do të nisin në vitin 2018. Në buxhetin afatmesëm, për vitet 2017-2019, qeveria ka parashikuar rreth 4 milionë dollarë për këtë qëllim. Sipas dokumentit, një fond prej 420 milionë lekësh do të përdoret për projektimin e detajuar dhe ndërtimin e tij.
Ndërsa fillimisht u fol për qytetin e Gjirokastrës, në listën e kandidatëve për ndërtimin e aeroportit të Jugut janë shtuar tashmë qytetet e Sarandës, Korçës Vlorës e Fierit.
Këto qytete përcaktohen si kandidatë potencialë për ndërtimin e një aeroporti të tretë ndërkombëtar, pas Rinasit e Kukësit, në Strategjinë Sektoriale të Transportit 2016-2020.
Në Shqipëri numërohen në total 12 fusha aviacioni të vogla, kryesisht të mbuluara me bar, të cilat potencialisht mund të përdoren për fluturime civile.

Euro në pikiatë nga rënia e nivelit të përgjithshëm të konsumit

Monedha e përbashkët vazhdon të dobësohet përkundrejt lekut duke u këmbyer dje me 136.08 lekë për një euro, 2.5 lekë më pak se një vit më parë për të njëjtën periudhë.
Sipas aktorëve të tregut, rënien e euros e lidhin me efektet sezonale, pasi janari njihet nga shoqëritë tregtare për rënien e volumit të xhiros. Deri më datë 20 të këtij muaji, që përkon me pagesën e sigurimeve, pritet që trendi rënës të vazhdojë. Ashtu sikurse u parashikua, niveli më i lartë i këmbimit u luhat rreth vlerës 137 lekë për një euro, ndërsa një vit më parë në të njëjtën periudhë, niveli 137 lekë ishte niveli më i ulët i këmbimit. Vjet në këtë periudhë niveli më i lartë i këmbimit ishte 139.5 lekë për një euro. Viti 2017 u çel me një normë këmbimi prej 135.4 lekësh, ndërsa pritet që euro të bjerë përsëri në këto nivele këto ditë.
Sipas ekspertëve ka disa arsye në lidhje me dobësimin e monedhës së përbashkët. Së pari, lidhet me injektimin e valutës nga projekti i TAP-it. Megjithatë mbetet për t’u parë niveli i këmbimit pasi të përfundojë investimi. Por, ekspertët theksojnë se stimulimi nga TAP-i ndjehet më shumë rreth datës 20. Arsyeja e dytë është rënia e nivelit të përgjithshëm të konsumit, për më tepër kemi një rritje të depozitave në euro.
Ekspertët presin që në mesin e muajit mars të kemi përsëri një forcim të monedhës euro, pasi bizneset bëjnë mbylljet vjetore dhe nxitojnë të këmbejnë valutën me lek. Euro do të luhatet në këto nivele deri në sezonin veror, ku gjatë tij, për shkak të efekteve sezonale pritet që të ketë përsëri rënie.

OST kërkon dyfishim të tarifave të transmetimit të energjisë

Operatori i Transmetimit të Energjisë OST ka kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht.
Sipas shpjegimeve që vetë OST ka dhënë, rritja e tarifës kërkohet për të realizuar rreth 7,6 miliardë lekë të ardhura që duhen për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit. OST thotë se këtë vit, vetëm pagesat për anëtarësim në organizata europiane dhe rajonale kushtojnë mbi 500 mijë euro.
Nga të ardhurat 7,6 miliardë lekë, rreth 1.8 miliardë lekë llogariten të shpenzohen për të mbuluar kostot e amortizimit të rrjetit.
Më tej, kostot e personelit llogariten 1,2 miliardë lekë dhe 3,6 miliardë lekë të tjera llogariten si kosto operacionale, ku futet edhe blerja e humbjeve në sistemin e shpërndarjes.
OST sqaron se 470 milionë lekë janë kosto tatimore. OST llogarit se të ardhurat nga alokimi i kapaciteteve këtë vit të jenë 1.2 miliardë lekë, ndaj tarifa e synuar për të mbuluar shpenzimet që nevojiten për këtë duhet të jetë 1.7 lekë për kilovatorë.
OST, në kërkesën drejtuar ERE-s, ka shpjeguar se gjatë periudhës 2012-2015, si dhe gjatë vitit 2016, OST nuk ka arritur të arkëtojë të gjithë të ardhurat e lejuara nga kjo tarifë. Kjo situatë ka rënduar gjendjen financiare të kompanisë, duke e bërë të pamundur shlyerjen e detyrimeve të saj.
Gjatë vitit 2015 kanë pasur një përmirësim në arkëtimet e energjisë, por gjithsesi në fund të vitit, shuma totale që OSHEE i detyrohet OST është 8.3 miliardë lekë. Deri në fund të muajit nëntor të vitit 2016, OSHEE ka vijuar të shlyejë në një përqindje rreth 92% të faturës aktuale të energjisë elektrike.
Për vitin aktual synon koston totale duke përfshirë kostot e operimit, kostot e kapitalit dhe taksat. Të gjitha këto kosto kërkojnë një tarifë 1.17 lekë për kilovatorë.