Tërhiqet Morata!

Për Alvaro Moratën duket se nuk do të ketë një fanellë të re në sezonin e ri edhe pse një objektiv i lakuar nga disa klube të mëdha europiane si Manchester United apo Chelsea. Tashmë bisedimet e bordit drejtues madrilen me klubet angleze janë bllokuar. Vetëm deri 24 orë më parë, tranfserimi i Alvaros dukej i mundur kjo falë interesimit të Manchesterit apo insistimit të Mourinoh që ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me futbollistin, duke bërë maksimumin për të përfituar shërbimet e 24-vjeçarit, gjithsesi tashmë vendimi duket se është marrë dhe për një diferencë prej 10 milionë eurosh nga 90 që kërkohej për të bisedimet duken të mbyllura.
Transferimi i Lukakut drejt Mançester Junajtid solli tërheqjen e gjigantëve anglezë nga gara për të transferuar Alvaro Moratën. Bisedimet për transferimin e sulmuesit të Realit të Madridit, i cili kishte një akord me “djajtë”, kishin avancuar shumë, aq sa këtë javë Perez refuzoi ofertën e fundit të anglezëve, 80 milionë euro.
Por, pretendimi i palëkundur i kampionëve të Europës për 90 milionë euro solli dhe tërheqjen në momentet e fundit të Junajtid, që pranoi të paguante 5 milionë euro më shumë, por të transferonte sulmuesin belg nga Evertoni. Jo pak i befasuar nga një trajektore e tillë e merkatos ka mbetur edhe shtypi spanjoll.
Në “Bernabeu” duken të qetë: ata nuk e kanë presionin e shitjes së talentit të tyre dhe Zidan e ka shprehur gjithnjë publikisht se dëshiron që ta mbajë Moratën. Problemi është dëshira e lojtarit, i cili kërkon të luajë më shumë dhe aktualisht me Benzemanë në skuadër është e pamundur që të gjejë hapësira.
Morata do të jetë i detyruar tani të rikthehet në grumbullim pas 9 ditësh, për të nisur fazën përgatitore. Vetëm në rast se Çelsi nuk bën ndonjë surprizë. Ai i pëlqen shumë Antonio Kontes, i cili e mori te Juventusi në vitin 2014 dhe do ta dëshironte edhe një ribashkim në “Stamford Bridge”.
Por edhe kampionët e Anglisë do të duhet të zgjidhin ngërçin e çmimit të kartonit. Ai që është në ankth për gjithë këtë situatë të krijuar, është pikërisht Morata, i cili ka shënuar 20 gola sezonin e shkuar dhe ka mesataren më të lartë për minutat e luajtura. Por, ai vazhdon të konsiderohet violinë e dytë nga Zidan, i cili tentoi edhe në fund të sezonit për ta bindur të qëndronte, por 24-vjeçari e ka marrë tashmë vendimin e tij.

Exit mobile version