Në Shqipëri Konventa e LSI-së zgjodhi mbrëmjen e së mërkurës në unanimitet, Monika Kryemadhin si drejtuesen e re të partisë. Kryemadhi nuk pati asnjë rival dhe votimi u krye formalisht përmes ngritjes së duarve me kartonat jeshil në favor. Ajo pason në këtë post zotin Petrit Vasili, i cili dha dorëheqjen papritur javën e shkuar pas vetëm gati 7 javësh në drejtimin e partisë, duke zëvendësuar themeluesin e saj zotin Ilir Meta, i cili u tërhoq pas zgjedhjes si President i ardhshëm i vendit.
Ndërsa zgjedhja e zonjës Kryemadhi, bashkëshorte e zotit Meta dhe një politikane me karrierë të gjatë, ishte thjesht një procedurë për t’u plotësuar, ranë në sy tonet shumë të ashpra kundrejt kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ku ministrat e LSI-së vazhdojnë të jenë ende pjesë. Zonja Kryemadhi foli për një pushtet të kapur sipas saj nga oligarkët dhe krimi. “Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare. Ne do të jemi ata që do ta çojmë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe të shitblerjes së votave. Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë edhe një ndërkombëtar, por me gjithë paratë e rruzullit tokësor, heshtjen e LSI-së kurrë nuk ka për ta blerë”.
Zonja Kryemadhi madje kërkoi ndjesë “për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Rilindjen e Edi Ramës. Ne nuk folëm hapur dhe qartë që kur nisëm të konstatonim që shqiptarët po keqqeveriseshin, e bëmë këtë në emër të fjalës së dhënë për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur së bashku me socialistët. Ky ishte gabimi ynë që nuk reaguam fort, që kur nisëm të konstatonim që Shqipëria po kthehej në një plantacion droge. Ne nuk e ngritën zërin sa duhet kur Shqipëria po jepej e gjitha me koncesion. Ne duhet të kishim parandaluar këtë me masa ekstreme deri në bllokimin e Parlamentit”.
Kryetarja e re e LSI-së paralajmëroi një opozitë të ashpër ndaj qeverisë së re. “Beteja jonë në Parlamentin e ardhshëm do të jetë pikërisht ajo kundër kësaj kaste që ka marrë në dorë timonin e makinës së krimit dhe të drogës. Këtë herë tolerancë zero ndaj çdo veprimi të dyshimtë. Kundër çdo praktike korruptive dhe favori shtetëror ndaj të fortëve dhe oligarkëve. Përballë nesh nuk është një kundërshtar politik, por një kundërshtar i armatosur me krimin, me drogën dhe me arrogancën e korrupsionin, të gatshëm për të blerë çdo gjë me qëllimin e vetëm pushtetin dhe mbajtjen e pushtetit të tyre”, u shpreh zonja Kryemadhi.
Nga ana tjetër, Petrit Vasili, i cili i dorëzoi postin e kryetar të Lëvizjes Socialiste Monika Kryemadhit, foli për procesin zgjedhor që Shqipëria mbajti më 25 qershor. “225 mijë votat (që mori LSI) janë vota heronjsh dhe misionarësh që sollën me kurajë të fortë Shqipërinë demokratike, jo atë me drogë, jo atë me plehra. Këto vota janë themeli i betonit i një opozite të vërtetë që i ka munguar këtij vendi. Jo një opozitë që flirton me qeverinë prapa perdes. Kjo opozitë e re lufton oligarkët, barazi të varër të pasur”, tha Vasili. Ai hodhi akuza të rënda për abuzime të faktuara në zgjedhje, siç ishte blerja e votave dhe presionet e ushtruara ndaj qytetarëve nga forca politike të çdo ngjyre siç u shpreh ai. “Krim i strukturuar elektoral”, theksoi Vasili, duke akuzuar qeverinë për qindra mijëra euro që u hodhën për të blerë vota dhe që sipas tij tronditën kursin e euros. “Presione, heqje nga puna, shembje e murit të shtëpisë, mbyllje të biznesit, nota të gjimnazistëve. Shfaqje e turpshme e manipulimit masiv të vullnetit të shqiptarëve”.